Aktualitet

Ringjallja e raporteve ShBA – Gjermani, pritet takimi Biden – Merkel

Published

on

Ftesa për kancelaren Merkel në Uashington ndriçon renditjen strategjike të aleatëve nga SHBA. Zhvillimi i marrëdhënieve do të ndikohet nga pritjet amerikane dhe përgjigjet gjermane.

Vizita e kancelares Angela Merkel në Uashington ka rëndësi praktike: ajo pritet të kontribuojë në rigjallërimin e marrëdhënieve SHBA- Gjermani. Njëkohësisht vizita flet me simbolikën e saj. Ajo evidenton mënyrën si i qaset botës sot administrata Biden, si edhe renditjen strategjike që presidenti Biden u bën aleatëve të SHBA.

Presidenti Biden ka ftuar deri tani në Uashington liderët e atyre vendeve ku SHBA-të kanë të stacionuara numrin më të madh të ushtarëve amerikanë në botë. Më shumë ushtarë amerikanë SHBA kanë të stacionuar në Japoni, më tej në Korenë e Jugut dhe pastaj në Gjermani. Bideni ka ftuar deri tani kryeministrin e Japonisë dhe presidentin e Koresë së Jugut. Tani po fton kancelaren e Gjermanisë Merkel.

Dy liderët e parë të ftuar janë aleatët kryesorë të SHBA për arkitekturën e sigurisë në Azi. Atje SHBA e shohin veten përballë “konkurencës ekstreme” të Kinës, siç është shprehur Bideni. Kurse nga Evropa dhe BE, Bideni po pret të parën kancelaren e Gjermanisë.

Vizita në 15 korrik është cilësuar nga Shtëpia e Bardhë si „vizitë pune”. Në të do të diskutohen që nga pandemia dhe klima e deri të siguria e mirëqënia ndërkombëtare. Disa analistë evropianë e shohin vizitën e Merkelit në Uashington si dëshmi të një boshti të ri Berlin-Uashington. Ata janë të bindur se presidenti Biden ka zgjedhur Gjermaninë si adresën e preferuar në Evropë.

A do ta formësojë në të ardhmen politikën një bosht Berlin-Uashington?

Një bosht politik Berlin-Uashington është i mundur. Ai do të ishte një zhvillim i mirëpritur, jo vetëm nga shqiptarët në Ballkan. Megjithatë, për momentin si SHBA, ashtu edhe Gjermania janë në fazën kur po përpiqen t’i ristartojnë marrëdhëniet bilaterale. Në një konferencë shtypi së fundi (23.06.) kancelarja Merkel tha se në Cornwall, në samitin e G7-ës, në takimin me presidentin Biden kishte gjetur një bazë për të vepruar së bashku në sfidat gjeopolitike në botë. Ndër to ajo përmendi Rusinë dhe Kinën. Por me Bidenin ajo kishte diskutuar edhe se cila aleanca mund të lidhen.

“SHBA-të nuk kanë partnere më të mirë dhe mike më të mirë se Gjermaninë”, tha ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken në vizitën e tij prezantuese në Gjermani (23.06.).

Në këto gjashtë muajt e fundit, Presidenti Biden është përpjekur të riparojë sa më shumë deformimin e shkaktuar nga administrata Trump, në raportin me Gjermaninë. SHBA e ndali tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania, të vendosur nga Trumpi, dhe madje e shtoi numrin e ushtarëve në Gjermani.

Së dyti, SHBA-të hoqën sanksionet amerikane kundër gazsjellësit Nordstream 2 dhe nuk vendosën sanksione të tjera. Ministria e jashtme amerikane tha se kjo është në dobi të “interesave kombëtare” të SHBA dhe të raporteve me Berlinin.

Presidenti Biden tha në fund të majit (26.05.) se ka qenë që prej fillimit kundër Nordstream 2 dhe është kundër tij. Por tani ky projekt thuajse ka përfunduar.  Bideni tha se sanksionet do të kishin qenë “kundërproduktive” për raportin me Evropën.

Së treti, Bideni ka caktuar një akademike si ambasadore të re në Gjermani: presidenten e Universitetit të Pensilvanisë, Amy Gutmann. Profesorët dhe akademikët gëzojnë përgjithësisht vlerësim të lartë në Gjermani, edhe ambasadorja Guttman është pritur me vlerësim në mediet gjermane. SHBA-të e kanë pasur traditë që dërgonin në Gjermani përfaqësues të botës akademike, kur kanë qenë të interesuara për forcimin e marrëdhënieve me Gjermaninë.

Takimi Biden-Merkel mund të konkretizojë pritjet amerikane ndaj Gjermanisë.

Çfarë presin amerikanët tani në këmbim nga Gjermania? Në këtë çështje mund të hidhet dritë pas takimit në Uashington. SHBA-të e kuptuan se presioni ndaj një aleati si Gjermania, ndonëse i argumentuar për amerikanët, po shkaktonte më shumë deformim të marrëdhënieve. Ai arriti të trondisë lidhjen me një aleat të sigurtë të SHBA-së. Hapat e deeskalimit të presidentit Bidenit dëshmojnë padyshim vullnet të mirë të tij ndaj Gjermanisë. Njëkohësisht, në thelb, ato eleminojnë disa anomali të panevojshme në marrëdhëniet SHBA-Gjermani.

Gjermania përfiton. nga trupat amerikane në Gjermani. Por do të përfitojë edhe SHBA, të cilët përdorin investimet milardëshe ushtarake të bëra për mbi 50 vjet në Gjermani. Ndërsa për rezervat gjeopolitike ndaj gazsjellësit Nordstream 2, Gjermania do të ofrojë kompensim.

Gjermania është sot fuqia më e madhe ekonomike dhe politike e Bashkimit Evropian. Gjermania mbetet e përmbajtur për t’i mbrojtur ushtarakisht interesat e saj, në dallim nga Franca apo Britania e Madhe. Por fuqia e saj dhe roli i saj në Evropë janë të pamohueshme. Kjo do të thotë se nuk mjafton më që me rikthimin e gjeopolitikës në politikën ndërkombëtare, Gjermania të trajtohet me mendësinë e luftës  së ftohtë.

Në janar të këtij viti (26.01.), kancelarja Merkel kujtoi në një konferencë shtypi se me SHBA-në diskutime do të ketë, se “Joe Biden përfaqëson interesat e SHBA-së, kurse unë përfaqësoj interesat e RFGJ”. Presidenti Biden është i ndërgjegjshëm për raportet. “Nuk është se unë kam mundësi të lejoj Gjermaninë ta bëjë diçka apo të mos e bëjë”, tha Bideni në maj, lidhur me Nordstream2.

Ndoshta për të kërkuar më shumë nga Gjermania e sotme, p.sh. ndikimin që Bashkimi Evropian të mos afrohet me Kinën, SHBA mund të bëjë hapa të tjerë. P.sh. të mbështesin aktivisht kandidaturën gjermane për një vend të përhershëm në KS të OKB-së. Siç deklaruan së fundi se do të bëjnë britanikët. Mund të pasojë edhe zbutja e disa sanksioneve tregtare të SHBA ndaj BE, të vendosura nga presidenti Trump.

SHBA-të vlerësojnë rolin e Merkelit dhe mendojnë për të ardhmen!

Me ftesën në Uashington, SHBA i njohin kancelares Merkel rolin e saj si partnere e besueshme dhe e parashikueshme në veprime, edhe në marrëdhëniet me SHBA, në 16 vitet e saj si kancelare. Angela Merkel do të largohet nga politika në shtator. Shtëpia e Bardhë tani dëshiron të vendosë piketa bashkëpunimi për pasardhësit e saj.

SHBA-të janë të ndërgjegjshme për rolin drejtues të Gjermanisë në kohezionin e BE. Gjermania ka rol parësor në qëndrimin e BE ndaj Rusisë dhe në avancimin e lidhjeve ekonomike me Kinën. Presidenti Biden në takimin e G-7, tha se dëshiron të riforcojë marrëdhëniet me BE. Dhe së fundi, gjermanët kanë qenë që pas Luftës së Dytë botërore, aleatë besnikë të SHBA-së.

‘Sovraniteti evropian’ dhe qëndrimi i SHBA-së

Amerikanët janë të interesuar që evropianët t’i plotësojnë amerikanët. Por duan që evropianët t’i dublojnë apo konkurojnë  amerikanët sa më pak. SHBA-të janë të interesuara që Evropa të ketë stabilitet, po t’u duhet amerikanëve të fokusohen në Azi.

Për këtë amerikanët kanë pritje ndaj Gjermanisë, edhe ushtarakisht. Koncepti i sovranitetit evropian nuk është përpunuar deri në detaje, si do të materializohet. Por është fakt se që prej presidencës së Trumpit, në BE flitet gjithnjë e më shumë për “sovranitet evropian”. Kryesisht nga Gjermania dhe Franca.

Evropianët duan të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim. Edhe pasi në SHBA, pas Bidenit, mund të vijë në pushtet sërish një populist.

Për çdo rast, në BE tani kanë nisur në fushën ushtarake projekte të përbashkëta të shteteve. Është vënë baza edhe e një fondi të përbashkët për industrinë e mbrojtjes.

Lajmet

Rrënohet shtëpia në rrugën “A” në Prishtinë, banorët kundërshtojnë aksionin e Komunës

Published

on

By

Rrënimi i një shtëpie në rrugën “A” në Prishtinë ka nxitur pakënaqësi dhe reagime të ashpra nga banorët e lagjes, të cilët akuzojnë Komunën e Prishtinës për mungesë konsultimi dhe komunikimi para se të ndërmerrte këtë veprim. Banorët e zonës i kundërshtojnë vendosmërisht pretendimet e autoriteteve komunale se toka ku ishte ndërtuar objekti është pronë publiko-komunale.

Fadil Krasniqi, banor i lagjes, ka deklaruar se familjet janë vendosur në këtë zonë që nga viti 2000 dhe se toka është blerë me rrugë të rregullta nga pronarët e mëparshëm, ndonëse dokumentacioni nuk ishte përkthyer zyrtarisht në emër të tyre. Ai akuzoi drejtuesit e komunës se nuk u kanë dalë në takime dhe se me këtë ndërhyrje po dëmtojnë qytetarët që kanë investuar prej dekadash në ato shtëpi. Sipas tij, vendimi për rrënim nuk ka të bëjë me mbrojtjen e banorëve, por me presione nga interesa të caktuara, raporton Ekonomia Online.

Aksioni për rrënimin e objektit ishte paraparë të kryhej më herët gjatë javës, por fillimisht u bllokua nga vetë pronari i shtëpisë, Faruk Maxhuni, i cili refuzoi të largohej. Maxhuni dhe bashkëshortja e tij kishin ngritur shqetësimin se punimet e reja infrastrukturore po e dëmtonin dhe po e rrezikonin drejtpërdrejt stabilitetin e shtëpisë së tyre, duke kërkuar ndërhyrjen e Policisë dhe Inspektoratit komunal.

Në përgjigje të këtyre pakënaqësive, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka sqaruar se shtëpia në fjalë është ndërtuar pa leje përkatëse dhe ndodhet tërësisht në pronë komunale. Rama theksoi se vendimi për evakuimin e banorëve është marrë më shumë se dy vite më parë për shkak të rrezikut të lartë nga rrëshqitja e dheut si pasojë e punimeve në rrugën “A”.

