Aktualitet

SHBA, padi ndaj 9 agjentëve të paligjshëm të Kinës

Published

on

Departamenti i Drejtësisë njoftoi se janë ngritur padi ndaj nëntë personave të cilët akuzohen se kanë vepruar në Shtetet e Bashkuara si agjentë të paligjshëm të Kinës.

Grupi dyshohet se “ka përgjuar dhe është angazhuar në një fushatë ngacmimi, përndjekjeje të dy personave me qëndrim të përhershëm në Shteteve të Bashkuara, për t’i detyruar ata të ktheheshin në Kinë. Sipas Departamentit të Drejtësisë kjo ishte “pjesë e një përpjekjeje globale, të bashkërenduar e të jashtëligjshme për riatdhesim, njohur si operacioni “Gjuetia e Dhelprës”.

“Agjentët e paregjistruar, të një vendi të huaj nuk lejohen të përfshihen në mbikëqyrjen sekrete të atyre që gëzojnë statusin e qëndrimit të përhershëm në SHBA. Veprimet e tyre të paligjshme do të ballafaqohen me forcën e plotë të ligjit amerikan”, thuhej në një deklaratë të Jacquelyn M. Kasulis, prokurore në detyrë për Distrikti Lindor të Nju Jorkut.

Të akuzuarit janë Tu Lan, 50 vjeç, Zhai Yongqiang, 46 vjeç, Hu Ji, 46 vjeç dhe Li Minjun, 65 vjeç, të gjithë nga Kina; si dhe Zhu Feng, 34 vjeç, një shtetas kinez me banim në Kuins të Nju Jorkut, Michael McMahon, 53 vjeç, nga Mahwah-i i Nju Xhersit, Zheng Congying, 24 vjeç, nga Bruklini i Nju Jorkut si dhe Zhu Yong, aka Jason Zhu, 64 vjeç, nga Noruiç i Konektikatit. Emri i të pandehurit të nëntë, nuk është bërë ende publik nga autoritetet.

Sipas njoftimit për shtyp, të dyshuarit akuzohen se kanë vepruar “nën drejtimin dhe kontrollin e zyrtarëve kinezë, në një përpjekje për të detyruar kthimin në Kinë të dy personave, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik”.

Në deklaratën e Departamentit të Drejtësisë thuhej se rreth vitit 2012 dhe 2014 qeveria kineze kishte arritur që nëpërmjet organizatës ndërkombëtare të policisë “Interpolit” të lëshonte një “alarm të kuq” duke paralajmëruar forcat e sigurisë në të gjithë botën, se të dy këta persona ishin në kërkim në Kinë për përvetësim dhe marrje ryshfeti, krime për të cilat parashikohen dënime maksimale me burgim të përjetshëm e vdekje.

Zyrtarët e Drejtësisë thanë se të nëntë personat ndaj të cilëve janë ngritur padi, ishin pjesë e një fushate ndërkombëtare për të kërcënuar, sulmuar, përgjuar e frikësuar të dy këta persona e familjarë të tyre, në mënyrë që t’i detyronin ata të ktheheshin në Kinë.

Continue Reading

Lajmet

Maqedonci merr pjesë në Forumin e Sigurisë në Varshavë

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, po merr pjesë në “Warsaw Security Forum 2026”, që po mbahet më 12 dhe 13 tetor në Poloni, ku do të diskutohet për të ardhmen e NATO-s, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse evropiane dhe luftën në Ukrainë.

Gjatë këtij forumi ndërkombëtar të sigurisë, i cili bashkon liderë ushtarakë, diplomatë e përfaqësues shtetërorë, Maqedonci pritet të zhvillojë takime me homologë e partnerë ndërkombëtarë për fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi mblidhet të enjten: Në rend dite zgjedhja e anëtarëve të BQK-së dhe Bordit të RTK-së

Published

on

By

Seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të enjten, më 15 tetor, me fillim nga ora 10:00.

Vendimi u mor gjatë mbledhjes së sotme të Kryesisë së Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu.

Në rend të ditës të kësaj seance, përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, përfshihen një sërë pikash me rëndësi:

  • Bordi i BQK-së: Zgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
  • Bordi i RTK-së: Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet tjera joshumicë).
  • Projektligje dhe komisione: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe propozimi i Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Përveç caktimit të seancës, Kryesia mori vendim edhe për shpalljen e konkursit për anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK).

 

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet marrëveshja 41-milionëshe për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar një marrëveshje financimi në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (BEI) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), e cila ka për synim modernizimin e infrastrukturës mjekësore dhe sigurimin e pajisjeve të avancuara në sistemin shëndetësor publik.

Financimi do të ndahet në mënyrë të barabartë mes dy bankave evropiane dhe do të përfshijë investime direkte në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit. Projektet përkojnë me objektivat e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030 për digjitalizimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dytësore dhe terciare.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, theksoi se ky investim do të përmirësojë drejtpërdrejt kushtet e punës për profesionistët shëndetësorë dhe shërbimet ndaj pacientëve:

“Marrëveshja e kredisë me BEI dhe CEB në vlerë prej 41 milionë eurosh do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën përcjellëse në QKUK dhe spitalet rajonale në Prizren, Pejë, Gjakovë e Gjilan.”

Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nënvizoi se ky projekt përbën një shtyllë kyçe të reformës shëndetësore:

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike dhe furnizimit me pajisje moderne mjekësore për një periudhë afatgjatë.”Nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, nënkryetari i BEI-t, Robert de Groot, dhe zëvendësguvernatori i CEB-it, Johannes Böhmer, vlerësuan se investimi do të garantojë diagnostikim më të saktë dhe trajtim më efektiv për qytetarët e Kosovës.

“Përmes këtij operacioni po ndihmojmë që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne për një kujdes më të mirë mjekësor”, u shpreh de Groot.

“Mund të thoshim se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Popullata pret një sistem të fortë shëndetësor si shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë”, shtoi Böhmer. /Ekonomia Online/

 

Continue Reading

Lajmet

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite dënojnë sulmet e rebelëve Houthi ndaj aeroportit të Riadit

Published

on

By

Turqia, Pakistani, Egjipti dhe Arabia Saudite – të njohura si grupi R4 – kanë dënuar ashpër sulmet e njëpasnjëshme të rebelëve Houthi të Jemenit ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Riadit, duke i cilësuar ato si një përshkallëzim të rrezikshëm dhe të papranueshëm për sigurinë rajonale.

Sipas autoriteteve saudite, një sulm i ri i kryer të dielën ka lënë një person të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, vetëm një ditë pasi një goditje tjetër nga Houthit shkaktoi 13 viktima dhe mbi 300 të lënduar.

Përmes një deklaratë të përbashkët, katër fuqitë rajonale shprehën solidaritetin e tyre me Riadin dhe konfirmuan mbështetjen për të gjitha masat mbrojtëse që Arabia Saudite do të ndërmarrë. Ato bënë përgjegjës grupin Houthi për pasojat mbi paqen ndërkombëtare dhe kërkuan ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve.

Zotimi për mbrojtje vjen në kuadër të marrëveshjes ushtarake të nënshkruar në gusht mes Arabisë Saudite, Turqisë dhe Pakistanit, e cila parashikon reagim të përbashkët ushtarak dhe vendosje të shpejtë të forcave mbrojtëse në rast sulmi ndaj ndonjërës prej palëve. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara