Live

REL:Sulmet ndaj anijeve rrezikojnë furnizimin global me naftë

Published

on

Pamjet e filmuara me telefon, që tregojnë flakë të mëdha dhe tym të dendur të zi që ngrihet nga një anije në Ngushticën e Hormuzit, rrisin shqetësimet se konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të ndërpresë furnizimin global me naftë.

Kjo ngushticë është një rrugë jetike tregtare për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror.

Anija “Skylight” – një cisternë nafte dhe kimikatesh me peshë prej 7.600 tonësh – ndodhej në veri të portit Khasab në Oman, pranë pikës më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, ku korridori i lundrimit është vetëm 3 kilometra i gjerë.

Ajo ishte një nga tri anijet civile që raportohet se u qëlluan më 1 mars, ndërkohë që edhe Komanda Qendrore e SHBA-së tha se goditi një anije luftarake të marinës iraniane aty pranë.

Mes kësaj situate të tensionuar, një analizë e agjencisë së lajmeve, Reuters, bazuar në të dhënat e ueb-faqes MarineTraffic, tregon se të paktën 150 anije – përfshirë shumë cisterna nafte dhe gazi – kanë ndalur lundrimin.

Po ashtu, kishte raporte kundërthënëse për mbylljen ose jo të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

Pa panik… për momentin

“Ngushtica është ende e hapur. Por, arsyeja pse anijet nuk po kalojnë dhe pse shumë kompani ndërkombëtare të naftës po këshillojnë të mos përdoret [Ngushtica], është siguria”, tha Amena Bakr, drejtuese e kërkimeve për Lindjen e Mesme dhe OPEC+ në kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler.

Ajo shtoi se kostot e sigurimit janë aq të larta, saqë shumë anije nuk mund t’i përballojnë ose nuk duan të rrezikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sipas saj, paniku i vërtetë në treg do të fillojë vetëm nëse konfirmohet se Ngushtica është mbyllur dhe nafta nuk qarkullon më.

Për momentin, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.

Çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë tronditje më të gjera ekonomike, duke nxitur inflacion dhe presione të forta politike në shumë vende.

Në fakt, ka shumë mënyra se si konflikti me Iranin mund të shkaktojë rritje të çmimeve.

Nafta e Iranit është nën sanksione të ashpra, por ky vend i shet ende shumë naftë Kinës, për shembull. Nëse këto furnizime ndërpriten, për shkak të një lufte të zgjatur, Kina duhet t’i kërkojë ato diku tjetër.

Ndërkohë, sulmet iraniane me dronë e raketa raportohet se kanë detyruar edhe shumë fusha të naftës në Irak të ndalin prodhimin, si masë paraprake.

Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet, eksportet e naftës nga Kuvajti dhe shtetet e tjera në Gjirin Persik ndikohen gjithashtu.

Rrugë alternative eksporti ekzistojnë, duke përdorur tubacione nëpër shkretëtirën e Arabisë Saudite, por kapaciteti i tyre është i kufizuar.

Vendet prodhuese të naftës OPEC+ u takuan më 1 mars, për të rënë dakord për të rritur prodhimin në 206.000 fuçi në ditë, për të kompensuar rreziqet e mundshme nga rritja e çmimeve.

Grupi përbëhet nga tetë vende: Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani.

“Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë dhe vlerësojnë nga afër kushtet e tregut. Ne riafirmuan rëndësinë e miratimit të një qasjeje të kujdesshme”, thanë përfaqësuesit e tyre përmes një deklarate.

Aty nuk u përmend konflikti me Iranin. Por, një deklaratë e veçantë nga Ministria e Jashtme e Rusisë e përmendi atë, duke paralajmëruar se ndalesa e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit “mund të krijojë një çekuilibër të konsiderueshëm në tregjet globale të naftës dhe gazit”.

Por, në të vërtetë, është një çekuilibër nga i cili Rusia mund të përfitojë.

Çmimet e ulëta globale të naftës dhe sanksionet e rënda mbi naftën ruse – përfshirë një kufizim çmimesh i vendosur nga grupi i vendeve më të industrializuara, G7 – e kanë goditur rëndë Rusinë.

Një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), në shkurt, nxori në pah se të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës bruto, kanë rënë për 18 për qind gjatë vitit të kaluar.

Një nga blerësit kryesorë të Rusisë është Kina. Zvogëlimi i furnizimeve globale me naftë mund të nënkuptojë rritje të porosive nga Kina, për të kompensuar mungesën nga Irani ose furnizues të tjerë të Gjirit Persik. /REL/

 

Continue Reading

Aktualitet

Të paktën 15 të vrarë nga sulmet ruse në Kiev, goditen ndërtesat e banimit dhe një spital fëmijësh

Published

on

By

Të paktën 15 persona kanë mbetur të vrarë nga sulmet më të fundit ruse që shënjestruan kryeqytetin ukrainas, deklaroi kryetari i bashkisë së Kievit, ndërsa Ukraina po vazhdon të përballet me mungesë të raketave të mbrojtjes ajrore.

Ndërtesa banimi dhe magazina u goditën në të gjithë qytetin gjatë natës, bëri të ditur Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës, ndërsa u dëmtuan gjithashtu një spital fëmijësh dhe një shkollë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se viktimat erdhën si pasojë e mungesës së raketave të mbrojtjes ajrore, për furnizimin e të cilave Kievi varet nga aleatët perëndimorë.

Duke folur për BBC News pranë një blloku të shkatërruar banesash në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko u shpreh se Ukraina ka nevojë për “municione, sisteme kundëraketë — ne kemi nevojë për mbështetje nga partnerët tanë”.

Klitschko ndodhej në lagjen Solomianskyi për të vlerësuar dëmet. Rreth tij, punonjësit e emergjencave vazhdonin kërkimet nëpër gërmadha, ndërsa banorët qëndronin jashtë shtëpive të tyre të shkatërruara.

Midis tyre ishte edhe Valeria Bondaruk, e cila u zhvendos në Kiev pasi shtëpia e saj në jug të Ukrainës u bombardua, duke besuar se do të ishte më sigurt për të dhe të bijën.

Tani ajo është detyruar të largohet nga shtëpia për herë të dytë gjatë kësaj meje.

Një copë xhami e ngulur në murin e dhomës së saj të gjumit shërbente si dëshmi se sa afër ishte rreziku. Ajo u fsheh në korridor gjatë natës, pasi nuk kanë ndonjë strehimore kundër bombardimeve. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Sulmet me raketa në Kiev dhe incidentet ajrore në Rumani e Poloni

Published

on

By

Vala e sulmeve masive ruse me raketa gjatë natës së të enjtes ka lënë të paktën tetë të vdekur dhe 33 të plagosur në Kiev dhe në rajonin përreth. Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës (DSNS), goditjet kanë dëmtuar pallate banimi, magazina, një spital pediatrik dhe një shkollë. Ekipet e shpëtimit po punojnë me urgjencë për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënoja, nga ku deri tani janë shpëtuar dy të mbijetuar.

Ndërkohë, alarmi ajror është zgjeruar edhe te fqinjët e Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë njoftoi se në orët e para të së enjtes “një dron hyri në hapësirën ajrore kombëtare rumune, afërsisht 13 kilometra në lindje të qytetit Galați”. Droni është rrëzuar në “një zonë të pabanuar”, duke shkaktuar një zjarr të vogël që u shua menjëherë. Ministria shtoi se “nuk u raportuan viktima apo dëme materiale”. Paralelisht, ushtria polake aktivizoi “operacione mbrojtëse ajrore” për të siguruar kufirin e saj me Ukrainën.

Në kryeqytetin ukrainas, banorët u strehuan nën tokë gjatë rënies së sirenave. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, bëri me dije se sulmet dëmtuan një spital pediatrik, thyen dritare, dogjën automjete pranë tij dhe dëmtuan një institucion arsimor, përveç goditjes së një qendre industriale në distriktin Solomyanskyi. Po ashtu, një sulm në distriktin Brovary i mori jetën një burri dhe plagosi një tjetër, siç njoftoi guvernatori rajonal Tymur Tkachenko. /BBC/

 

Continue Reading

Aktualitet

Reuters: Ushtarët e dërguar nga Trump në Uashington pothuajse nuk luftojnë krimin

Published

on

By

Pavarësisht se presidenti Donald Trump dërgoi mijëra trupa të Gardës Kombëtare në Uashington për të luftuar krimin, një hulumtim i agjencisë së lajmeve Reuters zbuloi se ushtarët pothuajse nuk përfshihen fare në zbatimin e ligjit.

Që nga gushti i kaluar, rreth 4,500 ushtarët e dislokuar janë përmendur në vetëm 1.3% të rasteve penale në kryeqytet, ku në shumicën e herëve ata figurojnë si viktima të krimit dhe jo si persona që kryejnë arrestime. Netët e fundit, ushtarakët janë parë duke patrulluar kryesisht në zona turistike dhe lagje të pasura, ndërsa nuk kanë ndërhyrë as në incidente të dhunshme fizike që kanë ndodhur pranë tyre.

Prania e ushtarëve në kryeqytet i kushton buxhetit rreth 1.65 milionë dollarë në ditë — më shumë se i gjithë buxheti i policisë së qytetit — ndërsa administrata planifikon ta vazhdojë këtë mision deri në vitin 2029 me një kosto totale prej 1.4 miliardë dollarësh. /Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes kërkon zgjedhje në kohë lufe,

Published

on

By

Ish-ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufe, në atë që shumë e shohin si sfidën më të madhe ndaj presidencës së Volodymyr Zelensky-t që nga shpërthimi i luftës me Rusinë në shkurt 2022.

“Demokracia nuk mund të mbahet peng nga Rusia,” tha Fedorov, 35 vjeç, në një video të postuar në YouTube të martën, duke shtuar se Ukraina po lufton “pikerisht sepse dëshirojmë të mbetemi një shtet i lirë evropian”.

Që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022, Ukraina ka qenë nën ligjin ushtarak, gjë që do të thotë se zgjedhjet janë pezulluar.

Fedorov, i cili nuk e përmendi Zelensky-n me emër në video, u shkarkua papritur nga detyra e tij si ministër i Mbrojtjes në fund të korrikut, vetëm gjashtë muaj pas emërimit të tij.

Zelensky ende nuk i është përgjigjur videos së Fedorov-it, reagimi i të cilit nxiti protesta në të gjithë vendin.

Gjatë mandatit të tij si ministër i Mbrojtjes, Fedorov u vlerësua për gjallërimin e ministrisë, udhëheqjen e një fushate kundër korrupsionit dhe përdorimin e të dhënave për të analizuar dhe përpjekur për të përmirësuar performancën në linjën e frontit.

Shkarkimi i tij pranohet gjerësisht se ka pasur lidhje me tensionet mes tij dhe komandantit të përgjithshëm të ushtrisë, Oleksandr Syrskyi. Syrskyi po ashtu u zëvendësua disa javë më vonë, pasi javë të tëra protestash ushtruan presion mbi presidentin ukrainas.

Fedorov nuk dha asnjë tregues për planin e tij politik në videon e YouTube, por në vend të kësaj u përqendrua në nevojën për një “mekanizëm ligjor, të sigurt dhe real që do t’i lejojë Ukrainës të rikthejë një proces të plotë demokratik madje edhe mes një lufe të zgjatur”. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara