Botë
Rutte thotë se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të sillte pasoja të mëdha për NATO-n
Published
1 year agoon
By
UBTnewsSekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të enjten se një fitore e Rusisë kundër Ukrainës do ta minonte fuqinë parandaluese të aleancës më të madhe ushtarake në botë dhe do t’i kushtonte asaj triliona euro për ta rikthyer besueshmërinë.
NATO-ja është duke e rritur praninë përgjatë krahut lindor me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainës, pasi i ka dërguar atje mijëra trupa dhe pajisje për ta frenuar Moskën nga përhapje e luftës së saj edhe në territoret e ndonjërit prej 32 anëtarëve të aleancës.
“Nëse Ukraina humb, atëherë për ta rikthyer fuqinë frenuese të pjesës tjetër të NATO-s, çmimi do të jetë shumë, shumë më i lartë sesa ai që po e shqyrtojmë në këtë kohë në lidhje me rritjen e shpenzimeve dhe të prodhimit tonë industrial”, tha Rutte.
“Nuk do të jenë miliarda shtesë; do të jenë triliona shtesë”, shtoi ai, duke folur në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Rutte nguli këmbë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet “të rrisin, e jo ta zvogëlojnë mbështetjen” që janë duke ia dhënë asaj, pothuajse tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.
“Ne duhet ta ndryshojmë trajektoren e luftës”, tha Rutte, duke shtuar se Perëndimi “nuk mund të lejojë që në shekullin e XXI-të një shtet ta pushtojë një shtet tjetër dhe të përpiqet ta kolonizojë atë”.
Në Evropë është duke u rritur frika se presidenti amerikan, Donald Trump, mund të kërkojë t’i japë fund shpejt luftës duke mbajtur bisedime me presidentin rus, Vladimir Putin, në kushte që janë të pavolitshme për Ukrainën, por Rutte u duk i kujdesshëm për të mos i bërë gjërat me nxitim.
“Nëse kemi marrëveshje të keqe, ajo do të nënkuptonte se do ta shihnim presidentin e Rusisë duke festuar me liderët e Koresë së Veriut, Iranit dhe Kinës, dhe këtë nuk mund ta pranojmë”, tha ish-kryeministri holandez.
“Ky do të ishte një gabim i madh gjeopolitik”, shtoi Rutte.
I dërguari i ri i Trumpit për misione të veçanta, Richard Grenell, i kritikoi aleatët që flasin për vazhdimin e luftës dhe vijojnë të mos i rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes, sipas udhëzimeve të NATO-s.
Ai tha se amerikanët mendojnë se është “skandaloze” që administrata Biden nuk pranoi të bisedojë me Putinin.
Liderët e NATO-s kanë janë pajtuar që çdo shtet anëtar duhet t’i shpenzojë të paktën 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për buxhetet e tyre ushtarake.
Aleanca vlerëson se 23 vende do ta arrijnë këtë cak këtë vit, megjithëse pothuajse një e treta do të mbetet prapa. Polonia dhe Estonia shpenzojnë më së shumti në bazë të PBB-së.
“Nuk mund t’i kërkoni popullit amerikan ta zgjerojë ombrellën e NATO-s, kur anëtarët e tanishëm nuk po paguajnë pjesën që u takon atyre”, tha Grenell.
Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj Putinit, për të cilin shpesh ka folur me admirim.
Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.
Një ditë më herët, ai sugjeroi se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.
Dhe më 20 janar, në ditën e parë pas marrjes së mandatit të ri, Trump tha se Putini po e “shkatërron” Rusinë duke mos pranuar të bëjë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022./REL/
Botë
Sarajeva i bashkohet procedurës penale në rastin “Sarajevo Safari”
Published
4 days agoon
January 27, 2026By
UBTnews
Këshilli i Qytetit të Sarajevës nesër do të miratojë një vendim për të dhënë pëlqimin që Sarajeva të bashkohet me procedurën penale në Milano. Me këtë vendim, Sarajeva i bashkohet procedurës penale që po zhvillohet para autoriteteve kompetente gjyqësore në Milano, e filluar kundër personave që morën pjesë në të shtënat me snajper të qytetarëve të Sarajevës, shkruan “vijesti”.
Kryetari i Bashkisë dhe Zyra e Prokurorit të Qytetit të Sarajevës janë të autorizuar, brenda juridiksionit të tyre, të ndërmarrin të gjitha veprimet dhe aktivitetet ligjore, teknike dhe administrative me qëllim bashkimin e Qytetit të Sarajevës në procedurën penale si palë e dëmtuar.
Konsullata e Përgjithshme e Bosnjës dhe Hercegovinës në Milano, nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme të BeH, i dërgoi një letër të datës 18.12.2025 Qytetit të Sarajevës, të shënuar si një procedurë gjyqësore në Milano kundër snajperëve në Sarajevë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e mori letrën në fjalë më 29 dhjetor 2025, e cila deklaronte se procedurat ishin filluar para autoriteteve kompetente në Milano kundër personave që janë shtetas italianë, të cilët morën pjesë në të shtënat me snajper të qytetarëve të Sarajevës.
Procedurat u iniciuan nga gazetari investigativ italian Ezio Gavazzeni në bashkëpunim me ish-gjyqtarin penal Guido Salvani, ndërsa procedurat hetimore po zhvillohen nga prokurori Alessandro Gobbis. Pala e dëmtuar përfaqësohet nga avokati Nicola Brigida pro bono.
Letra e lartpërmendur nga Konsullata e Përgjithshme e BeH në Milano thotë se avokati Brigida pyeti nëse Qyteti i Sarajevës dëshiron të bashkohet me procedurën penale si palë e dëmtuar.
Në përputhje me dispozitat e legjislacionit penal, pala e dëmtuar ka një pozicion të kufizuar procedural në aspektin e të drejtave dhe detyrimeve në procedurën penale, si dhe në ndërmarrjen e veprimeve procedurale, megjithatë, pala e dëmtuar mund të ketë ende një rol të rëndësishëm në të njëjtën kohë, varësisht nga faza e procedurës penale.
Kështu, në fazën e hetimit, i dëmtuari mund të paraqesë një kërkesë për realizimin e një kërkese pasurore-juridike, si dhe të paraqitet si “ndihmës i prokurorit”, duke marrë parasysh rrethanat se i dëmtuari e njeh mjedisin ku është kryer vepra penale, ndoshta edhe të dëmtuar të tjerë, mund të propozojë paraqitjen dhe marrjen e provave të caktuara, dhe në këtë mënyrë, përmes aktivitetit të tij/saj, ai/ajo mund të jetë një burim i vlefshëm njohurish dhe kështu të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin me sukses të procedurës.
Për më tepër, në fazën e shqyrtimit gjyqësor, në të cilën zhvillohet një diskutim i plotë dhe gjithëpërfshirës i çështjes penale, roli i të dëmtuarit është i rëndësishëm, pasi ai/ajo mund të thirret në shqyrtimin gjyqësor si dëshmitar, mund të paraqesë një kërkesë pasurore-juridike, mund të ketë mundësinë të paraqesë një deklaratë përfundimtare dhe së fundmi mund të ketë të drejtën e ankimit kundër vendimit.
Gjithashtu duhet të merret në konsideratë se veprimet e snajperëve gjatë luftës së kaluar, në të cilën ata qëlluan ndaj civilëve të paarmatosur në zonën e Sarajevës, përfaqësojnë trauma individuale dhe kolektive dhe një plagë të përhershme në Sarajevë dhe të gjithë qytetarët e saj, duke pasur parasysh se mbi 11,000 civilë, shumë prej të cilëve ishin fëmijë, vdiqën gjatë rrethimit.
Zhvillimi i procedurave penale kundër personave përgjegjës dhe autorëve të veprave penale dhe dënimi i tyre përfundimtar do të përfaqësonte mbrojtjen e vlerave themelore shoqërore të rrezikuara (jeta, integriteti, rendi publik), ruajtjen e rendit ligjor, si dhe dënimin shoqëror të veprës penale përmes një reagimi të drejtë ndaj shkeljeve të ligjit, dhe përmbushjen dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të viktimave dhe familjeve të tyre.
Me miratimin e vendimit në fjalë, Sarajevës si institucion do t’i jepej mundësia të merrte pjesë në procedurat penale në fjalë, në të cilat Qyteti i Sarajevës do të japë kontributin e tij dhe do të mbrojë të drejtat dhe interesat e viktimave dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Botë
ShBA: Shtatë të vdekur dhe një i plagosur nga rrëzimi i një avioni privat
Published
4 days agoon
January 27, 2026By
UBTnews
Shtatë persona kanë humbur jetën dhe një tjetër është plagosur nga rrëzimi i një avioni privat të dielën në një aeroport në shtetin amerikan Maine.
Sipas njoftimit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA), avioni me dy motorë, i tipit Bombardier Challenger 650, u rrëzua gjatë procedurës së ngritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Bangor-it dhe pas përplasjes u përfshi nga flakët, shkruan CNN.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, i cili ndodhi ndërsa një stuhi e fortë dëbore godiste rajonet verilindore të Shteteve të Bashkuara.
Botë
Rusia, Ukraina dhe SHBA do të zhvillojnë bisedime trepalëshe në Abu Dhabi
Published
1 week agoon
January 23, 2026By
UBTnews
Negociatorë rusë, ukrainas dhe amerikanë do të mbajnë bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe të premten, në atë që zyrtarët e përshkruajnë si takimin e parë ku marrin pjesë të tria vendet që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të gjerë, gati katër vjet më parë.
Kremlini konfirmoi se zyrtarë rusë do të marrin pjesë në bisedime, pas një takimi në Moskë mes presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarve amerikanë.
Rusia i përshkroi ato bisedime si “të dobishme në çdo aspekt”, por tha se një marrëveshje afatgjatë paqeje nuk mund të arrihet derisa të zgjidhen çështjet territoriale, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kritikoi aleatët evropianë për mungesë “vullneti politik” në marrjen e veprimeve kundër Rusisë.
Të pranishëm në takimin e së enjtes mbrëma me Putinin dhe dy këshilltarë të tjerë rusë ishin tre përfaqësues amerikanë, përfshirë Steve Witkoff, si dhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner.
Këshilltari i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se bisedimet ishin “thelbësore, konstruktive dhe shumë të drejtpërdrejta”, por përsëriti se çdo marrëveshje për paqe të qëndrueshme nuk do të ishte e mundur pa zgjidhjen e çështjeve territoriale.
“Derisa kjo të arrihet, Rusia do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë të qëndrueshme objektivat e operacionit special ushtarak,” tha ai.
Ushakov shtoi se Putin theksoi se Rusia është “sinqerisht e interesuar” për një zgjidhje diplomatike.
“Pa zgjidhjen e çështjes territoriale sipas formulës së rënë dakord në Anchorage, nuk ka shpresë për të arritur një zgjidhje afatgjatë,” tha ai, duke iu referuar samitit mes Trumpit dhe Putinit në Alaska vitin e kaluar.
Witkoff vitin e kaluar kishte thënë se Rusia kishte rënë dakord të lejonte SHBA-në dhe Evropën t’i jepnin Ukrainës garanci “të fuqishme” sigurie si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje.
Pas takimit me Trumpin në Davos, Zelensky gjithashtu e bëri të qartë se statusi i ardhshëm i territorit në lindje të Ukrainës mbetet çështje e pazgjidhur përpara bisedimeve në Abu Dhabi.
“Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është çështja që ende nuk është zgjidhur,” u tha Zelensky gazetarëve në Davos, duke shtuar se “rusët duhet të jenë gati për kompromise, jo vetëm Ukraina”.
Pikat e debatit territorial përfshijnë kërkesën e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga 25% e rajonit të Donetskut që ende kontrollohet nga Kievi.
Zelensky bëri shaka në Davos se shpresonte që Emiratet e Bashkuara Arabe ta dinin për takimin e planifikuar të premten, por si tregues i seriozitetit të bisedimeve ai përmendi disa nga zyrtarët më të lartë si pjesë e ekipit negociator ukrainas.
Kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Rustem Umerov, tashmë po zhvillonte bisedime me zyrtarë amerikanë në Davos, së bashku me Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelenskyt, dhe negociatorin David Arakhamia. Ata do t’u bashkohen në Emirate edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Andrii Hnatov.
Nga ana ruse, delegacioni në Abu Dhabi do të udhëhiqet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtori i agjencisë ruse të inteligjencës ushtarake GRU, ndërsa i dërguari për investime, Kirill Dmitriev, do të takohet veçmas me Witkoff për të diskutuar çështje ekonomike.
Botë
Trump tërheq ftesën e Kanadasë për në ”Bordin e Paqes”
Published
1 week agoon
January 23, 2026By
UBTnews
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, ka tërhequr një ftesë për Kanadanë për t’u bashkuar me “Bordin e Paqes” të sapokrijuar, në përplasjen e fundit midis fqinjëve të Amerikës së Veriut.
“Ju lutem, lejoni që kjo Letër të shërbejë për të përfaqësuar se Bordi i Paqes po tërheq ftesën e tij drejtuar jush në lidhje me anëtarësimin e Kanadasë”, tha Trump në Truth Social në një postim drejtuar Kryeministrit Mark Carney, i cili bëri bujë këtë javë kur paralajmëroi për një “çarje” në rendin global të udhëhequr nga ShBA-ja.
Kanadaja kishte lënë të kuptohet se, ndërsa nuk do të paguante të ishte në bord, do të bashkohej.
Ndërkohë, shefi i BE-së, Antonio Costa, tha se udhëheqësit evropianë kanë dyshime serioze në lidhje me fushëveprimin e bordit, por ishin të gatshëm të punonin me organin në Gaza.
KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave
Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës
Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit
UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin
Koncerti i Fakultetit të Muzikës Moderne dhe Produksionit Digjital sjell kreativitetin e studentëve
PDK kërkon hetim ndaj Kurtit për “mashtrim publik” në rastin e dronëve kamikaz
Isa Mustafa: LDK ka potencial për t’u ringritur, problemet nuk zgjidhen me tifozllëk
Gjykata refuzon propozimet e mbrojtjes për prova shtesë në rastin e Liridona Ademajt
Dogana në aksion, kontrolle në barnatoret e Pejës dhe Gjakovës
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Rajoni3 months agoNjë kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Naser Morina dhe Hazir Çadraku
