Kulturë

Shteti mbështet kinematografinë, 800 mijë euro për tri projekte filmi

Published

on

Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka shpallur tre projekte fituese për financim, të cilat do të mbështeten me një total prej 800 mijë eurosh. Këto projekte përfshijnë filma të metrazhit të gjatë, të cilët kanë marrë mbështetje për realizimin e tyre. Projekti “Dua”, me skenar dhe regji nga Blerta Basholli, ka marrë mbështetje më të madhe, 340 mijë euro, ndërsa “Dua të shkoj sërish në det” me regji nga Leart Rama do të mbështetet me 240 mijë euro. Filmi i tretë, “Gjurmë” i regjisores Rita Krasniqi, do të marrë 220 mijë euro. Kjo ndarje buxhetore është pjesë e një thirrje që QKK-ja ka hapur vitin e kaluar, ku nga 12 projekte që aplikuan, vetëm tre arritën të sigurojnë financim.

Përkundër kësaj mbështetjeje, është shprehur shqetësimi për numrin e vogël të projekteve të mbështetura, që ka pasuar ndarjen e një shume të kufizuar buxhetore. Sipas regjisorëve dhe aktorëve të industrisë kinematografike kosovare, problemi i buxhetit të vogël është një pengesë për zhvillimin e kinematografisë dhe për mbështetje më të gjerë të projekteve filmike. Në këtë kuadër, është nënvizuar gjithashtu se QKK-ja ka një buxhet më të madh këtë vit, prej 2 milionë eurosh, dhe se do të hapë një tjetër thirrje brenda një muaji për të mbështetur edhe projekte të tjera.

Për herë të parë, QKK-ja ka emëruar një komision të pavarur për shqyrtimin e projekteve, duke përfshirë ekspertë të njohur si Tin Dirdamali, Norika Sefa, Antoneta Kastratin, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi, ndërsa komisioni financiar është përbërë nga Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja.

Përveç projekteve që morën mbështetje, disa filma të tjerë, si “Sa o Roma Babo” dhe “Zanushja”, mbetën jashtë këtij procesi. Pas shpalljes së fituesve, regjisori Besim Ugzmajli ka theksuar se ky konkurs është ndikuar edhe nga jashtë dhe se buxheti i vogël për kinematografinë është një problem që duhet adresuar në mënyrë urgjente. Ai ka sugjeruar se ndërhyrjet e jashtme kanë mundur të kenë një ndikim në vendimet e jurisë.

Pavarësisht kritikave, drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri, ka konfirmuar se një thirrje e re do të hapet brenda një muaji për të mbështetur kategoritë e tjera të projekteve filmike. Megjithatë, problemi i teknikës dhe shtyrja e afatit të aplikimit ka ndikuar në zhvillimin e këtij procesi. Ndërkohë, buxheti i vitit 2024, që është 1.6 milionë euro, ka mbetur i pa shfrytëzuar, duke e bërë vitin e kaluar të humbur për QKK-në.

Një ndër hapat e rëndësishëm për zhvillimin e industrisë kinematografike është miratimi i Rregullores për të drejtat e rabatit, që lejon rimbursimin e 30% të investimeve që kompanitë e huaja bëjnë në Kosovë. Ky hap është parë si mundësi për të rritur konkurrencën e Kosovës në tregun ndërkombëtar të filmit.

Megjithatë, komuniteti artistik mbetet i ndarë lidhur me këtë nismë dhe ka nevojë për më shumë fushata informuese për të shfrytëzuar këtë mundësi. Po ashtu, QKK-ja ka humbur mundësinë për të nominuar filma për çmimet prestigjioze “Oscar”, pasi nuk ka hapur konkurs për këtë qëllim. Drejtoresha Zeqiri ka sqaruar se një problem teknik ka qenë shkaku i humbjes së mundësisë për nominim, ndërkohë që vitin 2023, komiteti vendosi të mos ketë kandidat për këtë çmim.

Në këtë mënyrë, kinematografia kosovare vazhdon të përballet me sfida të mëdha përsa i përket buxhetit dhe mundësive për mbështetje të projekteve filmike, ndërsa shpresat janë që hapat e ndërmarra të kontribuojnë për zhvillimin e industrisë dhe konkurrencën ndërkombëtare./UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 21 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

 

21 tetor 1993

Nga fshati Stançiq u shpërngulën dhjetë familje

Disa fshatra të Karadakut, komuna e Gjilanit, në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë, pas njohjes së këtij shteti, janë vënë në një trajtim të posaçëm ushtarak e policor. Njëri nga më të goditurit, gjthsesi, është Stançiqi, prej ku, në katër-pesë muajt e fundit, u shpërngulën dhjetë familje shqiptare në rrethinën e Kumanovës e të Shkupit, për shkak të lidhjeve farefisnore e gjeografike me këto treva. Për shkak të presionit policor e ushtarak në këtë brez kufitar, ka rrezik për shpërngulje edhe më të mëdha nga fshatrat përreth kësaj zone.

Sipas të dhënave të Këshillit për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut në Gjilan, për këto arsye, prej qershorit e deri para dy ditësh, nga Stançiqi u shpërngulën familjet e Kadri Bajramit (me 8 anëtarë), Destan Bajramit me 11 anëtarë, Shefki Dautit me 6 anëtarë, Isuf Veliut me 10, Salih Ajetit, gjithashtu me 10 anëtarë, pastaj familjet e Sejdi Osmanit, Baftiar e Naip Osmanit, Fehmi Murselit dhe familja e Rabit Latifit. Pra, një lagje e tërë shqiptarësh braktisi fshatin e lindjes dhe u vendos në Haraqinë, Qerkez, Kumanovë e gjetiu nëpër Maqedoni, pos dy familjeve të fundit, të cilat u vendosën në Zhegër, përkatësisht në Gjilan, njofton gazeta e sotme “Bujku”.

 

21 tetor 1994

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit u bastisën 228 familje

Në komunën e Mitrovicës në nëntë muajt e fundit, policia serbe kryesisht nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi gjithësej 228 familje shqiptare, njofton Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë.

Policia serbe gjatë kësaj kohe ndërhyri 44 herë në institucione shkollore, në pyetje i mori 46 persona, plaçkiti 55 tregtarë dhe qytetarë shqiptarë, i konfiskoi 22 pasaporta, maltretoi në forma të ndryshme 39 persona, nën pretekst të dorëzimit të armëve dhe në forma të tjera i arrestoi dhe i mbajti deri në 3 ditë në burg 140 persona, u bë hapja e procedurave gjyqësore kundër 33 personave, u rrahën 218, u dënuan me burg 12 persona, ndërsa u dërguan me dhunë në ushtrinë serbe 13 të rinj shqiptarë.

21 tetor 1995 

New York Times: A është në rend eksplodimi në Kosovë?

Gazeta autoriative amerikane “The New York Times” botoi në numrin e sotëm (21 tetor 1995) një vështrim për Kosovën të autorit Julie Mertus (Xhuli Mertës) me titull “A është në rend eksplodimi në Kosovë?”. Në artikull thuhet:

“Iniciativa paqësore amerikane në ish-Jugosllavi po sjell një lehtësim të nevojshëm në Bosnjë-Hercegovinë, por ajo gjithsesi nuk do të arrijë të vendosë paqe afatgjatë në Ballkan po qe se në negociata nuk përfshihen të gjithë liderët e grupeve më të mëdha etnike në rajon. Duke i dhënë përparësi pragmatizmit para drejtësisë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Hollbruk e ka lënë pasdore përbërësin kryesor në zgjidhjen e problemit të Ballkanit: shqiptarët etnikë në Kosovë.

Ndonëse shqiptarët përbëjnë më tepër se 85 për qind të popullsisë së Kosovës, e cila ishte rajon autonom në ish-Jugosllavi, ata qe një kohë të gjatë po kontrollohen nga minoriteti etnik serb.

Presidenti serb Sllobodan Millosheviq hypi në pushtet pas një fjalimi në Kosovë më 1989 me të cilin ai denonconte, siç thoshte ai, brutalitetin e shqiptarëve ndaj serbëve të Kosovës. Fjalët e tij çuan në një dhunë të tmerrshme policore kundër shqiptarëve; arrestime masive, gjykime të montuara në bazë të deklaratave të nxjerra me dhunë. Shumë shqiptarë u përzunë nga puna pasi që refuzonin të nënshkruanin deklarata të lojalitetit ndaj Jugosllavisë së re.

Kështu, shqiptarët kanë organizuar shoqërinë e tyre paralele dhe shkollat, spitalet, qeveritë lokale etj. Komisioni i të Drejtave të Njeriut i OKB-së thotë: “Pjesa dërrmuese e popullsisë jeton me frikë konstante”.

Millosheviqi ka kundërshtuar të bisedojë rreth Kosovës në takimet ndërkombëtare, duke e quajtur këtë çështje të brendshme. Ai ka penguar OKB-në që të njohë Ibrahim Rugovën, i zgjedhur kryetar i Kosovës në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat nuk njihen nga autoritetet serbe. Nëse përkrahja për presidentin Millosheviq në Serbi bie pas marrëveshjes paqësore në Bosnjë dhe disfatave ushtarake në Kroaci, ai mund të përpiqet të forcojë pushtetin e vet duke provokuar një konflikt në Kosovë. Luftimet në Kosovë padyshim do të përhapeshin në Shqipëri dhe do të mund të përfshinin edhe Maqedoninë (me 23 për qind popullsi shqiptare), Greqinë dhe Bullgarinë. Në rrafshin diplomatik, kjo do të vinte Amerikën kundër Rusisë, e cila mbështet regjimin serb në Kosovë.

Për të evituar këtë skenar, Kosova duhet të jetë e pranishme në tryezën ndërkombëtare të negociatave. Kjo mund të arrihet vetëm po qe se Shtetet e Bashkuara e injorojnë qëndrimin e OKB-së, sipas të cilit Qeveria e zgjedhur e shqiptarëve të Kosovës nuk meriton karrikë në tryezën e negociatave.

Një rol negociues (i SHBA-ve) nuk është i pamundur. Shtetet e Bashkuara, të brengosura për Kosovën, kanë dërguar atje miliona dollarë në vit për shërbime shëndetësore.

Për më tepër, tashmë është bërë presedan që të bisedohet me liderë të cilët nuk udhëheqin shtete të njohura ndërkombëtarisht. Zoti Holbruk po rropatet me Radovan Karaxhiqin dhe Ratko Mlladiqin, liderë të serbëve të Bosnjës, të cilët akuzohen për krime të luftës. Prandaj, zoti Rugova nuk mund të përjashtohet nga negociatat vetëm pse ka fituar në zgjedhjet “e paligjshme”.

Çka mund të shpresojnë shqiptarët e Kosovës? Shtetet e Bashkuara do të duhej së paku të përkrahnin kërkesat e tyre për mbikëqyrje ndërkombëtarë të shkeljeve drastike të të drejtave të njeriut. Zoti Rugova, sipas të gjitha gjasave, po ashtu do të kërkojë një palë të tretë, helmetkaltërit e OKB-së ose trupat e NATO-s, për të ndihmuar normalizimin e një procesi në rajon, i cili do të zbuste praninë policore serbe dhe do të mundësonte rihapjen e shkollave lokale, spitaleve, shërbimeve qeveritare e të tjera. Duhet të jemi të sigurtë se një vend rreth tavoline për shqiptarët do ta iritonte Millosheviqin, por të përpiqesh të arrish paqe në Ballkan pa e pasë shqyrtuar çështjen e Kosovës është sikur të përpiqesh ta fikësh zjarrin duke e lënë thëngjillin të ndezur”, përfundon shkrimi i autorit Xhuli Mertës, që po shkruan një libër për Kosovën.

 

21 tetor 1997 

Policët e stacionuar në Morinë keqtrajtojnë kalimtarët

Që nga 17 tetori, Skenderaj e sidomos rruga në drejtim të Gllogocit po vërshohet nga patrulla të policisë, të përcjella me autoblinda e armatim të ndryshëm. Viktimë e policëve janë të gjithë qytetarët që kalojnë në këtë drejtim pas orës 20.

KI i Degës së LDK-së në Skenderaj njofton se tash pesë netë me radhë policët stacionohen në afërsi të deposë së materialit ndërtimor të Nuredin e Kajtaz Deliut nga Rrezala, e cila ndodhet në fshatin Morinë. Në këtë vend policia nga orë 20 deri në orën 24 maltreton kalimtarët. Nga policët ka pësuar rëndë edhe vetë Kajtazi. Policët madje djegin dërrasa dhe material tjetër të kësaj depoje, duke dëmtuar kështu pronarët e deposë edhe materialisht.

Në këtë vend, më 17 tetor u keqtrajtuan Petrit Murtezaj, student nga Klina e Poshtme, Vezir Ymeri nga Kopriva e Mitrovicës dhe Bajram Haziraj nga Llausha. Ata po udhëtonin me veturë dhe u keqtrajtuan pa ndonjë pretekst. Në Morinë u keqtrajtuan rëndë edhe Musa, Musdtafë e Mehdi Koca nga Polaci dhe Tafil e Daut Gjinofci nga Makermali.

Po në Morinë, siç njofton KI i Degës së LDK-së në Gllogoc, më 17 tetor, pas orës 22, u keqtrajtua fizikisht edhe Adem M. Kiqina (40) nga Baica e kësaj komune, punëtor në Ferronikel. Sipas deklaratës së tij, këtu është keqtrajtuar edhe një punëtor tjetër.

21 tetor 1998

Vdiq edhe një anëtare e familjes Deliu nga Obria e Epërme

Mbrëmë, në shok dhomën e spitalit të Prishtinës vdiq Bedrie Deliu (25) nga Obria e Epërme e Skënderajt, nënë e katër fëmijëve.

Burime nga spitali bëjnë të ditur se ajo ishte sjellë në spital me lëndime të rënda në kokë, si pasojë e torturës fizike.

Bedria është anëtare e familjes Deliu, 25 pjesëtarë të së cilës u vranë e u masakruan gjatë një aksioni të forcave serbe në fund të muajit të kaluar.

Foto: New York Times

 

Continue Reading

Lajmet

Galeria Kombëtare e Kosovës hap thirrjen për Programin Vjetor 2027

Published

on

Galeria Kombëtare e Kosovës (GKK) ka hapur thirrjen për propozime për Programin Vjetor 2027, duke ftuar artistë, kuratorë, hulumtues dhe profesionistë të tjerë të arteve pamore të aplikojnë me projektet e tyre.

Thirrja përfshin propozime për ekspozita ndërdisiplinare në fusha si piktura, skulptura, grafika, instalacioni, fotografia, videoja dhe performanca. Gjithashtu, pranohen projekte edukativo-arsimore, hulumtuese, botuese dhe multimediale.

Projektet mund të realizohen brenda ose jashtë hapësirave të Galerisë, në bashkëpunim me stafin e saj. Për aplikim janë të ftuara edhe kolektivet, organizatat dhe komunitetet kulturore, ndërsa kontratat do të lidhen me individë.

Programi do të zhvillohet në dy hapësirat e Galerisë Kombëtare të Kosovës: GKK Qendrore dhe GKK QAFA.

Afati i fundit për aplikim është 30 dhjetor 2026. Informacionet e hollësishme për thirrjen dhe mënyrën e aplikimit mund të gjenden përmes kanaleve zyrtare të Galerisë Kombëtare të Kosovës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Restaurohet Mulliri i Cermjanit në Gjakovë, rikthehet një pjesë e trashëgimisë kulturore

Published

on

Mulliri i Cermjanit në Gjakovë është restauruar, duke rikthyer në jetë një pjesë të trashëgimisë kulturore që dëshmon traditën dhe mënyrën e jetesës së brezave të kaluar.

Përmes këtij restaurimi synohet ruajtja e vlerave historike dhe kulturore, si dhe përcjellja e tyre te brezat e ardhshëm.

Puna për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore vazhdon, me qëllim që monumentet dhe traditat që përbëjnë identitetin tonë të ruhen edhe në të ardhmen./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“WALL NOT I”, projekt artistik në Muzeun e Burgut të Prishtinës

Published

on

Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.

Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.

Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.

Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara