Lajmet
Rreth 2 mijë raste të dhunës te të miturit për një vit në Kosovë
Psikologët tregojnë mbi arsyet e mundshme të dhunës dhe masat urgjente.
Published
2 years agoon
By
Betim GashiTë miturit e moshës 14-18 vjeç po vazhdojnë të përfshihen në vepra të ndryshme të dhunshme si rrahje, aksidente në komunikacion, madje edhe në vrasje e armëmbajtje pa leje. Derisa ata mund të dënohen deri me 10 vjet burg, po kërkohet të ndryshohet ligji, pasi po konsiderohet si jo i ashpër kur bëhet fjalë për raste të tilla. Psikologët ndërkaq tregojnë mbi arsyet e mundshme të dhunës dhe masat urgjente që duhet ndërmarrë për parandalimin e tyre.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vetëm vitin e kaluar nga të gjitha rastet, 1 mijë e 992 prej tyre janë evidentuar se janë kryer nga personat nën moshën 18-vjeçare.
“Gjatë vitit 2023, nga të gjitha rastet e evidentuara në Policinë e Kosovës, 1 mijë e 992 raste janë me të dyshuar të mitur në moshën e përgjegjësisë penale 14-18 vjeç. Nga numri i përgjithshëm dominojnë rastet si lëndim i lehtë trupor gjithsej 438 raste, aksidente në komunikacion 303 dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve 193 raste”, thuhet në përgjigjen e policisë me shkrim.
Rasti tragjik i vrasjes së të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë ka ngritur debate nëse ligji ndaj të miturve që kryejnë vepra të ndryshme është i duhur.
Avokati Tomë Gashi thotë se të gjitha institucionet duhen të punojnë së bashku në edukimin e fëmijëve, në mënyrë që të parandalohet dhuna në mesin e tyre.
“Dënimi maksimal është i paraparë me 10 vjet burg dhe atë burg për të mitur… Dhe ne besojmë që do të duhej të mos ketë dënime të ashpra të tilla në kuptimin që të miturit nuk do të duhej të kryejnë asnjë vepër penale, posaçërisht kaq të rëndë, por në prizmin tim është paksa e rëndë, por duket se po i imitojnë të rriturit dhe duke pas parasysh çështjen e edukimit të fëmijëve tanë e cila është jashtëzakonisht i nivelit të ulët, shkollimi nuk është adekuat. Janë një mori çështjesh që ndikojnë që të miturit të kriminalizohen, po aq sa edhe të rriturit, duke pasur parasysh që nuk ka kontrolle shpeshta të policisë. Do të duheshin të punonin të gjithë së bashku, shkollat dhe qendrat për punë sociale. Janë çështje të edukimit që duhet të merren me fëmijë të gjitha institucionet dhe më së pakti do të duhej në një situatë ideale të merret policia, prokuroria dhe gjykata”, tha Gashi.
Avokati Gashi shtron nevojën e ndryshimit të kodit penal për të miturit, pasi qëvepra penale është e pariparueshme dhe dënimet do të duhej të ishin në proporcion me rrezikshmërinë që ato krijojnë.
“Ky ligj është jashtëzakonisht i vjetruar, kemi më tepër se ndoshta gjysmë shekulli që përdoret ligji i njëjtë apo kodi penal për të mitur… Duhet të ketë ndryshime të kodit penal për të mitur dhe duhet të kemi ndryshime ndoshta të të gjithë legjislacionit, të parashihen dënime krejtësisht të tjera kur dikush kryen një vepër penale me qëllim dhe posaçërisht kur ia merr jetën dikujt duke pretenduar se është i mitur dhe ndoshta nuk do të dënohet dhe aq shumë… Dallimi prej disa viteve apo disa muaj nuk do të duhej të konsiderohej që është një rrethanë jashtëzakonisht lehtësuese për shkak se vepra apo dëmi është i pariparueshëm dhe do të duhej të ishin dënimet në përpjesëtim me rrezikshmërinë që e krijojnë dhe me veprat penale të rënda që dikush eventualisht i kryen”, tha ai.
Psikologu Petrit Thaçi thotë se duhet hulumtuar zanafilla e të miturve në familjet në të cilat ata janë rritur dhe edukuar, për të parë se cilat janë arsyet e vërteta që i shtyjnë ata të bëhen të dhunshëm. Ai tregon edhe arsyet e mundshme, të cilat mund të ndikojnë në krijimin e një natyre të dhunshme te personat e mitur.
