Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se gjatë orëve të fundit janë evidentuar 8 vatra zjarri në territorin e Shqipërisë, prej të cilave 1 është shuar dhe 7 mbeten aktive.
Sipas AKMC-së është shuar zjarri në fshatin Vashtëmi, njësia administrative Libonik, bashkia Maliq.
Ndërsa është aktive vatra në Gurë-Lurë, bashkia Dibër (Parku Kombëtar Lurë). Mësohet se zjarri është drejt izolimit dhe nën kontroll.
Gjithashtu janë aktive vaztrat e zjarrit në Malin e Allushit, bashkia Klos, në Skërficë, bashkia Delvinë.
Aktualisht në Skërficë, efektivët zjarrfikës dhe trupat e FA janë të angazhuar në thellësi të zonës së djegur për të izoluar vatra të mundshme në trungje apo në shtresën e tokës.
AKMC informon se vijon zjarri në Bolenë, bashkia Himarë, Gumenicë, bashkia Selenicë, Dhorës, bashkia Skrapar dhe Lusën në bashkinë Kukës.
Në terren janë angazhuar mbi 25 efektivë të FA, forca zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe mjete zjarrfikëse, në koordinim të plotë me autoritetet vendore.
AKMC i bën thirrje banorëve të tregohen të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë në kohë vatrat.