Aktualitet

REL: Viti i katërt i pushtimit të Ukrainës: A ka mësuar ushtria ruse të luftojë më mirë?

Published

on

Para Ukrainës, hera e fundit që Rusia e pushtoi plotësisht një vend tjetër sovran ishte Gjeorgjia. Moska doli fituese pas konfliktit 16-ditor në vitin 2008, por ai ishte i rrëmujshëm dhe tregoi se forcat e armatosura ruse kishin nevojë për një përmirësim të madh.

Katër vjet më parë, një ushtri ruse gjysmë e reformuar u vu sërish në provë, kur qindra mijëra trupa u dërguan në Ukrainë. Duke gjykuar nga humbjet marramendëse – më shumë se 1.2 milion të vrarë dhe të plagosur – kjo luftë duket dukshëm më e vështirë. Dhe, Moska ende nuk ka fituar.

Por, Forcat e Armatosura të Rusisë po mësojnë. Pyetja është sa kanë mësuar që nga 24 shkurti 2022.

“Ata po përshtaten me kushtet e fushëbetejës, por ndryshimet më të përhershme në forcë për sa i përket strategjisë dhe operacioneve do të ndodhin më pas”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Dara Massicot, eksperte i kamotshëm për Forcat e Armatosura Ruse dhe bashkëpunëtore në Institutin për Paqe Ndërkombëtare, Carnegie Endoëment.

“Do ta karakterizoja më shumë si përshtatje sesa si reformë atë nëpër të cilën ka kaluar ushtria ruse, duke qenë se shumë nga kjo duket se nxitet nga presione të menjëhershme”, tha Nick Reynolds, hulumtues për luftën tokësore në Royal United Services Institute, një institut kërkimor në Londër.

“Ajo nuk po ndërton forcën ideale që do të jetë efektive për të luftuar në të ardhmen. Por, po zgjidh probleme operacionale dhe po përpiqet të vendosë një forcë mjaftueshëm të mirë, sipas standardeve të veta, për të zgjidhur problemet para vetes”, shtoi ai.

“Nuk ka pasur asnjë ‘reformë’ në kuptimin rus të fjalës; logjika e luftës e bën të pamundur”, tha nënkoloneli Juha Kukkola, profesor në Grupin e Kërkimit për Rusinë në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes të Finlandës.

Ushtria ruse “është duke mësuar nga dështimet… duke humbur njëkohësisht trupat dhe pajisjet me përvojë të mëparshme, ndërsa mëson të mbijetojë në fazën tjetër të luftës”, tha ai për REL-in.

Mësimet e nxjerra janë “të përshtatshme për nevojat e kësaj lufte, por ndoshta jo edhe për luftën tjetër”, shtoi ai.

Mes Gjeorgjisë dhe Ukrainës

Pas fitores në Gjeorgji, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Anatoly Serdyukov, u caktua të mbikëqyrte ndryshime të mëdha në ushtri, përfshirë largimin nga mendësia e vjetër sovjetike.

Ai u përpoq të zvogëlonte madhësinë e përgjithshme të ushtrisë, riorganizoi arsimin ushtarak, i dha përparësi më shumë nënoficerëve si rreshterët dhe u përpoq të kalonte nga divizionet e mëdha e të ngadalta, drejt grupeve taktike të batalioneve më të vogla dhe më të lëvizshme.

U bënë investime të mëdha në tanke të reja, transportues të blinduar të rinj, raketa të reja, për të mos përmendur sistemet e reja të komunikimit, të cilat kishin dështuar në Gjeorgji.

Megjithatë, në vitin 2012 Serdyukov u shkarkua nga Vladimir Putin, i shoqëruar nga një hije skandali. Zëvendësuesi i tij, besnik i kamotshëm i Putinit, Sergei Shoigu, injoroi oficerët veteranë që kërkonin rikthim të plotë të strukturave të mëparshme, por bëri pak për modernizim të mëtejshëm.

Reformat e Serdyukovit kishin të bënin vërtet me përmirësimin e aftësisë së Rusisë për të luftuar një luftë lokale”, tha Katri Pynnoniemi, profesoreshë në Qendrën Finlandeze për Studime Ruse dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Helsinkit.

“Pastaj, rreth vitit 2012, pati një zhvendosje. Theksi u vu te përgatitja për një luftë më të madhe…. Në realitet nuk pati asgjë madhore, por pati këtë perceptim kërcënimi nga regjimi rus që ndryshoi. Kjo i ndali reformat”, shtoi ajo.

Në vitet që pasuan, Kremlini ndërmori një angazhim të madh ushtarak: një operacion ekspedite në Siri. Aty, sipas ekspertëve, fitoi përvojë të vlefshme në gjëra si sulmet të koordinuara ajrore: kur ushtarët në terren koordinohen drejtpërdrejt me pilotët në ajër për të goditur objektiva të caktuara.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, vëzhguesit e jashtëm prisnin që ushtria ruse, më e madhe dhe më e armatosur, të hynte në Kiev brenda pak ditësh. Kjo nuk ndodhi, pjesërisht për shkak të qëndresës ukrainase, por edhe për shkak të operacioneve të dobëta ruse.

Brenda një viti, forcat ukrainase kryen dy kundërofensiva, duke zmbrapsur pozicionet ruse në rajonin jugor të Hersonit dhe në rajonin verilindor të Harkivit.

Ndërkohë, Kremlini ndërroi komandantë, duke u përpjekur ta rimarrë vrullin. Derisa u përfshi në rebelimin e shkurtër të qershorit 2023 nga shefi i mercenarëve të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, gjenerali Sergei Surovikin arriti t’i stabilizonte linjat ruse pjesërisht duke ndërtuar mbrojtje të gjera shumështresore që u njohën si Linjat e Surovikinit.

Komandantët rusë gjithashtu iu kthyen taktikave të vjetra sovjetike, jo të modernizuara: dërgimi i valëve të këmbësorisë për të mbingarkuar mbrojtjet ukrainase. Kjo zakonisht përfshinte burra të trajnuar dobët dhe të armatosur lehtë, ndonjëherë të burgosur, dhe u bë e njohur si një “makinë mishi” për shkak të humbjeve të jashtëzakonshme.

Së fundmi, oficerët kanë përdorur metoda si dërgimi i burrave të armatosur lehtë që përpiqen të kalojnë me shpejtësi përtej mbrojtjeve ukrainase, duke përdorur motoçikleta ose automjete të tjera, për të lëvizur shpejt – dhe për të shpresuar t’u shmangen dronëve.

Rezultati? Rusia ka pësuar më shumë të vrarë dhe të plagosur sesa në të gjitha luftërat që ka zhvilluar së bashku që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Ata kanë humbur pjesën më të madhe të automjeteve të blinduara dhe nuk i vendosin në vijën e frontit në të njëjtën mënyrë apo në të njëjtat numra si më parë”, tha Reynolds për REL-in. “Synojnë sulme këmbësorie për të kapur dhe mbajtur pozicione. Pranojnë humbje shumë të larta. Forcat tokësore, këmbësoria, autoblindat, nuk janë shumë të afta”.

Njësitë në vijën e frontit, tha Massicot, janë gjithashtu të përfshira nga “probleme të përhapura dhe të tmerrshme disiplinore”.

“Kjo është arsyeja pse e kam të vështirë të përdor fjalën reformë për atë që po vjen për ushtrinë ruse, sepse reforma kërkon pranimin e problemeve dhe dëshirën për të bërë diçka për to”, tha ajo. “Dhe mendoj se nuk ka gatishmëri në këtë kohë për të pranuar këto probleme në vijën e frontit”.

Në frontin elektronik

Ndër përmirësimet që ekspertët kanë vënë re janë taktikat e artilerisë ruse dhe aftësia e saj për të përdorur luftën elektronike për të bllokuar dronët ose radarët e avionëve.

Dhe pastaj janë dronët.

Si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën, e gjithë lufta është transformuar nga dronët, thanë ekspertët: dronët kamikazë Shahed, dronë të rëndë furnizimi dhe dronë të drejtuar me kabllo me fibër optike. Duke mbetur fillimisht pas në kapacitetet e saj me dronë, Rusia bleu mijëra njësi dhe teknologji nga Irani dhe më pas zhvilloi prodhim vendas.

Njësia Rubicon e Rusisë ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj forcave ukrainase. Një njësi hibride që zhvillon dhe blen teknologji të reja, ndërsa teston taktika të reja dhe lufton përkrah njësive të rregullta, Qendra Rubicon për Teknologji të Avancuara të Paekuipazhuara shihet si nisma më e suksesshme e re që Rusia ka vendosur në përdorim që nga viti 2022.

“Si model, udhëheqja ushtarake ruse e pëlqen shumë”, tha Massicot. “Me një nivel të përshtatshëm burimesh shtetërore ajo ka kaluar nga një organizatë kërkimore në një organizatë operacionale dhe tani po merr më shumë role trajnimi. Kjo është diçka që ata duan ta përsërisin në fusha të tjera”.

Faktori vendimtar për Rusinë është thjesht fakti që është më e madhe, tha Kukkola.

“Në këtë lloj lufte, nuk duhet të jesh ‘më i mirë’ se kundërshtari, mjafton të kesh më shumë burime, njerëzore dhe materiale, dhe kohë – nëse asgjë tjetër – kjo ndryshon situatën strategjike”, tha ai.

Por, Rusia nuk ka burime të mjaftueshme për të filluar zhvillimin e forcave të saj të ardhshme bazuar në atë që ka mësuar në Ukrainë, shtoi Kukkola, sepse po humb shumë njerëz.

“Ushtritë që i mbijetojnë një lufte, ndonjëherë dalin prej saj më të forta dhe ndonjëherë dështojnë plotësisht kur vihen sërish në provë”, tha ai. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon 25-vjetorin, Hajrizi: Kemi dhënë kontribut në transformimin e arsimit dhe inovacionit në Kosovë

Published

on

By

Në një intervistë në emisionin “Five” në RTV Dukagjini, Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, ka thënë se 25-vjetori i këtij institucioni përfaqëson jo vetëm një përvjetor jubilar, por edhe një moment reflektimi për të arriturat dhe synimet e ardhshme në arsim, shkencë, inovacion dhe teknologji.

Hajrizi ka deklaruar se gjatë këtij çerek shekulli, UBT-ja është angazhuar në ndërtimin e një sistemi arsimor me qasje inovative, duke synuar të ndikojë në zhvillimin e vendit në fusha të ndryshme.

“Është një vit që jo vetëm duhet të reflektojmë, por është një angazhim prej çerek shekulli, ku vitet më të mira të jetës kanë qenë angazhim për të ndërtuar një sistem të arsimit dhe një qasje inovative në arsim. Ka qenë një rezultat i mirë, por edhe një moment reflektimi se çfarë kemi arritur dhe çfarë duam të arrijmë”, është shprehur Hajrizi.

Ai ka theksuar se gjatë këtyre 25 vjetëve ka pasur zhvillim në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shkencën, inovacionin, teknologjinë dhe zhvillimin e biznesit, duke vlerësuar se UBT-ja ka pasur ndikim në këtë proces transformues.

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit, UBT-ja ka planifikuar disa aktivitete që do të zhvillohen gjatë javës së ardhshme, me fokus të veçantë në fushën akademike dhe shkencore.

Sipas Hajrizit, gjatë kësaj jave në Kosovë do të organizohen tri ngjarje ndërkombëtare, njëra pas tjetrës, të cilat synojnë të sjellin në vend komunitetin akademik dhe profesionistë nga fusha të ndryshme.

Ngjarja e parë do të mbahet të mërkurën dhe do t’i kushtohet Konferencës Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive. Hajrizi ka bërë të ditur se kjo konferencë organizohet për herë të dytë dhe do të mbledhë përfaqësues të komunitetit vendor dhe ndërkombëtar në UBT.

“Kemi mbërritur në fund të vitit ku do të shënojmë edhe përmbylljen e 25-vjetori dhe mbi këtë kemi menduar t’i organizojmë disa evente të cilat ndërlidhen edhe në shenjë të 25-vjetorit. Këtë vit i kemi mbledh disa ngjarje, javen e ardhshme kemi disa aktivitete që lidhen me pjesën akademike shkencore dhe i kemi tri ngjarje të nivelit botëror që i organizmojnë në Kosovë në të njëjtën kohë njëra pas tjetrës që e plotësojnë gjithë javën. Konferenca e parë që e organizojmë të mërkurën ka të bëjë me Konferencën Ndërkombëtare Botërore për Mjekësinë Sportive, është hera e dytë që organizohet por është një konferencë që sjell gjithë komunitetin edhe ndërkombëtar edhe vendor në UBT në Kosovë”, u shpreh Hajrizi.

Përmes këtyre aktiviteteve, UBT-ja synon të shënojë përmbylljen e 25-vjetorit, duke vënë në pah të arriturat e deritanishme dhe duke hapur diskutime për zhvillimet e ardhshme në arsim, shkencë dhe inovacion.

Continue Reading

Aktualitet

UBT hap AI Business Hub, duke kompletuar ekosistemin për zhvillimin e kompetencave dhe mbështetjen e bizneseve

Published

on

By

UBT ka hapur zyrtarisht AI Business Hub, një hapësirë të re që synon të forcojë kompetencat në fushën e inteligjencës artificiale dhe të ofrojë mbështetje për bizneset në Kosovë dhe më gjerë.

AI Business Hub është rezultat i projektit TBEAI (Transforming Business Education with AI in Western Balkans), një projekt i financuar nga Komisioni Evropian përmes programit Erasmus+, i cili synon transformimin e edukimit të biznesit përmes integrimit të inteligjencës artificiale në Ballkanin Perëndimor.

Me hapjen e këtij Hub-i, UBT plotëson edhe më tej ekosistemin e tij të inovacionit, duke krijuar mundësi konkrete për zhvillimin e kompetencave digjitale, avancimin e njohurive në inteligjencën artificiale dhe mbështetjen e sektorit të biznesit në përballjen me sfidat e transformimit digjital.

AI Business Hub synon të shërbejë si urë lidhëse ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe biznesit, duke krijuar hapësirë për bashkëpunim, zhvillim të aftësive profesionale dhe zbatimin e zgjidhjeve të inteligjencës artificiale në praktikat e përditshme të bizneseve. Përmes kësaj nisme, studentët, profesionistët dhe ndërmarrjet do të kenë mundësi të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt nevojave të tregut, duke nxitur inovacionin, rritjen e produktivitetit dhe përgatitjen për ekonominë digjitale.

Hapja e AI Business Hub dëshmon përkushtimin e UBT-së për të ndërtuar një ekosistem që jo vetëm zhvillon kompetencat e së ardhmes, por edhe përkrah bizneset në Kosovë dhe më gjerë, duke i ndihmuar ato të shfrytëzojnë potencialin e inteligjencës artificiale për zhvillim dhe konkurrueshmëri.

UBT vazhdon të investojë në inovacion, dije dhe teknologji, duke e shndërruar inteligjencën artificiale në një mundësi konkrete për zhvillimin e arsimit, sipërmarrjes dhe ekonomisë.

Continue Reading

Aktualitet

Diplomacia në epokën e inteligjencës artificiale: Rektori Hajrizi folës në Akademinë Diplomatike për Diplomatë të Rinj

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte folës në edicionin e 12-të të Akademisë Diplomatike për Diplomatë të Rinj, ku në fokus ishte potenciali transformues i inteligjencës artificiale në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike.

Gjatë diskutimit, Rektori Hajrizi trajtoi mundësitë dhe sfidat që sjellin teknologjitë e reja për diplomacinë bashkëkohore, duke vënë në pah ndikimin e inteligjencës artificiale në zhvillimin e praktikave diplomatike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Diskutimi theksoi rëndësinë e inovacionit, përshtatshmërisë dhe qasjeve të përgjegjshme ndaj teknologjive të reja, në një kohë kur inteligjenca artificiale po krijon perspektiva të reja për të ardhmen e diplomacisë.

Pjesëmarrja në këtë akademi pasqyroi rëndësinë e ndërveprimit ndërmjet akademisë, teknologjisë dhe diplomacisë, si dhe të dialogut mbi mënyrat se si inovacioni mund të kontribuojë në zhvillimin e praktikave diplomatike në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT kontribuon në vizionin e Kosovës 2050 për qytete të mençura, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të institucionit, mori pjesë në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050”, që po mbahet në Prishtinë, me pjesëmarrjen e arkitektëve, urbanistëve dhe ekspertëve nga Kosova dhe bota.

I organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, me mbështetjen e GIZ-it, simpoziumi përbën një platformë të rëndësishme për diskutimin e së ardhmes së planifikimit hapësinor në Kosovë, mbrojtjen e mjedisit dhe krijimin e qyteteve e vendbanimeve më funksionale, më të gjelbra dhe më të qëndrueshme.

Me mbi 20 vjet përvojë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe inovacionin, UBT ka ndërtuar kapacitete të rëndësishme akademike dhe profesionale në arkitekturë, planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, duke e vënë dijen dhe ekspertizën në shërbim të zhvillimit të Kosovës. Në këtë kuadër, UBT ka themeluar Institutin për Planifikim, pjesë përbërëse të institucionit, i cili angazhohet në hulumtim shkencor, inovacion dhe zhvillim në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban, me synimin që njohuritë akademike dhe zgjidhjet inovative të shndërrohen në kontribut konkret për qytetet, komunat dhe institucionet e vendit.

Një rol të veçantë në këtë drejtim e ka Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, një nga qendrat kryesore të arsimit dhe ekspertizës profesionale në këtë fushë në Kosovë. Përmes programeve akademike, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, UBT kontribuon në përgatitjen e profesionistëve dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore të planifikimit urban. Programi i tij në planifikim urban dhe zhvillim të qëndrueshëm, i pari i këtij lloji në Kosovë sipas të dhënave institucionale, përfaqëson një nga përpjekjet e rëndësishme për avancimin e kësaj fushe në vend.

Në nivel ndërkombëtar, UBT është anëtare institucionale e Association of European Schools of Planning (AESOP), International Society of City and Regional Planners (ISOCARP) dhe European Association for Architectural Education (EAAE), duke marrë pjesë aktive në rrjetet akademike dhe profesionale të këtyre organizatave. Përmes këtij angazhimi, si dhe prezantimit të modelit dhe përvojave të tij në konferenca, simpoziume dhe forume ndërkombëtare, UBT kontribuon në shkëmbimin e dijes, zhvillimin e ideve inovative dhe ndërlidhjen e ekspertizës vendore me praktikat ndërkombëtare në arkitekturë dhe planifikim urban.

Kjo ekspertizë plotësohet nga fushat e mjedisit dhe infrastrukturës së qëndrueshme, ndërtimit, bujqësisë, energjisë dhe teknologjisë, duke krijuar një bazë të gjerë ndërdisiplinore për përgatitjen e kuadrove të së ardhmes, zhvillimin e hulumtimeve dhe hartimin e zgjidhjeve inovative për banimin, infrastrukturën dhe mjediset urbane. Përmes bashkëpunimit me institucione publike, komuna, universitete dhe partnerë profesionalë në Kosovë dhe në nivel ndërkombëtar, UBT synon të mbështesë një qasje më sistemore, të integruar dhe të bazuar në ekspertizë për planifikimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në këtë kontekst, UBT Smart City dhe modeli i qytetit 10-minutësh përfaqësojnë një qasje që synon t’i afrojë shërbimet kryesore, hapësirat publike, gjelbërimin dhe nevojat e përditshme të qytetarëve, duke krijuar mjedise më të qasshme, më funksionale dhe më miqësore ndaj mjedisit. Përmes ndërthurjes së planifikimit hapësinor, arkitekturës, teknologjisë digjitale, inteligjencës artificiale dhe inovacionit, kjo qasje synon të kontribuojë në qytete që shfrytëzojnë më mirë resurset, nxisin mobilitetin e qëndrueshëm dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.

Në përputhje me vizionin strategjik UBT 5S, institucioni vazhdon të promovojë një model zhvillimi ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia lidhen me nevojat reale të shoqërisë.

Pjesëmarrja në Simpoziumin Ndërkombëtar “Vizioni Hapësinor i Kosovës 2050” riafirmon përkushtimin e UBT-së për të qenë partner aktiv i institucioneve të Kosovës, duke kontribuar me ekspertizë profesionale, hulumtime dhe ide inovative në planifikimin e së ardhmes së vendit.

Për UBT-në, qytetet e së ardhmes duhet të ndërtohen mbi parimet e planifikimit të mirëfilltë, qëndrueshmërisë mjedisore, zgjerimit të hapësirave të gjelbra, infrastrukturës cilësore dhe inovacionit, me synimin që Kosova të zhvillojë vendbanime më të mençura, më gjithëpërfshirëse dhe më të mira për të jetuar, sot, dhe për gjeneratat e ardhshme.

Continue Reading

Të kërkuara