Kronikë e zezë

Si ndodhi ngatërrimi i kufomave dhe varrosja e personit të gabuar në Prizren

Rrëfimi për varrosjen e personit të gabuar në Prizren.

Published

on

Ditën e parë e kishin marrë kufomën e gabuar në Klinikën Infektive në Prishtinë. Të njëjtën e kishin dërguar në Prizren tek një familje që kishte humbur më të dashurin e tyre. Ata sipas riteve fetare e kishin varrosur viktimën, duke mos e ditur se nuk ishte familjari i tyre. Dy personat që e kishin tërhequr gabimisht kufomën nga Klinika Infektive e kishin kuptuar ndërkohë gabimin dhe kishin shkuar sërish në Klinikën Infektive në Prishtinë dhe e kishin tërhequr trupin tjetër të pajetë që i përkiste familjes nga Prizreni dhe e kishin varrosur vetë atë, pa dijeninë e familjes, teksa e kishin zhvarrosur trupin e pajetë të mbuluar me dhe një ditë më parë. 

Kjo ngjarje e trishtueshme ka shtyrë Prokurorinë që pas hetimeve të kërkojë paraburgim “për dy persona për dëmtim të varreve dhe kufomave”.

Kështu, Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prizren ndaj të pandehurve E.R., dhe M.N., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

“Sipas kërkesës, të dyshuarit E.R., dhe M.N., (punëtorë të një kompanie për shërbime funerale)  me datë 09.02.2022, rreth orës 13:30, me automjet kanë shkuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë, me qëllim që të tërheqin nga aty trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe të njëjtin t’a dërgojnë në Prizren, për ceremoninë e varrimit nga familjarët e tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

“Mirëpo, të dyshuarit E.R., dhe M.N., nga Klinika Infektive kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës Z.D., së bashku me dokumentacionin e nevojshëm përcjellës, duke menduar se kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K”. Trupi i pajetë i viktimës Z.D., rreth orës 14:30, është dërguar në varrezat e qytetit në Prizren dhe ju është dorëzuar familjarëve të viktimës H.K., dhe familja e tij e kanë varrosur në varrezat e qytetit në Prizren, duke menduar se është trupi i familjarit të tyre H.K”.

“Më pastaj, është kuptuar se është bërë ngatërrimi i kufomave dhe se në varrezat e qytetit në Prizren, është varrosur gabimisht trupi i pajetë i viktimës Z.D”.

“Me të kuptuar gabimin e ndodhur, të dyshuarit E.R., dhe M.N., sërish janë kthyer në Klinikën Infektive dhe nga aty kanë tërhequr trupin e pajetë të viktimës H.K., dhe e kanë dërguar në varrezat e qytetit në Prizren. Të dyshuarit e lartëcekuar, rreth orës 18:00, kanë paguar 300 euro disa persona që të bëjnë zhvarrimin e trupit të pajetë të viktimës Z.D., dhe në të njëjtin varr, kanë varrosur viktimën H.K”.

“E gjithë kjo, është kryer pa prezencën e familjarëve të viktimës H.K., dhe pa njoftuar zyrtarët policor. Më pastaj, trupi i zhvarrosur viktimës Z.D., është kthyer sërish në Prishtinë”.

“Më këto veprime, të dyshuarit E.R., dhe M.N., kanë përmbushur elementet e veprës penale “Dëmtimi i varreve apo kufomave” nga neni 413 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë hetuesit dhe policia kanë qëndruar gjatë ditës në Klinikën Infektive në kërkim të zbardhjes së plotë të kësaj ngjarjeje./UBTNEWS​

Continue Reading

Lajmet

Raste të shumta të incidenteve kriminale

Published

on

Policia e Kosovës ka njoftuar për një numër rastet të incidenteve kriminale, të ndodhura në vendin tonë gjatë 24 orëve të fundit.

Në rajonin e Prishtinës është njoftuar për një rast të përdorimit të armës.

“Ankuesi ka raportuar se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit policore ku kanë gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë”, njoftoi Policia.

Po në Prishtinë është njoftuar edhe për një rast të kanosjes. Sipas Policisë, një person ka raportuar se është kanosur nga një i dyshuar, i cili më pas është larguar në drejtim të panjohur.

Në Shtime, një person është arrestuar për legalizim të përmbajtjes së rreme.

“Pas një pune hetimore, zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht  Sektori për Hetime Financiare,  kanë arrestuar të dyshuarën femër, shtetase e Maqedonisë së Veriut,  e cila pasi që kishte falsifikuar autorizim tek një noter në Maqedoninë e Veriut, kishte arritur që në mënyrë të kundërligjshme t’i shesë dy pronat  e  xhaxhait të saj. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje”, njoftoi Policia.

Është njoftuar edhe për një rast mashtrimi. “Është arrestuar i dyshuari, pasi që i njëjtë që nga viti 2025 është prezantuar rrejshëm si zyrtar i AKI-së dhe në vazhdimësi i ka kërkuar  të holla viktimës, duke i premtuar se do ta punësojë në AKI. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, theksohet në raportin ditor të Policisë.

Në Gjilan u njoftuar për një rast të konfiskimit të armëve të zjarrit. Sipas njoftimit, gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Makresh, është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me 4 fishekë.

Ndërsa në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Viti, Njësia për  Hetimin  e Narkotikëve, gjatë një kontrolli ka ndaluar një veturë, gjatë kontrollimit brenda në veturë ka gjetur në posedim të personit të dyshuar rreth 9.22 gramë substancë e llojit marihuanë. Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit lirohet në procedurë të rregullt.

Edhe në Ferizaj u njoftua për një rast të armëmbajtjes pa leje. ”Pas pranimit të informatës se i dyshuari mashkull kosovar, posedon armë zjarri, njësitë policore kanë kontaktuar me të dyshuarin, i cili ka dorëzuar armën e zjarrit – pushkë gjuetie. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Në rajonin e Pejës u njoftua për një vjedhje të rëndë. Sipas Policisë, ankuesi raporton se persona te pa njohur kanë hyrë brenda në stanin e vëllait  të tij dhe kanë vjedhur një armë pushkë gjuetie dhe  15 fishekë për të cilën ka leje.

Policia ka gjetur armë në fshatin Mleqan të Malishevës. “Raportohet se gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar, është gjetur dhe konfiskuar një armë dhe 7 fishekë. Nuk raportohet për të arrestuar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, njoftoi Policia.

Një rast i dyshuar armëmbajtjeje pa leje u shënua edhe në Skivjan të Gjakovës. “Më 21.10.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që njësiti i hetimeve kishte pranuar një fotografi të dyshuarit me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47. Gjatë intervistimit i dyshuari ka mohuar që posedon armën e cekur. Lidhur me rastin është bastisur shtëpia e të dyshuarit, mirëpo nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Me vendim të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Dy raste me armëmbajtje u shënuan edhe në Vushtrri e në Skenderaj.

”Ankuesi, pronar i një lokali, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, klienti i tij,  nën ndikim të alkoolit, ka përdorur fjalë fyese dhe sjellje jo korrekte ndaj tyre. Gjatë kontrollit në  oborrin e lokalit kanë gjetur dhe konfiskuar: një armë pistoletë, me dy karikatorë, për të cilën pronari kishte leje e armës për shenjëtari dhe një sprej. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar dhe rasti procedohet ne procedurë të rregullt”, njoftoi Policia.

Ndërsa në Skënderaj, njësiti i hetimeve kishte iniciuar rast, pasi kishte pranuar një video të të dyshuarit mashkull kosovar, me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe rasti nën hetime.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Rritet numri i tiketave në trafik

Published

on

Raporti ditor i Policisë së Kosovës tregon një rritje të numrit të tiketave në trafik, të shqiptuara në 24 orët e fundit.

Sipas njoftimit, dje janë shqiptuar 2159 tiketa, që është për rreth 150 më shumë se një ditë më parë.

Janë njoftuar edhe 22 aksidente trafiku  me të lënduar dhe 33 aksidente trafiku  me dëme materiale.

Persona të arrestuar ishin 16, të dërguar në mbajtje – 12, ndërsa një person është dërguar në vuajtje të dënimit.

Continue Reading

Lajmet

E rëndë – pesë raste të dhunës në familje në 24 orë

Published

on

Nuk po bie numri i rasteve të dhunës në familje. Raporti ditor i Policisë së Kosovës njofton për pesë raste të reja që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit.

Në Lipjan, burri  ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, ndërsa vjehrra e saj ka ushtruar dhunë psikikë ndaj viktimës.

I dyshuari, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë njoftohet se burri e ka kanosur dhe fyer bashkëshorten. Është njoftuar prokurori kujdestar. I dyshuari gjendet në arrati.

Rast i rëndë ka ndodhur edhe në Pejë. Pas pranimit të një video-incizim, ku vërehet një person mashkull duke ushtruar dhune fizike ndaj një personi të gjinisë femërore,  njësiti i hetimeve kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar, mashkull kosovar, dhe viktimën, femër kosovare, bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Në Gjakovë është raportuar se viktima është sulmuar fizikisht nga vëllai i tij. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari nuk është hasur në shtëpi.

Rasti i pestë ka ndodhur në Mitrovicën e jugut, ku një i dyshuar ka kanosur nënën e tij. Është arrestuar  i dyshuari, i cili ka rezultuar se është nën ndikim të alkoolit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familja brenda një dite

Published

on

Vazhdojnë edhe më tej statistikat e larta të rasteve të dhunës në familje. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë njoftuar katër raste të tilla.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti i parë ka ndodhur në Ferizaj.

Aty, është arrestuar një i dyshuar, pasi që, pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht nënën e tij, duke i shkaktuar lëndime të dukshme trupore.  Palët janë intervistuar  dhe  me   vendim të prokurorit i dyshuari  është dërguar në mbajtje.

Rasti tjetër ka ndodhur në Prishtinë. Viktima, një i mitur, ka pësuar dhunë nga babai i tij dhe për këtë ka pranuar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Ndërsa, në Fushë Kosovë, është raportuar se, pas një mosmarrëveshje në familje, viktima femër është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj.

Viktima e rastit ka pranuar tretman mjekësor dhe me kërkesën e saj është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit  me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje.

Rasti i katërt ka ndodhur në Lipjan. Aty, një i dyshuar ka sulmuar babanë e tij.

I dyshuari, është shoqëruar në stacionin policor dhe për shkak të gjendjes së tij mendore, në konsultim me prokurorin, është dërguar në QKUK për tretman mjekësor në repartin e psikiatrisë.

Continue Reading

Të kërkuara