Internet

Si po ndikon bllokimi i WhatsAppit dhe Instagramit te miliona iranianë?

Dy rrjetet sociale u ndaluan sepse njerëzit i përdornin për të publikuar foto dhe informacione në lidhje me protestat.

Publikuar

Qeveria iraniane mbylli Instagramin dhe WhatsAppin dhe drastikisht reduktoi shpejtësinë e internetit më 21 shator në përgjigje të protestave kombëtare. Kjo jo vetëm që ka kufizuar shumë qasjen e iranianëve në informacion, por ka kufizuar gjithashtu miliona aktivitete biznesi të iranianëve. Tre vëzhgues shpjegojnë se si këto kufizime kanë ndikuar në jetën e tyre të përditshme dhe se si ata ende po arrijnë t’i dalin.

“Arsyeja për bllokimin e [Instagramit dhe WhatsAppit] është ligësia dhe aktivitetet dashakeqe që armiqtë promovojnë në të”, tha Ebrahim Raisi, presidenti iranian, i cili ka llogari të verifikuar në Instagram, më 7 dhjetor të vitit 2022.

Me fjalë të tjera, dy rrjetet sociale u ndaluan sepse njerëzit i përdornin për të publikuar foto dhe informacione në lidhje me protestat që kanë tronditur Iranin që nga 16 shtatori pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgim.

Instagram dhe WhatsApp janë vetëm rrjetet e fundit që janë ndaluar – qeveria ka bllokuar Facebook, Twitter dhe Telegram për vite me radhë.

Mbi 43 milionë iranianë ose 50% e të rriturve në vend, përdorin Instagramin, sipas vlerësimeve. Më shumë se 61 milionë iranianë, ose 71% e popullsisë, përdorin WhatsAppin.

“Unë i pranoj videot e protestave një javë më vonë”

Mamlekateh (s’është emri i vërtetë për shkaqe sigurie) është një aktivist iranian. Për më shumë se dhjetë vjet, ai ka përdorur mediat sociale për të ndarë informacione, lajme dhe imazhe të protestave me kolegët e tij iranianë. Ai shpjegoi se si kufizimet e reja e kanë bërë edhe më të vështirë mbulimin e lajmeve.

“Përveç censurës së përgjithshme dhe ndërprerjeve në nivel kombëtar, ka edhe ndërprerje lokale dhe rajonale. Për shembull, kur njerëzit protestuan në Semirom, Izeh dhe Mahabad, interneti u ndërpre papritur në këto qytete. Në të kaluarën, nerdët e kompjuterave në këto qytete zakonisht gjenin një mënyrë për t’u lidhur dhe për të më dërguar lajme dhe foto, por, këtë herë, edhe njerëzit më të zgjuar nuk ishin në gjendje t’i shmangnin ndërprerjet, sepse ata fjalë për fjalë e ndërprenë shërbimin, jo më internetin”, deklaroi ai.

Mashtrimet e Starlink

Një tjetër pasojë e ndërprerjes së internetit është se mashtrimet janë të shumta – shumë prej tyre rrotullohen rreth Starlink, një projekt i nisur nga kompania SpaceX që shpreson t’u sigurojë njerëzve në mbarë botën internetin përmes një grupi satelitësh, duke anashkaluar kështu shërbimet lokale. Megjithatë, sipas kreut të SpaceX, Elon Musk, janë vetëm 100 receptorë Starlink aktivë në Iran. Mamlekateh thotë: “Unë kam parë një numër mashtrimesh të Starlink kohët e fundit. Ka mashtrues që u kërkojnë njerëzve, të cilët praktikisht nuk kanë qasje në internet, shuma të mëdha parash dhe u premtojnë se do t’u shesin receptorët Starlink. Por kur viktimat transferojnë paratë e tyre, mashtruesit zhduken”.

“Duket sikurse po jetojmë 20 vjet prapa në të kaluarën”

Ravi (jo emri i tij i vërtetë) është një burrë që ka një kompani. Në të kaluarën, njerëzit shpesh i drejtoheshin VPN-ve, softuerë që ju mundësojnë qasjen në internet përmes një lidhjeje private, duke e bërë informacionin e ndarë të padukshëm për qeverinë. Sidoqoftë, Ravi thotë se në klimën aktuale, kjo nuk mjafton.

