Lajmet

Stoltenberg javën e ardhshme takohet me Kurtin dhe Vuçiqin

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Published

on

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, më 17 gusht do të mbajë takime të ndara në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Këto takime do të mbahen vetëm një ditë para rundit të ri të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Sipas njoftimit për media nga aleanca ushtarake e NATO-s, Stoltenberg fillimisht do të takohet me Vuçiqin dhe më pas me Kurtin.

Pas çdo takimi të ndarë janë paraparë të mbahen edhe konferenca për media.

Takimi në Bruksel me Stoltenbergun do të mbahet tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht bllokuan rrugët që çojnë në pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, për të shprehur kundërshtimin e tyre lidhur me vendimet e Prishtinës për targat dhe dokumentet serbe.

Më 31 korrik, NATO tha se misioni i saj në Kosovë, KFOR, ishte i përgatitur të ndërhynte nëse do të rrezikohej stabiliteti në vend.

Të njëjtën deklaratë e bëri edhe shefi i aleancës, Stoltenberg gjatë një bisede që ka zhvilluar me Vuçiqin më 3 gusht.

Por, pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, Qeveria e Kosovës tha se do të shtynte zbatimin e vendimeve për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat e vendosura dhe barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.

Ndërkaq, më 18 gusht, sipas ftesës së dërguar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, në rundin e dialogut do të bisedohet për “të gjitha çështjet e hapura” midis Kosovës dhe Serbisë. Por, nga BE-ja ende nuk kanë dhënë detaje për agjendën e takimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për REL-in, tha se në rundin e ri të bisedimeve nuk do të diskutojë për dy vendimet që u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Vendimi për dokumente ka të bëjë me lëshimin e një dokumenti për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë. Këtë praktikë, Serbia e aplikon për shtetasit e Kosovës qe 11 vjet.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e targave të makinave me akronime të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia. Targat sikurse KM, PZ, UR e të ngjashme përdoren në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe nga Prishtina konsiderohen ilegale.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në dialogun e Brukselit korrikun e vitit të kaluar. Ditë më parë, presidenti serb deklaroi se është skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat në takimin e 18 gushtit./REL

Lajmet

​Certifikohet NISMA

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar sot subjektin politik Nisma Socialdemokrate, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se Nisma ka përmbushur të gjitha kriteret sipas ligjit për zgjedhje dhe ka paguar taksën për certifikim.

Periudha e certifikimeve politike ka përfunduar me 30 nëntor. Subjekti politik NISMA ka përmbushur kriteret për certifikim duke dorëzuar listën e nënshkrimeve dhe mbështetësve dhe ka paguar taksën për certifikim. Nuk ka gjoba nga PZAP, KQZ dhe Zyra”, tha Buzhala.

Më 2 dhjetor 2025, KQZ mori vendim për certifikimin e 22 subjekteve politike, 16 parti politike; tri koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur për pjesëmarrje në zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa nuk e ka certifikuar Listën Serbe./KP

Continue Reading

Lajmet

Lista Serbe fton konferencë për media pas moscertifikimit nga KQZ

Published

on

By

Lista Serbe, ka njoftuar se sot më 03.12.2025, në ora 15:00, në selinë e partisë do të mbajnë konferencë për media.

Sipas njoftimit, drejtuesit do të flasin për vendimin nga KQZ-ja i cili siç pretendojnë ata ka penguar pjesëmarrjen e subjektit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, transmeton KosovaPress.

Udhëheqja e Listës Serbe do të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku do të flasë për vendimin joligjor për të penguar pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025” thuhet në njoftimin e partisë.

Ndërsa dje gjatë mbledhjes së dytë lidhur me përgatitjet për procesin zgjedhor, KQZ-së nuk ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

KQZ votoi certifikimin ndaras për partitë politike, meqë rast Lista Serbe me 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime nuk u certifikua./KP

Continue Reading

Lajmet

Ylli i Barcelonës, Dani Olmo pëson zhvendosje të shpatullës

Published

on

Mesfushori i Barcelonës, Dani Olmo, pësoi një zhvendosje të shpatullës ndërsa shënonte kundër Atletico Madrid dhe pritet të mungojë të paktën tre javë, praktikisht jashtë loje për pjesën tjetër të vitit 2025.

Dani Olmo pritet të mungojë të paktën tre javë pasi pësoi një zhvendosje të shpatullës, menjëherë pasi shënoi gol për Barcelonën në fitoren e tyre 3-1 ndaj Atlético Madrid, duke e përjashtuar atë praktikisht për pjesën tjetër të vitit 2025.

Përditësimi mjekësor i klubit dhe raportet e shumta bien dakord për diagnozën: një zhvendosje e shpatullës, me skanimet që konfirmojnë nevojën për një periudhë pushimi dhe rehabilitimi në vend të një date kthimi të menjëhershme dhe të fiksuar.

Është një kthesë brutale, sepse Olmo ishte në një nga periudhat e tij më të mira që nga kthimi në Barça, duke udhëhequr lojën midis vijave dhe më në fund dukej ashtu siç e imagjinuan tifozët qendrën krijuese kur u kthye nga RB Leipzig./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Sot nis beteja për Kupën e Kosovës në futboll

Published

on

Në kuadër të fazës 1/16 të Kupës së Kosovës në futboll,, sot do të zhvillohen 10 ballafaqime shumë interesante.

Kupa e Kosovës është një tjetër rrugë që shumë skuadra e ndjekin për të siguruar daljen në garat evropiane sezonin e ardhshëm.

Këto janë të gjitha ballafaqime e ditës së sotme që nisin nga ora 12:30 e që janëL

Besa Peja – Drita, Drenica – Prizreni, Dukagjini – Ramiz Sadiku, Ballkani – Rilindja, Ferizaj – Tefik Çanga, Gjilani – Istogu, Llapi – Vjosa, Prishtina e Re, KF Lepenci Kaçanik, TOP Futbolli – Prishtina, Trepça Mitrovicë – Malisheva /S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara