Botë

Rënia e tarifave dobëson Trumpin në bisedimet me Kinën

Published

on

Të përballesh dhëmbë për dhëmbë me një autokrat mund të jetë e vështirë nëse vetëm po bën sikur je i gjithëfuqishëm. Ky është mësimi që Donald Trump duhet të mbajë parasysh tani që Gjykata e Lartë ka rrëzuar shumicën e tarifave të presidentit amerikan mbi importet nga Kina, udhëheqësi i së cilës, Xi Jinping, tani duket edhe më i rryer për lojën e tij të ashpër në bisedimet tregtare gjatë vitit të kaluar. Të dyja palët e kuptojnë se udhëheqësi amerikan ka një pozicion më të dobët përpara një takimi ballë për ballë në Pekin muajin e ardhshëm, edhe pse ai ka ende mjaft leva për të përdorur në betejën e tij kundër dëshirës së konsumatorëve amerikanë për mallra kineze me kosto të ulët.

Analistët në Citigroup vlerësojnë se sapo të merren parasysh taksat globale prej 15% të Trumpit të shpallura të shtunën, vendimi i gjykatës i ul tarifat efektive mbi eksportet kineze me rreth 5 pikë përqindjeje, në 26%. Ky është niveli i tyre më i ulët që kur ai bëri rritjen e parë të tarifave ndaj Kinës në mandatin e tij të dytë, më 2 shkurt 2025. Edhe më keq për Trumpin, tarifat zëvendësuese të “Seksionit 122” që parandaluan rënien e këtyre taksave deri në 11%, zgjasin vetëm 150 ditë. Kjo mund të inkurajojë negociatorët kinezë të përmbahen nga marrja e çfarëdo angazhimi të prerë në samitin e ardhshëm midis udhëheqësve të dy fuqive të mëdha, i planifikuar aktualisht për 31 mars deri më 2 prill.

Trump ka ende disa letra për të luajtur: hetimet mbi praktikat e pretenduara të padrejta tregtare nga Kina, që tashmë janë në vijim, mund të rrisin fuqinë e të ashtuquajturave tarifa të “Seksionit 301” që mund të zëvendësojnë taksat e përkohshme. Kjo mund të ndihmojë disi kur të tentohet arritja e një marrëveshjeje të favorshme që garanton rrjedhën e lëndëve të rralla kineze drejt prodhuesve amerikanë në shkëmbim të aksesit kinez në gjysmëpërçuesit e SHBA-së.

Por Shtëpia e Bardhë ka humbur kërcënimin e tarifave “në çdo kohë, kudo” që përdorte më parë sipas dëshirës, jo vetëm kundër Kinës, por edhe kundër çdo aleati që kishte marrëdhënie me rivalin kryesor gjeopolitik të Amerikës. Premtimi i Trumpit muajin e kaluar për të vendosur tarifa të përgjithshme prej 100% mbi Kanadanë nëse ajo vazhdon me një marrëveshje paraprake tregtare me Kinën, për shembull, tani duket si një fishekzjarr i lagur. Përpjekjet e ardhshme për të detyruar partnerë të tjerë tregtarë si Bashkimi Evropian në një aleancë tregtare të rëndë kundër Pekinit gjithashtu duken më të vështira, ashtu si edhe rritjet e papritura ndëshkuese kundër ri-eksportuesve të mallrave kineze si Vietnami.

Avantazhet e Pekinit, ndërkohë, mbeten të forta. Shanset që Gjykata e Lartë Popullore e Republikës Popullore të Kinës të rrëzojë tarifat aktuale mbi mallrat amerikane janë praktikisht zero. Eksportuesit kinezë janë riorientuar me sukses drejt tregjeve të tjera të zhvilluara dhe atyre në zhvillim gjatë vitit të kaluar, të nxitur nga armiqësia dypartiake në Uashington: Kina e mbylli vitin 2025 me një tepricë tregtare rekord prej 1.2 trilionë dollarësh. Dhe fushata më shumë se dhjetëvjeçare e Xi-t për të centralizuar pushtetin shtetëror e ka vendosur atë në një pozicion komandues kundrejt udhëheqësit amerikan të sapoponuar. Duke supozuar, natyrisht, se takimi i shumëpritur nuk do të anulohet. /Reuters/

 

Continue Reading

Live

Alarm pasigurie në Evropë: Kërcënime për bomba në katër shtete shtyjnë autoritetet të rrisin masat e sigurisë

Published

on

By

Një seri kërcënimesh të rreme për bomba ka përfshirë katër vende evropiane – Danimarkën, Çekinë, Rumaninë dhe Irlandën – duke prekur aeroporte, fluturime pasagjerësh dhe selinë e transmetuesit publik irlandez RTE.

Incidentet vijnë pas një jave të ngarkuar me alarme të ngjashme, ku më shumë se 20 fluturime kanë pranuar kërcënime anonime, duke detyruar devijimin e disave prej tyre.

Në Rumani, një avion i kompanisë “TAROM” që udhëtonte nga Praga për në Bukuresht mori kërcënim për bombë, mirëpo vazhdoi fluturimin dhe u ul i sigurt në destinacion, ku autoritetet konfirmuan se alarmi ishte i rremë.

Në Danimarkë, policia forcoi praninë në aeroportin e Kopenhagës për të dytën ditë me radhë pas kërcënimeve ndaj trafikut ajror, duke njoftuar se situata mbetet nën kontroll dhe fluturimet po zhvillohen normalisht.

Në Çeki, policia ndërmori masa shtesë sigurie në bashkëpunim me aeroportin “Vaclav Havel” të Pragës pas sinjaleve të reja ndaj avionëve.

Në Irlandë, selia e televizionit publik RTE në Dublin u evakuua pas një kërcënimi për bombë, gjë që solli ndërprerjen e transmetimeve të drejtpërdrejta. Policia irlandeze konfirmoi se po heton kërcënimet e drejtuara ndaj mediave atje dhe në Evropë.

Vëllimi i madh i kërcënimeve brenda një kohe të shkurtër konsiderohet i pazakontë nga ekspertët e sigurisë. Incidentet po ndodhin në një periudhë tensionesh të larta gjeopolitike dhe paralajmërimesh se rajoni mund të jetë cak i sulmeve hibride. /BBC/

Continue Reading

Live

Shtëpia e Bardhë mohon zërat për largimin e Hegseth dhe Rubio pas humbjes së republikanëve në zgjedhje

Published

on

By

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë zyrtarisht spekulimet se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, mund të largohen nga detyrat e tyre në kuadër të një riorganizimi të administratës Trump pas zgjedhjeve të fundit.

Njoftimet në mediat amerikane kishin sugjeruar thirrje për zëvendësimin e Hegseth, veçanërisht për shkak të menaxhimit të luftës me Iranin, e cila po cilësohet si shkaktarja kryesore e humbjeve të thella të Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit. Si pasojë e këtyre zgjedhjeve, Demokratët kanë marrë kontrollin e plotë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit amerikan.

Një kongresmen republikan në largim ka kërcënuar se do të spastrojë rrugën për një votim shkarkimi (impeachment) ndaj Hegseth që javën e ardhshme. Megjithatë, Sekretari i Mbrojtjes ka publikuar një video-deklaratë ku mbron punën e tij dhe dënon këto përpjekje.

“Ata më sulmojnë mua dhe na sulmojnë ne sepse jemi efektivë. Kjo nuk do të funksionojë. Ne nuk do të terhiqemi”, deklaroi Hegseth.

Edhe pse si presidenti Donald Trump ashtu edhe zëvendëspresidenti JD Vance kanë fajësuar luftën në Iran për rezultatin zgjedhor, Trump konfirmoi se ka ndërmend ta mbajë Hegseth në detyrë, duke vlerësuar punën e tij gjatë muajve të kaluar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka përgënjeshtruar raportimet se po planifikon dorëheqjen për t’u përgatitur për një garë të mundshme presidenciale në vitin 2028.

“Të punoj për Trumpin deri në fund të mandatit ka qenë gjithmonë plani im. E dua punën që po bëj. Po ashtu gjithmonë qesh kur thonë se ai do të largohet nga puna. Unë pyes: ‘Cilën punë?'”, tha Rubio për The New York Times.

Të dyja institucionet, Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, i kanë cilësuar si “lajme të rreme” zërat për largimin e mundshëm të Rubios./BBC/

 

Continue Reading

Live

Alarm për bombë në fluturimin Dublin–Romë: Avioni i “Aer Lingus” devijohet me urgjencë drejt bazës ushtarake në Francë

Published

on

By

Një aeroplan pasagjerësh i kompanisë “Aer Lingus” i llojit Airbus A320, i cili po udhëtonte nga Dublini drejt Romës, është devijuar me urgjencë drejt bazës ajrore Évreux në Fauville të Francës, pas marrjes së një alarmi për kërcënim me bombë.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeministrit të Francës, Sébastien Lecornu, e cila bëri me dije se autoritetet franceze po e monitorojnë situatën nga afër dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë.

“Po e monitorojmë nga afër situatën në lidhje me avionin e devijuar pas një kërcënimi me bombë”, thuhet në deklaratën zyrtare të zyrës së kryeministrit francez.

Sipas të dhënave të fluturimit, avioni i fluturimit EI402 të “Aer Lingus” ishte nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Dublinit në orën 06:23 të mëngjesit dhe kishte si destinacion Aeroportin Fiumicino “Leonardo da Vinci” në Romë, ku parashikohej të ulej në orën 10:50. Autoritetet e sigurisë po kryejnë kontrollet e nevojshme në bazën ushtarake në Francë. /BBC/

Continue Reading

Lajmet

Demokratët premtojnë kontroll ndaj Trumpit pas fitores në zgjedhjet mesmandatit: Ditët e nënshtrimit kanë përfunduar

Published

on

By

Demokratët u zotuan se do të përdorin fitoren e tyre të thellë në zgjedhjet mesmandatit për të frenuar presidentin Donald Trump, duke paralajmëruar dy vite të mundshme bllokimi politik në Washington, ndërkohë që Trump e kaloi daljen e tij të parë publike pas zgjedhjeve duke prezantuar sallën e ballos që po ndërton në Shtëpinë e Bardhë.

Një valë pakënaqësie ndaj politikave të Trumpit, veçanërisht ndikimi i luftës SHBA-Iran në rritjen e kostos së jetesës, ndihmoi demokratët të marrin kontrollin e Senatit, ku ata përmbysën rezultatet në shtete me shumicë të thellë republikane duke siguruar një shumicë prej të paktën 54 me 44 vende. Gjithashtu, demokratët fituan të paktën 30 ulëse shtesë në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kjo do të jetë hera e parë që Trump përballet me një Kongres të kontrolluar plotësisht nga demokratët në të dyja dhomat.

Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, deklaroi se shumica e re do të fokusohet në përballueshmërinë e jetesës dhe llogaridhënien institucionale.

“Ne nuk punojmë për Donald Trumpin,” u shpreh para gazetarëve Jeffries, i cili pritet të bëhet kryetari i parë me ngjyrë i Dhomës së Përfaqësuesve. “Ne punojmë për popullin amerikan. Ditët kur Dhoma e Përfaqësuesve funksiononte si një degë në pronësi të plotë të administratës Trump kanë përfunduar.”

Në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili është shndërruar në një figurë me ndikim kombëtar mes demokratëve, publikoi një video në rrjetet sociale ku i bëri thirrje partisë së tij t’u përgjigjet shqetësimeve të votuesve të ngarkuar nga rritja e çmimeve.

“Nuk mjafton vetëm fitimi i pushtetit. Ne duhet ta përdorim atë,” tha Mamdani. “Tani është koha që ne në Partinë Demokrate të japim rezultate”, tha ai.

Nga ana tjetër, Trump – i cili daljen e tij të fundit publike para zgjedhjeve ia kishte kushtuar punimeve renovuese në Shtëpinë e Bardhë – thirri gazetarët mëngjesin pas humbjes së partisë së tij për t’u treguar ecurinë e ndërtimit të sallës së re të ballos.

“Kur më kritikojnë duke më pyetur pse po merrem me punimet në Shtëpinë e Bardhë, unë e bëj sepse Shtëpia e Bardhë është simboli me i lartë i Amerikës dhe duhet të jetë me pamje të përsosur,” deklaroi Trump. “Për mua, kjo punë është relaksuese”. /REUTERS/

 

Continue Reading

Të kërkuara