Aktualitet

Sa është i rëndësishëm Irani për luftën e Rusisë në Ukrainë?

Published

on

Irani ka qenë një furnizues i rëndësishëm i pajisjeve ushtarake për Rusinë në vitet e fundit, veçanërisht nga momenti kur Kremlini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, por ekspertët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kjo mbështetje nuk luan më një rol kyç në përpjekjen luftarake të Moskës.

Sipas një raporti të Bloomberg të datës 12 janar, që citon një zyrtar perëndimor të sigurisë i cili mbeti anonim, shitjet iraniane të raketave drejt Rusisë, përfshirë raketa të mbrojtjes ajrore dhe raketa balistike, kanë arritur në 2.7 miliardë dollarë që nga tetori i vitit 2021.

Vëllimi i tregtisë nuk bëhet publik nga Moska, dhe Irani mohon se ka furnizuar Rusinë me ndonjë gjë.

“Për sa kohë që konflikti vazhdon mes palëve, Irani do të përmbahet nga ofrimi i çdo forme të ndihmës ushtarake për secilën palë”, thuhej në një deklaratë të misionit të përhershëm të Iranit pranë Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit të kaluar.

Ka prova që dëshmojnë të kundërtën, veçanërisht përdorimi i gjerë nga Rusia i dronëve sulmues iranianë Shahed në fazat e hershme të luftës kundër Ukrainës. Por, vlera e kësaj mbështetjeje tani duket se është zvogëluar ndjeshëm.

Dronët

“Edhe pse ende ka disa transferime të dronëve iranianë – të paktën deri vitin e kaluar, disa modele më të reja dronësh ende po transferoheshin nga Irani – mendoj se kemi kaluar prej kohësh kulmin e transferimeve iraniane të mbrojtjes drejt Rusisë”, i tha Radios Evropa e Lirë më 14 janar Hanna Notte, drejtuese e programit për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studime mbi Mospërhapjen.

Ruslan Suleymanov, analist në Qendrën për Strategjitë e Reja Euroaziatike, kishte një mendim të ngjashëm.

“Rusia nuk është më aq e varur nga armët iraniane sa ishte katër vjet më parë. Të njëjtët dronë Shahed prodhohen në territorin rus nën emrin Geran dhe… rreth 90 për qind e të gjithë ciklit të prodhimit të këtyre dronëve tashmë është plotësisht i vendosur në Rusi, pa ndihmën e Iranit”, tha ai për Current Time më 13 janar.

Irani i ka ofruar Rusisë teknologji dhe trajnim, dhe një fabrikë në Alabuga, në rajonin e Tatarstanit në Rusi, po prodhon vazhdimisht dronë Geran.

Sipas Ukrainës, Rusia prodhon rreth 5.000 dronë me rreze të gjatë veprimi të llojeve të ndryshme çdo muaj. Kjo përfshin dronin goditës Geran dhe Gerberan, një dron pa kokë luftarake që përdoret si karrem për të mbingarkuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës.

Raketat

Në prill, gjenerali Christopher Cavoli, në atë kohë kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit amerikan se “Irani gjithashtu vazhdoi mbështetjen e tij materiale për Rusinë, duke dhuruar mbi 400 raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe qindra mijëra predha artilerie”.

Në maj, Reuters raportoi se Irani do të dërgonte gjithashtu lëshues raketash Fath-360, megjithëse Teherani e mohoi këtë. Më herët, në shtator 2024, zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder, kishte thënë se raketat Fath 360 ishin dorëzuar.

Kjo u pasua në tetor të vitit 2024 nga sanksione amerikane ndaj dy kompanive ruse të transportit detar për dorëzimin e pajisjeve të dronëve dhe municioneve përmes Detit Kaspik për përdorim në Ukrainë.

“Departamenti i Shtetit po ndërmerr veprime sot për të kufizuar më tej aktivitetet destabilizuese të Iranit, përfshirë transferimin e raketave balistike drejt Rusisë”, thuhej në një deklaratë.

Bashkimi Evropian veproi në të njëjtën linjë disa ditë më vonë, duke vendosur sanksione ndaj tre linjave ajrore iraniane dhe dy kompanive të prokurimit “pas transferimeve të raketave dhe dronëve nga Irani drejt Rusisë”.

Por, nuk ka pasur raportime për përdorimin e raketës Fath 360 në Ukrainë. Notte tha se kjo mund të jetë sepse lëshuesit e Fath 360 nuk u dorëzuan kurrë ose sepse Rusia nuk kishte nevojë t’i përdorte, ndërsa rriti prodhimin vendas dhe mori dërgesa nga Koreja e Veriut.

Një raport i publikuar në shkurt të vitit të kaluar nga RUSI, një institut kërkimor me seli në Londër, vuri në dukje se Ministria ruse e Mbrojtjes planifikonte të prodhonte rreth 750 raketa balistike dhe 560 raketa lundruese në vitin 2025. Që atëherë, inteligjenca ushtarake ukrainase ka dhënë vlerësime edhe më të larta të prodhimit.

“Rusët thjesht mund të mos kenë pasur nevojë t’i përdorin këto raketa iraniane”, tha Notte.

Municionet

Vlerësohet se Irani i ka dërguar Rusisë sasi të mëdha municionesh dhe predhash që nga viti 2022. Një hetim i Wall Street Journal në vitin 2023 i vendosi shifrat në 300.000 predha artilerie dhe rreth 1 milion fishekë municioni.

Sulmet me dronë të Ukrainës në vitin 2025 sugjeruan se furnizimet ushtarake po vazhdonin. Në prill, mediat ruse raportuan për sulmet e para ndaj portit kaspik të Oljas, të ndjekura nga raportime për sulme të tjera në gusht.

Olja është identifikuar si një qendër kryesore për dërgesat e furnizimeve ushtarake iraniane.

Një raport i Shkollës së Ekonomisë së Kievit vitin e kaluar detajoi vëllimet e eksplozivëve që po transportoheshin me anije dhe hekurudhë si nga Irani ashtu edhe nga Koreja e Veriut. Raporti tha se furnizimet nga Koreja e Veriut tashmë përbënin 58 për qind të importeve ruse të eksplozivëve.

Notte tha se, po ashtu, predhat dhe fishekët nga Koreja e Veriut kanë tejkaluar në shkallë furnizimet iraniane.

“Ukrainasit vlerësuan vitin e kaluar se 50 për qind e të gjithë municionit që Rusia përdori në Ukrainë ishte nga Koreja e Veriut. Pra, ndjesia ime këtu është se, sapo Koreja e Veriut u shfaq si një furnizuese e madh ushtarake për Rusinë, ndoshta nuk kishte më nevojë për municion iranian”, tha Notte. /REL/

Vendi

Vdes ish-kongresisti Eliot Engel, zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës

Published

on

By

Ish-kongresisti amerikan Eliot Engel ka vdekur në moshën 79-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi si një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës. Ai u largua nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara në janar 2021, pas mbi 30 vjetësh shërbim.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi vdekjen e tij si humbje të një miku të dëshmuar dhe përkrahësi të palëkundur të lirisë dhe shtetësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Engel, gjatë dekadave në Kongres, ishte në anën e drejtë të historisë – nga mbështetja për ndërhyrjen e NATO më 1999 kundër regjimit të Slobodan Milošević, deri te përkrahja për pavarësinë e Kosovës më 2008.

Edhe kongresisti Ritchie Torres e vlerësoi Engelin si një zë të fortë për Kosovën dhe komunitetin shqiptar në kohë kur pak të tjerë i kushtonin vëmendje.

Engel, pjesë e Partisë Demokratike, përfaqësoi që nga viti 1989 një zonë të Bronksit në New York City me komunitet të madh shqiptar. Ai ishte ndër figurat kyçe në sigurimin e mbështetjes së Kongresit për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Për kontributin e tij, Kosova ka emërtuar rrugë dhe autostradë me emrin e tij, si dhe ka lëshuar pullë postare me portretin e Engelit. Ndërkohë, qëndrimet e tij pro Kosovës e bënë figurë të diskutueshme në Serbi, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

Gjatë një seance dëgjimore në vitin 2020, Engel kishte shprehur lidhjen e veçantë me rajonin, duke theksuar se asnjë vend në Ballkan nuk e kishte prekur më shumë se Kosova.

Ai hyri në Kongres në periudhën e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë dhe u angazhua në çështjet e rajonit përmes Komitetit për Punë të Jashtme, duke u bërë një nga njohësit më të mirë të Ballkanit në politikën amerikane.

Continue Reading

Aktualitet

Kalon në parim ligji për sigurime shëndetësore dhe çmimet tavan

Published

on

By

Në vazhdimin e seancës së dytë të jashtëzakonshme të pasdites, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor dhe atë për çmimet tavan.

Projektligji për sigurimet shëndetësore u miratua me 65 vota për, duke marrë mbështetje edhe nga një pjesë e opozitës, e cila e cilësoi atë si të domosdoshëm. Ky projektligj parasheh krijimin e një pakete bazike shëndetësore që do të përditësohet çdo vit, ndërsa kontributet do të jenë 3.5 për qind nga paga e të punësuarit dhe 3.5 për qind nga punëdhënësi, për financimin e fondit të sigurimit.

Megjithatë, u theksua se funksionalizimi i Sistemit Informativ Shëndetësor mbetet parakusht për zbatimin e tij, ndërkohë që digjitalizimi i këtij sistemi ende nuk është përmbyllur. Një ligj i ngjashëm ishte miratuar edhe në vitin 2014, por nuk kishte gjetur zbatim praktik. Ndërkaq, ky projektligj ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese në janar për shkak të miratimit jokushtetues. Shqyrtimi i dytë i tij pritet të bëhet më 23 prill.

Në të njëjtën seancë, Kuvendi miratoi në parim edhe projektligjin për çmimet tavan me 63 vota për, pa mbështetjen e opozitës. Sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, ligji synon mbrojtjen e qytetarëve dhe do të përdoret si masë e jashtëzakonshme në raste të destabilizimit të tregut, duke theksuar se nuk është kundër tregut të lirë, por kundër abuzimeve me çmimet.

Nga ana tjetër, deputetët opozitarë e kundërshtuan projektligjin, duke vlerësuar se ai rrezikon ndërhyrjen në tregun e lirë dhe i jep Qeverisë kompetenca të drejtpërdrejta për kontrollin e çmimeve. Ata ngritën shqetësime edhe për mënyrën e funksionimit të bordit të paraparë në projektligj, duke e cilësuar atë si jopavarur dhe me mungesë të metodologjisë së qartë për vendimmarrje.

Continue Reading

Live

Ngushtica e bllokuar dhe fronti i Libanit rrezikojnë armëpushimin SHBA-Iran

Published

on

By

Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë e mbyllur edhe të premten, derisa Izraeli shkëmbeu zjarr me Hezbollahun në Liban, dy mosmarrëveshje të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Irani i përshkruan secili si shkelje të marrëveshjes së tyre të armëpushimit në prag të bisedimeve të tyre të para të paqes në luftë.

Armëpushimi dyditor ka ndalur fushatën e sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite mbi Iran.

Por ai deri më tani nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë fund bllokadës së ngushticës, e cila ka shkaktuar ndërprerjen më të madhe të furnizimit global me energji, ose për të qetësuar një luftë paralele të zhvilluar nga Izraeli kundër aleatëve të Iranit, Hezbollahut, në Liban.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës ratifikon katër marrëveshje ndërkombëtare të kredisë

Published

on

By

Në seancën e mbajtur të premten, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar disa projektligje që mundësojnë ratifikimin e marrëveshjeve të kredisë me institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Projektligjet e miratuara, të cilat u përfaqësuan nga Ministria e Financave, përfshijnë:

Zhvillimi i Sektorit Financiar: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim (IDA) për mbështetjen e projektit të sektorit financiar në vend.

Energjia dhe Klima: Marrëveshja me bankën gjermane KfW për programin e kredisë që synon reformat në sektorin e energjisë dhe mbrojtjen e klimës.

Politika Publike: Marrëveshja me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) për programin e kredisë të bazuar në politikat e përgjithshme shtetërore.

Tregtia dhe Transporti: Marrëveshja me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.

Këto marrëveshje synojnë të forcojnë infrastrukturën ekonomike dhe të lehtësojnë integrimin rajonal përmes investimeve në sektorë strategjikë për Kosovën.

 

Continue Reading

Të kërkuara