Ai shtoi se kryeqyteti po vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos rrezikojnë jetën e tyre duke hyrë në zona të rrezikshme ndërtimi, duke nëvizuar se prona publike është po aq e shenjtë sa ajo private dhe meriton mbrojtje ligjore. /Ekonomia online/

Continue Reading

Lajmet

Javë me bilanc tragjik në rrugë: 9 të vdekur nga aksidentet

Published

on

By

Një seri aksidentesh të rënda trafiku kanë tronditur me pamjet dhe pasojat e tyre opinionin publik përgjatë kësaj jave, duke lënë të vdekur gjithsej 9 persona në rrugët e Kosovës dhe në rajon.

Bilanci më i rëndë i kësaj jave të zezë u shënua në Maqedoninë e Veriut, ku tre qytetarë nga Kosova humbën jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni. Ndërkohë, vala e aksidenteve fatale vazhdoi edhe brenda territorit të Kosovës. Në Istog u shënua një tjetër ngjarje e rëndë ku vdiqën dy persona, ndërsa vetaksidente me pasoja fatale për jetën u raportuan gjithashtu në afërsi të Komoranit dhe në Shirokë të Suharekës.

Listës së viktimave iu shtuan edhe dy gra: njëra prej të cilave ndërroi jetë disa ditë pas një aksidenti të rëndë në Mitrovicë, ndërsa tjetra humbi jetën mëngjesin e sotëm në fshatin Studime të Vushtrrisë.

Duke marrë parasysh këtë bilanc të dhimbshëm që ka ngritur alarmat mbi sigurinë rrugore, autoritetet kanë nisur hetimet për secilin rast për të sqaruar rrethanat e sakta. Njëkohësisht, policia u ka bërë sërish thirrje urgjente të gjithë drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes maksimal, t’i përshtaten kushteve të rrugës dhe të shmangin shpejtësinë e pakujdesinë që po e kthen komunikacionin në një rrezik konstant për jetën. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

REL: BE-ja arrin pajtueshmëri për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë

Published

on

By

Vendet e Bashkimit Evropian janë pajtuar për paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, duke vendosur kufizime ndaj sektorit bankar rus, por njëkohësisht duke arritur një kompromis me Greqinë për t’i zbutur kufizimet ndaj gazit të lëngshëm natyror (LNG) rus, thanë të enjten katër diplomatë të BE-së.

Paketa ofron një përjashtim njëvjeçar që u lejon kompanive të BE-së të transferojnë gaz të lëngshëm natyror nga Rusia drejt vendeve të treta, me mundësi rinovimi automatik, pas kërkesave të Greqisë.

Për miratimin e sanksioneve kërkohet njëzëshmëria e shteteve anëtare.

“Shtetet anëtare treguan solidaritet me Greqinë dhe pritet që Greqia ta bëjë të njëjtën gjë me të tjerët në të ardhmen”, tha një diplomat i BE-së.

Athina tha se ndalimi i ardhshëm i shërbimeve të transferimit të LNG-së ruse drejt vendeve të treta thjesht do ta zhvendoste pjesën e tregut jashtë Evropës dhe nuk do të ndikonte në të ardhurat e Rusisë.

Masa pritej të hynte në fuqi më 1 janar. Importet e LNG-së ruse nga BE-ja do të mbeten të ndaluara nga kjo datë. Greqia mbizotëron tregun evropian të transportit detar të LNG-së dhe është ndër aktorët më të mëdhenj globalë në këtë fushë, duke konkurruar me Japoninë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Paketa përfshin ngrirjen për 12 muaj të kufirit të çmimit të naftës ruse në 44.10 dollarë për fuçi. Një rishikim i planifikuar do të kishte rritur kufirin e çmimit pas luftës në Iran, duke i siguruar Moskës të ardhura dukshëm më të larta.

“Ne po… ngrijmë për një vit rregullimin e kufirit të çmimit të naftës, në mënyrë që makineria ruse e luftës të mos përfitojë nga goditjet në treg”, shkroi në platformën X presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Paketa vendos në listën e sanksioneve 94 institucione financiare ruse – kryesisht banka – si dhe bursën e Moskës.

Pas miratimit përfundimtar, këto subjekte do t’i nënshtrohen plotësisht masave ndëshkuese, që përfshijnë ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimeve dhe kufizime për transaksionet financiare.

Kufizimet synojnë sektorin bankar, me qëllim që të ushtrohet presion mbi sistemin financiar rus, në një periudhë që BE-ja e konsideron të cenueshme për ekonominë e Rusisë.

Përveç kësaj, paketa për herë të parë synon anijet që ndihmojnë flotën e fshehtë të Rusisë dhe ndalon transaksionet me më shumë platforma të kriptomonedhave dhe kompani të tregtimit të naftës. /REL/

Continue Reading

Aktualitet

SHBA-ja dhe Arabia Saudite nënshkruajnë marrëveshje historike bërthamore

Published

on

By

Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një marrëveshje historike, e cila raportohet se do t’i lejojë mbretërisë së Gjirit të zhvillojë një program bërthamor civil.

Marrëveshja përshkruhet si një “marrëveshje bashkëpunimi paqësor bërthamor” që do t’u sigurojë “qasje të madhe kompanive amerikane në programin saudit të energjisë bërthamore”, sipas Departamentit amerikan të Energjisë.

Teksti i marrëveshjes nuk është bërë publik, por mediat amerikane kanë raportuar se ajo mund t’i lejojë Arabisë Saudite të pasurojë uranium në të ardhmen — i cili mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet elektrike, por edhe për prodhimin e bombave bërthamore.

Ekspertët thonë se kjo do të shënonte një precedent të parë për SHBA-në dhe mund të bartë rrezikun e përhapjes së ardhshme bërthamore në një rajon që tashmë është i paqëndrueshëm.

Departamenti i Energjisë i SHBA-së vuri në dukje se së bashku me marrëveshjen e bashkëpunimit, u nënshkrua gjithashtu një “marrëveshje dypalëshe e garancive”.

“Së bashku, këto dy marrëveshje vendosin bazën ligjore për një partneritet dekadash, me vlerë miliarda dollarësh, i cili çon përpara disa objektiva kryesore ekonomike dhe strategjike, përfshirë mospërhapjen e armëve bërthamore,” thuhet në deklaratë.

Qeveria saudite po ashtu lëshoi një deklaratë, ku tha se marrëveshja “përfaqëson një vazhdimësi të bashkëpunimit ekzistues mes dy vendeve në sektorin e energjisë”, si dhe vuri në dukje se ajo vjen pasi udhëheqësi saudit vizitoi Uashingtonin në nëntorin e kaluar.

Njoftimi vjen në një kohë kur luftimet mes SHBA-së dhe Iranit po përshkallëzohen. Arabia Saudite, një aleate e kahershme e SHBA-së, strehon disa baza amerikane, të cilat kanë qenë shënjestër e sulmeve iraniane. Gjithashtu, ky vendim vjen dy ditë pasi aleatët e Iranit në Jemen, Huthit, njoftuan një “bllokadë detare” kundër mbretërisë saudite.

Detaje specifike të marrëveshjes bërthamore nuk janë dhënë, por raportimet e mëparshme mediatike sugjeronin se, pas kryerjes së një studimi të përbashkët me SHBA-në, Arabisë Saudite mund t’i lejohet të pasurojë uranium në territorin e saj për të prodhuar lëndë djegëse në një impiant të ndërtuar nga SHBA-ja, në vend që të mbështetet në karburant të importuar.

Kjo mund të vlejë miliarda dollarë për SHBA-në, kompanitë e së cilës mund të përfshihen në ndërtimin e një impianti për prodhimin e uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret si lëndë djegëse për centralet elektrike, por edhe për prodhimin e bombave bërthamore.

“Jini të sigurt se këto marrëveshje ruajnë standardet më të larta të sigurisë bërthamore dhe mospërhapjes së armëve, ndërsa mbështeten në teknologjinë dhe shkencëtarët më të mirë bërthamorë në botë, të projektuar pikërisht këtu në Shtetet e Bashkuara,” tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara