Lajmet

Si po e ri-formaton Evropën Giorgia Meloni?

Nga Nicholas Farrell.

Published

on

Nga Nicholas Farrell

“The Spectator”

Kryeministrja e parë grua e Italisë, Giorgia Meloni, po bëhet vazhdimisht udhëheqësja politike më e rëndësishme e Evropës. Madje disa thonë se është fati i saj të jetë Angela Merkel e radhës. Nëse do të ndodhë vërtet, kjo do të nënkuptonte një ndryshim dramatik në drejtimin e Bashkimit Evropian drejt asaj që ajo e quan një Evropë konfederale, në vend të një Evrope federale.

Pra një Evropë e kombeve sovrane dhe jo një super-shtet, gjë që sipas Melonit do të “bënte më pak, por më mirë”. Meloni, 46 vjeçe, drejton një koalicion qeveritar të krahut të djathtë – që përbëhet nga partia e saj Fratelli D’Italia (Vëllezërit e Italisë) plus 2 partnerë të vegjël, Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Silvio Berlusconit – që fitoi një shumicë të gjerë në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2022.

Në këtë mënyrë, ajo u bë kryeministrja e parë e zgjedhur me votë në Itali që nga viti 2011. Asnjë nga 6 kryeministrat e mëparshëm nuk ishte udhëheqës i një partie apo koalicioni që fitoi zgjedhjet kur u emërua në detyrë. Madje 4 prej tyre nuk ishin as deputetë.

Ndërkohë partitë e krahut të majtë të opozitës, nuk janë në gjendje të sheshojnë dallimet midis tyre për të formuar një koalicion alternativ efektiv. Partia Demokratike post-komuniste, e cila doli e dyta në zgjedhje me 19 për qind të votave, po merr aktualisht vetëm 16 për qind në sondazhe, ndërsa po vazhdon të rritet popullariteti i Fratelli D’Italia.

Ajo mori 26 për qind të votave në zgjedhje, dhe tani në sondazhe renditet me 31 për qind mbështetje. Largimi i Merkel në vitin 2021 në fund të mandatit të saj të katërt si kancelare e Gjermanisë, krijoi një boshllëk në Evropë, i cili nuk është mbushur ende.

Shpresat e presidentit francez Emmanuel Macron për ta zëvendësuar atë si udhëheqëse de facto të BE-së u zhdukën që shumë kohë më parë (pavarësisht se kushtet për një lidershipfrancez nuk kanë qenë kurrë më të mira sesa këto vitet e fundit), në një kohë që kancelari aktual gjerman Olaf Scholz njihet më së shumti për ngurrimin e tij tipik.

Nga ana tjetër Meloni po e forcon gjithnjë e më shumë staturën e saj kombëtare dhe ndërkombëtare. Shkalla e popullaritetit të saj prej 52 për qind është shumë më e lartë se ajo e Scholz (34 për qind) dhe e Macron (vetëm 28 për qind).

Kryeministrja italiane – që identifikohet si një konservatore, por jashtë Italisë është quajtur pa dyshim si një ekstremiste i djathtë – që ka plane shumë ambicioze për Italinë dhe Evropën. Shumë kohë përpara pushtimit rus të Ukrainës, ajo hoqi dorë nga pozicioni tradicionalisht anti-amerikan i së djathtës italiane për ta vendosur Italinë në një pozicion të ngjashëm me atë të Britanisë së Madhe.

Por edhe pse atlantizmi i saj është një nga shkaqet e mundshme të tensionit brenda BE-së, ajo është e vendosur të mos i trazojë shumë ujërat për dy arsye kryesore. Së pari, Italia do të marrë më shumë se çdo shtet tjetër anëtar para nga Fondi i Rimëkëmbjes i BE-së për krizën e shkaktuar nga Covid-19.

200 miliardë euro (një e katërta e totalit) midis viteve 2021-2026 në formën e kredive dhe granteve, por vetëm me kushtin që të ndërmarrë dhjetëra reforma strukturore. Për këtë arsye nuk ka luksin të përplaset Komisionin Evropian.

Së dyti, ajo nuk ka ende aleatë për ta fituar një luftë kundër Brukselit. Për këtë arsye, Meloni është e detyruar të ndërtojë një rrjet aleancash dhe të fitojë një rol kontrollues në Parlamentin Evropian, që ka një rol të madh mbi emërimet kyçe në Komisionin Evropian. Pikërisht këtu qëndron fuqia e vërtetë në BE. Në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian të vitit 2019, Fratelli D’Italia mori vetëm 6.4 për qind të votave dhe 5 eurodeputetë (një numër që u rrit në 8 për shkak të Brexit-it dhe largimeve). Por ajo është drejtuese e grupit parlamentar të cilit i përkasin konservatorët evropianë euroskeptikë dhe reformistët (ECR), që u bashkë–themelua nga David Cameron në vitin 2009.

Aktualisht, ECR ka vetëm 64 eurodeputetë. Tradicionalisht, grupi i Partisë Popullore Evropiane (EPP), që ka në përbërje partitë demokristiane, dhe që ka aktualisht 176 eurodeputetë, e ka kontrolluar PE, që pas Brexit ka 705 vende në total.

Ajo hyn zakonisht në aleancë me kundërshtarët e saj natyralë, socialistët (S&D), me 144 eurodeputetë, edhe herë pas here me Renew (ish liberalët), që ka 102 eurodeputetë (përfshirë eurodeputetët e Macron plus ata të Guy Verhofstadt). Megjithatë, në legjislaturat e fundit, pjesa e vendeve të EPP-së ka rënë ndjeshëm, ndaj është rritur nevoja për aleatë.

Meloni synon të zëvendësojë rolin e S&D, të zhytur keqazi në skandalin e miliona eurove të dhëna në formën e ryshfeteve, Qatargate, ku ECR do të jetë aleatja kryesore e EPP-së në zgjedhjet evropiane të vitin e ardhshëm, kur Fratelli D’Italia parashikohet të rrisë ndjeshëm përfaqësimin e saj në PE.

Po ashtu, anëtarët e tjerë të ECR, veçanërisht partia populiste spanjolle Vox, mund të jetë  partnerja e vogël në atë që sondazhet parashikojnë se do të jetë një qeveri e koalicionit të krahut të djathtë në zgjedhjet spanjolle këtë vit. Ndërkohë në këtë grupim janë edhe Demokratët Suedezë, të cilët dolën shumë mirë në zgjedhjet e shtatorit 2022, dhe mbështetja e të cilëve është jetike për qeverinë e re të krahut të djathtë.

As Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen, Lega i Salvinit apo Alternativa për Gjermanisë (AfD) nuk janë pjesë e ECR, por e grupit rival Identiteti dhe Demokracia (ID), që ka gjithashtu 64 eurodeputetë. Lega, që ka pësuar një rënie të vazhdueshme dhe që arriti kulmin i saj në zgjedhjet e fundit evropiane të 2019-ës, nuk do të jetë në gjendje të përsërisë 34 përqindëshin e saj spektakolar.

Ndërsa shumë në EPP e konsiderojnë ID-në si një grupim më rënie të pandalshme, ata janë shumë më të hapur për një aleancë me ECR-në. Edhe Meloni do të përpiqet ta bindë partinë e Salvinit të braktisë ID-së. Manfred Weber – udhëheqësi i EPP-së nga Unioni Kristian Social, versioni bavarez i Unionit Demokristian të Merkelit – është takuar dy herë me Melonin në Romë që kur ajo u zgjodh kryeministre.

Evropa konfederale që dëshiron Meloni është ajo në të cilën dominon parimi i subsidiaritetit. Siç tha ajo në një intervistë për gazetarin e njohur italian Bruno Vespa: “Brukseli nuk duhet të bëjë atë që Roma mund ta bëjë më mirë”. Kur u pyet nëse ligji i BE-së duhet të mbizotërojë ndaj ligjit italian në rastet e konfliktit, ajo u përgjigj: “Për rastet më të diskutueshme Gjykata Kushtetuese gjermane ka vendosur në favor të interesit kombëtar”.

Vizita e Melonit pak kohë më parë në Kiev, menjëherë pas asaj të presidentit amerikan JoeBiden, për të takuar Volodymyr Zelensky dhe për ta siguruar atë se Italia do ta mbështesë me armë “deri në fund” ishte shumë domethënëse. Sepse ndërsa Macron ndryshoi qëndrim në lidhje me mënyrën se si Evropa duhet të reagojë ndaj pushtimit të Vladimir Putinit, dhe Scholz u tërhoq nga sjellja nguruese, mbështetja e Melonit si për sanksionet ndaj Rusisë po ashtu edhe për armët ndaj Ukrainës ka qenë e paqartë që nga fillimi i luftës, kur ajo ishte ende në opozitë.

Shumë analistë thanë se vendimi i Macron për të ftuar vetëm Scholz-in dhe jo Melonin në takimin me Zelensky në Paris dy javë më parë, ishte një shenjë e qartë se udhëheqësja e ekonomisë së tretë më të madhe të BE-së ishte mënjanuar nga “salla e komandimit” të BE-së.

Po ashtu ata nënvizuan se Meloni ishte dobësuar nga deklarata e Silvio Berlusconi, një mik i vjetër i Putinit, se nëse do të ishte kryeministër, nuk do të shkonte kurrë që të takonte Zelenskin, sepse “sulmet e tij në Donbas kishin shkaktuar shkatërrimin në Ukrainë”.

Meloni zgjodhi ta shpërfillë komentin e Berlusconit. Por kryeministrja italiane është e ashpër jo vetëm me dy partnerët e saj të koalicionit, por edhe me shumicën e vendit të saj që kundërshton dërgimin e armëve në Ukrainë (vetëm pak më shumë se 1/3 e italianëve e konsiderojnë Rusinë si armike, krahasuar me 2/3 në Amerikë dhe Britani, madje çereku i italianëve e konsiderojnë Rusinë si aleate).

“Meloni është tani udhëheqësja e së djathtës evropiane. Ajo dhe ata që janë rreth saj do të jenë në gjendje të lëvizin boshtin e politikës evropiane në zgjedhjet e ardhshme”- thotë Massimo Cacciari, profesor filozofie, ish-deputet komunist dhe ish-kryetar i bashkisë së Venecias./bota.al/

Marrë me shkurtime

Lajmet

Justina Shiroka-Pula merr zyrtarisht detyrën e presidentes

Published

on

Justina Shiroka-Pula ka marrë zyrtarisht detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e inaugurimit, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ia ka dorëzuar Kushtetutën presidentes së re.

Justina Shiroka-Pula mori 81 vota në Kuvend, në votimin që u zhvillua në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës, në fund të afatit kushtetues që e caktoi 6 tetorin si datë të fundit për zgjedhjen e presidentit. Detyrën e siguroi pas dakordimit të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja shqetësohet për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Published

on

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim të thellë për miratimin nga Kuvendi i Kosovës të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në një përgjigje për KOHËN, një zëdhënës i BE-së ka thënë se ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

“Partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkëta”, thuhet në përgjigje.

BE-ja ka theksuar se vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion të pavarur gjyqësor, të themeluar përmes vendimeve të Kuvendit në vitet 2014–2015 dhe të përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas BE-së, mandati dhe pavarësia e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen plotësisht, ndërsa drejtësia duhet të vazhdojë të bazohet në parimin e përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara, si dhe llogaridhënien dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Projektligji u miratua në Kuvend të martën, pak para përfundimit të afatit për zgjedhjen e Presidentit, pas një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Miratimi i tij u shoqërua me protesta në Kosovë, ndërsa kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara është rritur pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Schuebel uron presidenten e re, mbështetja e BE-së do të mbetet e palëkundur

Published

on

By

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, ka uruar Justina Shiroka-Pulën për zgjedhjen e saj në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Schuebel ka shprehur shpresën për rikthimin e stabilitetit politik dhe institucional në vend, duke theksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me presidenten e re, institucionet e Kosovës dhe spektrin politik.

“Me shpresën për ripërtëritjen e stabilitetit politik dhe institucional, pres me kënaqësi të punoj me Presidenten Shiroka-Pula, institucionet e Kosovës dhe spektrin e gjerë politik për ta afruar vendin më pranë Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Schuebel.

Ai ka theksuar gjithashtu se mbështetja e Bashkimit Evropian për Kosovën do të vazhdojë të jetë e palëkundur.

Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në raundin e parë të votimit, duke marrë 81 vota në seancën e Kuvendit që kishte nisur më 6 tetor. Votimi përfundoi pak pas mesnate, ndërsa numërimi i votave përfundoi rreth 15 minuta më vonë.

Me zgjedhjen e Shiroka-Pulës, Kosova tashmë ka presidenten e re, ndërsa mesazhi i BE-së vjen me theks të veçantë te stabiliteti institucional dhe vazhdimi i rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian.

D.L

Continue Reading

Lajmet

15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë për familjet në nevojë

Published

on

Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë të ditur se janë ndarë 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, përmes Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Hoti ka njoftuar se programi është miratuar në mbledhjen e pestë të Qeverisë dhe synon subvencionimin e faturave për familjet që plotësojnë kriteret për përfitim.

Ai ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë vendimin që përcakton kushtet dhe kriteret për përfituesit, pas së cilës pritet të hapet thirrja për aplikim.

Sipas Hotit, programi lidhet edhe me obligimet e Kosovës në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm.

“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka shkruar Hoti./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara