Sport

Situata në grupin B në Champions League: Monchengladbach synon fitoren ndaj Real Madridit

Published

on

Borussia Monchengladbachu shpreson të shuajë shpresat e Real Madridit për sukses në Ligën e Kampionëve. Ekipi gjerman po kërkon një vend në rundin nokaut të garave evropiane, për herë të parë që nga vitet e 70-ta.

Para ndeshjeve të xhiros e fundit (6) të fazës së grupeve të Championsit, Gladbachu është lider i befasishëm i Grupit B. Prinë në tabelë me tetë pikë, një më shumë se Shakhtari dhe Reali që renditen në pozitat dy dhe tre.

Reali duhet patjetër ta mposhtë Gladbachun në Madrid për të pasur të garantuar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt. Kalimi tutje i është rrezikuar gjigantit evropian pas dy humbjeve nga Shakhtari.

Dueli mes Realit e Gladbachut, luhet të mërkurën në stadiumin “Santiago Bernabeu” prej orës 21:00.

Një humbje eventuale e Realit në shtëpi do të bënte që madrilenët të mbesin pa bilancin e jashtëzakonshëm, si ekipi i vetëm që ka kaluar gjithmonë në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. Te Gladbachu po synojnë ta bëjnë pikërisht një gjë të tillë, të eliminojnë Realin nga gara elitare e Evropës.

“Ne kemi pozitën më të mirë në grup prej të gjitha ekipeve dhe ne e kemi siguruar atë falë përpjekjeve tona”, tha mesfushori i Gladbachut, Christoph Kramer.

Gladbachu do të kualifikohet si fitues i grupit me fitore ndaj Realit, por gjithashtu mund të avancojë tutje me një barazim apo edhe humbje, nëse Interi dhe Shakhtari barazojnë në ndeshjen tjetër të së mërkurës në kuadër të këtij grupi. Gjermanët po ndjekin paraqitjen e parë në fazat eliminuese në kupat evropiane që nga arritja në gjysmë-finale të Kupës së vjetër të Evropës në edicionin 1977/78.

“Ne e kemi një finale para vetes. Të gjithë po e presim me padurim, por e dimë se sa e vështirë do të jetë detyra që ia kemi vënë vetes. Ne do të duhet të mbrohemi me pasion, por me cilësitë tona do të kemi mundësi edhe për të shënuar”, ka shtuar Kramer.

Gladbachu në këtë ndeshje do të jetë pa mbrojtësin Tony Jantschke e sulmuesin Jonas Hofman, të lënduar derisa mesfushori Ramy Bensebaini nuk ka udhëtuar për në Madrid, shkaku i infektimit me koronavirus.

Te Reali vlerësohet suksesi në Ligën e Kampionëve mbi të gjitha dhe te kampioni i Spanjës e kanë parasysh rëndësinë e ndeshjes kundër Gladbachut. Në fakt edhe e ardhmja e trajnerit Zinedine Zidane do të ishte në rrezik nëse Reali nuk arrin të shkojë përtej fazës së grupeve. Te Reali për këtë ndeshje kthehet kapiteni Sergio Ramos dhe mbrojtësi i krahut të djathtë, Dani Carvajal që janë shumë të rëndësishëm për repartin defensiv të madrilenëve. Në veçanti Ramos është shumë i rëndësishëm. Madridi i ka humbur tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit në Evropë pa kapitenin në fushë. Reali në këtë duel do të futet pas fitores në vikend ndaj Sevillas që ishte e para në La Liga që nga muaji tetor.

“Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira, por kjo skuadër ka shumë karakter dhe i pëlqen sfidat. Besoj se një gjë të tillë do ta dëshmojmë kundër Gladbachut, ndeshje që duhet patjetër ta fitojmë për të vazhduar ëndrrën e Championsit”, tha Zidane. “Nuk po mendoj për shkarkimin pasi mendja ime është vetëm te ndeshja. E kam parasysh situatën në të cilën jemi, por të jeni të sigurt se dua të fitojmë dhe ta mbyllim fazën e grupeve në pozitën e parë. Në këtë ndeshje mund të dëshmojmë se jemi ekip i madh”.

Shpresa për kalim përtej fazës së grupeve ka edhe te skuadra e Interit. Ekipi italian po llogarit në sulmuesin e fuqishëm Romelu Lukaku për të siguruar fitoren kundër Shakhtarit. Lukaku shënoi dy gola në fitoren e Interit ndaj Gladbachut (3:2) për t’i mbajtur gjallë shpresat e ekipit italian, i cili nuk ka avancuar përtej fazës së grupeve në Champions që nga edicioni 2011/12. Interi, që zë vendin e fundit në tabelë me pesë pikë, duhet ta mposhtë Shakhtarin në shtëpi dhe të shpresojë që ndeshja tjetër e grupit ndërmjet Realit e Gladbachut të mos përfundojë baras, për të siguruar kualifikimin në raundin e nokautit. Asnjë ekip i Grupit B nuk është kualifikuar dhe të gjitha kanë rastin ta bëjnë një gjë të tillë në xhiron e fundit.

Trajneri i Interit, Antonio Conte ka paralajmëruar se atij nuk do t’i interesojë aspak rezultati i ndeshjes në Madrid, por do të fokusohet te fitorja ndaj Shakhtarit.

“Mua më intereson vetëm fitorja e ekipit tim dhe nuk do të merrem me rezultatet tjera. Ne e kemi parasysh synimin tonë dhe duhet patjetër ta fitojmë ndeshjen përballë Shakhtarit që ka një ekip të shkëlqyer. Është ndeshje e rëndësishme për të dyja ekipet, por ne duhet të arrijmë qëllimin tonë dhe pastaj të shohim”, është shprehur Conte, i cili ka konfirmuar mungesën e mesfushorit Arturo Vidal. “Mungesa e Vidalit do të ndihet, por ne duhet të ecim përpara. Të mos harrojmë se përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë, i cili ka mposhtur dy herë Real Madridin dhe aspak nuk do të jetë lehtë”.

Në Grupin D, ndeshja ndërmjet Ajaxit dhe Atalantas, që nis në orën 18:55, do të përcaktojë se cila skuadër do të vazhdojë garat në Champions dhe cila në Ligën e Evropës. Aktualisht Atalanta është në pozitën e dytë me tetë pikë të mbledhura, një më shumë se Ajaxi që renditet i treti. Prej këtij grupi kalimin tutje ka kohë që e ka siguruar Liverpooli që në xhiron e fundit do të jetë mysafir i Midtjyllanit tashmë të eliminuar. Në fakt, Atalantas i kryen punë edhe barazimi në duelin që do të zhvillohet në Amsterdam, por jo edhe Ajaxit që është i vendosur të vazhdojë garat në Ligën e Kampionëve.

“Ndaj Atalantas do të futemi me ambicie të mëdha. Duhet patjetër të jemi në mesin e 16 ekipeve më të mira të Championsit dhe jam i bindur se do t’ia dalim. Kam ekip që më garanton një gjë të tillë dhe pres ta mposhtim Atalantan, që duhet pranuar se është një kundërshtar i papërshtatshëm”, ka thënë trajneri i Ajaxit, Erik ten Hag./UBTNews

Lajmet

Sllovakia shpall listën kundër Kosovës: Skriniar e Lobotka në dyshim

Published

on

By

Përzgjedhësi i Sllovakisë, Francesco Calzona, ka publikuar këtë të enjte listën e lojtarëve për ndeshjen vendimtare kundër Kosovës, e cila do të luhet më 26 mars në Bratislavë.

Kjo përballje është gjysmëfinalja e plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026, ku sllovakët kanë përfshirë dy yjet kryesorë, Milan Skriniar dhe Stanislav Lobotka, pavarësisht problemeve të tyre fizike.

Kapiteni Skriniar nuk ka luajtur fare që nga lëndimi me Fenerbahçen më 19 shkurt në Ligën e Evropës, por stafi teknik po shpreson në rikuperimin e tij të shpejtë për sfidën ndaj “Dardanëve”.

Krahas tij, në dyshim mbetet edhe gjendja e mesfushorit me përvojë, Stanislav Lobotka, duke krijuar pasiguri në formacionin e Calzonës para këtij takimi jetik që do të zhvillohet në Stadiumin Nacional.

 

Continue Reading

Sport

Barcelona, Liverpool dhe Bayern München sigurojnë çerekfinalen e Champions League

Published

on

By

Mbrëmja e fundit e raundit të 16-tave në Champions League ka përcaktuar tetë skuadrat më të mira të Evropës, me Barcelonën që dhuroi një spektakël të vërtetë golash.

Katalanasit shkatërruan Newcastle United me rezultatin e thellë 7-2 në “Camp Nou”, duke kaluar tutje me rezultat të përgjithshëm 8-3. Robert Lewandowski dhe Raphinha ishin protagonistët kryesorë me nga dy gola secili, ndërsa listës së realizatorëve iu bashkuan edhe Lamine Yamal, Marc Bernal dhe Fermín López. Kjo fitore e rëndësishme rikonfirmon formën e lartë të ekipit të drejtuar nga Hansi Flick në garën më të rëndësishme për klube.

Në sfidat e tjera, Liverpooli arriti të përmbysë gjithçka kundër Galatasaray-t, duke fituar 4-0 në “Anfield” dhe duke harruar humbjen e ndeshjes së parë në Turqi.

Mohamed Salah shënoi golin e tij të 50-të në këtë garë, duke udhëhequr ekipin drejt kualifikimit.

Ndërkohë, Bayern München nuk lejoi befasi ndaj Atalantës, duke fituar 4-1 dhe duke e mbyllur këtë fazë me shifrën mbresëlënëse prej dhjetë golash të shënuar në dy ndeshje.

Pavarësisht humbjes 3-2 mbrëmë ndaj Tottenhamit, Atlético Madrid siguroi kalimin tutje falë avantazhit të krijuar në takimin e parë.

Me përfundimin e këtyre takimeve, tashmë janë konfirmuar të gjitha skuadrat çerekfinaliste. Së bashku me Barcelonën, Liverpoolin, Bayernin dhe Atléticon, në fazën tjetër do të jenë edhe Real Madrid, Paris Saint-Germain, Arsenal dhe Sporting CP.

Shorti për fazën e çerekfinaleve do të hidhet së shpejti, ku pritet të përcaktohen përballje akoma më intensive që do të luhen gjatë muajit prill.

 

Continue Reading

Sport

Përballjet vendimtare para Final 4 në Ligën Unike të Meshkujve

Published

on

By

Të mërkurën zhvillohen ndeshjet e fundit të fazës së grupeve në Ligën Unike të Meshkujve, të cilat do të vendosin skuadrat që do të kalojnë në Final 4. Në Grupin B zhvillohen dy ndeshje të mbetura, të cilat janë vendimtare për dy pozitat e para.

Golden Eagle Ylli do të përballet me Vllazninë. Skuadra nga Theranda ka tre fitore e dy humbje, ndërsa Vllaznia nga Shkodra ka dy fitore e tri humbje. Në ndeshjen tjetër, GO+ Peja përballet me Apoloninë, ku pejanasit kanë dy fitore e tri humbje, ndërsa skuadra e Fierit tri fitore e dy humbje.

Ndërkohë, në Grupin A janë kualifikuar tashmë Besëlidhja me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje dhe kampioni aktual Vëllaznimi me tri fitore e tri humbje.

Në Grupin B, ndeshjet vendimtare zhvillohen në orën 19:30: Golden Eagle Ylli përballet me Vllazninë dhe GO+ Peja ndeshet me Apoloninë. Të dy takimet do të vendosin pozitat që çojnë në Final 4.

Final 4 e Ligës Unike do të zhvillohet javën e ardhshme në Shqipëri, ku do të vendoset kampioni i këtij edicioni.

Continue Reading

Lajmet

Nis zgjerimi i Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë, projekt mbi 5.7 milionë euro

Published

on

By

Nisja e punimeve për zgjerimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë ka shënuar sot një hap të rëndësishëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.

Ky projekt modern, i cili kap vlerën e mbi 5.7 milionë eurove, parashikon ndërtimin e një palestre të re me standarde ndërkombëtare, si dhe një objekti multifunkional që do të ofrojë akomodim, pishinë, sallë fitnesi dhe restorant për sportistët.

Në ceremoninë e vënies së gurthemelit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Sportit, Blerim Gashani dhe krerët e Federatës së Xhudos, e cilësoi këtë investim si një përgjigje ndaj rezultateve të jashtëzakonshme që ky sport i ka sjellë vendit ndër vite.

Hapësirat e reja pritet të shërbejnë edhe për garat e sporteve luftarake gjatë Lojërave Mesdhetare 2030, duke e kthyer Pejën në një qendër rajonale të xhudos.

Përveç rëndësisë infrastrukturore, ky projekt u vlerësua lart edhe nga trajneri Driton Kuka, i cili u kërkoi xhudistëve që këtë mbështetje serioze të shtetit ta shpërblejnë me punë e rezultate të reja në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht, në këtë qendër po stërviten edhe sportistë nga Ukraina, gjë që dëshmon ndikimin e saj përtej kufijve të Kosovës.

“Sot, këtu në Pejë, në lagjen e kampionëve të botës, nuk po vendosim vetëm gurthemel. Sot, po vazhdojmë suksesin e xhudos së Kosovës. Xhudoja është suksesi më i madh që kemi ndërtuar si shtet në sport,” deklaroi kryeministri Kurti gjatë fjalës së tij.

 

Continue Reading

Të kërkuara