Bota është në pritje të takimit trepalësh të nivelit të lartë ndërmjet Rusisë, Ukrainës dhe Turqisë, që do të zhvillohet sot në provincën jugore të Antalias, si pjesë e përpjekjeve të Ankarasë për të ndërmjetësuar midis vendeve ndërluftuese.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu njoftoi takimin mes ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe homologut të tij ukrainas, Dmytro Kuleba të hënën e kaluar duke thënë se ”ne do ta mbajmë këtë takim në një format trepalësh në Antalia, të enjten, më 10 mars”.
Ai do të marrë pjesë në takim pasi të dy liderët kanë kërkuar praninë e tij, tha ministri duke shtuar se ai do të bashkojë zyrtarët e nivelit të lartë rus dhe ukrainas për herë të parë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt.
Duke shprehur shpresën se takimi do të jetë një pikë kthese dhe hap i rëndësishëm drejt paqes dhe stabilitetit, ministri i Jashtëm turk tha se Ankaraja do të vazhdojë të bëjë përpjekje për një paqe të qëndrueshme.
”Që kur Rusia nisi sulmin e saj ndaj Ukrainës, Turqia ka marrë pjesë në përpjekje diplomatike aktive për të bashkuar palët përkatëse”, tha Çavushoglu duke shtuar se presidenti Recep Tayyip Erdogan ka bërë 19 telefonata me homologët e tij.
”Edhe unë kam zhvilluar rreth 40 telefonata”, shtoi ministri.
”Gjatë kësaj periudhe, unë fola me ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba gjashtë herë dhe ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov katër herë, pa përfshirë bisedat tona me SMS”, shtoi ai.
Sipas ministrit, Kuleba dëshironte një takim të drejtpërdrejtë midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, sepse ky i fundit merr vendimet përfundimtare.
Delegacionet ruse dhe ukrainase janë takuar tri herë në qytetin bjellorus Brest, më i fundit të hënën.
Delegacioni i Moskës udhëhiqej nga këshilltari presidencial rus, Vladimir Medinsky, ndërsa ai i Kievit nga Mikhail Podolyak, këshilltari i Zelenskyt.
Pas takimit, Podolyak deklaroi në Twitter se bisedimet rezultuan në hapa të vegjël pozitivë për krijimin e korridoreve humanitare.
Moska ka kushte të ndryshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Ajo dëshiron që Ukraina të ndryshojë Kushtetutën e saj për të deklaruar pa mëdyshje se Kievi nuk do të bashkohet me asnjë aleancë dhe se Krimea është territor rus.
Në shkurt të vitit 2019, parlamenti i Ukrainës miratoi amendamentet në Kushtetutë që parashikojnë aspiratën e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n.
Kievi dëshiron që lufta në territorin e tij të përfundojë dhe trupat ruse të tërhiqen plotësisht nga toka ukrainase, duke përfshirë Krimenë, Donetskun dhe Luhanskun.
Raundi i parë i negociatave u zhvillua më 28 shkurt në Gomel të Bjellorusisë, pranë kufirit me Ukrainën dhe zgjati pesë orë.
I dyti nga bisedimet e paqes u zhvillua më 3 mars dhe i treti më 7 mars në Brest.
Rusia njoftoi herët të hënën se do të shpallte një armëpushim të përkohshëm në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe qytetet Mariupol, Kharkiv dhe Sumy për të siguruar evakuimin e civilëve.
Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, provokoi reagime të ashpra ndërkombëtare dhe çoi në sanksione serioze kundër Moskës.
Të paktën 474 civilë janë vrarë dhe 861 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës dhe më shumë se 2,15 milionë qytetarë janë larguar nga Ukraina.
Një sulm rus ka goditur një urë të dytë kryesore në Kiev, ka bërë të ditur kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, ndërsa Rusia po intensifikon sulmet mbi infrastrukturën kritike në kryeqytetin ukrainas, raporton BBC.
Sulmi të shtunën në mëngjes dëmtoi shtresën e rrugës dhe linjat ajrore të trolejbusëve në Urën Veriore (Northern Bridge), deklaroi Klitschko, duke shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve.
Goditja vjen pasi një tjetër urë kyçe e qytetit, Ura e Jugut, u shënjestrua disa herë nga dronët rusë të enjten dhe të premten. Klitschko më herët paralajmëroi se sulme të tilla po e “shqyejnë Kievin”.
Urat e Veriut dhe të Jugut lidhin pjesët lindore dhe perëndimore të kryeqytetit dhe nuk ishin goditur kurrë më parë para të enjtes, gjë që sinjalizon një fazë të re në strategjinë e Moskës.
Sulmet mbi Urën e Jugut kanë shkaktuar kaos të madh në transport që nga e enjtja, me pezullimin e qarkullimit të metrosë dhe makinave mbi të. Shumë nga banorët e qytetit — i cili numëron rreth tre milionë banorë — mbështeten te metroja për të udhëtuar përmes qytetit.
Në sulmin e së enjtes, një dron rus goditi kabllot e urës Pivdennyi në Kiev.
Duke shkruar në Telegram të shtunën, Klitschko tha: “Goditje në Urën e Veriut. Shërbimet e urgjencës janë rrugës.”
“Qarkullimi në urë nga bregu i majtë në të djathtin për momentin është i bllokuar,” shtoi ai.
Sulmet e mëparshme në Urën e Jugut shtynë këshillin e mbrojtjes të Kievit të mbante një mbledhje krize të premten, pas së cilës Klitschko paralajmëroi se qyteti ndodhet në një “situatë shumë dramatike”, ndërsa Moska po godet “infrastrukturën kritike, logjistikën, strehimin” dhe objekte të tjera kyçe.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia po vepron si përgjigje ndaj sulmeve të Ukrainës mbi objektet energjetike ruse, me gjithë faktin se ishte vetë Moska ajo që kishte nisur e para sulme të tilla.
Pas sulmit në Urën e Jugut, udhëtarët përshkruan se si pluhuri nga vala e shpërthimit hyri në vagonin e tyre përmes sistemit të ventilimit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Putin ka vendosur që “tashmë nuk ka rregulla” gjatë sulmeve ndaj Ukrainës.
Në një intervistë për Financial Times, ai tha: “Rusët dështuan të na pushtojnë. Kështu që tani po kryejnë sulme masive dhe vrasje masive.”
Ai shtoi: “Ata duan të shkatërrojnë urat tona… qendrat tona të të dhënave, internetin, rrjetet celulare, spitalet, kopshtet, shkollat, universitetet — gjithçka. Ata duan që njerëzit të ikin nga qytetet e tyre.” /BBC/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.
Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/
Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.
Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.
Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.
Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.
Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.
Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.