“Jetët tona janë kthyer përmbys që kur ata ndaluan disa faqe dhe ulën shpejtësinë e internetit. Unë kam nëntë VPN të ndryshme në telefonin tim dhe, çdo ditë, duhet të shoh se cila po funksionon. Ndonjëherë, njëri prej tyre funksionon me 4G-në time, por jo me wifi-n time ose anasjelltas. Mund të më duhen orë të tëra çdo ditë për t’u lidhur me Instagramin për të parë se çfarë po ndodh në vend ose për të hyrë në WhatsApp për të parë se çfarë më dërguan miqtë dhe familja ime. Më duhet gjithashtu WhatsApp për të menaxhuar biznesin tim. Gjëja e parë që diskutojmë me miqtë, familjen ose kolegët është se kush ka gjetur një VPN të re dhe si ta shkarkojë atë sepse të gjitha faqet anti-proxy si Google Play dhe Apple App Store tani janë bllokuar”, deklaroi ai.

Mbi 1.7 milion biznese operojnë në Instagram në Iran dhe të ardhurat e më shumë se nëntë milionë iranianëve varen nga ky rrjet social, sipas një studimi të kryer në Iran në vitin 2021. Humbja e të ardhurave dhe vendeve të punës nga ndërprerja e internetit ka bërë që situata të përkeqësohet edhe më shumë për ata që tashmë po përballen me krizën ekonomike të vendit./UBTNews/

Internet

Është aprovuar nga senati amerikan projektligji për ndalimin ose shitjen e TikTok-ut

Si pasojë e shqetësimeve të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo dhe t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni.

Publikuar

nga

Senati amerikan e ka kaluar këtë të marte një projektligj i cili do të ndalojë TikTok-un në SHBA nëse pronari i saj, firma kineze ByteDance, nuk e shet brenda një viti.

Si pasojë e shqetësimeve të mëdha në mesin e ligjvënësve amerikanë se Kina mund të ketë qasje në të dhënat e qytetarëve amerikanë apo dhe t’i vëzhgojë ata përmes këtij aplikacioni, projektligji u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së të shtunën dhe presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do ta nënshkruajë atë të mërkurën, për ta bërë ligj.

“Për shumë vite ne e kemi lejuar partinë komuniste të Kinës të ketë kontroll mbi njërin prej aplikacioneve më të njohura në Amerikë”, tha republikani Marco Rubio nga Komiteti i Inteligjencës.

“Ligji i ri do t’i kërkojë pronarit kinez ta shesë aplikacionin. Ky është vendim i mirë për Amerikën”, shtoi ai.

Beteja katërvjeçare për TikTok-un, i cili përdoret nga 170 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara, është vetëm njëri prej shumë fronteve në luftën e internetit dhe teknologjisë mes Uashingtonit dhe Pekini.

Apple tha se Pekini ka urdhëruar t’i largonte platformat e Meta-s, WhatsApp dhe Threads, nga dyqani i saj i aplikacioneve në Kinë, për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.

Ndërsa TikTok pritet ta sfidojë këtë projektligj përmes Amendamentit të Parë, dhe përdoruesit e TikTok-ut pritet të ndërmarrin veprime ligjore gjithashtu. Një gjykatës në Montana e parandaloi ndalimin e TikTok-ut në këtë shtet, duke u thirrur në lirinë e shprehjes.

Megjithatë dhe në vitin 2020, ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u përpoq ta ndalojë platformën e rrjetit social përmes një urdhri ekzekutiv. Ai urdhër u shfuqizua më vonë nga gjykatat, pas padisë nga TikTok.

Administrata Trump ndërmjetësoi gjithashtu një marrëveshje më 2020, sipas të cilës korporatat amerikane Oracle dhe Walmart, do të siguronin aksione të mëdha në TikTok mbi baza të sigurisë kombëtare. Por, shitja e aksioneve nuk ndodhi asnjëherë për një numër arsyesh, ndër to Kina, e cila vendosi kontrolle më të rrepta të eksportit për ofruesit e vet të teknologjisë./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Internet

TikTok paralajmëron SHBA-në: Ndalimi i mundshëm i TikTok-ut “shkelje e fjalës së lirë”

Gjatë muajve të fundit zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për popullaritetin e TikTok te të rinjtë.

Publikuar

nga

TikTok thotë se ndalimi i mundshëm i aplikacionit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të konsiderohet “shkelje e fjalës së lirë” të 170 milionë amerikanëve.

Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së votoi të shtunën për të ndaluar TikTok-un nëse pronari i aplikacionit nuk i ndërpret lidhjet me Kinën.

Legjislacioni është pjesë e një pakete të politikës së jashtme të SHBA-së, ku mes tjerash përfshihej ndihma për Ukrainën dhe mund të bëhet ligj që në fillim të javës së ardhshme.

Gjatë muajve të fundit zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për popullaritetin e TikTok te të rinjtë. Ata pretendojnë se pronari i TikTok, Bytedance, është i nënshtruar ndaj Pekinit – akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Internet

​Google pushon 28 punonjës për protesta kundër kontratës së kompanisë me Izraelin

“Sjelljet e tilla nuk kanë vend në vendin tonë të punës dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, thuhet në deklaratë.

Publikuar

nga

Google pushoi 28 punonjës për përfshirjen e tyre në një protestë 10-orëshe në dy nga zyrat e gjigantit të teknologjisë në Kaliforni dhe New York City, për protesta ndaj lidhjeve të kompanisë me Izraelin.

Në përgjigje të protestave të së martës të udhëhequr nga një grup i quajtur No Tech For Apartheid kundër Projektit Nimbus, një kontratë “cloud” 1.2 miliardë dollarësh me Izraelin, Google të mërkurën shkarkoi 28 punonjës të akuzuar për pjesëmarrje në protesta.

Chris Rackow, kreu i sigurisë globale i Google, theksoi politikën e tolerancës zero të kompanisë ndaj sjelljes së protestuesve në një mesazh dërguar të gjithë punonjësve që qarkulloi gjithashtu në mediat sociale.

“Sjelljet e tilla nuk kanë vend në vendin tonë të punës dhe ne nuk do ta tolerojmë atë”, thuhet në deklaratë.

“Pas hetimit, sot ne ndërpremë punësimin e njëzet e tetë punonjësve që u gjetën të përfshirë. Ne do të vazhdojmë të hetojmë dhe të marrim masa sipas nevojës”, shtoi ai.

Rreth 10 orë pas protestave, policia arrestoi grupe punonjësish në New York dhe Kaliforni, raportoi grupi në X.

Pushimet, të cilat ndodhën vetëm disa orë pasi nëntë punonjës u arrestuan nga policia gjatë protestave kanë nxitur një valë polemikash brenda kompanisë dhe më gjerë./AA/

Vazhdo të lexosh

Internet

Gjykata braziliane urdhëron hetimin e Elon Muskut mes dezinformatave në X

Kjo pasi Musk tha se do të kundërshtojë një urdhër të gjykatës përmes së cilit kërkohet të hiqen llogaritë në X të cilat akuzohen për përhapje të dezinformatave. 

Publikuar

nga

Një gjykatë në Brazil ka nisur hetimet ndaj Elon Muskut për pengim të drejtësisë pasi manjati i teknologjisë tha se do të kundërshtojë një urdhër të gjykatës përmes së cilit kërkohet të hiqen llogaritë në X të cilat akuzohen për përhapje të dezinformatave. 

Sipas vendimit, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes tha se hetimi do të shqyrtojë nëse Musk, i cili zotëron X, është i përfshirë në pengim, organizatë kriminale dhe nxitje.

“Sjellja flagrante e pengimit të drejtësisë braziliane, nxitja e krimit, kërcënimi publik i mosbindjes ndaj urdhrave të gjykatës dhe mungesa e bashkëpunimit në të ardhmen nga platforma janë fakte që nuk respektojnë sovranitetin e Brazilit”, shkroi de Moraes, duke urdhëruar X të “përmbahet nga mosbindja ndaj urdhrave gjyqësorë, përfshirë edhe riaktivizimin e një llogarie që Gjykata e Lartë urdhëroi bllokimin”./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara