Lajmet

Shtrenjtimi i energjisë i papërballueshëm për sektorin privat

Ndërsa nga opozita e fajësojnë shefin e Qeverisë.

Published

on

Shtrenjtimi i rrymës qind për qind do të jetë i papërballueshëm sidomos për punëtorët e sektorit privat, teksa me këtë do të afektojë edhe në shtrenjtimin e produkteve ushqimore ose prodhimeve tjera në treg.

Nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat thonë se kategoria e punëtorëve nuk mund ta përballojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike. Ndërsa nga opozita e fajësojnë shefin e Qeverisë, teksa shprehen se kryeministri Kurti po vepron me arrogancë për shkak të numrave që i ka në Kuvend.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se kjo shtresë mund të përfundojë edhe në burg, pas sipas tij ata nuk do të kenë mundësi t’i paguajnë faturat me këtë rritje. Ai thotë se kjo kategori do të detyrohet të kyçen ilegalisht në rrjetin elektrik.

“Ne gjendjen që kemi pasur ta flasim para 4-5 muaj, kemi pasur gjendjen tepër tepër të rëndë. Mu po më shkon mendja atje që ekzistojnë dy mundësi, mundësia e parë që punëtorët e sektorit privat një pjesë bukur të mirë duhet tu ndërpritet rryma sepse nuk kanë mundësi që ta bëjnë këtë pagesë me një pagë 270 euro, nuk ka mundësi me bë. Dhe pjesa e dytë le të përgatiten gjyqet që së paku në një far forme të marrin vendime për me i dërgu në burg këta njerëz sepse jo që nuk dëshirojnë por nuk kanë mundësi dhe e vetmja mundësi është ta shkyçësh nga rrjeti dhe ta dërgosh në burg, tjetër mundësi nuk kemi”, u shpreh ai.

“Shpesh herë shteti t’i krijon vetvetiu kushtet që të bësh veprime të pahijshme. Veprime jo të mira, kështu që neve na imponohet ose të kyçemi ilegalisht ose njëfarë forme ë vijnë deri tek kacafytja në mes të atyre që i kërkojnë mjetet edhe këtyre. Nuk është që nuk dëshiron, nuk ka mundësi sepse njerëzit, po them edhe ata të varfrit, pjesa dërmuese që jetojnë edhe nëpër qytete ata nuk mund të ngrohen as me thënë gjithë  as me dru, duhet me u ngroh me rrymë. Ai ose duhet me lënë fëmijën e vet mu mërdhi ose duhet ta bëjë një zgjidhje tjetër, e zgjidhja tjetër njëfarë forme nuk po na pëlqen por megjithatë do të vijë deri tek ajo”, thotë ai.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku thotë për Ekonomia Online se me këtë shtrenjtim të rrymës, qytetarët e vendit do të kenë humbje të madhe. Ai thotë se Kosova ka edhe prodhime vendore që me rastin e rritjes së çmimeve të rrymës do të ketë edhe rritje më të mëdha të produkteve ushqimore ose prodhimeve tjera në treg.

“Ne në asnjë moment nuk kemi diskutuar për rrymën dhe nëse një pikë nuk mundet të kapet Kryeministi Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është pikërisht tek pjesa e rrymës sepse ka qenë stabil dhe është rregulluar kohët e fundit dhe që nga 2013 në përgjithësi ka pasur përmirësime pjesa e rrymës dhe në këtë drejtim besoj humbja më e madhe është e Albin Kurtit si lider popullist që njihet që gjithmonë ka fol shumë dhe po shihet që këtë e ka pasur vetëm sa për të marr pozitën e kryeministrit. Në këtë drejtim humbjen më të madhe do të kenë qytetarët e Republikës së Kosovës pastaj në aspektin financiar. Jo vetëm ato por do të kenë edhe pastaj sektorët lidhen kronologjiksht edhe pjesa e rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme sepse Kemi prodhime vendore që me rastin e rritjes së çmimeve të rrymës do të ketë edhe rritje më të mëdha të produkteve ushqimore ose prodhimeve tjera që janë në tregun e Kosovës”, deklaroi ai.

Deputeti Lushtaku tutje u shpreh se janë munduar që t’i japin informata të hollësishme qytetarëve të Kosovës që ta shohin se si qeveria Kurti po vepron padrejtësisht duke i rritur çmimet që sipas tij për shkak të keqmenaxhimit.

“Unë besoj, pavarësisht krizës globale çfarë është në botë edhe për pjesën e pandemisë edhe për pjesën e energjisë elektrike, me një menaxhim më të mirë të KEK-ut që e kish bë nuk kishin me qenë këto dëme dhe besoj që nuk ish harxhua edhe nuk ish shtrenjtuar kaq shumë rryma. Për neve më e rëndësishme është që qytetari i Republikës së Kosovës të vendos vetë për kritikat për protestat dhe ne sigurisht që do të jemi në mbështetje sepse ne e dimë që kjo qeveri është arrogante edhe për shkak të mbështetjes së madhe që ka pasur në këto zgjedhjet e fundit mbi 50.28 për qind dhe këtë arrogancë  e ka krijuar me mbështetjen e qytetarëve. Prandaj ne në fjalimet tona e përmendim durim për ata që nuk e kanë votuar por përgëzime për ata që e kanë votuar, përgëzime që është shtrenjtuar rryma, produktet ushqimore, produktet ndërtimore, produktet elementare, nafta…”, u shpreh Lushtaku.

Vendi

Studentët e Arkitekturës në UBT realizojnë vizitë studimore në terren në lagjen Kalabria

Published

on

By

Në kuadër të lëndës Studio e Planifikimit Urban, studentët e vitit të dytë nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT kanë zhvilluar një vizitë studimore në lagjen Kalabria në Prishtinë, së bashku me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska.

Vizita në terren kishte për qëllim mbledhjen e të dhënave dhe vëzhgimin e drejtpërdrejtë të hapësirës urbane, si hap fillestar drejt analizës së gjendjes ekzistuese. Kjo analizë do të shërbejë si bazë për zhvillimin e detyrave semestrale të studentëve në këtë lëndë.

Përmes kësaj përvoje praktike, studentët patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre duke lidhur aspektet teorike me realitetin urban, si dhe të zhvillojnë një qasje kritike ndaj organizimit dhe funksionimit të hapësirës në qytet.

Vizita u realizua në bashkëpunim me profesoreshën Elvida Sahatqiu Pallaska dhe asistentët Gazmend Uka dhe Agnesa Thaqi, të cilët udhëhoqën studentët gjatë procesit të vëzhgimit dhe analizës në terren.

Continue Reading

Aktualitet

Konjufca pret ambasadorin Malaj: Koordinim i shtuar në politikën e jashtme dhe ftesë për Samitin e Diasporës

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në një takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ku fokus i diskutimit ishte fuqizimi i raporteve mes dy vendeve dhe interesi strategjik kombëtar.

Gjatë kësaj bashkëbisede, u vu theksi te nevoja për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional dhe për harmonizimin e qëndrimeve në diplomacinë ndërkombëtare.

Palët u pajtuan se rritja e koordinimit në politikën e jashtme është në funksion të mbrojtjes dhe avancimit të interesave të përbashkëta në arenën globale.

Në kuadër të këtij takimi, ambasadori Malaj i përcolli ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në Samitin e Diasporës, i cili organizohet çdo vit nga Republika e Shqipërisë.

Ky samit tashmë është kthyer në një platformë kyçe për forcimin e lidhjeve me mërgatën dhe bashkimin e forcave për qëllimet kombëtare.

Nga ana e tij, Konjufca ritheksoi se për Republikën e Kosovës mbetet prioritet i vazhdueshëm thellimi i marrëdhënieve me Shqipërinë, duke e cilësuar bashkëpunimin dypalësh si rrugën kryesore drejt avancimit të interesave strategjike të të dyja shteteve.

Continue Reading

Vendi

Gjykata refuzon kërkesën e Thaçit, ZPS-së i lejohet dorëzimi i materialeve pas mbylljes së rastit

Published

on

By

Trupi Gjykues në rastin e madh të Speciales ku po gjykohen krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Thaçit, e përkrahur edhe nga mbrojtja e Selimit, se Prokuroria nuk duhet të dorëzojë apo zbulojë materiale të tjera, cilado qofshin ato, që nga momenti i mbylljes së çështjes gjyqësore – 18 shkurt 2026.

Sipas Trupit Gjykues, Prokuroria me materialet që ia ka komunikuar gjyqtarëve në sistemin e brendshëm të punës më 4 dhe 10 mars 2026, respektivisht më 4 mars ka dorëzuar katër materiale dhe gjashtë ditë më vonë edhe një material tjetër, nuk janë prova të reja në proces, raporton Klan Kosova.

“Për dallim nga parashtrimet e Mbrojtjes, Paneli gjen se dorëzimi nuk përbën parashtrim apo prova drejtuar Panelit në kuadër të këtij Rregulli. Zbulimi i provave nuk i është komunikuar gjykatës për qëllime të pranueshmërisë por si njoftim për palën e kundërt, pjesëmarrësit dhe Panelin”, thuhet në vendimin e Charles Smith.

“Paneli gjithashtu nuk sheh ndonjë meritë në argumentin e Mbrojtjes se, me mbylljen e rastit, interesi legjitim i Panelit në mbikëqyrjen e detyrimeve të zbulimit, siç përcaktohet në vendimin e kornizës ligjore, nuk vlen më”.

Mbrojtja e Hashim Thaçit i konsideroi materialet e dorëzuara javë pas mbylljes së rastit, të padrejta dhe të papranueshme. Sipas kryembrojtësit të Thaçit, Luka Misetiq, paraqitja e njëanshme e provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në këtë fazë, përfshirë materiale që ZPS i sheh si inkriminuese në procese tjera, mohojnë të drejtën e Thaçit për një proces kundërshtues. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Zhvilloni të ardhmen e turizmit modern përmes vizionit akademik të UBT-së

Published

on

By

Misioni i Fakultetit të TurizmitUBT është përqendruar në aplikimin e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkime shkencore, duke krijuar një mjedis gjithëpërfshirës ku studenti është në qendër të vëmendjes për t’u përgatitur si udhëheqës i ardhshëm në biznes, shërbime publike dhe industri.

Ky program studimi ofron njohuritë më të avancuara në të gjitha dimensionet e turizmit, duke ndërthurur ekspertizën ndërkombëtare me nevojat e tregut lokal për të rritur bashkëpunimin midis studentëve, stafit akademik dhe komunitetit.

UBT, gjithashtu ka marrëveshje bashkëpunimi për Diplomë të Dyfishtë (Double Degree) me IMC Krems – University of Applied Sciences në Austri, një nga modelet më të suksesshme evropiane në arsimin për turizëm.

Përmes një natyre të fokusuar aplikative, programi synon formimin e specialistëve të mirëfilltë të cilët pajisen me aftësi të thelluara zbatuese për të garantuar një karrierë të suksesshme profesionale në një mjedis ekonomik gjithnjë e më kompleks.

Gjatë rrugëtimit akademik, studentët zhvillojnë kuptim kritik mbi teoritë ekonomike, mësojnë të përdorin teknologjinë e informacionit në dizajnimin e organizatave turistike dhe fitojnë aftësi inovative për zgjidhjen e problemeve të paparashikuara në këtë fushë.

Një nga pikat më të forta të këtij programi është lidhja e ngushtë me sektorin e industrisë, përfshirë hotelierinë, gastronominë dhe agjencitë turistike, çka siguron që kurrikula t’u përgjigjet plotësisht nevojave reale të tregut të punës.

Studentët përgatiten të menaxhojnë projekte komplekse, të kuptojnë pozicionin financiar të bizneseve turistike dhe të zbatojnë procedurat e menaxhimit të rreziqeve në operacionet e përditshme.

Për të mbështetur zhvillimin e gjeneratave të reja, UBT ofron mundësi të shkëlqyera financiare, duke përfshirë një bursë prej 20% për tre vitet e studimit për studentët e rinj që regjistrohen në këtë fakultet.

Kjo mbështetje, e kombinuar me transferimin e njohurive dhe nxitjen e krijimtarisë, bën që të diplomuarit në Turizëm të jenë të gatshëm të marrin role udhëheqëse dhe të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin arsimor, kulturor dhe ekonomik të vendit dhe rajonit.

Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.

Continue Reading

Të kërkuara