Lajmet

Socialistët në epërsi në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri

Published

on

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri tregojnë se Partia Socialiste në pushtet është në epërsi, teksa votuesit kanë mbështetur përpjekjet e vendit për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kandidaturën e kryeministrit aktual, Edi Rama, për një mandat të katërt.

Me rreth 25 për qind të votave të numëruara, socialistët e majtë të Ramës kanë siguruar 53 për qind të votave, ndërsa koalicioni opozitar i djathtë, i udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, ka marrë 35 për qind.

Këto përqindje u japin socialistëve së paku 71 mandate të nevojshme për të qeverisur të vetëm dhe, sipas gjasave, edhe më shumë se në mandatin e kaluar.

Pjesëmarrja preliminare në votime të dielën ishte rreth 42.16 për qind, ose 4 për qind më pak se katër vjet më parë.

Rreth 3.7 milionë qytetarë me të drejtë vote në Shqipëri dhe jashtë saj votuan për të zgjedhur 140 deputetë për një mandat katërvjeçar. Për shkak të emigracionit të lartë, vendi me 2.8 milionë banorë ka një numër më të madh të votuesve të regjistruar. Për herë të parë, rreth 191.000 shqiptarë të diasporës kishin mundësinë të votonin me postë.

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi i votimit të dielën ka qenë në përgjithësi i qetë, me disa parregullsi të izoluara që përfshinin kandidatë dhe mbështetës të tyre, por që nuk pritet të ndikojnë në rezultat.

Procesi, në tërësi, përveç rasteve sporadike, ka qenë në përputhje me rregullat dhe standardet“, tha ai në mbrëmje, pas përfundimit të votimit.

Partia Socialiste ka premtuar se do të sigurojë anëtarësimin në BE brenda pesë vjetësh — duke përfunduar negociatat deri në vitin 2027 dhe duke pritur miratimin e 27 vendeve anëtare deri më 2030 — një objektiv ambicioz përballë kundërshtarëve konservatorë dhe premtimeve të tyre për rritje pagash.

Rama, 60 vjeç, i cili siguroi hapjen e negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit të kaluar, ka theksuar arritjet në infrastrukturë dhe reformën në drejtësi gjatë fushatës së tij.

Socialistët synojnë të përshpejtojnë zhvillimin e turizmit, duke e rritur numrin e vizitorëve të huaj nga 10 milionë në vitin 2024 në 30 milionë deri në vitin 2030, përmes zgjerimit të projekteve infrastrukturore. Rama ka premtuar, gjithashtu, rritje pensionesh dhe pagash.

Kundërshtari kryesor i Ramës është Sali Berisha, 80 vjeç, ish-president dhe ish-kryeministër, i cili argumenton se Shqipëria ende nuk është gati për anëtarësim në BE.

Berisha zhvilloi një fushatë që ngjasonte me atë të presidentit amerikan, Donald Trump, duke angazhuar edhe një nga këshilltarët e tij kryesorë për fushatë.

Më shumë se 570 vëzhgues ndërkombëtarë, nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Këshilli i Evropës ndoqën zgjedhjet, duke theksuar rëndësinë që bashkësia ndërkombëtare i kushton një procesi zgjedhor të besueshëm dhe transparent./REL/

Lajmet

Djemtë e ish-krerëve të UÇK-së vizitojnë familjen e Afrim Bunjakut

Published

on

Endrit Thaçi, Klestor Veseli dhe Altin Krasniqi, djemtë e ish-krerëve të UÇK-së, kanë vizituar sot familjen e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, në përvjetorin e rënies së tij.

Vizita është zhvilluar në shenjë respekti dhe solidariteti me familjen Bunjaku, i cili u vra më 24 shtator 2023 gjatë sulmit në Banjskë.

Gjatë vizitës, ata kanë shprehur respekt për figurën dhe sakrificën e Bunjakut, duke qëndruar pranë familjes së tij në këtë ditë përkujtimi.

Afrim Bunjaku humbi jetën në krye të detyrës gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Donjeta Sadiku siguron medalje në Evropianin e boksit

Published

on

Donjeta Sadiku është ndalur në gjysmëfinale të Evropianit të boksit amator, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, por ka siguruar medaljen e bronztë.

Boksierja kosovare, në kategorinë deri në 60 kilogramë, u mposht 4:1 nga serbja Kristina Kuluhova.

Kuluhovën, Sadiku e kishte mposhtur në finalen e Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”, por këtë herë fitorja i takoi boksieres serbe.

Sadiku e kishte siguruar medaljen pas fitores në çerekfinale ndaj holandezes Maud van der Toorn./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Zulfaj në Bundestag kërkon mbështetje për avancimin e Kosovës drejt BE-së

Published

on

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka zhvilluar takim me anëtarë të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman.

Në takim morën pjesë kryetari i Komisionit për Çështjet e BE-së, Dr. Anton Hofreiter, zëvendëskryetari i Komisionit, Johannes Schraps, dhe deputeti Peter Beyer. Zulfaj shoqërohej nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.

Sipas njoftimit, Zulfaj i ka falënderuar deputetët gjermanë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës, duke theksuar rolin e saj në çlirimin, rindërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Në fokus të takimit ishte procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Zulfaj ka kërkuar mbështetjen e Bundestagut që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e Opinionit për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Ai ka theksuar se, pothuajse katër vjet pas dorëzimit të aplikimit, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kërkesa për avancimin e këtij procesi është përsëritur nga Zulfaj edhe në takime të mëparshme me përfaqësues evropianë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për reformat demokratike dhe ekonomike, sundimin e ligjit, procesin e integrimit evropian dhe harmonizimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me atë të Bashkimit Evropian.

Zulfaj ka kërkuar gjithashtu angazhim më të madh të parlamentarëve gjermanë në komunikimin me homologët e tyre në vendet e tjera anëtare të BE-së, me qëllim të mbështetjes së avancimit të aplikimit të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Kosova s’duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt BE-së

Published

on

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të mbetet peng i Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Këtë deklaratë Kurti e bëri gjatë një takimi në New York me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kurti ka kërkuar që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Ai ka thënë se një vendim i tillë do të ishte përgjigje ndaj përkushtimit të Kosovës ndaj vlerave demokratike dhe orientimit të saj euroatlantik.

Kryeministri ka kritikuar edhe vonesën në shqyrtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022, duke thënë se kjo mund të inkurajojë, sipas tij, aktorët destabilizues në rajon.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kurti ka akuzuar Serbinë për mbrojtjen e personave të dyshuar apo dënuar për krime lufte, si dhe për mohimin e krimeve dhe mungesën e bashkëpunimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke e akuzuar Serbinë për shkelje të të drejtave të tyre./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara