Aktualitet

Krimet seksuale me të mitur, shqetësim rehabilitimi i viktimave

Published

on

Aktivistë që mbrojnë të drejtat e njeriut në Shqipëri shprehin shqetësim për krimet seksuale me të miturit, të cilat sipas statistikave zënë rreth 40% të totalit të krimeve të kësaj natyre.

Zëri Amerikës ka siguruar dëshminë e një vajze të mitur të abuzuar seksualisht, e cila tha se ish ndjerë e pambrojtur nga strukturat e shtetit. Eksperët thonë se këto krime janë injoruar për një kohë të gjatë nga autoritetet, dhe se viktimat nuk janë marrë në mbrojtje. Zyrtarët thonë se sfidat janë të shumta dhe rendisin disa përmirësime në këtë drejtim, siç janë forcimi i dënimeve për abuzuesit, ngritja e qendrës multidisiplinare të emergjencës dhe shtimi i përpjekjeve për rehabilitimin e të miturve viktima të dhunës seksuale.

Në Shqipëri ka një shqetësim në rritje për krimet seksuale ndaj të miturve. Sipas statistikave zytare gjatë 5 viteve të fundit kanë ndodhur mbi 300 sulme seksuale ndaj tyre. Ato kanë patur një trend konstant rreth 60 në vit, por eskpertët thonë se dhuna seksualemendohet të jetë në shifra më të larta, pasi si thonë ata, ajo nuk raportohet. Një vajzë e mituremrin e të cilës nuk mund ta zbulojmë për arsye të privacisë i tha Zërit të Amerikës, se ajo dhe familja e saj kishin ndeshur vështirësi të shumta në përballimin e krizës së abuzimit seksual me të.

“U ndjeva e shantazhuar nga abuzuesit në rradhë të parë. Kisha frikë të shkoja në polici, derisa u tregova prindërve të mi. Ata ishin shtysa që unë të shkoja në organet e policisë. Familjarët e abuzuesve na kanë kërcënuar. Kanë marë vëllain në telefon, e kanë shantazhuar dhe kërcënuar. I kanë ofruar lekë që të tërheqim denoncimin. Por vëllai nuk ka pranuar. Absolutisht jo. Dhe pasi ndodhën të gjitha këto, ne bashkë me familjen morëm një vendimqë të ikim jashtë Shqipërisë, sepse në Shqipëri nuk mund të shihja një të ardhme për veten time dhe për familjen time”, i tha Zërit të Amrikës një vajzë e mitur e abuzuar seksualisht.

Në Shqipëri 67% e viktimave të krimeve seksuale janë të mitur nën moshën 14 vjeç, që është dhe kufiri ligjor për marrëdhëniet seksuale me konsensus, dhe në 81% të krimeve seksuale në tërësi me të mitur nën moshën 18 vjeç, viktimat janë femra. Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve thonë se ka një përmirësim të sistemit për mbrojtjen e fëmijëve. Para 5 vitesh ishinafro 60 punonjës të mbrojtjes së fëmijëve në njësitë e qeverisjes vendore ndërsa sot janë rreth 240, e megjithatë ata thonë, se shërbimet për parandalimin e dhunës seksuale dhe trajtimin e rasteve kur ajo ndodh thuajse mungojnë.

“Pjesa problematike është fakti që të gjithë këta njerëz nuk janë të përgatitur si dhe sa duhet për t’u përballur dhe për t’i dhënë një përgjigje çështjes së dhunës seksuale. Sistemi nuk është përgatitur për të mbrojtur fëmijët, e dyta nuk është përgatitur për të trajtuar gjatë gjithë kohës, që do të duhet, një fëmijë që është viktimë e dhunës seksuale. Shërbimi nuk mbaron pas krizës. Në shumicën e rasteve u ofrohet shumë pak. Marrin thjesht shërbim psikologjik, të tjerat nuk ekzistojnë”, tha për Zërin e Amerikës Altin Hazizaj Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të |Fëmijëve në Shqipëri.

Aktivistë të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve argumentojnë se tipologjia e shërbimeve ndaj të miturve bazohet mbi statusin ekonomik të tyre dhe jo mbi problemet me të cilat ata përballen.

“Ne bëjmë pjesë tek vendet, që edhe pse kemi përmirësuar dukshëm kuadrin ligjor për abuzimin seksual, ende jemi në kushtet ku shërbimet e trajtimit afagjatë i kemi të cunguara, nuk janë të specializuara, pasi traumat ndonjëherë zgjasin gjithë jetën. Shteti shqiptar duhet të buxhetojë shërbimet për abuzimet seksuale”, u shpreh për Zërin e Amerikës Marsela Allmuça nga “Strehëza për gra dhe vajza”.

Në vitin 2018 është ngritur pranë qëndrës spitalore universitare Nënë Tereza në Tiranë, një qendër multidisiplinare 72 orëshe, për viktimat e dhunës seksuale, ku marrin shërbime edhe të miturit të cilët përbëjnë pjesën dërrmuese të rasteve që trajtohen aty.

“Ne kemi një grup multidisiplinar. E gjithë qendra vihet në funskion të viktimës që do të thotë kemi mjekët, infermierët që asistojnë me turne gjatë natës, kemi psikologë, punonjës social. Kemi patur raste që i kemi mbajtur më shumë se 72 orë, kur viktimën nuk e pranon familja. Jemi të detyruar që t’i përgjigjemi si nga ana profesionale ashtu dhe nga ana morale. Nuk mund ta nxjerrim në rrugë. Ka dhe raste që vijnë për disa orë, mbarojnë shërbimet dhe kthehen në familje”, u shpreh për Zërin e Amerikës Blerta Bonollari, Kordinatore e qendrës “Lilium” e emergjencës së dhunës seksuale.

Në shumicën e rasteve, siç pohojnë autoritetet, të miturit i përkasin shtresave në nevojë, nuk kanë prindër, janë nën kujdesin e të afërmve ose vijnë nga familje me prindër të divorcuar. Drejtues të Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëvenë Shqipëri, që ka trajtuar mjaft të mitur të abuzuar seksualisht me shërbime afatgjatë, tregojnë disa prej nevojave që kanë viktimat pas abuzimit seksual si dhe familjet e tyre.

“Familjet kanë preferuar të lëvizin nga një lagje në tjetrën ose nga një qytet në tjetrin. Strehimi social bashkive është përgjigjur por nuk funksionojnë të gjitha bashkitë, këtu hyjnë organizatat. Sepse përtej krizës, shërbimet që duhet të marrë një viktimë janë: A ka nevojë për të lëvizur në një qytet tjetër ose jo, është strehimi, punësimi. Janë njëkohësisht të gjitha shërbimet shtesë që një familje mund të dojë. Mund të jenë të papunë që do të thotë kush do të pagajë ndihmën sociale, kush do të paguajë për ushqimet e tyre. Kemi të bëjmë me familje me probleme ekonomike papaunësinë, drogën alkolin etj. Ne jo më kot insistojmë që shërbimet të jenë shërbime të integruara për mbrojten e viktimave të dhunës seksuale. Këto për momentin mungojnë”, u shpreh Altin Hazizaj Drejtor Ekzekutiv i Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të |Fëmijëve në Shqipëri.

Autoritetet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thonë se janë duke punuar me Unicef-in për hapjen e dy qendrave të tjera të emergjencës në Shkodër dhe në Vlorë, me qëllim për të shmangur marrjen disa herë në pyetje të viktimave të dhunës seksuale, ose thënë ndryshe rivviktimizimin e tyre. Ata thonë se po i kushtohet rëndësi çështjeve të prindërimit dhe se nga fondi social po financohen Bashkitë për ngritjen e disa shërbimeve të reja të munguara deri tani.

“Jemi duke punuar, po ashtu, për hapjen e qendrave rehabilituese. Por shpeshherë edhe për shkak të deinstitucionalizimit e shikojmë të arsyeshme që rehabiltimi i fëmiljës të jetë jashtë qendrave të rehabilitimit, duke bërë një shërbim ambulant të integruar socio-shëndetësor dhe të kemi mbikqyrje kur rehabilitimi ndodh në familje. Jemi përpjekur me bashkitë për bonusin e qerasë për të gjetur një shtëpi me qera në një zonë tjetër larg asaj zone. Është lëvizur e gjithë familja. Por riintegrimi në jetën sociale ka nevojë për një kohë më të gjatë, se ajo që mund të ndodhë në rastet e tjera të dhunës”, tha për Zërin e Amerikës Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale.

Zyrtarët dhe aktivistët e shoqërisë civile mendojnë se i duhet kushtuar rëndësi parandalimit të dhunës seksuale me të mitur ku një rol kryesor zënë institucionet arsimore. Ministria e brendshme i tha Zërit të Amerikës se ka ngritur një njësi sigurie me 150 oficerë që janë të pranishëm në thuajse gjysmën e gjimnazeve të vendit dhe së shpejti do të mbulohet me këtë shërbim dhe pjesa e mbetur.

“U vetuan, u çertifikuan në Akademinë e Sigurisë. Janë të gjithë punonjës social, mësues, ish-punonjës policie dhe psikologë. Në statistikat e fundit që unë kam janë parandaluar afërsisht 630 konflikte. Janë konflikte mes adoleshentëve, ngacmime nga jashtë. Raste flagrante bullizmi. Kemi të bëjmë me zbulime të dhunës në familje. Kemi të bëjmë me raste të cilat çonin në një abuzim të mundshëm seksual. Pra mund të them që kjo skemë po funksionon”, tha për Zërin e Ameriks Romina Kuko, Zv. Ministre e Brendshme.

E megjithë përpjekjet e strukturave shtetërore në mjaft raste viktimat nuk kanë besim tek to dhe i druhen paragjykimit nga shoqëria.

“U ndjeva e paragykuar. Në Shqipëri fajin gjithmonë e kanë viktimat. Nuk kanë mbrojtje. U ndjeva e pasigurt nga strukturat e shtetit dhe kjo ishte arsyeja që unë u largova nga Shqipëria”, tha për Zërin e Amerikës vajza e mitur e abuzuar seksualisht.

Krimet seksuale me të mitur zënë afro 40% të totalit të krimeve të kësaj natyre.Ekspertët thonë se dënimet për dhunuesit seksuale janë forcuar në Kodin Penal dhe variojnë nga 3 vjet heqje lirie dëri në burgim të përjetshëm në varësi të pasojave që ka viktima, por ata nënvizojnë me shqetësim se gjykatat dënojnë pak më shumë se 40% të tyre. Rehabilitimi i viktimave mbetet gjithashtu problem, pasi traumat ndonjëherë zgjasin gjithë jetën dhe është vështirë të trajtohen edhe në shoqëri të përparuara./VOA/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 31 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

31 tetor 1993

Mikel Koliqi – kardinal i parë shqiptaë

Dje në Kishën katedrale të Shkodrës u mbajt një meshë e veçantë me rastin e shugurimit të kardinalit të parë shqiptar, shkëlqesisë së tij, monsinjor Mikel Koliqit, si dhe me rastin e kthimit të arqipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Frano Ilia nga SHBA. Në këtë meshë morën pjesë Ivan Dias, ipeshkv i Pultit, monjisor Robert Ashta, si dhe ndihmësi i ipeshkvit të Shkodrës, monsinjor Zef Simoni, etj.

Në momentin kulmor të kësaj ceremonie foli Nunsi Apostolik, monsinjor Ivan Dias, i cili i njoftoi besimtarët me lajmin e shpalljes nga kryetari i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali II të kardinalit të parë shqiptar, monsinjor Mikel Koliqit.

Mikel Koliqi është kardinali i parë në historinë shumëshekullore të katolicizmit shqiptar.

Lindi në Shkodër më 29 shtator 1902. Studimet e para i mori në Shkodër, ato të mesmet dhe të lartat për inxhinier në Itali. Në moshën 25-vjeçare bëhet prift. Kreu studimet e larta në teologji. Shugurohet meshtar në vitin 1931. Menjëherë emrohet zëvendës i famullitarit i Shkodrës. Pastaj bëhet famullitar i Shkodrës.

Mikel Koliqi ka qenë drejtor i parë i revistës “Kumbana e së dielës”, e cila ndalohet më 1945 me arrestimin e tij. Ai i kaloi 38 vjet në burg e internim. Më 1986 lirohet me amnisti të përgjithshme.

Kuvendi i Shqipërisë në vitin 1992 Mikel Koliqit i jep titullin “Pishtar i demokracisë”.

 

31 tetor 1995

Gjatë vitit 1990 u vranë në kufi 32 shtetas të Shqipërisë

Gjatë vitit 1990 në kufijt e Shqipërisë u vranë 32 shtetas të Shqipërisë nga forcat kufitare shqiptare, njoftuan dje duke cituar një padi në Tiranë disa radiostacione të huaja.

Në njoftim thuhej se numri i të vrarëve në atë vit është më i madh se numri i të vrarëve për periudhën 1959 – 89. Për 30 vjet ishin vrarë 23 persona.

Njoftohet se organet zyrtare shqiptare kanë përgatitur listën e ta vrarëve dhe të dhënat për vendin e kohën e vrasjes së tyre, kështu që familjet e viktimave të mund të paraqesin padi.

 

31 tetor 1997

Gjendje e rëndë në fshatrat e komunës së Gjakovës

Bandat e armatosura plaçkitëse nga Shqipëria po vazhdojnë edhe më tutje kalimin në fshatrat kufitare të komunës së Gjakovës dhe po vrasin e plaçkisin banorët e kësaj ane.

Sipas njoftimeve nga Dega e LDK-së në Gjakovë, ditëve të fundit, gjendja është shumë e rëndë sidomos në fshatrat Molliq, Koshare, Brovinë, Nivokaz e Botushë.

Kalimet e bandave të ditëve të fundit kanë patur për pasojë edhe një të vrarë në Koshare, Afrim H. Zenunin, që u vra nga banda treanëtarëshe më 28 tetor. Ai kishte shkuar për të marrë sanë për bagëtinë në mesditë, ndërsa kjo bandë e detyroi t’i shpinte në shtëpinë e Xhanajve. Nën kërcënimin e armëve, Afrimi i drejtoi në këtë shtëpi, që është e varfër dhe që mbahet nga ndihmat e fshatit e në të cilin pjesëtarët e bandës plaçkitën çfarë gjetën dhe keqtrajtuan Mehmet Xhanin (52). Pas kësaj ata e detyruan Afrimin t’i dërgonte në shtëpinë e tij. Kur iu afruan shtëpisë, Afrimi thirri babain e tij për t’i bërë me dije se “në shtëpinë e tyre po vinin hajnat”. Në këtë moment, Afrimi u kacafyt me njërin nga pjesëtarët e bandës, i cili shkrepi automatikun dhe plagosi rëndë Afrimin. Meqë Kosharja është fshat malor, dërgimi i tij në Gjakovë u vonua dukshëm dhe kështu Afrimi vdiq nga pasojat e plagosjes.

Sipas njoftimeve, në fshatin Molliq se gjendja është e rëndë sidomos pas 17 tetorit. Këtë ditë, rreth orës 22, tre persona të maskuar e të armatosur me pushkë automatike, revole, thika e bomba, morën peng Kadri Hasanin (16) dhe e urdhëruan që t’i dërgojë në shtëpinë e Hysen Sadriut. Në këtë shtëpi plaçkitësit morën para, stoli ari dhe gjithë tjetër që kishte vlerë. Më pas plaçkitësit shkuan edhe në shtëpinë e djaloshit të marrë peng ku plaçkitën mall me vlerë prej rreth 1000 DM. Më pas djaloshi 16 vjeçar dhe të tjerët u detyruan me forcë që mallin e plaçkitur ta dërgojnë deri matanë kufirit. Atje, rreth orës 3 pas mesnate, plaçkitësit ua morën edhe këpucët dhe i detyruan të kthehen prapa.

Më 22 tetor, plaçkitësit trokitën në disa dyer të fshatit Molliq, ndërsa rreth orës 20:00 tentuan të hyjnë në një shtëpi të fshatit. Por, pasi u mblodhën rreth 50 banorë, plaçkitësit u larguan. Në një shtëpi më të largët ata vodhën dy batanije dhe demoluan orenditë. Po këtë ditë ata vodhën tri lopë në fshatin Nivokaz.

Më 23 tetor, në mesditë, tre plaçkitës të armatosur ia morën me dhunë lopën një fshatari, por meqë për pak kohë u tubuan shumë fshatarë, pas rreth 300 metrash, plaçkitësit e lëshuan lopën.

Më 24 tetor, iu plaçkitën tri lopë Osman Hysenit nga Shishmani.

Më 25 tetor, pas orës 1 pas mesnate, plaçkitës të armatosur vodhën tri lopë në Batushë, dy prej të cilave i lanë të lidhura në malin në afërsi, pasi vërejtën se plaçkitja ishte hetuar.

Më 27 tetor, rreth orës 18:30, plaçkitësit hynë në shtëpinë e Kasëm Ramës për t’ia marrë atij lopën. Ata, në shpejtësi morën peng djalin e tij 13 vjeçar. Pas kësaj u mblodhën disa fshatarë, plaçkitësit lanë djalin, dhe u larguan ngadalë nga vendi i ngjarjes.

Dje, kur u varros i ndjeri Afrim Zenuni, i vrarë nga plaçkitësit, u përhapën fjalë se tre persona të armatosur ishin vërejtur në vendin e quajtur “Shkozë” në afërsi të fshatit Batushë. Ndërsa, pas orës 24:00 në Batushë ata plaçkitën 6 lopë dhe një kali, pronë e Hasan Mehmetit.

Që nga data 15 qershor në fshatrat e përmendura më lart, janë plaçkitur mbi 40 krerë lopë. Ndërsa më parë vetëm në këto fshatra janë plaçkitur mbi 100 krerë lopë, dele e kuaj. Në fshatrat e bashkësisë lokale të Ponoshecit, ku më parë janë plaçkitur mbi 100 krerë bagëti, vetëm këtë vit janë plaçkitur mbi 150 krerë.

Njoftimet nga këto fshatra bëjnë të ditur për një gjendje tepër të tensionuar dhe për shqetësim të përgjithshëm të banorëve të pambrojtur, të cilët përditë e më shumë po bëhen pre e plaçkitësve të armatosur, të cilët për realizimin e qëllimeve të tyre janë në gjendje madje edhe të vrasin njerëzit, faji i vetëm i të cilëve është se provojnë të mbrojnë atë që është pronë e tyre.

 

31 tetor 1998

Në Llaushë u gjetën tri gra të vrara

Sot në Llaushë të Skënderajt u gjetën trupat e tri grave shqiptare, të vrara gjatë sulmit serb në këtë fshat para tre muajsh.

Nënkëshilli i KMDLNJ-së në Skënderaj njoftoi se u gjetën trupat e Fatime Gecit (73) e Mevlude Gecit (45) nga Llausha, dhe trupi i Hamide Terakut (51) nga Vitaku, nënë e 8 fëmijëve. Dy të parat ishin invalide dhe nuk kishin arritur të ikin nga fshati.

Trupat e tyre u gjetën të gropuar së bashku me mbeturina të shtazëve të vrara dhe të mbuluar me pak dhe.

 

Në Lubeniq të Pejës u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukshinajt

Më 27 tetor të këtij viti, rreth 70 metra larg shtëpisë së tij u gjet kufoma e djegur e Mehmet Ukë Ukshinajt (70) nga Lybeniqi i Pejës.

Qerim Ukshinaj, vëlla i Mehmetit i tha KI të Degës së LDK-së në Pejë se forcat serbe kanë ekzekutuar dhe djegur vëllain e tij Mehmetin katër muaj më parë, por që nuk është identifikuar ajo për shkak se në këtë fshat nuk ka jetuar asnjë banorë shqiptarë.

 

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Sport

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

Live

Lituania do të vendosë shërbimin universal ushtarak nga viti 2032

Published

on

By

Lituania planifikon ta shndërrojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një sistem universal nga viti 2032, duke rritur numrin e rekrutëve vjetorë nga 5,000 në rreth 7,500. Vendimi u miratua nga Këshilli Shtetëror i Mbrojtjes dhe u konfirmua nga Presidenti Gitanas Nausėda, me synim forcimin e gatishmërisë ushtarake përballë kërcënimeve në rritje të sigurisë në rajon.

Modeli i ri do të përfshijë të gjithë të rinjtë që plotësojnë kriteret ligjore dhe pritet të kushtojë mes 100 e 120 milionë euro. Krahas kësaj, vendi synon që deri në vitin 2040 ta rrisë rezervën aktive ushtarake nga 50,000 në 74,000 personel. Kryeministri Mindaugas Sinkevicius sqaroi se afati deri në vitin 2032 i është lënë ushtrisë për përgatitjen e infrastrukturës, akomodimit dhe trajnimit të rreth 300 instruktorëve shtesë.

Lituania kishte rikthyer shërbimin ushtarak në formë të pjesshme në vitin 2015 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ky hap i ri përkon me shqetësimet e shteteve baltike dhe Polonisë për kërcënimet hibride dhe agresionin e mundshëm nga Rusia, veçanërisht pas incidenteve të fundit me dronë të hyrë nga hapësira ajrore e Bjellorusisë. /The Geopost/

Continue Reading

Të kërkuara