Kulturë

Sevasti Qiriazi, patriotja që organizoi arsimimin e vajzave në gjuhën shqipe

Published

on

Sevasti Qiriazi Dako, një ndër figurat më të shquara të atdhetarizmit dhe arsimit shqip, lindi më 24 shkurt 1871 në Manastir. Ajo ishte një grua e jashtëzakonshme, e cila luajti një rol kyç në organizimin e arsimimit të vajzave në gjuhën shqipe dhe kontribuoi në avancimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të gruas shqiptare.

Sevastia ishte gruaja e parë shqiptare që ndoqi studimet e larta në “Robert College” të Stambollit, një arritje që shënoi një hap të rëndësishëm për femrat shqiptare në një kohë kur mundësitë për arsimim ishin të kufizuara. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1891, ajo u kthye në Shqipëri dhe u angazhua në ngritjen e shkollës për vajza në Korçë. Kjo shkollë, e drejtuar nga Sevasti dhe motra e saj Parashqevi Qiriazi, shërbeu si një qendër e rëndësishme edukimi për vajzat e kohës, duke formuar breza të rinjsh të kulturuar dhe me ndërgjegje kombëtare.

Sevasti Qiriazi ishte gjithashtu një shkrimtare dhe redaktore e teksteve shkollore. Ajo bashkëpunoi ngushtë me bashkëshortin e saj, Kristo Dako, një arsimtar atdhetar, për hartimin dhe redaktimin e materialeve që ndihmuan në zhvillimin e arsimit shqiptar. Angazhimi i Sevasti Qiriazit në lëvizjen për arsimin dhe alfabetin shqiptar ishte i padiskutueshëm, duke marrë pjesë aktive në dy ngjarjet më të rëndësishme të kohës: Kongresin e Manastirit dhe atë të Elbasanit, që hodhën themelet e arsimit dhe alfabetit të gjuhës shqipe.

Përveç angazhimit të saj në fushën e arsimit, Sevasti Qiriazi ishte një veprimtare e shquar në fushën e çështjeve kombëtare. Ajo bashkëpunoi ngushtë me Ismail Qemalin, kryeministrin e Pavarësisë, dhe me grupe patriotike shqiptare jashtë vendit, duke u angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe për promovimin e çështjes kombëtare në nivele ndërkombëtare. Në cilësinë e kryetares së Partisë Kombëtare Shqiptare në SHBA, Sevasti mbajti ligjërata dhe trumbetoi kërkesat e shqiptarëve në forumet ndërkombëtare.

Pas kthimit të saj në Shqipëri në vitin 1920, Sevasti Qiriazi vazhdoi përpjekjet për zhvillimin e arsimit dhe emancipimin shoqëror të femrës shqiptare me hapjen e Institutit Femëror “Kyrias”, një tjetër hap i rëndësishëm në avancimin e mundësive për vajzat shqiptare.

Në shënimet e saj autobiografike, Sevasti Qiriazi përmbledh luftën e saj për emancipimin e bijave të shqipes në veprën e titulluar “Lufta për emancipimin e bijave të shqipes”. Ky testament i veprës së saj mbetet një kujtim i pavdekshëm i angazhimit të Sevasti Qiriazit për arsimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare./UBTNews/

Lajmet

54 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe

Published

on

Sot shënohen 54 vjet nga hapja e punimeve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili nisi më 20 nëntor 1972 në Tiranë, me pjesëmarrjen e albanologëve nga të gjitha trevat shqiptare.

Në Kongres morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe arbëreshët e Italisë.

Qëllimi i këtij tubimi ishte përcaktimi i parimeve dhe drejtimeve kryesore për hartimin e një sistemi të njësuar të drejtshkrimit, me synimin e krijimit të një standardi të përbashkët të gjuhës shqipe.

Në këtë proces, rol të rëndësishëm luajti edhe delegacioni nga Prishtina. Kongresi u parapri nga një takim me rëndësi i mbajtur në Prishtinë, ku ishin diskutuar dhe përcaktuar disa nga standardet gjuhësore.

Kongresi i vitit 1972 shënoi një moment të rëndësishëm në historinë e gjuhës shqipe dhe në përpjekjet për njësimin e saj në të gjitha trevat shqiptare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Reka dhe Çitaku diskutojnë promovimin e filmave kosovarë në garën për Oscar

Published

on

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Blerim Reka, ka pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Nju-Jork, Lum Çitakun, drejtor i Programeve në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Në takim është diskutuar promovimi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare.

Në fokus të takimit ishte filmi “DUA”, me regji të Blerta Bashollit, i cili po shfaqet këto ditë në Nju-Jork dhe është propozimi zyrtar i Kosovës për edicionin e 99-të të çmimeve Oscar, në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Në të njëjtën kategori garon edhe filmi “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, i cili, sipas raportimit të Telegrafit, është kualifikuar drejtpërdrejt pas fitimit të çmimit kryesor të jurisë, World Cinema Grand Jury Prize, në Festivalin e Filmit Sundance në janar të këtij viti.

Gjatë takimit, Reka theksoi rëndësinë e mbështetjes institucionale për krijimtarinë filmike dhe promovimin e kulturës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai vlerësoi kinematografinë si një nga mënyrat e rëndësishme për përfaqësimin dhe afirmimin e vendit në botë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka njoftuar se po vazhdojnë punimet për rinovimin e teatrit ODA në Prishtinë, duke bërë të ditur se kjo hapësirë së shpejti do të jetë e gatshme për artistët dhe publikun.

Përmes një njoftimi, Bogujevci ka theksuar se rinovimi i teatrit ODA është pjesë e investimeve në infrastrukturën teatrore në vend.

Ajo ka përmendur edhe projektet e përfunduara, përfshirë rinovimin e teatrit të qytetit “Muharrem Qena” në Mitrovicë dhe të hapësirave teatrore në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, si dhe ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Suharekë.

Sipas ministres, punimet po vazhdojnë edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe në teatrin “Adriana” në Ferizaj, ndërsa Qendra për Arte në Rahovec ndodhet në fazën përfundimtare të ndërtimit.

Ndërkaq, Teatri i Operës dhe Baletit në Prishtinë është në fazën e fundit të projektimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Palimpsest”, projekt artistik që rikthen në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare

Published

on

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka prezantuar projektin artistik “Palimpsest”, i cili synon të rikthejë në vëmendje trashëgiminë muzikore shqiptare të viteve ’30, ’40 dhe ’50.

Përmes krijimeve origjinale dhe përpunimeve të këngëve popullore, projekti sjell vepra të kompozitorëve Antonio Muçi, Karlo Pali, Muharrem Xhediku, Koço Uçi, Ramadan Sokoli dhe Çesk Zadeja.

Në këtë mbrëmje artistike do të interpretojnë Ardita Bufaj në piano, Armando Likaj në bariton dhe Maida Resulbegoviç në soprano, ndërsa e ftuar speciale do të jetë pianistja Norena Gaxha.

Koncepti artistik, hulumtimi arkivor dhe mbledhja e partiturave janë realizuar nga pedagogia Ardita Bufaj.

Projekti organizohet në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, në kuadër të Festivalit “Netët e Muzikës Shqiptare”, me synimin për të promovuar vlerat e trashëgimisë muzikore dhe për t’i përcjellë ato te brezat e rinj./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara