Aktualitet

Sulm masiv rus me raketa dhe dronë mbi Kiev: Të paktën 13 të vrarë, mes tyre edhe fëmijë

Published

on

Forcat ruse kanë ndërmarrë një sulm masiv me raketa dhe dronë gjatë natës ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 13 personave dhe plagosjen e më shumë se 30 të tjerëve. Ky është sulmi i parë i këtij rrethi të gjerë në më shumë se dy javë, duke goditur qëllimisht zona të banuara dhe infrastrukturë civile.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë në disa lokacione të goditura, përfshirë një ndërtesë shumëkatëshe banimi dhe shtëpi private në juglindje të Kievit. Deri më tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të shpëtojnë 34 persona nga gërmadhat.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Tymur Tkachenko, konfirmoi se në mesin e viktimave ka edhe fëmijë, duke dënuar ashpër veprimet e Moskës.

“Armiku po shënjestron sërish qëllimisht zonat e banuara dhe po vret civilë”, deklaroi Tkachenko të enjten herët në mëngjes.

Ndërsa, mëngjesi i sotem ka shpërfaqur pasojat e rënda të bombardimeve të natës. Nëpër qytet shihen kratere të mëdha të shkaktuara nga shpërthimet, makina të djegura, ndërtesa të rrënuara dhe tym që ende ngrihet mbi rrënoja.

Zjarre të shumta kanë shpërthyer në pika të ndryshme të Kievit. Mes tjerash, dëme të mëdha janë raportuar në një stacion të ambulancës – ku mbeti i plagosur rëndë të paktën një person – si dhe në një hotel në një bulevard qendror të qytetit, ku zjarrfikësit luftuan me flakët për orë të tëra.

Ambasadorja e Ukrainës në SHBA, Olha Stefanishyna, reagoi përmes një postimi në rrjetin social X, duke e përshkruar situatën si terrorizëm të pastër:

“Një tjetër natë tmerri për banorët e qytetit, të cilët u detyruan ta kalonin atë nëpër strehimore. Zjarre dhe shkatërrim i infrastrukturës civile dhe ndërtesave të banimit në disa lagje.”

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë pretendoi se ka shënjestruar kapacitetet energjetike dhe bazat ushtarake në Ukrainën qendrore dhe lindore. Sipas Moskës, ky sulm vjen si kundërpërgjigje ndaj goditjeve të fundit ukrainase mbi termocentralet dhe stacionet ruse të energjisë, nga Moska e deri në Detin e Zi.

Këto sulme të mëparshme ukrainase duket se kanë dhënë efekt, pasi vetë Presidenti rus, Vladimir Putin, bëri një pranim të rrallë publik se vendi i tij po përballet me mungesë të karburantit.

Ky sulm masiv nuk ishte tërësisht i papritur. Të mërkurën, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërpreu para kohe vizitën e tij zyrtare në Dublin, pasi mori të dhëna të reja nga shërbimet e inteligjencës se Moska po planifikonte një goditje të madhe.

“I bëj thirrje popullit tonë të jetë veçanërisht i kujdesshëm, të mbrojë veten, fëmijët dhe natyrisht familjet e tyre”, kishte paralajmëruar Zelensky vetëm pak orë para sulmit, duke shtuar se Putin po e përgatiste këtë goditje prej kohësh.

Përveç sulmeve ajrore mbi qytete, luftime të ashpra po zhvillohen edhe në terren. Trupat ruse kanë avancuar së fundmi drejt qytetit Kostyantynivka, i cili konsiderohet si një nga bastionet e fundit kryesore të Ukrainës në lindje. Nëse Moska arrin ta marrë nën kontroll këtë qytet, do të siguronte një portë të hapur drejt të gjithë rajonit të Donbasit.

Megjithatë, komandantët ukrainas raportojnë se përgjatë këtij viti kanë arritur të rifitojnë më shumë territor sesa kanë humbur, duke ndërprerë linjat jetike të furnizimit të Moskës midis kufirit rus dhe Krimesë së pushtuar. /BBC/ /E.A/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Vendi

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Vendi

Kalon Projektligji për parandalimin e pastrimit të parave

Published

on

Kuvendi ka miratuar në shqyrtim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë marrë pjesë në votimin për amandamentet e propozuara nga Lista Serbe për këtë projektligj./A.K/

Continue Reading

Lajmet

PDK-ja e LDK-ja bojkotojnë zgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Published

on

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Lidhje Demokratike të Kosovës e kanë lëshuar seancën e Kuvendit në momentin kur nisi votimi për zgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Ndërkohë, deputetët e pushtetit po vazhdojnë votimin. /A.K/

Continue Reading

Të kërkuara