Lajmet

REL: Transiti i pasigurt: Kosovarët “nën gjykimin” e Serbisë

Published

on

Kur Tefik Mustafa u kthye në Kosovë pas më shumë se një viti në burgjet e Serbisë, familja e tij e pa të thyer fizikisht dhe emocionalisht.

Sot ai është në Zvicër, duke trajtuar problemet me shikim dhe një krizë nervore – pasoja këto të drejtpërdrejta të kushteve të rënda në burgun ku u mbajt, sipas familjes.

Historia e tij është vetëm një nga shumë rastet e ngjashme të viteve të fundit, kur qytetarë të Kosovës janë arrestuar nga autoritetet serbe gjatë udhëtimeve transit.

Nga udhëtim transit, në 13 muaj paraburgim

Djali i tij, Qamili, rrëfen se Tefik Mustafa – shtetas i Kosovës dhe i Italisë – u nis më 1 qershor 2024 drejt Sllovenisë, përmes Serbisë – rrugë që e kishte përdorur dhjetëra herë më parë.

Në vendkalimin kufitar të Merdares, midis Kosovës dhe Serbisë, ai u ndalua nga policia serbe.

E detyruan që telefonatën e fundit me familjen ta bënte në gjuhën serbe. Pastaj, për 79 ditë nuk na lejuan asnjë kontakt”, rrëfen Qamili për Radion Evropa e Lirë.

Pas një muaji paraburgim në Prokuple, Tefiku u transferua në një burg të sigurisë së lartë në Beograd.

Sipas të birit, ai u akuzua për organizimin e rrëmbimit të tre policëve serbë në qershor të vitit 1999, në magjistralen Prishtinë-Gjilan.

Për familjen, akuza ishte absurde, sepse, siç thotë Qamili, Tefiku as që ndodhej në Kosovë në atë kohë.

Nga viti 1997, ai jetoi dhe punoi në Gjermani, deri më 2004, kur u kthye për herë të parë në Kosovë, pas përfundimit të luftës, thotë Qamili.

Prokuroria kërkoi 27 vjet burg, por Gjykata e dënoi me një vit. Në fund, sipas Qamilit, Tefikun “e shpallën të pafajshëm” dhe e liruan pas 13 muajsh në paraburgim.

Nuk kanë gjetur fakte. Plus, kur e kanë liruar babanë, e kanë shpallur të pafajshëm”, thotë ai.

Qamili pretendon se gjatë kohës në burg, Tefikut i është dëmtuar rëndë shikimi për shkak të ambientit të errët, në të cilin është mbajtur.

Babai, për momentin, gjendet në Zvicër. Ka shkuar për vizitë dhe për trajtim mjekësor, lidhur me problemin me sy, por edhe për një lloj ‘bllokade’… është një lloj krize nervore”, shpjegon ai.

Po sipas tij, familja ka shitur prona dhe është futur në borxhe “për të paguar qindra mijëra euro”, që avokatët serbë kërkonin për ta nxjerrë të lirë.

Gjashtë të arrestuar dhe një i zhdukur më 2025

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me shtetasit e Kosovës, të arrestuar në Serbi këtë vit.

Por, burime të REL-it brenda MPJD-së konfirmojnë se deri më tash këtë vit janë regjistruar gjashtë raste arrestimesh dhe një rast rrëmbimi nga autoritetet serbe.

Të arrestuarit, sipas tyre, dyshohen për “krime lufte” ose “vepra kundër rendit kushtetues të Serbisë”.

Rastet e të arrestuarve në Serbi, sipas burimeve në MPJD

Arbnor Spahiu – i arrestuar në qershor nën dyshimet për “vrasje të rëndë” në Banjskë; u lirua më 21 nëntor.

Lulzim Halili – i arrestuar në korrik, i akuzuar për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Sasha Gjorgjeviq – i arrestaur në korrik, nën dyshimet për “bashkëpunim me Shërbimin Informativ të Shtetit të Shqipërisë (SHISH), përmes Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI)”; mbetet në paraburgim.

Behar Preniqi – i arrestuar në gusht, si “pjesëtar i dyshuar i UÇK-së”; mbetet në paraburgim.

Hazir Haziri – i arrestuar në shtator nën dyshimet për “krime lufte”; mbetet në paraburgim.

Avni Qenaj – i arrestuar në nëntor për “krime lufte”; gjykata në Beograd i dha një muaj paraburgim.

Millan Vukashinoviq dyshohet se është rrëmbyer nga xhandarmëria serbe në Leposaviq – pjesa veriore e Kosovës – më 1 nëntor.

Më 14 gusht, autoritetet serbe kanë njoftuar se i kanë ndaluar edhe dy persona me inicialet X.E. dhe B.E. (Xhemajl dhe Bashkim Emini) në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se si pjesëtarë të UÇK-së, “kanë kryer krime lufte kundër popullsisë civile”. Pesë ditë më pas, ata janë liruar.

Shifrat që nuk i di askush

Avokatët nga Kosova nuk mund t’i mbrojnë qytetarët e ndaluar në Serbi pa licenca serbe, por bashkëpunojnë me avokatë vendas.

Arianit Koci, i angazhuar në disa prej rasteve, thotë se shifrat zyrtare janë “relativisht të pasakta”.

Ka raste kur biznesmenë të caktuar janë ndaluar – me pretendimet se kanë kryer krime të luftës – dhe më pas janë liruar. Por, ata kanë insistuar që të mos bëhen publike këto informata, për shkak se, sipas tyre, ata duhet të vazhdojnë të kalojnë nëpër Serbi”, thotë Koci për Radion Evropa e Lirë.

Ai përmend edhe rastin e një ish-polici që u ndalua për disa orë dhe u lirua pa u marrë vesh nga askush.

Ka shumë raste të tilla”, thotë ai dhe shton se Serbia “i zvarrit qëllimisht procedurat”.

Në rastin e Hazir Hazirit, dëshmitarët e kanë shfajësuar. Por, prokuroria tani kërkon ta kontrollojë telefonin e tij të vitit 2025 për një ngjarje të vitit 1999. Si është e mundur kjo?”, pyet ai.

Sipas tij, Haziri ka kaluar dhjetëra herë më parë nëpër territorin e Serbisë dhe nuk është ndaluar deri në shtatorin e sivjetmë.

Qytetarët janë [dëm] kolateral. Gjithmonë pëson individi kur dy shtetet kanë probleme. Këtë mekanizëm, si duket, Serbia po e shfrytëzon në mënyrë brutale”, shton Koci.

Arrestimet si instrument politik

Ekspertët, gjithashtu, vlerësojnë se këto ndalime ndodhin zakonisht kur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë rriten.

Në dy vjetët e fundit, ato kanë qenë të larta, për shkak të disa veprimeve të Qeverisë së Kosovës për të shtrirë autoritetin e saj edhe në pjesën veriore të vendit, ku popullata shumicë serbe vazhdon të jetë e ndikuar nga pushteti në Beograd.

Behxhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, thotë se qytetarët janë bërë “kolateral politik”.

Është një lojë ‘ping-pong’. Është një kolateral që e paguajnë qytetarët e Kosovës për shkak të raporteve të tensionuara me Serbinë, si dhe për shkak se Kosova dhe Serbia kanë mbetur nën hijen e interesimit ndërkombëtar, si pasojë e luftimeve në Ukrainë dhe zhvillimeve në Lindjen e afërt”, thotë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Serbia po simulon “reciprocitet”, duke pretenduar se po arreston kosovarë si kundërpërgjigje për procedurat në Kosovë ndaj serbëve.

… por, çdo ndalim i jashtëligjshëm është shkelje e të drejtave të njeriut. Arrestimi e pastaj lirimi i shfajëson në letër, por dëmi ndaj personit është i pariparueshëm”, thotë ai.

Shala kritikon klasën politike në të dyja vendet që po i përdor këto raste vetëm për retorikë, pa bërë përpjekje për të ndërtuar mekanizma të vërtetë bashkëpunimi, me ndërmjetësim ndërkombëtar ose ndërinstitucional.

Gjatë këtij viti, MPJD-ja e Kosovës ka përsëritur disa herë thirrjen që shtetasit kosovarë të shmangin udhëtimin përmes territorit të Serbisë, duke vlerësuar se “Serbia nuk është më një territor, i cili ofron siguri minimale për integritetin fizik dhe juridik të shtetasve të Republikës së Kosovës, në veçanti ndaj shqiptarëve”.

Territori i këtij vendi shfrytëzohet sidomos nga shtetasit që duan të kalojnë në territor të BE-së, duke hyrë fillimisht nga Serbia në Hungari, si dhe anasjelltas nga diaspora që viziton Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi i kanë hequr dokumentet për hyrje-dalje nga vera e vitit 2022.

Mes tjerave, ato kanë edhe Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, të arritur qysh në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunimi në praktikë gati se nuk ekziston.

Arrestimet si pasojë e mungesës së dialogut

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, e sheh valën e arrestimeve të shtetasve të Kosovës në Serbi, si dhe të serbëve të Kosovës, si pasojë të drejtpërdrejtë të ndërprerjes së dialogut politik mes dy vendeve.

Sipas tij, që nga takimi i fundit i nivelit të lartë në shtator të vitit 2023, komunikimi mes palëve është “praktikisht i shkatërruar”.

E gjithë kjo tregon se dialogu nuk po funksionon. Arrestimet pa asnjë koordinim janë dëshmi se të gjitha kanalet e komunikimit janë rrënuar”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Sipas Gogiqit, arrestimet e shtetasve të Kosovës në Serbi janë edhe rezultat i presionit të brendshëm politik.

Procedurat penale të nisura në Kosovë kundër disa zyrtarëve serbë – përfshirë edhe drejtues të Listës Serbe për shkelje të dyshuara të ligjeve në Kosovë – kanë krijuar pritshmëri te publiku në Serbi që Beogradi të “përgjigjet”.

Për ta qetësuar këtë opinion, thotë Gogiq, autoritetet serbe shpesh arrestojnë kosovarë gjatë transitit.

Por këto lëvizje, sipas tij, janë edhe një mesazh politik për Prishtinën: “Është simptomatike që arrestimet ndodhin pothuajse paralelisht, në të dyja anët.”

Gogiq shton se tensionet e brendshme në Serbi – protestat e shumta kundër pushtetit që prej nëntorit të kaluar – e ushqejnë po ashtu këtë dinamikë.

Një pjesë e opinionit e akuzon presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për “butësi” ndaj Kosovës, dhe arrestimet shërbejnë si përgjigje politike ndaj këtyre kritikave, sipas tij.

Gogiq paralajmëron se pa bashkëpunim mes dy sistemeve të drejtësisë – qoftë edhe përmes misionit të BE-së në Kosovë, EULEX – qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë do të vazhdojnë të përballen me pasiguri juridike, duke mos e ditur se “çfarë i pret” kur hyjnë në territorin e palës tjetër./REL

Vendi

Sveçla: Arsenal i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok

Published

on

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjetën në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përmeç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t`i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuar, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”./REL/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sveçla: Armët në veri u gjetën në 12 lokacione, do të përcaktohet përdorimi i tyre

Published

on

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshm eXhelal Sveçla, tha se armatimi në pjesën veriore të vendit është gjetur në 12 lokacione të ndryshme, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, tha se këto armë do të ekzaminohen për t’u përcaktuar përdorimi i tyre.

“Armatimi është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë edhe ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve tjera kriminale”, tha Sveçla./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mjekësi, Teknologji, Sport: Eksploro Shkencën e Lëvizjes në UBT

Published

on

By

Sporti sot nuk është më vetëm pasion ose garë në terren — është shkencë, teknologji, mjekësi parandaluese dhe industri me zhvillim të pandalshëm. Nëse dëshiron që pasionin tënde për lëvizjen ta shndërrosh në një karrierë elitare me standarde evropiane, Programi Bachelor në Sport dhe Shkenca e LëvizjesUBT është pikënisja jote ideale.

Përmes një ndërlidhje unik mes metodologjive më moderne, laboratorëve të teknologjisë së lartë dhe bashkëpunimit me ekspertë e studiues të njohur evropianë, UBT të përgatit për të qenë një profesionist lider. Ti nuk do të mësosh vetëm se si të trajnosh, por si të kuptosh në detaje fiziologjinë e organizmit të njeriut dhe si ta optimizosh çdo lëvizje.

Ky program të pajis me njohuri të thella teorike dhe praktike, nga menaxhimi i disiplinave të ndryshme sportive e deri te përdorimi i aktivitetit fizik për qëllime rehabilituese e parandaluese. Përmes teknikave të avancuara, ti do të mësosh se si ta përshtatësh ushtrimin fizik për çdo kategori — nga fëmijët dhe sportistët elitarë, e deri te individët me sfida të veçanta shëndetësore.

Inovacioni dhe teknologjia janë në zemër të studimeve të tua. Në UBT do të mësosh të përdorësh të dhënat elektronike, kërkimin shkencor dhe mjetet digjitale për të matur performancën, për të analizuar lëvizjet dhe për të hartuar programe fitnesi që sjellin rezultate maksimale e të sigurta.

Përveç anës fizike e shkencore, programi zhvillon te ti kompetenca kyçe në menaxhimin dhe marketingun sportiv. Ti do të mësosh se si të udhëheqësh projekte, të organizosh burime dhe të zgjidhësh me kreativitet e inovacion sfidat komplekse në industrinë e sportit, rekreacionit dhe kohës së lirë.

Tregu i punës ka nevojë për profesionistë të formuar sipas standardeve evropiane. Pas diplomimit në UBT, ti nuk do të jesh thjesht një i diplomuar në sport, por një specialist i kualifikuar gati për të udhëhequr në klube sportive, qendra rehabilituese, institucione shëndetësore dhe me sipërmarrje personale. E ardhmja e shkencës sportive fillon në UBT.

 

Continue Reading

Vendi

Vuçiq i kërkon NATO-s të ndalë tërheqjen e KFOR-it nga ura në Mitrovicë

Published

on

By

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i, misioni i aleancës në Kosovë, të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë të Veriut.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

“Besoj se vlerësimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar NATO-s për koment lidhur me kërkesën e Vuçiqit dhe është në pritje të përgjigjes.

Mitrovica, pas luftës së vitit 1999, u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe atë jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Sot ato funksionojnë si dy komuna të ndara.

Megjithatë, që nga përfundimi i luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën mbi Ibër, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Ai tha se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar as mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq tha gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Ulutash u takua më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit dhe që gjithashtu kundërshton zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.

Komandanti i KFOR-it tha atëherë se procesi i optimizimit të pranisë ishte nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe se ai do të zhvillohej gradualisht.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës.

Misioni i NATO-s ka theksuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet përkatëse të secilit në fushën e sigurisë.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut. /REL/

 

Continue Reading

Të kërkuara