Dy punonjës amerikanë të ndihmës humanitare nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i cili mbështet nga Izraeli, u plagosën gjithashtu në jug të Gazës pasi persona të panjohur hodhën granata ndaj tyre në një pikë të shpërndarjes së ushqimit, tha organizata.
Kjo gjakderdhje ndodhi në një kohë kur përpjekjet për armëpushim të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, që synojnë t’i japin fund luftës pothuajse 21-mujore, duket se po fitojnë vrull.
Hamas – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – dha përgjigje “pozitive” të premten në mbrëmje për propozimin e fundit amerikan për një armëpushim 60-ditor, por tha se nevojiten më shumë bisedime për zbatimin e tij.
Hamas po kërkon garanci që armëpushimi fillestar do të çojë drejt një fundi të plotë të luftës dhe tërheqjes së trupave izraelite nga Gaza.
Presidenti amerikan, Donald Trump, po shtyn për një marrëveshje dhe pritet ta mirëpresë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Shtëpinë e Bardhë javën e ardhshme për të biseduar për një marrëveshje.
Sulmet ajrore izraelite goditën tenda në zonën Muvasi në skajin jugor të bregut mesdhëtar në Gazë, duke vrarë shtatë njerëz, përfshirë një mjek palestinez dhe tre fëmijët e tij, sipas Spitalit Nasser në Han Junis.
Katër të tjerë u vranë në qytetin Bani Suheila në jug të Gazës, dhe tre njerëz të tjerë u vranë në tri sulme të ndryshme në Han Junis.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar këto sulme.
Ndërkohë, tetë palestinezë u vranë pranë një pike të GHF-së për shpërndarjen e ndihmave në qytetin jugor të Rafahut, sipas spitalit. Një palestinez tjetër u vra pranë një tjetër pike të GHF-së në Rafah.
GHF-ja e mohoi që vrasjet të kenë ndodhur pranë pikave të saj shpërndarëse. Më parë, organizata ka thënë se askush nuk është qëlluar pranë pikave të saj, të cilat ruhen nga kontraktorë privatë, por në to mund të arrihet vetëm duke kaluar pranë pozicioneve ushtarake izraelite qindra metra larg.
Një palestinez tjetër u vra duke pritur në radhë për kamionët me ndihma në lindje të Han Junisit, sipas zyrtarëve të Spitalit Nasser.
GHF-ja tha se dy punonjësit amerikanë të ndihmës u plagosën të shtunën në mëngjes në një pikë për shpërndarjen e ndihmave në Han Junis. Sulmuesit hodhën granata ndaj punonjësve të ndihmës, thuhej në deklaratë.
GHF-ja më vonë postoi një fotografi të mbetjeve të mjetit shpërthyes dhe pretendoi, pa dhënë prova, se ishte shpërthyer nga militantë të Hamasit.
GHF-ja shpërndan ndihma nga katër pika të rrethuara nga trupat izraelite, tre prej të cilave ndodhen në skajin jugor të Gazës.
Ajo është një nismë e mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli, që synon ta anashkalojë OKB-në.
Izraeli thotë se Hamasi ka përvetësuar ndihmat e dërguara nga OKB-ja, një pretendim që OKB-ja e mohon.
Hamasi u ka bërë thirrje palestinezëve të mos bashkëpunojnë me GHF-në.
Lufta në Gazë nisi kur militantët e udhëhequr nga Hamas sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke rrëmbyer 251 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë thotë se lufta izraelite pas 7 tetorit i ka vrarë mbi 57.000 palestinezë.
Lufta ka shkaktuar gjithashtu krizë urie, ka zhvendosur tërë popullsinë e Gazës dhe ka nxitur akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale./REL