Lajmet

Sindroma e Abdikimit: Pse disa njerëz ndjekin verbërisht liderët politikë apo fetarë?

Nga Steve Taylor.

Published

on

Nga Steve Taylor – “Psychology Today”

Disa vite më parë shkrova një artikull me titull “Sindroma e Abdikimit”, në të cilin u përpoqa të shpjegoja fuqinë e disa udhëheqësve të kulteve fetare, guru-ve të korruptuar dhe udhëheqësve politikë mbi ndjekësit e tyre.

Këta të fundit heqin dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre, nga vullneti i tyre, dhe ofrojnë njëpërkushtim të pakushtëzuar ndaj udhëheqësve. Ata u binden urdhrave të tyre, pa e vrarëmendjen mbi pasojat, sikur të jenë gati të hipnotizuar.

Pavarësisht se sa keq sillen liderët, ndjekësit e tyre gjithmonë gjejnë një justifikim, për të ruajtur imazhin e pagabueshmërisë që kanë ndaj tyre. Unë argumentoj se kjo “Sindromë e Abdikimit” buron nga dëshira e pavetëdijshme e disa njerëzve për t’u rikthyer në gjendjen e fëmijërisë së hershme, kur prindërit e tyre ishin figura të pagabueshme, të plotfuqishëm, që e kontrollonin jetën e tyre dhe i mbronin nga bota.

Ata po përpiqen që ta ringjallin atë gjendje fëmijërie të përkushtimit dhe papërgjegjshmërisë së pakushtëzuar. Për ta nuk ka nevojë që të mendojnë vetë, sepse udhëheqësi i tyre i di të gjitha përgjigjet. Nuk ka nevojë që të shqetësohen për asgjë, sepse mësuesi do të sigurojë gjithçka që u nevojitet.

Ata nuk ndihen më të pasigurt, të paplotë apo të hutuar. Ata thjesht shijojnë dashurinë dhe mbrojtjen e mësuesit, siç bënin dikur me prindërit e tyre. Në librin tim të ri “DisConnected”, e përshkruaj me detaje të reja “Sindromën e Abdikimit”. Ndër të tjera shpjegoj se sindroma është aq shumë e fuqishme, sa që çon në një gjendje specifike të ndryshuar të ndërgjegjes, ose siç mund ta quajmë ne, në një gjendje të abdikuar të vetëdijes.

Një herë bisedova me një mësues shpirtëror (guru) të njohur. Meqë mbërrita më herët sesa orari i takimit, u enda nëpër selinë e tij duke parë librat dhe objektet e tjera të qendrës.  Bisedova edhe me një nga ndjekësit e mësuesit, i cili më shqetësoi paksa me shikimin e tij të zbrazët dhe admirimin fëmijëror që kishte ndaj mësuesit të tij.

“Ai është njësh! Është gjithçka që kam kërkuar. Që kur e ndjek atë gjithçka ka shkuar shumë mirë në jetën time” më tha plot entuziazëm. M’u kujtua se e kisha ndeshur edhe më herët atëlloj shikimi të zbrazët. Disa vite më parë, një e njohura ime më ftoi mua dhe të dashurën time të merrnim pjesë në një seminar të grupit të saj shpirtëror.

E kuptova menjëherë se ajo gjë nuk ishte për mua. U zhgënjeva nga nderimi i madh që ata treguan për mësuesin e tyre (që në fakt nuk ishte i pranishëm). Sa herë që përmendnin emrin e tij, një buzëqeshje e madhe shfaqej në fytyrat e tyre, tamam si adoleshentë të dashuruar.

Po ashtu, unë u habita jo pak nga cilësia e dobët e mësimeve, të cilat ishin kryesisht jo koherente dhe plot klishe. Por ajo që më shqetësoi më shumë, ishte shikimi i zbrazët i secilit prej tyre. Çdokush, miqtë apo të afërmit e atij që i është bashkuar një kulti, do ta njohë këtë shikim të ngjashëm me ekstazën.

Siç vuri në dukje një ish–pjesëtar i Kishës së Unifikimit për anëtarët e grupit:”Ata të gjithë kishin sy të qelqtë, si dy vezë, që hapeshin aq shumë saqë dukej sikur bebëzat do u pëlcisnin”. Në fakt, ky shikim “me sy të qelqtë” është investiguar nga studiuesit.

Sociologu Benjamin Zablocki e përshkroi këtë “vështrim të zymtë, të tërhequr” – së bashku me një buzëqeshje të frikshme të ngrirë – si një shenjë klasike të shpëlarjes së trurit apo “nënshtrimit konjitiv ekstrem”. Sociologu tjetër Mark Galanter, besonte se “vështrimi i qelqtë” ka një efekt izolues. Ai përcakton kufijtë e grupit dhe i largon të huajt.

Por nga këndvështrimi im, shikimi me “sy të qelqtë” është një shenjë e sigurt e “Sindromës së Abdikimit”. Ai është vështrimi i njerëzve që kanë hequr dorë nga përgjegjësia për jetën e tyre dhe janë kthyer në gjendjen e përkushtimit si fëmijë ndaj një figure atërore.

Kjo gjendje e abdikuar e ndërgjegjes është e ngjashme me hipnozën. Tek e fundit, tipari thelbësor i hipnozës, është se një person heq dorë nga vullneti i tij dhe e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër “funksionet ekzekutive” të mendjes, të cilat menaxhojnë sjelljen tonë dhe kontrollojnë vendimet dhe emocionet tona.

Unë jam pak ngurrues për të përdorur termin “shpëlarje truri” në këtë kontekst, pasi kjo nënkupton se anëtarët e kultit janë viktima të pafajshme të liderëve keqdashës. Në librin tim të ri, unë sugjeroj që udhëheqësit e kultit, gurutë e korruptuar dhe udhëheqësit politikë autoritarë janë personalitete “që nxitin një shkëputje të madhe nga bota” dhe që dëshirojnë pushtet dhe admirim.

Ashtu si me hipnozën – kur një subjekt e lejon hipnotizuesin të marrë përsipër vullnetin e tij Sindroma e Abdikimit është (të paktën në fillim) një marrëveshje midis ndjekësit dhe udhëheqësit. Ndjekësi ka një nevojë psikologjike për të adhuruar dikë, ndërsa udhëheqësi ka nevojë psikologjike për t’u adhuruar.

Është një marrëveshje midis një personi që dëshiron të marrë rolin e fëmijës dhe një personi që dëshiron të marrë rolin e prindit. Sindroma e Abdikimit nuk sjell një përfundim të mirë. Ashtu si të gjitha marrëdhëniet toksike, marrëdhënia midis liderëve autoritarë dhe ndjekësve të tyre të nënshtruar, është e dënuar të shkojë keq që në fillim.

Sepse ajo bazohet në patologji nga të dyja anët:hiper–ndikim e liderëve, dhe pasiguria dhe papjekuri psikologjike e ndjekësve të tyre. Po ashtu, është një marrëdhënie shumë e paqëndrueshme, për shkak të hendekut gjigant midis liderit (me bashkëpunëtorët e tij) dhe ndjekësve të tij të nënshtruar. Çdo patokraci – në formën e një kulti ose një qeverisje – çon në mënyrë të pashmangshme drejt konfliktit, kaosit dhe vetë-shkatërrimit.

Continue Reading

Lajmet

REL: A mund ta zhbllokojë debati për Specialen rrugën e Kosovës drejt Këshillit të Evropës?

Published

on

Konsultimet e Kosovës me Bashkimin Evropian për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të shërbejnë si mundësi për ta rikthyer besimin e partnerëve evropianë dhe për t’i dhënë shtysë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës – proces ky i bllokuar prej më shumë se dy vjetësh.

Disa njohës të çështjeve evropiane vlerësojnë se mënyra se si Kosova i trajton këto ndryshime, mund të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj sundimit të ligjit dhe respektimit të detyrimeve ndërkombëtare – çështje me rëndësi për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Kosova ishte pranë anëtarësimit në këtë organizatë në vitin 2024, por procesi ngeci për shkak të kërkesave politike të disa shteteve anëtare, kryesisht lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Ndonëse konsultimet për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, njohësit vlerësojnë se ato janë të lidhura politikisht.

Ramadan Ilazi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se shumë prej shteteve që vendosin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, janë edhe ato që përcjellin nga afër përmbushjen e detyrimeve të saj ndërkombëtare.

Megjithatë, zgjidhja e mosmarrëveshjes me BE-në për ndryshimet ligjore nuk do të nënkuptonte automatikisht zhbllokimin e anëtarësimit.

Vendimi përfundimtar mbetet në duart e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, ndërsa kërkesat e tyre politike, veçanërisht ato lidhur me Asociacionin, mbeten të pazgjidhura.

Një provë për marrëdhëniet me Evropën

Më 5 nëntor, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, konfirmoi se Bashkimi Evropian po zhvillon bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, të njohura edhe si Gjykata Speciale.

Qeveria, megjithatë, nuk ka dhënë publikisht hollësi për këto bisedime dhe as nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre.

Kryeministri Albin Kurti, duke folur më 10 nëntor në Forumin e Paqes në Paris, nuk iu referua ndryshimeve ligjore, por tha se pakënaqësitë me aktgjykimin e Gjykatës Speciale duhet të adresohen përmes apelimit.

Ndryshimet në ligj, të iniciuara nga Partia Demokratike e Kosovës, u miratuan në Kuvend më 6 tetor, pas protestave kundër aktgjykimit dënues të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë dënoi për krime lufte ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi me nga 25 vjet burgim, ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli me 18 vjet dhe ish-deputetin Rexhep Selimi me 13 vjet.

Ndryshimet ligjore synojnë, ndër të tjera, kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimin e disa dispozitave që lidhen me procedurat dhe dënimet.

BE-ja i kundërshtoi ato, duke paralajmëruar se bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe mund të cenojnë pavarësinë e gjykatës.

Më 22 tetor, presidentja e Kosovës Justina Shiroka Pula e ktheu ligjin në Kuvend për rishqyrtim.

Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni përgjegjës ka katër javë afat nga pranimi i ligjit për ta përgatitur raportin për seancë plenare.

BE-ja e mirëpriti vendimin e presidentes dhe kërkoi të konsultohej për çdo ndryshim të mëtejshëm, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në raportin e 4 nëntorit, edhe Komisioni Evropian paralajmëroi se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe llogaridhënien për krimet e luftës.

Engjëllushe Morina, hulumtuese e lartë për politika në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, me bazë në Berlin, paralajmëron se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara mund të kthehen në pengesën e radhës për Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës.

Ajo vlerëson se tani, kur Kosova ka institucione të qëndrueshme, duhet ta intensifikojë bashkëpunimin me BE-në dhe angazhimin diplomatik për integrimin evropian.

“Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Duke pasur parasysh kontekstin politik në Evropë, gjërat po lëvizin shumë shpejt dhe viti 2027, me zgjedhje nacionale në shumë vende anëtare, mund ta ndryshojë konstelacionin politik në BE. Kjo mund të na çojë në një situatë ku Kosova do të ketë edhe më pak përkrahje”, vlerëson Morina për Radion Evropa e Lirë.

Për Ilazin, ndërkaq, konsultimet me BE-në mund të jenë një mundësi për të dëshmuar se Kosova është e gatshme t’i trajtojë shqetësimet e partnerëve evropianë përmes dialogut dhe institucioneve.

“Nëse ndryshimet bëhen në mënyrë të njëanshme, rezervat ekzistuese vetëm sa do të forcohen. Nëse kalojnë përmes konsultimeve serioze, Kosova e forcon argumentin e saj” për anëtarësim në Këshillin e Evropës, thotë ai.

Ilazi vlerëson se shqetësimet për mënyrën se si Dhomat e Specializuara e kanë administruar procesin gjyqësor janë legjitime, por se duhet të adresohen përmes dialogut dhe mekanizmave institucionalë, e jo përmes ndryshimeve të njëanshme ligjore.

Ky qëndrim u pasqyrua edhe në një deklaratë të përbashkët, të publikuar më 1 nëntor, të cilën Ilazi e nënshkroi bashkë me 20 akademikë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe jashtë saj.

Në të, nënshkruesit kërkuan që shqetësimet lidhur me proceset gjyqësore në Hagë të trajtohen duke respektuar njëkohësisht të drejtat e të akuzuarve, drejtësinë për viktimat dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës.

Ilazi thotë se drejtësia për viktimat nuk duhet të krijojë përshtypjen se po gjykohet vetë lufta çlirimtare, ndërsa thekson se viktimat dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet, meritojnë të vërtetën dhe llogaridhënien.

“Këto parime duhet të respektohen së bashku dhe pa diskriminim. Ky është edhe mesazhi që Kosova duhet t’i dërgojë Këshillit të Evropës”, thotë ai.

Sipas tij, trajtimi i çështjeve të ndjeshme përmes institucioneve, ekspertizës dhe dialogut do të ishte një mesazh i rëndësishëm për Strasburgun dhe kryeqytetet evropiane.

Asociacioni, pengesa që mbetet

Përtej debatit për Gjykatën Speciale, një tjetër pengesë politike vazhdon ta mbajë pezull anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Më 16 prill 2024, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës rekomandoi pranimin e Kosovës, me 131 vota për, 29 kundër dhe 11 abstenime.

Por, një muaj më vonë, aplikimi i saj nuk u përfshi në rendin e ditës të takimit të Komitetit të Ministrave – organit që merr vendimin përfundimtar për anëtarësimin.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, kërkuan që Kosova ta dërgonte për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e Asociacionit, të përgatitur nga BE-ja, si dëshmi të përkushtimit ndaj marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

Qeveria e Kosovës fillimisht e kundërshtoi kërkesën. Më pas, ministrja e atëhershme e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, njoftoi se kishte dërguar një letër në Këshillin e Evropës, duke paralajmëruar dërgimin e draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit 2024.

Por, kjo nuk mjaftoi për ta zhbllokuar procesin.

Sipas Ilazit, kërkesa për Asociacionin nuk ishte kriter formal për anëtarësim, por kusht politik i disa shteteve anëtare.

Ai vlerëson se rekomandimi pozitiv i Asamblesë Parlamentare kishte dëshmuar se Kosova i plotësonte standardet kryesore për pranim.

“Pra, sot problemi nuk është se Kosova është e papërgatitur. Problemi është mungesa e besimit politik. Ky besim mund të ndërtohet, por kërkon punë të vazhdueshme dhe të koordinuar”, thotë Ilazi.

Nuk ka konfirmim publik se shtetet që e vendosën Asociacionin si kusht politik, kanë hequr dorë nga kjo kërkesë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës për të pyetur nëse Asociacioni mbetet kusht për anëtarësim dhe çfarë hapash kërkohen për sigurimin e mbështetjes së shteteve anëtare. Nga Këshilli i Evropës ka kërkuar sqarime për kushtet e mbetura dhe mundësinë e shqyrtimit të aplikimit në takimin e ardhshëm ministror.

Asnjëri institucion nuk është përgjigjur deri në publikimin e artikullit.

Sipas Morinës, kushti i Asociacionit “është ende aty”, ndërsa mbetet të shihet se si do ta trajtojë Kosova këtë çështje në dialogun me Serbinë.

Edhe Ilazi thotë se për disa shtete evropiane, Asociacioni mbetet tregues i gatishmërisë së Kosovës për t’i përmbushur detyrimet e marra në dialog.

Ai vlerëson se dërgimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk duhet të shihet si lëshim politik, por si një mekanizëm për të garantuar përputhshmërinë e çdo zgjidhjeje me rendin kushtetues të Kosovës.

“Është procedurë kushtetuese që e mbron vetë Kosovën, sepse Gjykata garanton se çdo zgjidhje do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe me karakterin unitar të shtetit. Kosova duhet ta bëjë këtë hap, por jo në heshtje dhe jo si veprim të izoluar”, thekson Ilazi.

Sipas tij, Kosova duhet të sigurojë paraprakisht garanci politike nga partnerët kryesorë evropianë dhe Shtetet e Bashkuara se një hap i tillë do t’i hapte rrugën shqyrtimit të aplikimit të saj.

A mund të jetë viti 2027 një mundësi e re?

Më 10 nëntor, Mali i Zi mori kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke pasuar Monakon.

Kryesimi i tij do të përmbyllet më 12 maj 2027, kur është planifikuar të mbahet takimi i ardhshëm vjetor ministror në Mal të Zi.

Por, ende nuk ka konfirmim se aplikimi i Kosovës do të përfshihet në rendin e ditës së këtij takimi.

Për pranimin e një anëtari të ri, Komiteti i Ministrave duhet të sigurojë mbështetjen e dy të tretave të të gjithë përfaqësuesve që kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë organ, sipas Statutit të Këshillit të Evropës.

Kjo do të thotë se, përveç përmbushjes së standardeve të kërkuara, Kosovës i nevojitet edhe mbështetje e gjerë politike nga shtetet anëtare.

Për Ilazin, përfshirja e aplikimit në agjendën e vitit 2027 kërkon angazhim të koordinuar diplomatik dhe hapa konkretë në raport me partnerët evropianë.

“Kjo kërkon tri gjëra: përmirësim të marrëdhënieve me BE-në, përfshirë një zgjidhje të konsultuar për ligjin e Dhomave të Specializuara, hapa të besueshëm në dialog dhe një fushatë diplomatike të koordinuar me shtetet që hezitojnë”, thotë ai.

Anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i hapte Kosovës rrugën drejt sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë mundësinë që individët nën juridiksionin e saj t’i drejtoheshin Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Shiroka Pula takon ambasadoren zvicerane, diskutojnë thellimin e bashkëpunimit

Published

on

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim ambasadoren e Zvicrës në Kosovë, Anne-Lise Cattin Hennin, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit.

Gjatë takimit, Shiroka Pula ka vlerësuar raportet e mira ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e cilësuar këtë shtet si një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës në aspektin politik, ekonomik dhe zhvillimor.

Ajo ka shprehur mirënjohje për mbështetjen shumëvjeçare të Zvicrës në procesin e shtetndërtimit dhe në rrugëtimin evropian të Kosovës.

Presidentja ka theksuar gjithashtu rëndësinë e mërgatës shqiptare në Zvicër dhe kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Në takim është diskutuar edhe për kontributin e Forcave të Armatosura të Zvicrës përmes kontingjentit Swisscoy, pjesë e misionit paqeruajtës të KFOR-it që nga viti 1999.

Shiroka Pula ka theksuar se bashkëpunimi me Zvicrën do të vazhdojë të thellohet dhe se ky shtet do të mbetet një nga partnerët e rëndësishëm të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në seancë të jashtëzakonshme për Raportin e Progresit

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër një seancë të jashtëzakonshme, e cila është caktuar të nisë në orën 13:00.

Në qendër të këtij takimi të jashtëzakonshëm të deputetëve do të jetë debati parlamentar lidhur me Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, dokument ky që i është dorëzuar zyrtarisht institucioneve të Kosovës para pak ditësh.

Përfaqësuesit e popullit pritet të diskutojnë gjetjet kryesore, të arriturat dhe sfidat e evidentuara nga Bashkimi Evropian sa i përket përmbushjes së reformave dhe standardeve evropiane në vend. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Aktakuzë ndaj një personi për sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan më 29 maj 2023

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.S., nën dyshimin për sulm ndaj personave zyrtarë dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, gjatë trazirave të 29 majit 2023 në Zveçan.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka marrë pjesë në sulmet pranë objektit të Komunës së Zveçanit, nga ora 06:00 deri në orët e mbrëmjes.

Në aktakuzë thuhet se A.S., në bashkëkryerje me persona të tjerë nga Kosova dhe Serbia, ka sulmuar pjesëtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri.

Si pasojë e sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të paktën 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.

Gjatë trazirave, sipas Prokurorisë, janë sulmuar edhe automjetet e gazetarëve që po raportonin nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se po vazhdon të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve më 29 maj 2023./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara