Botë

Rusia liron një të burgosur amerikan, një hap drejt fundit të luftës në Ukrainë

Published

on

Marc Fogel, një mësues amerikan i konsideruar nga Uashingtoni si i ndaluar pa të drejtë nga Moska, është liruar, veprim të cilin Shtëpia e Bardhë e cilësoi si përpjekje diplomatike që mund të çojë përpara bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zhvillimi vjen ndërsa Presidenti Trump po kërkon të hedhë bazat për negociata paqeje mes Moskës dhe Kievit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Presidenti Trump, Steve Witkoff dhe këshilltarët e presidentit negociuan një shkëmbim që shërben si një shfaqje e mirëbesimit nga ana e rusëve dhe një shenjë se po lëvizim në drejtimin e duhur për t’i dhënë fund luftës brutale dhe të tmerrshme në Ukrainë”, tha këshilltari për Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz.

I dërguari special i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff u largua nga Rusia me amerikanin Marc Fogel, mësues historie nga Pensilvania. Ai pritet t’i bashkohet familjes së tij mbrëmjen e së hënës. I arrestuar në gushtin e vitit 2021, zoti Fogel po vuante një dënim me 14 vjet burg.

Familja dhe mbështetësit e tij thanë se zoti Fogel kishte me vete marijuana mjekësore kur u arrestua. Në dhjetor, administrata e Presidentit Joe Biden deklaroi se ai ishte arrestuar pa të drejtë.

Michael Waltz, këshilltari i Presidentit Trump për sigurinë kombëtare, tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia “negociuan një shkëmbim” për të siguruar lirimin e zotit Fogel. Ai nuk ka se çfarë shkëmbimi kishte ofruar pala amerikane. Në të kaluarën, negociatat kanë përfshirë lirimin reciprok të rusëve nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate.

Presidenti republikan, Donald Trump, ka premtuar gjetjen e një rruge për t’i dhënë fund konfliktit. Zoti Trump gjithashtu ka folur për marrëdhënie të mira me Presidentin Putin, i cili dha urdhër për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022.

Muajin e kaluar, Presidenti Trump tha se administrata e tij po zhvillonte biseda serioze me Rusinë lidhur me luftën. Të afërmit e zotit Fogel thanë se ishin “tejet mirënjohës dhe të lehtësuar” që ai po kthehej në shtëpi.

“Kjo ka qenë periudha më e errët dhe më e dhimbshme e jetës sonë. Por sot ky kapitull përfundon. Për herë të parë në vite, familja jonë mund të shikojë me shpresë drejt së ardhmes”, tha familja e tij. Moska nuk komentoi në lidhje me lirimin e zotit Fogel.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kryen një shkëmbim të madh të burgosurish në muajin gusht. Në këtë shkëmbim, mes të tjerësh, u liruan gazetari amerikan Evan Gershkovich dhe biznesmeni Paul Whelan.

Sidoqoftë, marrëveshja la shumë amerikanë të tjerë të burgosur në Rusi, përfshirë zotin Fogel. Mes tyre edhe amerikano-rusja Ksenia Khavana e cila u dënua me 12 vjet burg dy javë pas shkëmbimit. Ajo u akuzua për tradhti pas një donacioni prej 52 dollarësh për një shoqatë bamirësie që ndihmon Ukrainën. Shtëpia e Bardhë nën Presidentin Biden e quajti dënimin “asgjë më pak se mizori hakmarrëse”.

Tetorin e kaluar, Rusia dënoi amerikanin Robert Gilman me më shumë se 7 vjet burg, për gjoja dhunë ndaj policisë ruse, ndërsa amerikani Stephen Hubbard u dënua me burg në një gjyq me dyer të mbyllura për gjoja se kishte luftuar si mercenar në Ukrainë.

Ndërsa lufta në Ukrainë po i afrohet fundit të vitit të tretë, nuk ka të dhëna mbi planin e Presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit. Ai ka thënë se Moska dhe Kievi duhet të bëjnë lëshime ndërsa ka lënë të kuptohet se Ukraina do të duhet të pranojë humbjen e të paktën një pjese të territorit.

Lirimi i zotit Fogel dhe njoftimi i Presidentit Trump se do të dërgojë Sekretarin e Thesarit Scott Bessent në Kiev për bisedime me udhëheqësit ukrainas mund të jetë një sinjal se planet mund të kenë filluar të marrin formë.

Zëvendëspresidenti JD Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special i Presidentit Trump për Rusinë dhe Ukrainën, Gjenerali në pension Keith Kellogg, do të udhëtojnë në fund të kësaj jave për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku situata në Ukrainë do të jetë një nga temat kryesore të diskutimeve.

Zoti Kellogg i tha agjencisë së lajmeve Associated Press të hënën se pala amerikane do të bisedonte me zyrtarët evropianë lidhur me synimet e Presidentit Donald Trump dhe do të vlerësonin interesat e tyre.

“Ne do të shpalosim pritshmëritë tona për aleatët. Dhe kur të kthehemi do t’i paraqesim presidentit alternativat, kështu që ai e di më mirë se si do të veprojë kur të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes”, tha zoti Kellogg.

Aktualitet

Të paktën 64 të vdekur nga përplasja e trenave në Spanjë

Published

on

By

Numri i viktimave nga aksidenti hekurudhor në Spanjë ka arritur në 64 persona, sipas medieve vendase. Në dy trenat e përfshirë në përplasje udhëtonin gjithsej 544 pasagjerë. Megjithëse numri i saktë i të plagosurve nuk është konfirmuar ende, raportohet se disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Ky aksident tragjik shënon ngjarjen e dytë me pasojë vdekjeprurëse në rrjetin hekurudhor spanjoll përgjatë këtij viti. Më 18 janar, një tjetër përplasje mes dy trenave që udhëtonin nga dhe drejt Madridit në zonën e Adamuzit (Spanja jugore) la të vdekur 45 persona dhe plagosi 170 të tjerë.

Në aksidentin e janarit, një tren i kompanisë Iryo me rreth 300 pasagjerë në bord, i cili po udhëtonte nga Malaga në Madrid, doli nga shinat dhe goditi trenin përballë që po shkonte nga Madridi në Huelva me rreth 200 udhëtarë. Hetimet e mëvonshme për atë ngjarje konstatuan se aksidenti u shkaktua nga një thyerje në shinë përpara përplasjes. /E.A/

 

Continue Reading

Aktualitet

Zgjedhjet në Izrael pa fitues: Ushtria dhe partitë arabe vendosin rezultatin

Published

on

By

Sondazhet e para pas mbylljes së qendrave të votimit tregojnë se zgjedhjet e përgjithshme në Izrael nuk kanë nxjerrë një fitues të qartë. As kryeministri i tanishëm Benjamin Netanyahu dhe as rivali i tij kryesor, ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së re.

Sipas projeksioneve të dy transmetuesve kryesorë izraelitë, “Blloku i Ndryshimit” i udhëhequr nga Eisenkot me partinë e tij Yashar dhe aleatët opozitarë parashikohet të marrë 51 vende në Knesset-in prej 120 vendesh. Po me aq vende (51) projektohet edhe partia Likud e Netanyahut së bashku me aleatët e saj të së djathtës ekstreme dhe ultra-ortodoksë. Një sondazh i tretë i jep Netanyahut një avantazh të lehtë prej tre vendesh, por përsëri pa arritur pragun e 61 vendeve.

Në këtë situatë bllokade, rolin përcaktues pritet ta luajnë dy partitë arabe, të cilat parashikohet të arrijnë një rezultat rekord prej 18 deri në 19 vendesh në parlament.

Zgjedhjet u karakterizuan nga një pjesëmarrje jashtëzakonisht e lartë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në mbylljen e votimeve në orën 22:00, pjesëmarrja arriti në 77.7% — shifra më e lartë e regjistruar në këtë orë që nga viti 1999.

Rezultatet e para zyrtare kanë nisur të publikohen gjatë natës, mirëpo verdikti përfundimtar do të varet nga numërimi i rreth 600,000 votave me postë (absentee ballots), të hedhura kryesisht nga ushtarakët. Këto vota përbëjnë rreth 10% të totalit dhe numërimi i tyre i plotë pritet të përfundojë të enjten. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Botë

Trump ashpërson deklaratat ndaj Norvegjisë pas mosfitimit të Çmimit Nobel për Paqe

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka ashpërsuar retorikën ndaj Norvegjisë, duke e cilësuar atë si “një vend të ndyrë” dhe duke deklaruar se emigrantët norvegjezë nuk janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Deklaratat e tij vijnë pas vendimit të Komitetit të Nobelit, me seli në Oslo, për të mos ia dhënë Çmimin Nobel për Paqe.

Gjatë një tubimi politik në Miçigan, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, Trump kritikoi Norvegjinë, duke e lidhur qëndrimin e tij ndaj emigrantëve norvegjezë me mosfitimin e çmimit prestigjioz.

Ai deklaroi se do të mirëpriste emigrantë nga vende të tjera, por jo nga Norvegjia, duke theksuar se arsyeja ishte pikërisht mosmarrja e Çmimit Nobel.

Megjithatë, deri më tani nuk ka indikacione se administrata amerikane po përgatit ndonjë politikë zyrtare për kufizimin e emigracionit nga Norvegjia.

Ndaj deklaratave të Trumpit ka reaguar ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, i cili ka rikujtuar se Komiteti i Nobelit është institucion i pavarur dhe se vendimet e tij nuk ndikohen nga qeveria norvegjeze.

Pavarësisht kritikave të presidentit amerikan, Norvegjia vazhdon të renditet ndër vendet me të ardhurat më të larta për frymë në botë, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndërkohë, fondi sovran norvegjez ka regjistruar fitim rekord prej rreth 184 miliardë dollarësh gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.

Trump kishte kritikuar edhe më herët vendimin për të mos ia dhënë Çmimin Nobel për Paqe, duke e cilësuar atë si një “njollë të pashlyeshme” për Norvegjinë.

Foto: Associated Press

D.L

Continue Reading

Të kërkuara