Kryeministri shqiptar, Edi Rama në bashkëbisedimin në rubrikën “Sy m’Sy” me qytetarët në rrjetet sociale u ndal tek anëtarësimi i Shqipërisë në BE, ku theksoi se vendi ka një kalendar të dakordësuar me Komisionin Evropian për tre vite 2024-2027, duke e quajtur këtë një rekord historik.

Rama ndër të tjera shtoi se kalendari i 2027-së është shumë i ngjeshur dhe mjafton një lëkundje që e gjithë puna e bërë deri tani për negociatat të shkojë dëm.
“Ka disa që teorizojnë që kjo është kot sepse në të gjitha rastet BE nuk do të marrë brenda as Shqipërinë dhe askënd tjetër, ose që do ta marrë Shqipërinë pavarësisht se kush fiton. Po të shikosh me kujdes ankohen shumë, por janë përfituesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike, të gjitha mundësive të shtuara këto vite. Përgjithësisht them se s’mund të bëj asnjë insinuatë pa pasur fakte, por bazuar në fakte pjesa më e madhe teorizojnë, ndërkohë që nuk deklarojnë atë që marrin plotësisht, pra një pjesë të pagës.
Qajnë hallin pensionistëve. Qajnë hallin edhe se u kopjua programi. Është gjëja më qesharake, a thua se bëhet fjalë për ndonjë kod atomik, apo kod kasaforte të ndonjë sekreti. U kopjua kodi i Da Vinçit. Megjithëse iu qajnë hallin pensionistëve, nuk japin kontributin e tyre për Fondin e Sigurimeve Shoqërore, deri këtu është niveli i banaliteti dhe hipokrizisë dhe krijesave kënetore. Megjithëse ju qajnë hallin pensionistëve nuk kontribuojnë ndërkohë që e vërtetë është shumë më ndryshe, që nga fakti që vonesa apo kohëzgjatja e negociatave nuk është diçka që lidhet me mua dhe qeverinë tonë thjeshtë. Përcaktojnë edhe këtë si një mëkat të Rilindjes, por është një fakt që shikohet fare kollaj.
Kemi një kalendar të dakordësuar me Komisionin Europian për tre vjet 2024-2027, për të mbyllur negociatat. Do të jetë një rekord absolut historik dhe kjo jo pse jemi ndryshe nga të tjerët, por sepse BE është e interesuar të na marrë ne brenda në këtë moment. Kalendari i 2027 është shumë i ngjeshur dhe mjafton një lëkundje dhe mjafton që në anën tjetër të gjenden individë që nuk kanë probleme me ligjin dhe si mendoni ju që BE këto nuk i merr në konsideratë”, tha Rama.
Rama tha se më 11 maj, Partisë Socialiste i duhet një mandat me shumicë domethënëse për ta çuar Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi se në këto zgjedhje, Partia Socialiste po përpiqet të japë dy mesazhe kryesore.
“Arsyeja që unë them që duhet një shumicë domethënëse nuk është rastësi, nuk është thjeshtë për këtu se për kë do votojmë ne, por është edhe për atë në Bruksel kryefjala e imazhi i fushatës sonë. Ndërthurja e ngjyrave dhe e flamujve si kartëvizitë e fushatës sonë, sepse ne po bëjmë një rrugë dhe dy punë. Po japim mesazh të qartë shqiptarëve dhe po përpiqemi t’i japim një mesazh të qartë Brukselit duke shpresuar që shqiptarët do ta mbështesin këtë mesazh. Më 11 Maj, Brukseli do marrë mesazhin shumë të qartë që një shumicë kërkojnë anëtarësimin tani dhe këtë mesazh shqiptarët mund ta japin. Nuk bëhet kollaj dot. Ne, populli shqiptar, duam të hyjmë në BE tani”, tha ai./tvklan.al