Me vendim të Këshillit Akademik, UBT i ndau ambasadorit amerikan William G. Walker çmimin më të lartë institucional Honorary Degree “Excellence in Leadership”, në ditëlindjen e tij të 90-të, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e tij historik për popullin shqiptar dhe për Kosovën.
Në ceremoninë solemne për nder të ditëlindjes së ambasadorit Walker, ishin të pranishëm personalitete të larta nga institucionet vendore, përfshirë Presidenten e Republikës së Kosovës, Kryeministrin, liderë politikë, përfaqësues të institucioneve akademike dhe diplomatike, si dhe figura të njohura nga jeta publike dhe shoqëria civile.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky çmim shpreh mirënjohje të thellë institucionale dhe kombëtare për një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të shqiptarëve.
“Ambasadori William Walker nuk është vetëm një diplomat i shquar i Shteteve të Bashkuara – ai është një mik i përjetshëm i Kosovës, një zë i së vërtetës dhe një simbol i integritetit moral. Me ndarjen e këtij çmimi, ne nderojmë një jetë të tërë të përkushtuar ndaj paqes, lirisë dhe dinjitetit njerëzor”, theksoi Rektori Hajrizi.
Një jetë në shërbim të drejtësisë dhe paqes
Ambasadori Walker, i lindur më 1 qershor 1935 në Kearny të New Jersey-t, ka pasur një karrierë të gjatë e të pasur në Shërbimin e Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, duke shërbyer në shumë vende të Amerikës Latine dhe në funksione të larta diplomatike. Por për shqiptarët, ai është bërë një figurë emblematike në fund të viteve ’90, kur mori drejtimin e Misionit të Verifikimit të OSBE-së në Kosovë, në kulmin e krizës humanitare.
Pas vizitës së tij në fshatin Reçak, ku më 15 janar 1999 ndodhi një nga krimet më të rënda kundër civilëve shqiptarë, Walker deklaroi atë që më vonë do të ndryshonte rrjedhën e historisë:
“Ajo që pashë ishte një mizori e pashprehshme, një krim kundër njerëzimit”.
Kjo deklaratë tronditi opinionin ndërkombëtar dhe konsiderohet si një nga momentet kyçe që ndikuan në ndërhyrjen e NATO-s për të ndaluar gjenocidin dhe për të sjellë çlirimin e Kosovës.
Çmimi Honorary Degree “Excellence in Leadership” përfaqëson vlerësimin më të lartë që UBT i jep një personaliteti ndërkombëtar dhe një mesazh të qartë se figura të tilla si Ambasadori Walker nuk harrohen – ato mbesin pjesë e ndërgjegjes historike dhe frymëzim për brezat që vijnë.
