Live
REL:Sulmet ndaj anijeve rrezikojnë furnizimin global me naftë
Published
2 hours agoon
By
UBTNewsPamjet e filmuara me telefon, që tregojnë flakë të mëdha dhe tym të dendur të zi që ngrihet nga një anije në Ngushticën e Hormuzit, rrisin shqetësimet se konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të ndërpresë furnizimin global me naftë.
Kjo ngushticë është një rrugë jetike tregtare për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror.
Anija “Skylight” – një cisternë nafte dhe kimikatesh me peshë prej 7.600 tonësh – ndodhej në veri të portit Khasab në Oman, pranë pikës më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, ku korridori i lundrimit është vetëm 3 kilometra i gjerë.
Ajo ishte një nga tri anijet civile që raportohet se u qëlluan më 1 mars, ndërkohë që edhe Komanda Qendrore e SHBA-së tha se goditi një anije luftarake të marinës iraniane aty pranë.
Mes kësaj situate të tensionuar, një analizë e agjencisë së lajmeve, Reuters, bazuar në të dhënat e ueb-faqes MarineTraffic, tregon se të paktën 150 anije – përfshirë shumë cisterna nafte dhe gazi – kanë ndalur lundrimin.
Po ashtu, kishte raporte kundërthënëse për mbylljen ose jo të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.
Pa panik… për momentin
“Ngushtica është ende e hapur. Por, arsyeja pse anijet nuk po kalojnë dhe pse shumë kompani ndërkombëtare të naftës po këshillojnë të mos përdoret [Ngushtica], është siguria”, tha Amena Bakr, drejtuese e kërkimeve për Lindjen e Mesme dhe OPEC+ në kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler.
Ajo shtoi se kostot e sigurimit janë aq të larta, saqë shumë anije nuk mund t’i përballojnë ose nuk duan të rrezikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas saj, paniku i vërtetë në treg do të fillojë vetëm nëse konfirmohet se Ngushtica është mbyllur dhe nafta nuk qarkullon më.
Për momentin, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.
Çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë tronditje më të gjera ekonomike, duke nxitur inflacion dhe presione të forta politike në shumë vende.
Në fakt, ka shumë mënyra se si konflikti me Iranin mund të shkaktojë rritje të çmimeve.
Nafta e Iranit është nën sanksione të ashpra, por ky vend i shet ende shumë naftë Kinës, për shembull. Nëse këto furnizime ndërpriten, për shkak të një lufte të zgjatur, Kina duhet t’i kërkojë ato diku tjetër.
Ndërkohë, sulmet iraniane me dronë e raketa raportohet se kanë detyruar edhe shumë fusha të naftës në Irak të ndalin prodhimin, si masë paraprake.
Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet, eksportet e naftës nga Kuvajti dhe shtetet e tjera në Gjirin Persik ndikohen gjithashtu.
Rrugë alternative eksporti ekzistojnë, duke përdorur tubacione nëpër shkretëtirën e Arabisë Saudite, por kapaciteti i tyre është i kufizuar.
Vendet prodhuese të naftës OPEC+ u takuan më 1 mars, për të rënë dakord për të rritur prodhimin në 206.000 fuçi në ditë, për të kompensuar rreziqet e mundshme nga rritja e çmimeve.
Grupi përbëhet nga tetë vende: Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani.
“Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë dhe vlerësojnë nga afër kushtet e tregut. Ne riafirmuan rëndësinë e miratimit të një qasjeje të kujdesshme”, thanë përfaqësuesit e tyre përmes një deklarate.
Aty nuk u përmend konflikti me Iranin. Por, një deklaratë e veçantë nga Ministria e Jashtme e Rusisë e përmendi atë, duke paralajmëruar se ndalesa e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit “mund të krijojë një çekuilibër të konsiderueshëm në tregjet globale të naftës dhe gazit”.
Por, në të vërtetë, është një çekuilibër nga i cili Rusia mund të përfitojë.
Çmimet e ulëta globale të naftës dhe sanksionet e rënda mbi naftën ruse – përfshirë një kufizim çmimesh i vendosur nga grupi i vendeve më të industrializuara, G7 – e kanë goditur rëndë Rusinë.
Një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), në shkurt, nxori në pah se të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës bruto, kanë rënë për 18 për qind gjatë vitit të kaluar.
Një nga blerësit kryesorë të Rusisë është Kina. Zvogëlimi i furnizimeve globale me naftë mund të nënkuptojë rritje të porosive nga Kina, për të kompensuar mungesën nga Irani ose furnizues të tjerë të Gjirit Persik. /REL/
You may like
Live
Izraeli sulmon Libanin, rregjistrohen 31 të vrarë dhe 149 të plagosur
Published
34 minutes agoon
March 2, 2026By
UBTNews
Sulmet ajrore izraelite në Bejrut dhe në jug të Libanit kanë shkaktuar 31 viktima dhe 149 të plagosur, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Libanit. Sipas autoriteteve, bilanci i viktimave është paraprak.
Zhvillimet e fundit shënojnë hapjen e një fronti të ri në konfliktin që po përhapet në Lindjen e Mesme.
Mbrëmjen e kaluar, Hezbollah, grupi militant shiit libanez i mbështetur nga Irani, lëshoi raketa drejt qytetit izraelit Haifa. Në përgjigje, Izraeli ndërmori një ofensivë ajrore në shkallë të gjerë.
Sulmet shënjestruan bastionet e Hezbollahut në periferitë jugore të Bejrutit, si dhe zona pranë aeroportit të qytetit. Ndërkohë, në jug të Libanit, Izraeli u ka bërë thirrje banorëve të më shumë se 50 fshatrave që të evakuohen, ndërsa sulmet në ato zona vazhdojnë.
Hezbollahu konsiderohet i dobësuar pas goditjeve të marra nga Izraeli në luftën e zhvilluar 18 muaj më parë. Megjithatë, për shkak të lidhjeve të forta ideologjike, fetare dhe financiare me Iranin, përfshirja e tij në këtë konflikt është parë si e pashmangshme, në një situatë ku tashmë pothuajse të gjitha vendet e rajonit janë të përfshira. /Euronews/
Live
Vritet Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei
Published
22 hours agoon
March 1, 2026By
UBTNEWS
Irani ka konfirmuar vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, pas sulmeve ajrore të kryera nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është raportuar nga agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters, duke cituar median shtetërore iraniane.
Sipas raportimit, Khamenei është vrarë gjatë sulmeve të fundit ushtarake, në një përshkallëzim të madh të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Media shtetërore iraniane e ka konfirmuar vdekjen e tij të dielën, ndërsa Reuters e ka publikuar lajmin me formulimin se ai “është vrarë në sulmet izraelite dhe amerikane”.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të plota mbi rrethanat e sakta të sulmit, ndërsa situata në rajon mbetet e tensionuar. Vdekja e Khameneit shënon një moment historik për Republikën Islamike të Iranit, pasi ai ka qenë figura më e lartë politike dhe fetare e vendit për dekada. Zhvillimet e fundit pritet të kenë ndikim të madh në dinamikat politike brenda Iranit, si dhe në sigurinë rajonale dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. /Reuters/
Lajmet
Izraeli nis sulmin kundër Iranit, shpall gjendje të jashtëzakonshme në vend
Published
2 days agoon
February 28, 2026By
ubtnews
Izraeli nisi atë që e quajti një “sulm parandalues” kundër Iranit të shtunën në mëngjes, sipas Ministrit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Një burim izraelit i tha CNN se sulmi ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara.
Sulmi vjen pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump kaloi javë duke kërcënuar se do ta godiste Iranin për programin e tij bërthamor , si dhe një shtypje të brendshme që ka vrarë mijëra protestues.
Izraeli mbylli hapësirën ajrore të shtunën në mëngjes, tha Ministria e Transportit, pasi vendi kreu sulme ajrore ndaj Iranit, shkruan CNN.
Ende nuk është e qartë se si do të reagojë Irani. Zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar më parë se trupat amerikane në rajon mund të jenë në shënjestër nëse sulmohet.
Aktualitet
REL: Beograd: Një shtetas i Kosovës dënohet në mungesë me 15 vjet burgim
Published
3 days agoon
February 27, 2026By
UBTNews
Një gjykatë në Beograd e ka dënuar në mungesë ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) Gjelosh Krasniqi me 15 vjet burgim nën akuzat për krime gjatë luftës në Kosovë.
Më 26 shkurt, Krasniqi është shpallur fajtor për vrasjen e tre personave dhe plagosjen e një civili serb në qershor të vitit 1999 në fshatin Bellopojë afër Pejës.
Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ka thënë se aktakuza kundër Krasniqit bazohet kryesisht në deklarata të dëshmitarëve dhe prova të kufizuara forenzike dhe mjeko-ligjore dhe se avokati mbrojtës, sipas detyrës zyrtare, nuk kishte kontakt me të pandehurin.
Kjo organizatë joqeveritare ka thënë se bashkëpunimi me institucionet gjyqësore të Kosovës është i domosdoshëm për ndjekjen penale të krimeve kundër serbëve në Kosovë.
“Sidomos për faktin se Krasniqi është dënuar për krime kundër civilëve nga Gjykata e Qarkut e Pejës në vitin 2009”, është thënë në deklaratë.
Aty përmendet edhe se gjykimet në mungesë në rastet e krimeve të luftës në Kosovë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe se “krijohet përshtypja se motivet për fillimin e procedurave të tilla rrjedhin pjesërisht nga hakmarrja ligjore dhe jo ekskluzivisht nga dëshira për të arritur drejtësi për viktimat”.
Fondi ka rikujtuar se Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi deri më tani ka ngritur shtatë padi kundër personave që nuk janë në dispozicion të gjyqësorit serb dhe se pesë prej tyre janë kundër qytetarëve të Kosovës, për krime të kryera kundër popullsisë joshqiptare.
Që nga viti 2014, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës nuk ka ngritur asnjë padi të re për krime në Kosovë kundër personave që janë shtetas të Serbisë.
Në përgjigje të këtyre kritikave, Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë se “ata fillojnë dhe zhvillojnë procedurat në përputhje me provat dhe ligjin”.
Serbia, përveç ngritjes së padive dhe gjykimeve në mungesë, ka vazhduar të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare.
Arrestimi i fundit ndodhi më 5 shkurt, kur një ish-anëtar i UÇK-së u arrestua në pikën kufitare midis Serbisë dhe Kroacisë. Komisioni Evropian paralajmëroi në atë kohë se arrestimi dhe ndjekja penale e një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe përfaqësonte një tjetër shkelje të detyrimeve të Serbisë sipas marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut me Kosovën, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.
“Serbia është zotuar të mos fillojë hetime penale ose ndjekje penale për krime të dyshuara të kryera në Kosovë, përveç nëse kërkohet nga autoritetet e Kosovës”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se akuzat për krime lufte dhe krime të tjera të rënda janë brenda juridiksionit të institucioneve të Kosovës dhe i bëri thirrje Serbisë të përmbushë detyrimet e saj. /REL/
Rruga më e njohur e Hanoit mund t’ju vrasë
Zhegrova shkëlqen me fanellën e Juventusit
RTK: Sot BE-ja pritet t’i heqë të gjitha masat ndaj Kosovës
Spektakël në Angli dhe Spanjë
Izraeli sulmon Libanin, rregjistrohen 31 të vrarë dhe 149 të plagosur
Muzika klasike qetëson qentë dhe macet, tregojnë studimet
Tri raste të vjedhjeve të rënda në Lipjan dhe Podujevë
Në Gjilan arrestohen dy persona për vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje
Sulm ndaj personit zyrtar në Viti, dy persona në kërkim
Të kërkuara
-
Aktualitet3 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Lajmet nga UBT3 months agoNjohja me proceset profesionale televizive, vizita e studentëve të Media dhe Komunikim në Klan Kosova
-
Vendi2 months agoDizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT
-
Rajoni2 months agoProfesori i UBT-së, Hazir S. Çadraku dhe bashkëpunëtorët publikojnë artikullin “Historia e Mbrojtjes së Shpellës në Kosovë” në SpeleoMedit Magazine