“Te të rinjtë padyshim që ne së pari do të hulumtojmë zanafillën në strukturat e tyre të familjes. Zakonisht, nëse jemi rritur duke parë skena dhune, duke konceptuar që të drejtat tona po na mohohen, po na denigrohet apo cenohet një pjesë e personalitetit, atëherë ne mbushemi me energji të mllefit, gatishmërisë për hakmarrje në një formë apo për t’u zbrazur diku apo në diçka. Nganjëherë nuk zbrazemi në objektivat ose në personat që na kanë shkaktuar traumën fillestare, por aty ku është më e lehtë dhe më e mundshme. Megjithatë, nuk është gjithmonë kjo si arsye. Nganjëherë krijojmë në rrethet sociale dhe familjarë disa koncepte të një imazhi apo vetë imazhi të lakmuar, një lloj autoritarizmi si shkak se ashtu sillet familja jonë, prindi jonë, rrethi jonë i ngushtë social dhe ne i krijojmë një emërtim që ne jemi “dikush”, ne jemi të fuqishëm dhe pozicionin tonë duhet ta njohë dhe pranojë të tjerët. Ne mundohemi me imponim të mbajmë atë lloj pozicioni…02:08 Kemi modele që marrim nga filmat, këngët, pjesë të ndryshme të medias njëfarë forme, kemi ndonjëherë shthurje që burojnë si shkak i abuzimeve të narkotikëve, alkoolit apo sjelljeve tjera me natyrë delikuente. Të gjitha këto mund të shpërthejnë në një moment të caktuar”, shprehet Thaçi.
Psikologu Thaçi potencon rëndësinë e arsimit dhe edukimit që nga fëmijëria, pasi kjo ndikon në zhvillimin e mëvonshëm të personalitetit në moshë të pjekur dhe se për këtë një rol të madh duhet ta kenë edhe institucionet përkatëse së bashku me vetë prindërit.
“Vlera e edukatës që i japim qysh në fëmijëri të hershme, vlera të instalimit të konceptit të dashurisë, drejtësisë, barazisë, jo nevoja që ta glorifikojmë detyrën që ne të jemi patjetër të ngritur dhe konkurrent ose mbi të tjerët në një fushë, dhe me arrogancë të përfitojmë atë. Aspekti i arsimimit, profesionalizmi në arsim, gjatë atyre objektivave që kanë karakter edukativ dhe kulturor në përgjithësi, bashkëpunimi me institucione tjera profesionale që njohin zhvillimin e personalitetit dhe objektivave shëndetësore ose mentale, të gjitha të ndërthura duhet të krijojnë një klimë të përshtatshme ku i riu është i orientuar më shumë në përvetësimin e vlerave të rëndësishme arsimore, konform të nevojave të tij fizike, shëndetësore, intelektuale dhe jo shthurje dhe jo në këto përcaktime për të përmbushur një pjesë të egos, pasi kjo ego shumë shpesh është një ego imagjinare dhe nuk kryen asnjë lloj funksioni praktik në jetën e tyre të përditshme”, tha Thaçi.
Ndryshe mbi 176 mijë vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç ose 37 për qind të totalit të vrasjeve në botë, sipas një raporti të OBSH-së në tetor 2023.
Vendi
Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit
Published
1 hour agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim Ekipin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNKT), të udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillim, Stephen O’Malley. Gjatë këtij takimi, vëmendje kryesore iu kushtua prioriteteve të Planit Strategjik të UNKT-së për periudhën 2026–2030, si dhe zbatimit të Agjendës 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.
Kryeministri Kurti vlerësoi lart faktin që prioritetet e këtij plani janë në përputhje të plotë me agjendën kombëtare të zhvillimit, duke mirëpritur vazhdimësinë e mbështetjes së OKB-së në vend. Gjatë diskutimit, ai vuri në dukje se ky partneritet është dëshmuar edhe përmes veprimeve konkrete financiare.
“Qeveria ka kontribuar edhe përmes bashkëfinancimit në programet e OKB-së në vend, duke nënvizuar përkushtimin e fortë të Kosovës ndaj bashkëpunimit me këtë organizatë,” ka thënë Kurti.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e UNKT-së prezantuan synimet për vitin 2026, duke shprehur gatishmërinë për të mbështetur institucionet e Kosovës si në aspektin zbatues, ashtu edhe në atë normativ. Fokus i veçantë në bisedë u vu mbi reformat dhe forcimin e kapaciteteve institucionale, ku agjencitë e OKB-së mund të japin kontributin e tyre profesional.
“Jemi të gatshëm të mbështesim Qeverinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e reformave, duke u fokusuar në fushat ku agjencitë tona mund të japin kontributin më të madh,” u theksua nga ana e përfaqësuesve të UNKT-së.
Takimi u përmbyll me dakordimin e të dyja palëve për të forcuar më tej mekanizmat e koordinimit dhe për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në dobi të proceseve zhvillimore të vendit.
Vendi
27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe
Published
1 hour agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Sot, kur shënohet 27-vjetori i masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe asaj në Burim të Malishevës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikujtuar viktimat e krimeve barbare të kryera nga regjimi serb në marsin e vitit 1999.
Përmes një komunikate për media, Presidentja Osmani ka theksuar se këto akte ishin pjesë e një makinerie vrasëse që synonte shfarosjen e popullit shqiptar, duke rikujtuar se më 31 mars 1999, në fshatin Pastaselë të Rahovecit, forcat serbe ekzekutuan brutalisht 106 civilë të pafajshëm.
E para e shtetit u shpreh se në Pastaselë u shpërfaqën përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor, duke e cilësuar këtë si një akt të qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli.
“Në Pastaselë të Rahovecit, 106 civilë të pafajshëm u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë, duke shpërfaqur përmasat e një mizorie që tejkalon çdo kufi njerëzor. Ishte një akt i qëllimshëm kundër jetës, dinjitetit dhe vetë ekzistencës së një populli,” u shpreh Osmani.
Ajo kujtoi gjithashtu se nga kjo masakër mbijetuan vetëm 13 persona, të cilët sot mbajnë mbi supe peshën e rëndë të dëshmisë për tmerrin e përjetuar.
Në të njëjtën ditë, makineria vrasëse e Serbisë goditi edhe fshatin Burim të Malishevës, ku u ekzekutuan mizorisht 42 civilë të tjerë.
Presidentja potencoi se pa drejtësi nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme, duke bërë thirrje që autorët e këtyre krimeve të dalin para përgjegjësisë dhe duke përfunduar mesazhin e saj me nderimin se qoftë i përhershëm kujtimi për të rënët për liri.
Vendi
REL: Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj
Published
1 hour agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Tarifat e reja të energjisë elektrike të parapara të hyjnë në fuqi më 1 prill, pritet të shtyhen deri më 1 maj, ka bërë të ditur kryesuesi i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu.
“Tarifat aktuale të energjisë elektrike do të mbesin në fuqi gjatë muajit prill, ndërsa tarifat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj”, tha Fejzullahu për Radion Evropa e Lirë.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe përcaktimin vjetor të tarifave të energjisë elektrike, të cilat zakonisht shpallen më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Tre operatorët energjetikë në Kosovë, në muajin janar të këtij viti kanë kërkuar rritjen e tarifave të rrymës për vitin 2026.
Rritja e çmimit të rrymës është kërkuar nga Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) dhe Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).
KESCO ka kërkuar rritje mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026, por nga ZRRE-ja thanë se ende nuk ka ndonjë shifër se sa do të jetë përqindja e rritjes së çmimit.
Për rritjen e kësaj përqindjeje, KESCO është thirrur në sasinë e madhe të importit të energjisë elektrike.
Po ashtu, Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK), thuhet në aplikim, ka paraparë vazhdimin e projekteve të rehabilitimit të njësive gjeneruese, kësaj radhe në termocentralin Kosova B, njësia B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh, krahasuar me pesë muaj më 2025 për njësinë B2.
Kjo situatë sipas KESCO-s pritet që të kufizojë edhe prodhimin vendor dhe të rrisë varësinë nga importi.
Arsye tjetër në dokument përmendet edhe rritja e pagës minimale nga Qeveria e Kosovës.
Zyrtarë të ZRRE-së, në janar të këtij viti, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se “kërkesat do t’iu nënshtrohen shqyrtimit dhe se do të aprovohen vetëm kostot që vlerësohen si të arsyeshme”.
Sipas aplikimit të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.
Vitin e kaluar, KESCO kishte kërkuar të hyra të lejuara maksimale rreth 448 milionë euro, ndërsa ZRRE-ja kishte aprovuar rreth 436 milionë euro.
Ndërkaq, KEDS-i ka kërkuar 235 milionë euro apo 21 milionë euro më shumë se sa kërkesa fillestare e vitit të kaluar që ishte 214 milionë euro. Ndërsa, vitin e kaluar, ZRRE-ja i kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro.
Kurse kërkesa e KOSTT-it, që tha se synon të ofrojë shërbime më cilësore për konsumatorët, është mbi 99 milionë euro, nga rreth 102 milionë euro sa ishte vitin e kaluar. Vitin paraprak, ZRRE-ja kishte aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88 milionë euro.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin paraprak.
Sipas tarifave aktuale, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë në muaj paguajnë 9.05 centë për kilovat, ndërsa ata që shpenzojnë mbi këtë prag paguajnë 15.43 centë për kilovat.
Kurse tarifat e lira që shfrytëzohen gjatë natës nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, konsumatorët për një kilovat paguajnë 3.88 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë.
Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë paguajnë 7.28 centë për kilovat./REL/
Lajmet
BBC: “Kosova në eufori” – Ndeshja me Turqinë konsiderohet dita më e madhe që nga Pavarësia
Published
2 hours agoon
March 31, 2026By
UBTNews
Mediumi prestigjioz britanik, BBC, i ka kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme përballjes së sontme të “Dardanëve”, duke e cilësuar rrugëtimin e Kosovës si një histori suksesi që ka lënë pa fjalë botën e futbollit.
Nga izolimi te pragu i Botërorit
BBC shkruan se vetëm dhjetë vjet më parë, Kosova nuk kishte luajtur asnjë ndeshje kualifikuese, ndërsa sot gjendet vetëm 90 minuta larg pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror 2026. Ky progres cilësohet si “i pabesueshëm” për një komb që u njoh nga FIFA dhe UEFA vetëm në vitin 2016.
“Fadil Vokrri” i vogël për ëndrrën e madhe
Në artikull citohet përzgjedhësi Franco Foda, i cili tregon për kërkesën e çmendur të tifozëve për të qenë të pranishëm në stadiumin e kryeqytetit:
“Kemi një stadium vetëm për 13,000 spektatorë, por po të ishte e mundur, do të ishin 100,000. Të martën kemi një lojë historike. Jemi në eufori, por duhet të luajmë me qetësi,” ka thënë Foda për BBC.
Më shumë se futboll: Pesha historike
Për shumë kosovarë, kjo ndeshje tejkalon sportin. Analisti Arben Berisha, në një prononcim për BBC-në, ka theksuar rëndësinë kombëtare të këtij momenti:
“Disa e kanë quajtur të martën ditën më të madhe në historinë e Kosovës që kur u shpall pavarësia në vitin 2008. Kjo mund të jetë dita e tretë historike: Çlirimi në 1999, Pavarësia në 2008 dhe tani kualifikimi në Botëror.”
Rrugëtimi i vështirë dhe krenaria kombëtare
BBC ka biseduar edhe me ish-kapitenin Anel Rashkaj, i cili kujton kohërat kur lojtarët duhej të luftonin me klubet e tyre vetëm për t’u lejuar të veshin fanellën e Kosovës:
“Kemi kaluar kohë shumë të vështira me luftën dhe problemet ekonomike. Kombëtarja u ka dhënë këtyre njerëzve ndjenjën se jemi të fortë, se mund të bëjmë emër në Evropë. Na bën krenarë që njerëzit shohin se kosovarët kanë shumë për t’i dhënë botës,” u shpreh Rashkaj.
Lufta në Iran: Çfarë po ndodh në ditën e 32-të të sulmeve SHBA-Izrael?
Kurti pret ekipin e OKB-së: Diskutohet Plani Strategjik 2026–2030 dhe forcimi i bashkëpunimit
27 vjet nga mizoria serbe në Rahovec e Malishevë, Osmani: Pa drejtësi s’ka paqe
REL: Tarifat e reja të rrymës shtyhen për 1 maj
BBC: “Kosova në eufori” – Ndeshja me Turqinë konsiderohet dita më e madhe që nga Pavarësia
REL: NATO përgënjeshtron Rusinë për militarizimin e Ballkanit Perëndimor
Asllani “gati për finalen”: Postimi emocionues me legjendën Vokrri
DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 31 mars, në vitet nëntëdhjetë
Dua Lipa kuratore e “London Literature Festival 2026”
Të kërkuara
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
