Aktualitet

Shpërthen vullkani më i madh aktiv në botë

Banorët janë parlajmëruar më herët për rrezikun nga rënia e hirit.

Published

on

Vullkani më i madh aktiv në botë, Mauna Loa i Hawaiit, ka shpërthyer për herë të parë pas gati 40 vjetësh.

Llava është lokalizuar në perimetrin e parashikuar, mirëpo banorët e zonave në afërsi janë paralajmëruar për rrezikun e hirit vullkanik.

Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USGS) ka thënë se situata mund të ndryshojë shumë shpejt.

Sipas autoriteteve amerikane, Mauna Loa ka shpërthyer 33 herë prej vitit 1843.

Mauna Loa, e vendosur brenda Parkut Kombëtar të Vullkaneve të Hawaiit, mbulon gjysmën e ishullit të madh të shtetit amerikan./UBTNews/

lajme

Mot i vranët dhe me riga shiu sot në Kosovë

Published

on

By

Moti sot në Kosovë parashihet të jetë kryesisht i vranët dhe i shoqëruar me riga të herëpashershme shiu.

Sipas njoftimit të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 0 dhe 3 gradë Celsius, ndërsa ato maksimalet e ditës pritet të arrijnë nga 5 deri në 8 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–6 m/s. /E.A/

 

Continue Reading

Live

BBC: Një tregtar gjerman i varkave dyshohet si furnizuesi kryesor i kontrabandistëve të emigrantëve në Kanalin Anglez

Published

on

By

Një tregtar gjerman i varkave dyshohet nga autoritetet evropiane se është një nga furnizuesit kryesorë të rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve që operojnë në Kanalin Anglez, zbulon një hulumtim i transmetuesit publik britanik, BBC.

Sipas dokumenteve zyrtare të siguruara nga gazetarët, gati një e treta e kalimeve me varka të vogla drejt Britanisë gjatë katër muajve të parë të këtij viti dyshohet se janë kryer me gomone ose motorë të furnizuar nga “MaReBoote”, një kompani e vogël në Gjermaninë perëndimore.

Drejtori menaxhues i kësaj kompanie, 35-vjeçari Marvin Reuter, po kundërshton ekstradimin në Francë, ku pritet të përballet me akuza për kontrabandë, komplot kriminal dhe vrasje nga pakujdesia. Pajisjet e kompanisë së tij dyshohet se janë të lidhura me dy aksidente fatale në det, ku humbën jetën katër burra. I kontaktuar nga gazetarët e BBC-së pranë biznesit të tij në afërsi të Dortmundit, Reuter refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve, duke deklaruar se do ta raportonte ekipin në polici. Ai nuk mund të akuzohet formalisht derisa të ekstradohet në Francë dhe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë.

Hulumtimi i përbashkët i BBC-së me mediat gjermane WDR, NDR, Süddeutsche Zeitung dhe gazetën franceze Le Monde, i bazuar në qindra dokumente policore, gjyqësore dhe tatimore, tregon se hetuesit kanë zbuluar lidhje të vazhdueshme mes Reuterit dhe rrjeteve të trafikimit.

 

Përmasat e përfshirjes dhe aksidentet fatale

Sipas hetimeve franceze, të paktën 82 varka nga firma e Reuterit kanë mbërritur në brigjet angleze brenda pak më shumë se dy vitesh deri në muajin maj. Po ashtu, dosjet tregojnë se autoritetet gjermane janë njoftuar nga pala britanike se 29% e kalimeve të zbuluara deri në fund të prillit të këtij viti përfshinin varka ose motorë të lidhur me “MaReBoote”.

Ndonëse logoja e kompanisë ishte shfaqur në fotot e mediave me emigrantë që në vitin 2021 — kohë kur Reuter deklaronte se ndihej “i zhgënjyer” dhe “i shqetësuar” që mjetet e tij po keqpërdoreshin — hetuesit tashmë dyshojnë për bashkëpunim të vetëdijshëm. Prokurori francez, Samuel Finielz, konfirmoi se ndaj drejtuesit të kompanisë gjermane është lëshuar një Urdhër Arresti Evropian në maj të këtij viti, për vepra të dyshuara që datojnë nga dhjetori i vitit 2024.

“Ndërsa shitja e varkave është plotësisht e ligjshme, ajo bëhet e paligjshme kur dikush është plotësisht i vetëdijshëm se ato do të përdoren nga rrjetet e përfshira në imigracion të paligjshëm ose trafikim të qenieve njerëzore”, deklaroi prokurori Finielz.

Në Francë, pesë persona të tjerë — një iranian, tre irakianë dhe një sirian — tashmë janë akuzuar në kuadër të këtij hetimi. Në njërin prej dy incidenteve fatale të lidhura me pajisjet e “MaReBoote”, humbi jetën 20-vjeçari sirian Suliman al Husein, i cili pësoi arrest kardiak pasi u shtyp në një gomone të mbipopulluar gjatë një nisjeje të dështuar në perëndim të Calais në janar të vitit 2025. Trupi i tij u gjet në dyshemenë e varkës që mbante logon e kompanisë gjermane.

 

Arrestimi i rastësishëm dhe përgjimet në burg

Rasti ndaj Reuterit mori hov në maj të këtij viti, kur policia franceze ndaloi për shpejtësi një automjet tip BMW me targa gjermane pranë qytetit portual Boulogne-sur-Mer. Brenda makinës dhe rimorkios së saj, që mbanin logon e “MaReBoote”, u gjetën bidonë karburanti, një motor varke, pompa dhe një gomone e shfryrë.

Dy shtetasit gjermanë në automjet — të dënuar tashmë për kontrabandë — pranuan gjatë marrjes në pyetje se ishin paguar deri në 1,000 euro për rrugë për të dërguar pajisje te “të huajt” në bregdet, duke e implikuar direkt Marvin Reuterin si personin që i kishte punësuar dhe paguar.

“Sigurisht që e dija se nuk ishte e ligjshme. Paratë më bënë të mbyllja njërin sy”, ka pranuar njëri prej të ndaluarve para hetuesve.

Reuter u arrestua në Gjermani në muajin maj dhe më pas u lirua në pritje të procedurës së ekstradimit. Ditën e arrestimit të tij, policia gjermane sekuestroi mbi 30 gomone dhe 9,000 jelekë shpëtimi në një depo sekrete në Gjermaninë perëndimore, të cilat dyshohet se ishin të lidhura me biznesin e tij. Përveç dëshmive, hetuesit kanë siguruar edhe përgjime nga qelia e një bosi të dyshuar të bandës në paraburgim në Francë, i cili është dëgjuar duke folur për blerjen e pajisjeve detare nga një firmë gjermane e drejtuar nga një person me emrin Marvin. /BBC/

 

Continue Reading

lajme

Deklarata e Brukselit: BE-ja kërkon zbatim të marrëveshjeve Kosovë–Serbi dhe respekton vendimet për krimet e luftës

Published

on

By

Pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel, në mbrëmje është publikuar një deklaratë me 20 pika, ku riafirmohet mbështetja për dialogun Kosovë–Serbi dhe theksohet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon t’i pengojë të dyja palët drejt integrimit evropian.

Në pikën e gjashtë të deklaratës, BE-ja u bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe pa vonesa në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, duke lidhur qartë mbështetjen financiare me përparimin në dialog.

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë.

Dokumenti rikonfirmon angazhimin e BE-së ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor si investim gjeostrategjik për paqen, sigurinë dhe stabilitetin, si dhe nevojën për reforma të brendshme si në rajon ashtu edhe brenda vetë unionit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e themeloreve, si dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne mirëpresim dinamizmin dhe progresin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE që nga Samiti i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët. Paralelisht, dhe në përputhje me Deklaratën e Granadës, BE-ja duhet të vazhdojë me përgatitjet dhe reformat e veta për një Bashkim Evropian më të zgjeruar”, thuhet në deklaratë.

Deklarata vë në pah edhe mbrojtjen e vlerave demokratike, të drejtave të pakicave, bashkëpunimin rajonal dhe fqinjësinë e mirë, duke dënuar ashpër çdo përpjekje për revizionizëm historik apo glorifikim të kriminelëve të luftës.

“Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për të garantuar funksionimin e demokracisë. Ne ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar partnerëve për të garantuar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të nxisin një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me krimet e luftës”, thuhet në deklaratë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Punimi shkencor i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën ndërkombëtare të indeksuar në Scopus, “Georgian Medical News”

Published

on

By

Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore të UBT-së, Prof. Dr. Minire Alilaj Beqiraj, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Hajrullah Fejza, në bashkautorësi me MSc. Behrije Halilaj Vishi, është pranuar për publikim në revistën prestigjioze ndërkombëtare Georgian Medical News, e indeksuar në bazën e të dhënave shkencore Scopus (kuartili Q3).

Hulumtimi i titulluar “Farmakoterapia peripartum dhe rezultatet e hershme të nënës pas lindjes vaginale dhe cezariane: Një studim farmakoepidemiologjik i përdorimit të antibiotikëve, anestetikëve dhe analgjetikëve” përfshin 945 gra që kanë lindur në periudhën janar 2024 – gusht 2026 (504 lindje vaginale dhe 441 cezariane). Studimi analizon në mënyrë të integruar përdorimin e barnave para, gjatë dhe pas lindjes, si dhe ndikimin e tyre në infeksionet pas lindjes dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në spital.

Sipas gjetjeve kryesore të publikimit, lindja cezariane shoqërohet me një trajektore dukshëm më intensive farmakoterapeutike, ku profilaksia me antibiotikë është aplikuar në 92.7% të rasteve, krahasuar me 19.8% te lindjet vaginale. Gjithashtu, studimi evidenton se koha e administrimit të antibiotikëve para prerjes kirurgjikale luan rol kyç në parandalimin e infeksioneve pas lindjes, ku çdo rritje prej 10 minutash e intervalit nga administrimi deri te prerja (brenda kufirit 5–60 minuta) uli me 29% gjasat për infeksion.

Ky hulumtim përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e farmakologjisë klinike dhe gjinekologjisë, duke ofruar të dhëna konkrete për optimizimin e protokolleve terapeutike dhe rritjen e sigurisë shëndetësore të nënave gjatë dhe pas procesit të lindjes. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara