OpenAI ka prezantuar një plan të ri dhe më të përballueshëm të abonimit për ChatGPT në Indi, të quajtur ChatGPT Go, me çmim ₹399 në muaj (rreth $4.60). Ky çmim është dukshëm më i lirë krahasuar me planin ekzistues ChatGPT Plus, që kushton ₹1,999 në muaj (rreth $23).

Kompania ka aktivizuar së fundmi çmimet në monedhën vendase për të gjitha planet dhe me këtë lançim, ka shtuar edhe opsionin për pagesa përmes UPI (Unified Payment Interface), sistemi kombëtar i pagesave digjitale në Indi.
Sipas Nick Turley, zëvendës president në OpenAI dhe përgjegjës për ChatGPT, plani Go do të ofrojë një rritje 10-fish më të madhe të mesazheve, gjenerimit të imazheve dhe ngarkimit të skedarëve krahasuar me versionin falas. Gjithashtu, do të përfshijë ruajtje më të mirë të kujtesës, duke mundësuar përgjigje më të personalizuara.
“Bërja e ChatGPT më të përballueshëm ka qenë një kërkesë kryesore nga përdoruesit. Po e lansojmë fillimisht në Indi dhe do të mësojmë nga reagimet përpara se ta zgjerojmë në vende të tjera,” u shpreh Turley.
Çmimi i planit Plus në valutën vendase ka rezultuar më i shtrenjtë se 20 dollarë për përdoruesit në Indi. Ndërkohë, plani Go ofron një alternativë më ekonomike, të përshtatshme për ata që përdorin ChatGPT kryesisht për biseda, krijim imazhesh dhe përpunim skedarësh.
Plani ishte paralajmëruar më herët nga Tibor Blaho, një inxhinier softuerik i njohur për zbulimet e sakta të produkteve të reja në fushën e AI.
Aktualisht, plani është i kufizuar vetëm për përdoruesit në Indi, por në faqen zyrtare të mbështetjes, OpenAI ka deklaruar se po punon për ta sjellë edhe në rajone të tjera.
OpenAI ka raportuar se ChatGPT tani ka mbi 700 milion përdorues aktivë në javë globalisht, nga 500 milion në muajin mars. Përdorimi i shërbimit në Indi është rritur ndjeshëm që nga prezantimi i funksionit të përmirësuar për krijimin e imazheve në mars.
CEO i OpenAI, Sam Altman, ka deklaruar në një podcast të fundit se India është tregu i dytë më i madh për kompaninë. Me lançimin e planit Go, OpenAI synon të shfrytëzojë më tej këtë potencial.
Sipas të dhënave nga firma analitike AppFigures, India kryeson për sa i përket shkarkimeve të aplikacionit ChatGPT, me mbi 29 milion shkarkime vetëm në 90 ditët e fundit. Megjithatë, të ardhurat nga përdoruesit në Indi në këtë periudhë kanë qenë vetëm 3.6 milion dollarë.
Ky plan me çmim të reduktuar pritet të nxisë më shumë përdorues të abonohen, ndërkohë që edhe kompani të tjera të AI kanë ndërmarrë hapa për të tërhequr përdorues nga tregu masiv indian, që ka mbi 850 milion përdorues interneti. Kohët e fundit, Perplexity bashkëpunoi me operatorin Airtel për të ofruar abonime falas në Perplexity Pro, ndërsa Google ofroi një plan AI Pro falas për studentët në Indi për një vit.
Ndryshe nga këto, OpenAI nuk po ofron abonim falas, por me çmim lokal dhe të përballueshëm, pret të arrijë një normë më të lartë të abonimeve në këtë treg.