Lajmet

SIPRI: Fuqitë botërore drejt forcimit të arsenaleve bërthamore

SIPRI vlerësoi se shtetet bërthamore së bashku kishin një inventar prej 12,705 kokave bërthamore në fillim të vitit 2022.

Published

on

Nëntë shtetet që kanë armë bërthamore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë, ka të ngjarë që të rrisin dhe modernizojnë arsenalin e tyre të kokave bërthamore dhe të jenë më të zëshme për këtë çështje në dekadën e ardhshme, thuhet në një studim, teksa theksohet se kjo gjë shihet si “trend shqetësues”.

Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes (SIPRI) me seli në Stokholm, tha në raportin vjetor për vitin 2022, të publikuar më 13 qershor, se pavarësisht një rënieje margjinale të numrit të kokave bërthamore vitin e kaluar, arsenalet pritet të rriten gjatë dhjetë vjetëve të ardhshëm.

“Nëntë shtetet që janë të armatosura me armë bërthamore – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Kina, India, Pakistani, Izraeli dhe (Koreja e Veriut) – po vazhdojnë të modernizojnë arsenalet e tyre bërthamore edhe pse ka pasur një rënie të lehtë të numrit të përgjithshëm të kokave bërthamore në periudhën janar 2021- janar 2022, numri me gjasë do të rritet në dekadën e ardhshme”, tha SIPRI.

“Ka tregues të qartë se reduktimet, që karakterizuan arsenalet globale bërthamore që prej fundit të Luftës së Ftohtë, kanë përfunduar”, tha Hans M.Kristensen, hulumtues i lartë në Programin e Armëve për Shkatërrim në Masë në SIPRI, njëherësh drejtor i Projektit për Informacion Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë (FAS).

Wilfred Wan, drejtor në Programin e Armëve për Shkatërrim në Masë në SIPRI, tha se “të gjitha shtetet që kanë armë bërthamore po rrisin apo po përditësojnë arsenalin e tyre dhe shumica po ashpërsojnë retorikën bërthamore si dhe rolin që luajnë armët bërthamore në strategjitë e tyre ushtarake”.

“Ky është një trend shumë shqetësues”, shtoi ai.

SIPRI vlerësoi se shtetet bërthamore së bashku kishin një inventar prej 12,705 kokave bërthamore në fillim të vitit 2022 dhe prej këtij numri, 9,440 ishin në stoqet ushtarake të gatshme për përdorim të mundshëm.

Ky institut po ashtu vlerësoi se 3,732 koka bërthamore ishin vendosur në raketa ose avionë me rreth 2,000 prej tyre në gatishmëri të lartë operacionale – dhe pothuajse të gjitha prej tyre i përkisnin Rusisë ose Shteteve të Bashkuara.

Totali i inventarit të kokave bërthamore të ShBA-së dhe Rusisë ka vazhduar të bie më 2021, por SIPRI shtoi se kjo ndodhi kryesisht për shkak të çmontimit të kokave bërthamore që janë hequr nga shërbimi ushtarak viteve të fundit.

Këto dy fuqi bërthamore vlerësohet se kanë 90 për qind të të gjitha kokave bërthamore, tha SIPRI.

Në raport thuhet se deri në janar të vitit 2022, SHBA-ja kishte të dislokuara 1,744 koka bërthamore nga 5,428 sa ka në inventar. Ndërkaq, Rusia kishte dislokuar 1,588 koka bërthamore nga 5,977 sa ka në total.

Shtatë shtetet e tjera që kanë armë bërthamore janë duke zhvilluar ose kanë zhvilluar sisteme të reja armësh ose kanë shprehur dëshirën për në gjë të tillë. Veçanërisht Kina është në mes të një zgjerimi substancial të arsenalit të saj bërthamor.

Rivalët Pakistani (që ka në inventar 165 koka bërthamore) dhe India (160) kanë arsenale me përmasa të ngjashme./REL

Vendi

Rritet numri i protestuesve para Kuvendit: Kërkohet votimi i ndryshimeve për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Një numër i madh qytetarësh janë mbledhur para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke mbajtur pankarta në duar dhe duke bërë thirrje që deputetët të votojnë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit kanë qëndruar para Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të thirrjes së iniciativës “Jo në emrin tim”, ndërkohë që në orën 09:00 është paralajmëruar edhe një protestë e re nga Organizatë e Veteranëve të Luftës së UÇK-së me të njëjtën kërkesë.

Këto zhvillime po ndodhin ndërkohë që Komisioni për Legjislacion po shqyrton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit, nga ora 09:00 pritet të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku ky projektligj është përcaktuar si pika e parë e rendit të ditës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Komisioni për Legjislacion miraton ndryshimet për Specialen

Published

on

By

Komisioni për Legjislacion ka miratuar të hënën, në një mbledhje urgjente para seancës plenare, Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dokumenti u votua njëzëri nga 9 deputetët e pranishëm, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Gjatë arsyetimit të nismës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, theksoi se përmes këtij ndryshimi të ligjit të zakonshëm synohet t’i hiqet një pjesë e juridiksionit Gjykatës Speciale, konkretisht ajo e krimeve të luftës, pa prekur Kushtetutën apo detyrimet ndërkombëtare.

Kryetari i Komisionit, Vigan Qorolli, konfirmoi mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke cilësuar se lufta e UÇK-së është pjesa më e lavdishme e historisë dhe se katër krerët e saj duhet të prezumohen të pafajshëm.

Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) vlerësoi se procesi gjashtëvjeçar dëshmoi se qëllimi i themelimit të kësaj gjykate është tejkaluar, duke shtuar se ligjet nuk janë të pandryshueshme dhe institucionet duhet të reflektojnë sipas nevojave të kohës. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kosova barazon me Austrinë dhe mbetet në vendin e dytë në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim 1-1 kundër Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas një pjese të parë të tensionuar dhe me raste nga të dyja palët, “Dardanët” kaluan të epërsi në minutën e 70-të kur Fisnik Asllani shënoi pas asistimit të bukur të Edon Zhegrovës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Milot Rashica pati mundësinë të dyfishonte rezultatin por goditi shtyllën.

Kur dukej se fitorja ishte afër, Austria barazoi shifrat në minutën e 85-të përmes një goli me kokë të Lang nga rivendja anësore, duke bërë që ndeshja të mbyllet baras.

Me këtë pikë, Kosova ngjitet në kuotën e pesë pikëve si e dyta në grup, tri më pak se Austria, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllë në nëntor me ndeshjen ndaj Izraelit në shtëpi dhe udhëtimin në Irlandë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për Ligjin e Speciales

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në orën 09:00 në një seancë të jashtëzakonshme, ku pika kryesore e rendit të ditës është votimi i Ligjit për Specialen.

Ky zhvillim vjen pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, e cila është caktuar për orën 08:00 për të shqyrtuar këtë projektligj në lexim të parë.

 

Continue Reading

Të kërkuara