Lajmet

Shporta e shtrenjtë, xhepat e zbrazët, qytetarët bojkotojnë! 

Published

on

Tash e disa vite, qytetarët e Kosovës po përballen me çmime gjithnjë e më të larta për produktet ushqimore. Kjo ka krijuar një barrë të madhe për shumë familje, të cilat po hasin vështirësi për të mbuluar nevojat e përditshme. Kjo situatë ka bërë që shumë qytetarë të kërkojnë alternativa më të lira për të përballuar jetesën, duke reduktuar shpenzimet për produkte të ndryshme, por kryesisht ushqimore. 

E këto çmime të larta të produkteve kanë detyruar qytetarët e Kosovës gjatë muajit shkurt, të fillojnë një nismë të re të quajtur “Kosova bojkoton”, e cila ka marrë mbështetje të konsiderushme. Ky aktivitet, i organizuar përmes rrjeteve sociale, ka ftuar qytetarët të bojkotojnë blerjet në supermarkete në ditët 10, 15 dhe 16 shkurt, në shenjë proteste kundër çmimeve të papërballueshme. Nisma ka për qëllim të shprehë pakënaqësinë ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve dhe të kërkojë uljen e tyre, duke shtuar presion ndaj autoriteteve dhe tregtarëve.  

  

Kjo nismë ka nisur fillimisht në Kroaci dhe ka rezultuar në një rënie prej më shumë se 50% të shitjeve në të gjithë vendin. Pas suksesit të saj, ajo është zgjeruar dhe është implementuar edhe në shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. 

Për një vlerësim më të thellë të kësaj situate, kemi intervistuar profesorin universitar në Fakultetin e Ekonomisë në UBT, Ermal Lubishtani, i cili ndau mendimet dhe pikëpamjet e tij në lidhje me këtë zhvillim dhe pasojat e tij. 

Cilat janë faktorët kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë 

“Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë është një pasqyrë e një sërë faktorësh makroekonomik që kanë ndikuar në ekonomi. Në nivel global, inflacioni ka pasur një ndikim të ndjeshëm, i nxitur nga faktorë të jashtëm, si lufta në Ukrainë pandemia dhe problemet me zinxhirin e furnizimit që kanë çuar në rritjen e çmimeve të burimeve kryesore. Për më tepër, çmimet e karburanteve dhe transportit kanë pësuar një rritje të konsiderueshme, çka ka ndikuar direkt në kostot e furnizimit me produkte ushqimore. Gjithashtu, Kosova ka një varësi të lartë nga importet, gjë që e bën të ndjeshme ndaj çmimeve ndërkombëtare, duke e rritur më tej presionin për rritje të çmimeve. Një tjetër faktor që ka ndikuar është politikbërja e brendshme, përfshirë ngurtësinë e qeverisë për të mos ndryshuar taksat dhe tarifat e importit, të cilat gjithashtu kanë pasur ndikim në formimin e çmimeve për konsumatorët”. 

Si shpjegohet që shumë shtete të Bashkimit Evropian kanë çmime më të ulëta për produktet ushqimore, edhe pse standardi i jetesës atje është më i lartë krahasuar me Kosovën? 

“Ndryshe nga Kosova, shumë shtete të Bashkimit Evropian (BE) kanë çmime më të ulëta për produkte ushqimore, dhe një standard jetese më të lartë. Kjo mund të shpjegohet kryesisht nga dy faktorë kryesorë: mbështetja e fuqishme qeveritare për sektorin bujqësor dhe ekonomia e shkallës. Shtetet anëtare të BE-së shpesh ofrojnë subvencione të konsiderueshme për bujqësinë, gjë që ndihmon në mbajtjen e kostove të prodhimit të ulëta. Për më tepër, këto shtete përfitojnë nga prodhimi masiv dhe efikasiteti i rritur në sektorin ushqimor, që u mundëson të sigurojnë produkte të përballueshme për konsumatorët, pavarësisht nivelit të lartë të jetesës. Një faktor tjetër është hapësira e madhe për tregti dhe marrëveshjet tregtare të favorshme dhe preferenciale që ndihmojnë në furnizimin me produkte me çmime konkurruese”. 

Çfarë mendoni për nismën “Kosova bojkoton”. A mendoni se mund të ketë ndikim të dukshëm në uljen e çmimeve? 

“Iniciativa “Kosova Bojkoton”, e ngritur për të sensibilizuar dhe adresuar çmimet e larta, mund të ketë një ndikim të përkohshëm në treg, por nuk është e qartë nëse ajo mund të sjellë një ulje të qëndrueshme të çmimeve. Bojkoti mund të krijojë një presion të menjëhershëm mbi tregun, duke bërë ndërgjegjësimin e konsumatorëve dhe tregtarëve për çështjet e çmimeve. Megjithatë, përpjekjet për të ulur çmimet nëpërmjet bojkotit mund të rezultojnë në një efekt të kufizuar, pasi mungesa e furnizimit mund të çojë në rritje të kërkesës duke ndikuar negativisht në stabilitetin e çmimeve”. 

Si mund të ndikojnë bojkotet në tregun e brendshëm dhe a mund të shkaktojnë një efekt të kundërt duke rritur çmimet në vend se t’i ulin ato? 

“Pavarësisht synimeve të bojkotit për të ulur çmimet, mund të ndodhin efekte të kundërta. Një bojkot masiv mund të krijojë një mungesë të produkteve në treg dhe të rrisë kërkesën për ato produkte që mbeten në dispozicion, duke çuar në një rritje të çmimeve. Për më tepër, bojkotet mund të dëmtojnë bizneset lokale, duke shkaktuar humbje për prodhuesit dhe distributorët, të cilët mund të përpiqen të kompensojnë humbjet e shkaktuara duke rritur çmimet e produkteve të tjera”. 

Si mund të ndërhyjë shteti për të zgjidhur këtë situatë, përveç që mund të mbështesë nisma të tilla. A ekzistojnë mekanizma të tjerë për të rregulluar çmimet e produkteve ushqimore? 

“Shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm në stabilizimin e tregut dhe uljen e çmimeve përmes politikave mbështetëse dhe rregullative. Mbështetja për prodhuesit e brendshëm përmes subvencioneve dhe investimeve në teknologji bujqësore mund të ndihmojë në rritjen e prodhimit vendas dhe zvogëlimin e varësisë nga importet. Po ashtu, shteti mund të ndërhyjë për të krijuar mekanizma rregullatorë që sigurojnë transparencën e çmimeve dhe parandalojnë praktikën e çmimeve abuzive. Këto masa do të mund të ndihmojnë në përmirësimin e konkurrencës dhe rregullimin e tregut në periudha afatgjata”. 

Si e shihni të ardhmen e tregut të ushqimeve në Kosovë nëse ky trend i çmimeve të larta vazhdon. A shihni mundësi për stabilizim? 

“Perspektivat për tregun e ushqimeve në Kosovë mbeten të ndërlikuara, por ka mundësi për stabilizim nëse zbatohet një qasje gjithëpërfshirëse për zhvillimin e sektorit bujqësor. Investimet në teknologji dhe infrastrukturë, përfshirë përmirësimin e kapaciteteve prodhuese dhe menaxhimin e burimeve, mund të kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendas dhe uljen e varësisë nga importet. Gjithashtu, rritja e efikasitetit në sektorin ushqimor dhe krijimi i marrëveshjeve tregtare të favorshme mund të ndihmojnë në stabilizimin e çmimeve dhe përmirësimin e konkurrencës. Në këtë mënyrë, Kosova mund të ketë mundësi për të stabilizuar çmimet dhe për të siguruar një treg më të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për konsumatorët e saj”. 

Në mbarë botën, inflacioni ka marrë hov të madh, duke u shndërruar në një nga sfidat më të mëdha ekonomike të kohëve të fundit. E natyrisht, edhe shteti ynë, Kosova, nuk ka mbetur imun ndaj këtyre zhvillimeve. Si një ekonomi e vogël dhe e ndërlidhur me tregjet rajonale dhe globale, ajo është përballur me rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve bazë, veçanërisht të ushqimeve dhe karburanteve. 

Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, duke rënduar koston e jetesës dhe duke sfiduar stabilitetin ekonomik të vendit. Në këtë periudhë pasigurie ekonomike, mbetet jetike që institucionet të ndërmarrin hapa të qëndrueshëm për të lehtësuar barrën e qytetarëve dhe për të krijuar politika që sigurojnë një stabilitet afatgjatë. 

Në këtë kohë sfidash, shpresa mbetet forca kryesore që i mban njerëzit në këmbë, ndërsa pritshmëritë për një stabilitet ekonomik mbeten më të larta se kurrë! 

Gazetare, Fjolla Gashi

 

 

 

 

 

 

 

Vendi

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Leonardo da Vinci sjell frymën e Rilindjes në UBT – ekspozitë që ndërthur artin, shkencën dhe inovacionin

Published

on

By

Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.

Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.

E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.

Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.

 

 

 

Continue Reading

Aktualitet

40 sportistët më të mëdhenj (2000–2026)

Published

on

By

Sporti është një nga veprimtaritë më tërheqëse në botën modern. Interesimi në vazhdim i publikut bën që edhe media ta ketë temë të shpeshtë.

Këtë herë, kemi zgjedhur të sjellim tek ju një listë prej 40 sportistësh më të mëdhenj, të periudhës 2000-20026:

  1. Michael Phelps – Not
  2. Lionel Messi – Futboll
  3. LeBron James – Basketboll
  4. Tom Brady – Futboll amerikan
  5. Roger Federer – Tenis
  6. Tiger Woods – Golf
  7. Usain Bolt – Atletikë
  8. Kobe Bryant – Basketboll
  9. Rafael Nadal – Tenis
  10. Cristiano Ronaldo – Futboll
  11. Stephen Curry – Basketboll
  12. Tim Duncan – Basketboll
  13. Shaquille O’Neal – Basketboll
  14. Patrick Mahomes – Futboll amerikan
  15. Lewis Hamilton – Formula 1
  16. Aaron Donald – Futboll amerikan
  17. Sidney Crosby – Hokej në akull
  18. Kevin Garnett – Basketboll
  19. Albert Pujols – Bejsboll
  20. Floyd Mayweather Jr. – Boks
  21. Peyton Manning – Futboll amerikan
  22. Randy Moss – Futboll amerikan
  23. Michael Schumacher – Formula 1
  24. Mike Trout – Bejsboll
  25. Clayton Kershaw – Bejsboll
  26. Miguel Cabrera – Bejsboll
  27. Dwyane Wade – Basketboll
  28. Ichiro Suzuki – Bejsboll
  29. Kevin Durant – Basketboll
  30. Justin Verlander – Bejsboll
  31. Dirk Nowitzki – Basketboll
  32. Giannis Antetokounmpo – Basketboll
  33. Alex Rodriguez – Bejsboll
  34. David Ortiz – Bejsboll
  35. Max Scherzer – Bejsboll
  36. Jimmie Johnson – NASCAR
  37. Zinedine Zidane – Futboll
  38. Steve Nash – Basketboll
  39. Adrian Beltre – Bejsboll
  40. Dedrek Jeter – Bejsboll

 

Continue Reading

Lajmet

Mungesa e deputetëve pas pauzës shtyn seancën e Kuvendit për nesër

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.

Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara