
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
Profesor i Shkencave Politike dhe Juridiko-Administrative
Demokracia konsensuale, sipas politologut Arend Lijphart, është mënyrë e qeverisjes që synon të ruajë dinamikën dhe funksionalitetin e demokracisë në shoqëritë thellësisht të përçara. Për dallim nga demokracia e shumicës, e cila mbështetet në parimin “fituesi i merr të gjitha”, demokracia konsensuale përpiqet të përfshijë të gjitha grupet shoqërore të rëndësishme në procesin e vendimmarrjes. Lijphart e ka zhvilluar këtë model si përgjigje ndaj sfidave qeverisëse në shoqëritë pluraliste, të ndara mbi baza etnike, fetare, gjuhësore apo edhe ideologjike, me ç’rast sundimi i shumicës mund të rezultojë në përjashtim, konflikte dhe paqëndrueshmëri politike.
Në vet thelbin e saj, demokracia konsensuale karakterizohet me mekanizma të fuqishëm të ndarjes së pushtetit, qeveri të gjëra koalicioni, përfaqësim proporcional, garanci për të drejtat e pakicave dhe një kontroll të fortë kushtetues përmes sistemit gjyqësor. Ky model i demokracisë thekson rëndësinë e negocimit, të kompromisit dhe të respektit të ndërsjellë ndërmjet aktorëve politikë dhe grupeve të ndryshme shoqërore.

Shumica e dijetarëve të qeverisjes argumentojnë se demokracia konsensuale është sistemi më i qëndrueshëm dhe më i përshtatshëm për shoqëritë e cilësuara nga diversiteti i madh etnik, fetar, kulturor, gjuhësor apo edhe polarizimet e thella politike. Në kontekste të tilla, sistemet mazhoritare shpërfaqin tendenca të manifestimit të tensioneve shoqërore duke i mundësuar një grupi të vetëm të kontrollojë procesin politik, me çka shkaktohet edhe margjinalizimi i pakicave etnike, fetare, kulturore apo edhe ideologjike. Rrjedhimisht, shkaktohet një shtresëzim i theksuar edhe i vet shoqërisë. Lijphart ka pohuar se demokracia konsensuale ofron një mjedis më gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrës, që sjell rritje të legjitimitetit të institucioneve politike dhe ulje të rrezikut për tensione dhe konflikte qytetare.
Pra, fokusi parësor i këtij modeli qëndron në theksimin e dialogut dhe të përfshirjes. Demokracia konsensuale promovon stabilitet afatgjatë, duke e shndërruar bashkëpunimin ndërmjet grupeve të ndryshme shoqërore në një praktikë të zakonshme. Ky model gjithashtu nxit rritjen e vetëdijes politike të qytetarëve dhe kultivon një kulturë të respektit për pluralizmin dhe kompromisin. Hulumtimet empirike të zhvilluara nga vet Lijphart dëshmojnë se demokracitë konsensuale i përmbushin më mirë indikatorët e cilësisë së qeverisjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Për më tepër, demokracia konsensuale kontribuon fuqishëm në ndërtimin e besimit ndaj institucioneve dhe në procesin e pajtimit në shoqëritë që kanë dalë nga konfliktet ose që ndodhen në tranzicion demokratik. Kjo krijon hapësirë për përfaqësimin e interesave dhe të identiteteve të ndryshme, duke i shndërruar marrëdhëniet potencialisht antagoniste në bashkëpunim konstruktiv, duke ndikuar në pacifikimin e shoqërisë dhe avancimin e proceseve demokratike.
Në shumë vende perëndimore, por edhe të tjera, demokracia konsensuale funksionon në mënyrë efektive. Shembulli më i mirë i modelit të Lijphart-it është sistemi holandez, ku grupet fetare, ideologjike dhe gjuhësore bashkëjetojnë në mënyrë paqësore përmes ndarjes së pushtetit. Zvicra ka arritur të menaxhojë dallimet e saj gjuhësore dhe fetare përmes një federalizmi të decentralizuar dhe një sistemi të demokracisë direkte. Po ashtu, Belgjika ka zhvilluar një sistem të ndërlikuar të ndarjes së pushtetit ndërmjet komuniteteve që flasin gjuhën holandeze, frënge dhe gjermane, çka ka kontribuar në stabilitetin institucional të vendit. Në Afrikën e Jugut pas aparteidit, qeverisja gjithëpërfshirëse ka transformuar një regjim autoritar të bazuar në ndarje racore në një demokraci shumëracore. Sistemi politik i Libanit fillimisht kishte karakter konsociacional, me synimin për të përfaqësuar pluralitetin fetar të vendit, megjithatë, vitet e fundit është përballur me tensione të mëdha. Këta shembuj dëshmojnë se demokracia konsensuale funksionon më së miri në shtete ku ekzistojnë mekanizma të konsoliduar mirë të dialogut ndërshoqëror, elita politike bashkëpunuese dhe forma paqësore të zgjidhjes së dallimeve dhe kundërshtive të shumta sociale.

Pavarësisht përparësive të saj, demokracia konsensuale nuk është gjithmonë e suksesshme. Ajo mund të dështojë si rezultat i mungesës së kulturës demokratike, të indiferencës së elitave politike apo i brishtësisë institucionale. Mentalitetet “zero-sum”, klientelizmi dhe oportunizmi politik mund të pengojnë ndarjen e pushtetit në shoqëritë e polarizuara thellësisht ose në ato që kanë dalë nga konflikti, ku mosbesimi është i lartë. Demokracia konsensuale kërkon një shkallë të lartë bashkëpunimi ndërmjet elitave politike, apo siç e quan Lijphart, “sjellje kartelare e elitave”. Dakordimet për ndarjen e pushtetit mund të shndërrohen në demokraci të bllokuara ose formale, në rastet kur elitat politike vënë interesat personale apo partiake përpara konsensusit kombëtar.
Efikasiteti i demokracisë konsensuale është thellësisht i ndërlidhur me shkallën e kulturës demokratike brenda një shoqërie. Kultura demokratike, e cila përfshin respektin për pluralizmin, tolerancën ndaj opozitës, përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe vlerësimin e kompromisit, përbën themelin mbi të cilin duhet të ndërtohet demokracia konsensuale. Në shoqëritë ku normat demokratike janë të dobëta ose të pazhvilluara, konsensusi mund të jetë vetëm sipërfaqësor apo i manipuluar. Demokracia konsensuale kërkon një peizazh politik të sofistikuar, në të cilin të gjithë aktorët politikë e konsiderojnë bashkëpunimin jo si një lëshim, por si një parim themelor të qeverisjes. Në të kundërtën, gjendja mund të përkeqësohet dhe të rezultoj në paralizë institucionale (siç është rasti në Kosovë), rritje të populizmit apo rikthimit të autoritarizmit. Prandaj, për funksionimin e këtij modeli, është thelbësore që si elitat politike, ashtu edhe qytetarët e zakonshëm, të përvetësojnë dhe zbatojnë vlerat demokratike.
Kushtetuta dhe legjislacioni i Kosovës shpërfaqin qartë idenë e demokracisë konsensuale të zhvilluar nga Lijphart. Megjithatë, ky model është institucionalizuar në mënyrë të pjesshme dhe është përvetësuar në mënyrë selektive, duke vepruar më shumë si një model i imponuar sesa si një kulturë politike. Kushtetuta e Kosovës e vitit 2008, e hartuar nën mbikëqyrje ndërkombëtare dhe në përputhje me Planin e Ahtisaarit, përfshin karakteristika thelbësore të demokracisë konsensuale, duke përfshirë: vendet e rezervuara për komunitetet jo-shumicë (Nga 120 ulëse në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet jo-shumicë, 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitete të tjera); Rregulli i shumicës së dyfishtë (nenet 78 dhe 81, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës), me ç’rast ndryshimet kushtetuese dhe ligjet që prekin komunitetet, liritë fetare, të drejtat gjuhësore dhe çështje të ndjeshme kërkojnë shumicë të dyfishtë (shumicën e të gjithë deputetëve dhe shumicën e deputetëve të komuniteteve jo-shumicë); E drejta e vetos nga pakicat, përmes së cilës komunitetet kanë mundësinë të kundërshtojnë legjislacionin që konsiderohet i dëmshëm për interesat e tyre përmes Këshillit Konsultativ për Komunitetet dhe shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese; Përbërja e qeverisë, ku kërkohet të përfshihet të paktën një ministër nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera (neni 96); Qeverisja komunale në zonat me shumicë serbe posedojnë kompetenca të zgjeruara dhe decentralizim funksional.
Nga ana tjetër, sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional me lista të hapura nxit konkurrencën shumëpartiake dhe qeverisjen përmes koalicioneve. Ky model mundëson përfaqësimin e grupimeve etnike dhe ideologjike në jetën politike, në përputhje me kërkesën e Lijphart për proporcionalitet në shoqëritë e ndara.
Pavarësisht nga korniza ligjore, proceset politike në Kosovë nuk po arrijnë të përmbushin standardet e demokracisë konsensuale. Kjo për shkak të: Segmentimi etnik në vend të integrimit, me ç’rast sistemi nuk është duke nxitur bashkëpunim ndëretnik dhe ndarja e pushtetit është më shumë formale sesa thelbësore; Bojkoti politik ose pengesat nga Serbia, ku Lista Serbe, e mbështetur nga Beogradi, shpesh pengon qeverisjen qendrore ose tërhiqet nga institucionet, duke minuar mekanizmat konsensualë; Perceptimi i konsensusit si formalitet nga partitë dhe jo si një ideologji qeverisëse.
Pra, parakushti thelbësor i Lijphart-it, bashkëpunimi i elitave politike, mungon në Kosovë për shkak të mungesës së besimit, polarizimit të thellë politik dhe nivelit të ulët të kulturës demokratike.
Sistemi politik i Kosovës ka pasur vështirësi në konsolidimin e një demokracie konsensuale funksionale, ndonëse formalisht i përmbush kriteret e Lijphart-it. Janë disa faktorë që e pengojnë këtë proces. Së pari, mbizotërimi i një kulture politike konfliktuale ku rivalitetet politike udhëhiqen nga patronazhi dhe jo nga debatet programore apo përputhja ideologjike. Mospajtimet mes elitave dhe mungesa e besimit politik pengojnë bashkëpunimin, qoftë brenda shumicës, qoftë me opozitën apo komunitetet jo-shumicë. Së dyti, struktura e imponuar ndërkombëtare përmes Planit të Ahtisaarit, pa i përgatitur aktorët vendorë për bashkëpunim politik të qëndrueshëm. Pastaj, raporti kompleks me komunitetin serb të cilët shpesh e refuzojnë shtetin e Kosovës, duke e bërë të pamundur ndarjen e pushtetit dhe përfshirjen efektive në qeverisje. Së fundi, korrupsioni, sundimi i dobët i së drejtës dhe politizimi i institucioneve, rrisin pakënaqësinë qytetare dhe minojnë debatin politik.
Në kontekstin gjeopolitik aktual të Ballkanit Perëndimor, i cilësuar nga rivaliteti i fuqive të mëdha, pasiguria rajonale, konsensusi politik në Kosovë është më i rëndësishëm se kurrë. Kosova ka nevojë për unitet të brendshëm për të negociuar me Serbinë në kuadër të Dialogut të Brukselit dhe të proceseve të ndërmjetësuara nga BE-ja. Fragmentimi politik e bën Kosovën të cenueshme ndaj ndikimeve të jashtme, manipulimeve dhe paqëndrueshmërisë, veçanërisht në pjesën veriore të saj. Konsensusi politik është i domosdoshëm për qeverisje efektive dhe për forcimin e legjitimitetit diplomatik dhe të shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Demokracia konsensuale, siç është konceptuar nga Arend Lijphart, mbetet një model i vlefshëm për qeverisjen e shoqërive të thellësisht të ndara. Ajo nxit bashkëpunim paqësor, vendimmarrje gjithëpërfshirëse dhe stabilitet afatgjatë. Megjithatë, zbatimi i saj kërkon më shumë se arkitekturë institucionale, ai kërkon kulturë demokratike, përkushtim të elitave dhe një vizion të përbashkët për të mirën publike. Konteksti i Kosovës tregon vështirësitë e ngërthimit të këtij modeli në një shoqëri post-konfliktuale dhe me standarde të dobëta demokratike. Kosova ka nevojë për konsensus të brendshëm, ngase sovraniteti, siguria dhe zhvillimi ndërkombëtar varen nga forcimi i kulturës demokratike dhe nga ndërtimi i bashkëpunimit ndërmjet elitave politike.
Korniza kushtetuese dhe ligjore e Kosovës përfshin elemente të fuqishme të demokracisë konsensuale, megjithatë, mungesa e konsensusit demokratik kufizon efektivitetin e saj. Për të zbatuar plotësisht qasjen e Lijphart-it, Kosovës i duhet një kulturë demokratike e elitave politike, por edhe i vet qytetarëve të saj, për të kuptuar se gjithëpërfshirja dhe konsensusi janë domosdoshmëri të demokracisë funksionale. Deri sa kjo nuk arrihet për t’u kuptuar dhe zbatuar, vazhdojmë të ballafaqohemi me kriza të fuqishme politike dhe institucionale duke rrezikuar stagnimin e shtetit, dobësimin e subjektivitetit shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe humbjen e besimit të aleatëve tonë se mund të qeverisim me vendin dhe popullin.