Lajmet

SHBA-Rusi: Deklarata të ndryshme për takimin e njëjtë

Deklaratat e dy palëve dallojnë thelbësisht për sa i përket përmbajtjes.

Published

on

Rusia ka grumbulluar mijëra ushtarë pranë kufirit me Ukrainën dhe në Gadishullin e aneksuar të Krimesë, por i ka lënë shumë njerëz të hamendësojnë për planet dhe synimet e saj.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe pas video-bisedës që presidenti rus, Vladimir Putin, ka zhvilluar të martën me presidentin amerikan, Joe Biden.

Kremlini ka lëshuar një deklaratë për këto bisedime, gati dy orë pasi Shtëpia e Bardhë ka publikuar deklaratën e saj.

Deklarata e Kremlinit është shumë më e gjatë. I referohet Luftës së Dytë Botërore dhe një “përgjegjësie të veçantë” të përbashkët për sigurinë ndërkombëtare.

Përveçse flasin për të njëjtin takim, dy deklaratat kanë pak gjëra të përbashkëta. Ato i përshkruajnë bisedimet për të njëjtat çështje në mënyra çuditërisht të ndryshme.

Për shembull: Biden “ka shprehur shqetësimet e thella të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë evropianë për rritjen e numrit të forcave ruse përreth Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë.

Në përgjigje, sipas Kremlinit, Putin ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk duhet ta fajësojnë Rusinë për tensionet. Putin ka fajësuar NATO-n.

Por, duke bërë këtë, Putin ka dhënë deklarata të pabaza se aleanca perëndimore “po bën përpjekje të rrezikshme për të pushtuar territorin ukrainas”. Këtë gjë, në fakt, e ka bërë vetë Rusia kur ka pushtuar Krimenë në vitin 2014.

E vetmja gjë specifike për të cilën duket se kanë rënë dakord dy presidentët është se “midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë do të ketë bisedime të tjera”.

Por, bisedime për çka?

Deklaratat e dy palëve dallojnë thelbësisht për sa i përket përmbajtjes dhe kontekstit në këtë pikë, duke reflektuar pozicionet e kundërta për atë që po ndodh në Ukrainë, si dhe për sigurinë në Evropë në përgjithësi.

Ato po ashtu lënë derën gjerësisht të hapur për zhgënjim dhe mosmarrëveshje në të ardhmen.

Deklarata ruse sugjeron se bisedimet e reja do të përqendrohen në ato që Moska i quan “garanci të sigurisë”, të cilat i ka kërkuar me vite.

Putin i ka parashtruar kërkesat e tij në komentet që ka bërë më 1 dhjetor, duke thënë se Rusia do të bëjë presion për të siguruar garanci formale, se NATO-ja nuk do të zgjerohet më tej në lindje, përfshirë me Ukrainën, dhe se “sistemet e armëve që përbëjnë kërcënim” për Rusinë, nuk do të vendosen “në afërsi” të kufijve rusë.

Deklarata e Kremlinit për bisedimet Biden-Putin i përsërit këto fjalë me një ndryshim te pjesa për armët. Sipas deklaratës, Rusia “është seriozisht e interesuar që të marrë garanci të besueshme, ligjërisht të detyrueshme, të cilat e përjashtojnë zgjerimin e NATO-s drejt lindjes” dhe vendosjen e disa llojeve të armëve në vendet, me të cilat ndan kufij.

“Udhëheqësit ranë dakord që t’i angazhojnë përfaqësuesit e tyre në konsultime të hollësishme për këto çështje të ndjeshme”, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja – për të mos përmendur Kievin – thonë se Rusia nuk mund ta ketë të drejtën e vetos ndaj Ukrainës ose ndonjë vendi tjetër që bashkohet me aleancën perëndimore.

Deklarata e Shtëpisë së Bardhë e vendos marrëveshjen për bisedime të reja në kontekstin e shqetësimeve të Perëndimit për kërcënimin rus ndaj Ukrainës.

Biden “ka përsëritur mbështetjen e tij për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe ka bërë thirrje për shtensionim [të situatës] dhe kthim në diplomaci”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

“Të dy presidentët i ngarkuan ekipet e tyre për ndjekjen e zhvillimeve dhe SHBA-ja do ta bëjë këtë në koordinim të ngushtë me aleatët dhe partnerët”, thekson deklarata.

Continue Reading

Vendi

Nesër mbahet seanca konstituive e Kuvendit

Published

on

By

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit është caktuar zyrtarisht për ditën e shtunë, më 8 gusht, në orën 11:00. 

Vendimi vjen përmes një njoftimi nga institucioni i Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës së djeshme, e cila u ndërpre me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për t’i dhënë hapësirë negociatave politike.  

Edhe pse afati kushtetues për përmbylljen e konstituimit përfundon sonte, përpjekjet për gjetjen e një konsensusi nuk kanë dhënë rezultat. Takimi i zhvilluar mes Albin Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa ndonjë dakordësi.  

Pika kryesore e bllokadës mbetet çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri. Pas takimit, të dyja palët deklaruan se mbeten ende larg një marrëveshjeje politike, duke konfirmuar se mes tyre ekzistojnë dallime drastike sa i përket qëndrimeve për pozitat shtetrore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Identifikohen mbetje mortore edhe në lokacionin e tretë në Zubin Potok

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka njoftuar sot se është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në një lokacion të tretë të dyshuar në komunën e Zubin Potokut. Kjo gjetje vjen si rezultat i veprimeve të vazhdueshme hetimore që po zhvillohen në terren.

Nëpërmjet një komunikate të përbashkët për media, institucionet kanë bërë të ditur detajet e operacionit.

“Në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u zhvilluar lidhur me rastin në Zubin Potok, njoftojmë se gjatë vazhdimit të veprimeve në terren është identifikuar dhe është konfirmuar prania e mbetjeve mortore edhe në lokacionin e tretë të dyshuar”.

Aktualisht, autoritetet kompetente janë duke kryer ekzaminimet e nevojshme në këtë zonë.

“Në këtë lokacion janë duke u zhvilluar ekzaminimet dhe procedurat e nevojshme hetimore, në koordinim të plotë ndërmjet Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera kompetente, me qëllim zbardhjes së të gjitha rrethanave”.

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre për këtë çështje.

“Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mbeten të përkushtuara për zbardhjen e plotë të këtij rasti, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me ligjin dhe në koordinim të ngushtë ndërinstitucional”. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti: Ka një dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së për poste

Published

on

By

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ende nuk është arritur një marrëveshje politike pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se, pavarësisht betimit të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, mbetet e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje politike për të shmangur zgjedhjet e reja parlamentare dhe për të siguruar funksionimin e institucioneve.

“Meqenëse dje u bë betimi i 120 deputetëve që përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, nuk kemi ende marrëveshje politike. Unë jam i bindur që për qëndrueshmëri përpara, që nënkupton edhe shmangien e zgjedhjeve të reja parlamentare, që padyshim sikurse ato të mëhershmet do të ishin të panevojshme, të paarsyeshme e madje edhe të dëmshme për buxhetin e shtetit dhe për ekonominë e vendit, nuk është e mundur ndryshe përveçse pa marrëveshje për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re”, tha ai.

Kurti sqaroi se mosarritja e një dakordësie për zgjedhjen e kryetarit të shtetit çon pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit, duke nënvizuar se ekziston një mospërputhje e madhe mes vullnetit të votuesve dhe kushteve të vendosura nga LDK-ja.

“Pra, në kushtet kur ne zgjedhim kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit, zgjedhim qeverinë e re të Republikës së Kosovës, mirëpo vijmë sërish tek problemi i zgjedhjes së presidentit, kjo është një formulë tashmë e sprovuar dhe me metoda të njëjta nuk mund të kemi rezultate të tjera. Andaj kjo do të shpjerë të pashmangshëm drejt shpërndarjes së Kuvendit. Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime që ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, deklaroi Kurti pas takimit me Abdixhikun. /Ekonomia Online/

Continue Reading

Lajmet

Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Jemi shumë larg një marrëveshjeje eventuale

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreu i LDK-së bëri të ditur se pa ndryshuar pozicionet politike të partive nuk pret ndonjë përparim.

“Jemi shumë, shumë, shumë larg ndonjë marrëveshje eventuale, nuk pres që të ndryshoj pa ndryshuar pozicionet politike të partive. Për LDK-në balanca institucionale është e domosdoshme dhe derisa nuk ka balancë, nuk mund të ketë as marrëveshje. Nëse qëndrojnë pozicionet e njëjta si të dhjetorit përfundimi është i njëjtë si tani”, ka thënë Abdixhiku.

Ai theksoi se qëllimi i LDK-së ka qenë gjithmonë gjetja e një zgjidhjeje, ndërsa shprehu keqardhje se procesi po shkon drejt një rruge pa zgjidhje afatgjatë.

“Qëllimi i LDK ka qenë të gjendet zgjidhja, jo të merremi kush kë po e mund, po e mashtron, po e vonon. Në këtë pikë me keqardhje them se jemi në rrugë që nuk jep zgjidhje afatgjate”, u shpreh ai.

Lideri i LDK-së bëri me dije se partia e tij ka kërkuar që ta propozojë emrin për postin e presidentit.

“Është çështja e presidentit. LDK ka kërkuar që presidenti të propozohet nga LDK, natyrisht që emrat të diskutohen me partnerët dhe në këtë pikë nuk kemi pasur dakordancë. Oferta e dhjetorit që LDK të merr jo kryetarit e Kuvendit, por zvkryeministrin dhe disa ministri nuk është e mjaftueshme, nuk është e dinjitetshme as për të dhënë zgjidhje për krizën që jemi. Nuk mund ta pranojmë si të tillë, nëse e doni LDK-në në qeverisje atëherë LDK duhet të jetë e përfaqësuar”, deklaroi Abdixhiku. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Të kërkuara