Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 2 korrik 1993-1998?

Published

on

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Leka i Parë

2 korrik 1994

Dëme të mëdha nga vërshimet në Suharekë, Prizren, Malishevë dhe Istog

Suharekë:  Siç kemi njoftuar parmbrëmë në mesnatë Suharekën e përfshiu vërshima me pasoja të rënda. Njoftohet se përpos Suharekës moti i lig dhe vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në fshatrat Budakovë, Mohlan, Reçan, Bukosh, Savrovë, Vraniq, Mushtisht, Sopi, etj.

Në Suharekë thuhet se dëmin më të madh e përjetoi pjesa më e vjetër e qytetit që shtrihet në të dy anët e rrjedhës së lumit. “Bujku” njofton se në orën 0,30 pas mesnate, valët e rrëmbyeshme të lumit përlanë gjithçka përpara. Niveli i ujit u ngrit në dy metra lartësi jashtë shtratit të lumit. Uji rrënoi së paku 13 shtëpi. Nga vërshima gjeti vdekjen plaku 75-vjeçar Sali Shala, ndërsa u lënduan Rasim Shala dhe Xhevahire Shala.

Njoftohet se nga uji pësuan disa familje që banonin në shtëpitë shoqërore njëkatëshe, që ndodheshin në anët e rrugës kryesore të qytetit. Më së rëndi patën familjet e Ruzhdi, Faik, Rasim dhe të Vesel Berishës. Për një kohë shumë të shkurtër u rrënua shtëpia njëkatëshe e Ruzhdiut, ku banonin tetë anëtarë të familjes, në mesin e tyre edhe një foshnjë e porsalindur. Njoftohet se Ruzhdiu dhe bashkëshortja e tij u lënduan por, fatmirësisht, të gjithë i shpëtuan së keqes.

Gazeta “Bujku” njofton se qindra familje në Suharekë zhvilluan parmbrëmë luftë mes jetës dhe vdekjes. Banorët e këtij qyteti bënin përpjekje mbinjerëzore për t’iu shmangur rrebeshit të ujit, ose për të shpëtuar banorët e rrezikuar. Muharrem Kuçi, Hamdi Elshani, Shaban Gashi, dr.Sejdi Elshani, Rexhep Kuçi, prof.Xhemajl Shala, etj., u hodhën në valë të ujit për të shpëtuar banorët që gjendeshin në shtëpitë e përmbytura nga uji. Rasim Berisha 77-vjeçar i tha gazetës “Bujku” se nuk mbahet mend ndonjë vërshimë e tillë. Shtëpia e tij është dëmtuar, ndërsa ai është strehuar përkohësisht në shtëpinë e vëllait të tij Faikut, e cila po ashtu është dëmtuar tërësisht në katërin e parë.

Në muret e shtëpitë të parrënuara shihet se niveli i ujit gjatë vërshimës kishte arritur afër 2 metra.

Pamjet në Suharekë, lym, automjete të përmbysura, grumbuj drush, mure të rrëzuara, kafshë të ngordhura, mobilie, e të tjera, dëshmojnë për gjendjen e rëndë të natës së parmbrëmshme në Suharekë.

Njoftohet se u shkaktuan dëme jashtëzakonisht të mëdha. Vesel Pasulit nga Prizreni iu shkaktua dëm prej 80 mijë markash gjermane. Muhamet Krasniqit, mjeshtër i teknikës së bardhë, i janë dëmtuar të gjitha mjetet e punës, pjesë të ndërrimit dhe aparatet e myshterive.

Reporterët e gazetës “Bujku” njoftojnë se në disa fshatra dëme të mëdha shkaktoi breshëri, si në fshatrat Budakovë, Mohlan, Bukosh e Vraniq.

Shiu përcillej me vetëtima dhe bubullima. Në Mushtisht rrufeja goditi dy shtëpi, ndërsa dëme të mëdha u shkaktuan në fshatrat Reshtan, Studençan, Pleshan, Tërshnjë, etj.

Njoftohet se në Suharekë dhe rrethinë aktivistë të Degës së LDK-së dhe ata të Qeverisë komunale dolën në vendin e ngjarjes dhe po përpiqen të zbusin pasojat e këtyre vërshimeve.

Mirëpo, policia serbe po u nxjerr pengesa aktivistëve dhe veprimtarëve të shoqatave humanitare. Komisioni për Informim i Degës së LDK-së njofton se dje, derisa po bënin shpërndarjen e ndihmave materiale për të dëmtuarit nga vërshimet që ndodhën natën e 30 qershorit, policia mori kryetarin e SHH “Nëna Terezë” dhe tre anëtarë të Kryesisë: Vesel Hysën dhe Hysni e Ismet Bytyçin. Personat e lartëshënuar në polici u mbajtën mbi 4 orë, me pretekst se nuk i kanë lajmëruar organet serbe dhe se gjoja ata punuakan në mënyrë ilegale.

Prizren: – Edhe në komunën e Prizrenit, nga moti i lig natën e 30 qershorit, dëme të mëdha materiale u shkaktuan edhe në fshatrat Mamushë, Medvec e Zojc të kësaj komune.

Me këtë rast në këto tri fshatra nga vërshimet u dëmtuan rreth 270 hektarë kopshtie dhe rreth 150 hektarë sipërfaqe të mbjella me grurë, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Prizren.

Vetëm në Mamushë janë dëmtuar rreth 200 hektarë kopshtie.

Bëhet me dije se në fshatin Medvec nga vërshimet e lumit Toplluhë janë dëmtuar dhjetë shtëpi. Haxhi Krasniqi tha se në dhjetë shtëpi ka hyrë uji në mbi një metër lartësi, ndërsa 30 hektarë kopshtie janë shkatërruar tërësisht. Ai tha se uji ka vërshuar edhe 30 hektarë me grurë. Më se 60 për qind e popullatës së këtij fshati, tha ai, nuk kanë burim tjetër të jetesës.

Njoftohet se vërshimet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në fshatin Zojz. Hysen Destani dhe Durak Thaçi thanë se janë shkatërruar rreth 20 hektarë grurë që kishin mbetur pa u korrë.

Malishevë: – Shiu parmbrëmë shkaktoi dëme të mëdha edhe në kulturat bujqësore të komunës së Malishevës. Shiu i përcjellë me breshër, me bubullimë e vetëtimë, shkaktoi dëme bujqve të kësaj komune, sidomos në fshatrat Banjë, Bellanicë, Dragobil dhe Shkozë, ku pothuajse tërësisht u shkatërruan kopshtiet me pemë dhe perime. Bëhet me dije se shiu dhe breshëri dëmtuan shumë ara me grurë dhe misër.

Istog: – Stuhia e përcjellë me shi dhe bubullimë shkaktoi vërshimin e përrenjve në disa fshatra të komunës së Istogut. Kështu në fshatrat Cërcë, Lubozhdë, Vrellë, Kaliqan e Llugë, uji i përrenjve hyri edhe në oborret e shtëpive dhe shkaktoi dëme nëpër ara. Nga shiu dhe era e fortë pësuan edhe të mbjellat në fshatrat Staradran, Tubuhovc dhe Baicë të kësaj komune.

 

 

2 Korrik 1995

Klintoni u takua me funksionarë të LDK-së për Amerikë dhe Kanada

Në kuadër të aktiviteteve të fushatës parazgjedhore për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, presidenti i SHBA-ve Bill Klinton, me bashkëshorten Hillary Klinton, në kuadër të takimeve me simpatizuesit dhe zgjedhësit e vet, pati një takim të veçantë me Ramazan Bekteshin, koordinator i degëve të LDK-së për Amerikë e Kanada si dhe me Miron Hysenin, kryetar i Degës së LDK-së për Ilinois.

Funksionarët e LDK-së në SHBA dhe Kanada shfrytëzuan rastin dhe njoftuan presidentin Klinton me zhvillimet më të reja në Kosovë.

Presidenti Klinton përsëriti qëndrimin se nuk do të lejohet kurrfarë shkallëzimi i gjendjes në Kosovë. Presidenti Klinton përkujtoi gjatë takimit se javën e kaluar në Uashington ishte për vizitë presidenti Rugova me një delegacion.

 

2 korrik 1997

Leka I: Edhe me manipulime kemi fituar 54 për qind

“Edhe pse ka manipulime të shumta, monarkia ka fituar”. Kështu deklaroi dje në një konferencë shtypi NMT Leka I.

Konferencën e hapi ministri i Oborrit Abedin Mulosmani, i cili deklaroi se jemi të detyruar të mbajmë këtë me praninë e Lekës I, pas shumë deklaratash keqdashëse të disa partive dhe sidomos socialistëve.

Më pas ministri Mulosmani përshkroi shkurtimisht gjithë procesin e votimit për referendumin.

Rezultatet në favor të monarkisë janë:

Korçë 70 për qind, Shkodër 70 për qind, Krujë 70, Burrel 82, Durrës 82, Kavajë 80, Shijak 80, Elbasan 60, Gjirokastër 55, Tiranë 54 dhe Vlorë 30 për qind.

 

 2 korrik 1998

Deçan: Granatime dhe luftime gjatë gjithë natës

Sot që nga ora gjashtë e mëngjesit forcat serbe kanë granatuar Lubeniqin, Strellcin e Epërm, Strellcin e Ulët, Lëbushën, Isniqin, Carrabregun e Ulët, Belegun dhe Prejlepin, njofton KI i Degës së LDK-së në Deçan.

Granatimet ishin të një intensiteti më të lartë në Carrabreg të Ulët dhe në Beleg. Prej dje nga ora 15 deri sot në mëngjes, mbi këto dy fshatra janë shkrepur mbi 150 granata.

Nuk ka të vrarë e të plagosur ndërsa dëmet materiale nuk janë të mëdha.

Sulme ndaj fshatrave të Deçanit ka pasur edhe dje pasdite dhe gjatë orëve të natës.

Nga pra 17 deri në orën 20,30 janë bombarduar në mënyrë intenzive fshatrat Beleg dhe Carrabreg i Poshtëm. Edhe pse bombardimet zgjatën një kohë të gjatë, përgjigja e forcave mbrojtëse ishte e shpejtë dhe adekuate. Pas sulmit artilerik serb pasoi kundërsulmi i forcave mbrojtëse të cilat i detyruan forcat serbe të tërhiqen.

Nuk ka njoftime për të vrarë e të plagosur në radhët e popullsisë dhe forcave mbrojtëse, ndërsa nga granatimet u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Mbrëmë është granatuar një pjesë e Prejlepit dhe fshatrat e regjionit të Vokshit, por këto sulme ishin të intensitetit më të vogël.

Ende nuk dihet për fatin e Idriz Zeqë Tolajt (55). Luten të gjithë ata që dinë për fatin e tij të lajmërohen në mjete e informimit ose në telefonat 039 35950, ose në Zvicër 9941 339 314002.

 

 

Continue Reading

Vendi

ATK: Mbi 900 milionë euro të hyra gjatë vitit 2026

Published

on

Agjencia Tatimore e Kosovës ka njoftuar se nga janari deri në shtator të këtij viti ka mbledhur 908.8 milionë euro të hyra tatimore, apo 114.5 milionë më tepër se në periudhën e njëjtë të vitit 2025.

Kjo është një rritje prej 14.5 për qind.

Po ashtu ATK ka thënë se ka rënë numri i ndëshkimeve për 22 për qind.

“Këta tregues pasqyrojnë një qasje të orientuar drejt përmbushjes më të madhe tatimore, parandalimit të parregullsive dhe administrimit më efikas të obligimeve tatimore. Rezultatet mbështeten nga puna e vazhdueshme e ATK-së në disa drejtime, duke përfshira monitorimin e bizneseve, me fokus të veçantë te tatimpaguesit me rrezik të lartë tatimor.  Informimi dhe edukimi i tatimpaguesve, përmes komunikimit më të gjerë dhe orientimit për përmbushjen e drejtë të obligimeve.  Parandalimi i shkeljeve, duke synuar rritjen e përmbushjes vullnetare dhe zvogëlimin e nevojës për masa ndëshkuese. Digjitalizimi i shërbimeve tatimore, për qasje më të lehtë, procedura më efikase dhe shërbime më të mira për tatimpaguesit”, ka njoftuar ATK. /A.K/

Continue Reading

Rajoni

Policia në Shqipëri: 71 policë të plagosur, disa prej tyre rëndë

Published

on

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi protestuesve që të distancohen nga dhuna. 

Ai në  një konferencë për media ka thënë se deri tash janë plagosur 71 policë, disa prej tyre me lëndime të rënda.

Ka shtuar se protesta është e drejtë e garantuar, por s’mund të jetë mburojë për dhunën e shkatërrimin.

“U bëj thirrje prindërve e mësuesve që të mos lejojnë nxënësit të përfshihen në akte dhune të organizuar. Pas maskave që udhëheqin protestën me shembullin e dhunës nuk  janë studentë, por janë individë te rekrutuar për qëllimet e errta të organizatoreve te vërtetë te kësaj proteste, brenda e jashtë vendit. Nga të gjithë të ndaluarit në natën e parë, asnjë nuk është student. Në natën e dytë një numër shumë i vogël i tyre ishin studentë. Çdo sulm ndaj policëve është sulm ndaj shtetit”, ka thënë ai. 

Ai ka thënë që nuk duhet ngatërruar vetëpërmbajtjen e policisë së shtetit me dobësi.

Hita ka thënë për vjedhje janë arrestuar disa persona dhe ndaj tyre janë ngritur edhe aktakuza.

Ai ka thënë se kreu i forcave të rendit në Shkodër është lënduar rëndë gjatë protestës, porse tashmë është  në trajtim dhe në gjendje stabile.

Hita ka deklaruar se reagimi i policisë ka qenë proporcional me sjelljen e protestuesve.

“Nuk ka pasur qasje të ndryshme nga policia. Jemi të vendosur të përballojmë çdo akt dhune ndaj çdo institucioni shtetëror dhe privat, si dhe të mbrojmë jetën e qytetarëve. Reagimi ka qenë proporcional. Ju nuk e keni parë lumin e gurëve që kanë rënë mbi policët”, tha ai./A.K/

Continue Reading

lajme

Kosova rrezikon organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, ICMG paralajmëron masa

Published

on

By

Kosova rrezikon të humbasë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030, pas paralajmërimeve nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) për mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, ICMG-ja ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet e këtij organizimi madhor sportiv.

Sipas dokumentit të publikuar nga Rama, institucionet përgjegjëse nuk i janë përgjigjur letrës së dërguar më 21 shtator 2026. Po ashtu, mungon garancia bankare që duhej të sigurohej në janar, ndërsa mbetet e papaguar edhe tarifa e muajit qershor.

ICMG-ja ka paralajmëruar se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht organizimin e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

Më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv pritet të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për të ardhmen e këtij eventi.

Pas publikimit të letrës, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për situatën e krijuar, duke e cilësuar rrezikun e humbjes së organizimit si një goditje të madhe për sportin kosovar.

Ai ka theksuar se mungesa e përgjigjeve institucionale dhe mosrealizimi i obligimeve po e vënë në pikëpyetje një mundësi historike për vendin.

Fitimi i së drejtës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030 ishte vlerësuar si një nga arritjet më të rëndësishme në historinë e sportit të Kosovës, ndërsa zhvillimet e fundit kanë ngritur shqetësime për realizimin e këtij projekti.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Zyrtarë të lartë të NATO-s vizitojnë veriun e Kosovës, vlerësojnë situatën e sigurisë

Published

on

By

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, së bashku me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, kanë vizituar të enjten veriun e Kosovës.

Gjatë vizitës, ata kanë vëzhguar nga afër patrullimin e përbashkët të pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës përgjatë vijës kufitare.

Dy zyrtarët janë takuar gjithashtu me kryetarin e komunës së Zubin-Potokut, Milosh Peroviq, me të cilin kanë diskutuar për gjendjen e sigurisë dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit.

Përmes një njoftimi, KFOR-i ka ritheksuar përkushtimin për ruajtjen e sigurisë, duke bërë të ditur se vazhdon të monitorojë situatën në terren, të bashkëpunojë me komunitetet dhe të mbajë gatishmërinë operacionale.

Një ditë më parë, Wikoff dhe Vergori kanë zhvilluar takime me drejtues shtetërorë, përfaqësues institucionalë dhe komunitete të ndryshme.

Ndërkohë, NATO ka vlerësuar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet përgjithësisht e qëndrueshme dhe ka shënuar përmirësime. Megjithatë, Aleanca ka theksuar se çdo ndryshim në praninë dhe strukturën e KFOR-it do të varet nga zhvillimet në terren, duke mos përjashtuar rikthimin e masave të mëparshme në rast të përkeqësimit të sigurisë.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara