Botë

Sandu fiton zgjedhjet presidenciale në Moldavi

Published

on

Presidentja pro Bashkimit Evropian e Moldavisë, Maia Sandu, ka shpallur fitoren ndaj sfiduesit të saj, Alexandr Stoianoglo, që është miqësor me Rusinë, në zgjedhjet presidenciale të përcjella me akuza për ndërhyrje ruse dhe mashtrime zgjedhore.

Me 99.7 për qind të votave të numëruara për balotazhin e 3 nëntorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se Sandu ka fituar 55.35 për qind të votave, ndërkaq Stoianoglo 44.65 për qind. Presidentja aktuale ka një epërsi prej 165.000 votash, sipas rezultateve paraprake.

Moldavi, ti je fituese”, tha Sandu pak pas mesnatës, fitorja e së cilës u forcua nga votat në kryeqytet, Kishinjev, dhe në diasporë.

Sot, të dashur moldavianë, keni dhënë një mësim për demokracinë që është i denjë të futet në librat e historisë. Sot, ju keni shpëtuar Moldavinë. Për një të ardhme me dinjitet”, shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti rezultatin zgjedhor në Moldavi.

“Urime e dashura Maia Sandu për fitoren tuaj sonte. Duhet një forcë e rrallë për të tejkaluar sfidat me të cilat jeni përballur në këto zgjedhje”, shkroi von der Leyen në X. “Jam e lumtur që do të vazhdoj të punoj me ju drejt të ardhmes evropiane të Moldavisë dhe popullit të saj”.

Stoianoglo, i cili ende nuk e ka pranuar humbjen, u ka bërë thirrje mbështetësve të tij që të qëndrojnë të qetë.

Demokracia, para së gjithash, do të thotë maturi në përballje me rezultatin”, tha ai.

Paraprakisht, Stoianoglo kishte epërsi, por epërsia u ngushtua teksa vazhdoi numërimi i votave në qytete të mëdha dhe votave të diasporës perëndimore të Moldavisë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se dalja kaloi 54 përqindëshin, që është pjesëmarrje më e lartë sesa në rundin e parë dhe më e larta që nga balotazhi i zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Sandu fitoi rundin e parë të 20 tetorit me 42 për qind të votave, për dallim me 26 sa fitoi Stoianoglo, ish-prokurori i Përgjithshëm i cili mori mbështetjen nga Partia Socialiste e Moldavisë, subjekt politik prorus.

Pasi votoi në kryeqytetin moldavian, Sandu tha se ajo votoi “me Moldavinë”.

Hajdutët duan të blejnë votën tuaj, ata duan të blejnë shtetin tonë, por fuqia e popullit është pafundësisht më e madhe sesa dashakeqësia e tyre”, tha ajo.

Teksa Sandu shpalli fitoren, Stoianoglo bëri thirrje për qetësi, duke thënë se “demokracia nënkupton para së gjithash, maturi për t’u përballur me rezultatin”.

Zgjedhjet u mbajtën në mes të akuzave për ndërhyrje si në garën presidenciale, po ashtu në një referendum për integrimin e mundshëm të Moldavisë në BE, një drejtim që Sanduja dhe përkrahësit e saj e mbështesin fuqishëm.

Rezultati i referendumit për BE-në ishte i ngushtë dhe vota “po” mori 50.38 për qind, teksa Sanduja ka pretenduar se “grupet kriminale së bashku me forcat e huaja” kanë tentuar “të blejnë 300.000 vota” duke bërë që rezultati i referendumit të jetë më i ngushtë sesa ishte paraparë në sondazhe.

Sondazhet kishin parashikuar se Sanduja do të fitonte zgjedhjet presidenciale që në rundin e parë, por Stoianoglo doli më mirë seç pritej në zgjedhjeve, duke bërë që të mbahej rundi i balotazhit.

Këshilltari për siguri kombëtare e Sandusë ka shkruar në X se ka pasur “ndërhyrje masive” nga Rusia në rundin e balotazhit. Por, ai nuk dha detaje për këto pretendime të tij.

Në balotazhin e 3 nëntorit është raportuar për parregullsi zgjedhore, përfshirë fotografimin e pretenduar të votave.

Moldavia ka 3.02 milionë votues të regjistruar, përfshirë ata në diasporë. Votuesit në Perëndim thuhet se ishin vendimtarë në fitoren e opsionit “po” në referendumin për BE-në dhe po ashtu kanë ndihmuar Sandunë në rundin e balotazhit.

Përderisa posti i presidentit në Moldavi teknikisht është post ceremonial, presidentët zakonisht kanë ndikim të konsiderueshëm politik. Sipas ligjeve, një person mund të shërbejë dy mandate radhazi katërvjeçare në postin e presidentit.

Gjatë mandatit të parë të Sandusë, Moldavia u reshtua me Ukrainën, pasi Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022. Kishinjevi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës.

Moldavia mori statusin e vendit kandidat për BE në vitin 2022 dhe nisi bisedimet e anëtarësimit në fillim të këtij viti./REL/

 

Aktualitet

WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor

Published

on

By

Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.

Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.

“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.

“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.

Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Udhëheqja e lartë e Iranit shënjestër e sulmeve

Published

on

By

Izraeli deklaron se ka vrarë shefin e sigurisë së Iranit, Ali Larijani, në një sulm dhe se do të “vazhdojë gjahun” ndaj liderëve të vendit. Siç tregon edhe grafika e mëposhtme, shumë prej figurave të larta të vendit të periudhës para-luftës janë vrarë.

Vdekja e Liderit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u njoftua më 28 shkurt, pas ditës së parë të sulmeve amerikano-izraele mbi Iran.

Gjithashtu, në valën e parë të sulmeve u vranë: këshilltari i sigurisë Ali Shamkhani, ministri i mbrojtjes Amir Nasirzadeh, komandanti i Gardës Revolucionare, gjenerali Mohammad Pakpour, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, Abdolrahim Mousavi. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Shtetet e Gjirit kërkojnë nga Trump neutralizimin e Iranit

Published

on

By

Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar SHBA-së të hyjë në luftë me Iranin, mirëpo shumë prej tyre tani po bëjnë thirrje që operacioni të mos ndalet pa u siguruar që Republika Islamike të mos ketë më mundësi të kërcënojë rrugët jetike të naftës.

Siç raporton Reuters, burime nga Gjiri bëjnë të ditur se shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e ekonomive që varen tërësisht nga ky rajon.

Sipas burimeve diplomatike perëndimore dhe arabe, Uashingtoni po ushtron presion mbi shtetet e Gjirit që t’i bashkohen luftës SHBA-Izrael. Presidenti Donald Trump dëshiron të tregojë mbështetje rajonale për fushatën, me qëllim që të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen e brendshme.

“Ekziston një ndjenjë e gjerë në të gjithë Gjirin se Irani ka kaluar çdo vijë të kuqe me çdo vend të rajonit,” tha Abdulaziz Sager, kryetar i Qendrës kërkimore të Gjirit me seli në Arabinë Saudite. Ai shtoi se sapo Irani nisi sulmet e drejtpërdrejta, u klasifikua si armik.

Irani sulmon gjashtë shtetet e Gjirit

Teherani ka demonstruar tashmë fuqinë e tij duke sulmuar aeroporte, porte dhe objekte të naftës në gjashtë shtetet e Gjirit përmes raketave dhe dronëve. Gjithashtu, është penguar qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si “arteria” kryesore për një të pestën e furnizimit global me naftë.

Udhëheqësit e Gjirit besojnë se mosveprimi tani përbën rrezikun më të madh. Sulmet e fundit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit që këto vende janë përpjekur të ndërtojnë për të tërhequr tregtinë dhe turizmin.

Frika nga një luftë e gjerë

Pavarësisht kërkesave për dobësimin ushtarak të Iranit, brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ende mungon një konsensus i plotë për hapat e mëtejshëm. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se partnerët e Gjirit po rrisin angazhimin, Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar më të përmbajtura, duke thënë se nuk kërkojnë të përfshihen në eskalime.

Nga ana tjetër, Sager paralajmëroi se Arabia Saudite mund të detyrohet të hakmerret nëse Irani godet pikat kritike, siç janë impiantet e shkripëzimit të ujit ose objektet madhore të naftës. “Në atë rast, Arabia Saudite nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte,” u shpreh ai. /Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.

“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.

Continue Reading

Të kërkuara