Avokati Besnik Berisha ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të lirojë nga paraburgimi pesë zyrtarët policorë që po hetohen për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut në Lipjan, më datë 7 korrik 2025.
Apeli ka vendosur që të pandehurve Ibrahim Nela, Albion Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit të mbrohen në liri.
Berisha në një postim në Facebook ka shkruar se pesë zyrtarët policorë që u paraburgosën nga sot janë të lirë.
“Drejtësia foli. Pesë zyrtarët policorë që padrejtësisht u paraburgosën nga sot janë të lirë. I lumtur sa s’ka më, jo vetëm sepse drejtësia më në fund u vu në lëvizje, por sepse padrejtësia nuk mori formë të përhershme. Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, ishte një betejë për arsyen, për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni ta zëvendësojë ligjin”, tha Berisha.
Ata vepruan në përmbushje të detyrës, jo në shkelje të saj. Çdo hap i tyre u shoqërua me kujdes, proporcionalitet dhe përpjekje për të shmangur rrezikun. Çdo gjykim ndaj tyre duhet të jetë profesional, jo populist. Faleminderit të gjithë atyre që nuk heshtën.
Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.
Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor. Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit. Por, sipas familjarëve dhe avokatit të tyre mbrojtës, policia ka përdorur forcë të tepruar kundër tij.
Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut.