Aktualitet

REL: Shtëpia e Bardhë paralajmëron Iranin që të arrijë marrëveshje me SHBA-në

Published

on

Shtëpia e Bardhë e ka paralajmëruar Iranin se do të ishte “i mençur” që të arrinte një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, sërish aludoi në një veprim ushtarak.

Të dyja palët së voni kanë rinisur bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Omani, pasi Trump vazhdimisht kërcënoi me një veprim ushtarak kundër Iranit për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave muajin e kaluar.

Përpjekjet e kaluara për negociata kolapsuan pasi Izraeli kreu sulme të befasishme ndaj Iranit qershorin e vitit të kaluar, duke nisur një luftë 12-ditore, gjatë së cilës Uashingtoni kreu po ashtu bombardime ndaj ndërtesave bërthamore të Iranit.

“Irani do të ishte shumë i mençur nëse do të arrinte një marrëveshje me presidentin Trump dhe administratën e tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Një ditë më parë, Trump përmes një postimi në Truth Social sërish sugjeroi se SHBA-ja mund ta sulmojë Iranin, teksa në Lindjen e Mesme SHBA-ja ka dislokuar forca ushtarake.

Ai paralajmëroi Britaninë që të mos heqë dorë nga sovraniteti mbi Ishujt Çagos në Oqeanin Indian, duke thënë se baza ajrore në arkipelag, Diego Garcia, mund të përdoret nëse Irani nuk pranon një marrëveshje, “për të neutralizuar një sulm të mundshëm nga një regjim shumë i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm”.

Rrjetet televizive amerikane CNN dhe CBS raportuan të mërkurën se ushtria amerikane mund të jetë gati të nisë sulme kundër Iranit që nga kjo fundjavë, megjithëse raportohet se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Ndërkaq, The Wall Street Journal tha se Trump është informuar për opsionet e tij ushtarake, të cilat janë “të gjitha të dizajnuara për të maksimizuar dëmin”, përfshirë edhe një fushatë për të “vrarë dhjetëra udhëheqës politikë dhe ushtarakë iranianë, me synimin për rrëzimin e Qeverisë”, raportoi kjo gazetë duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë.

Të mërkurën, kryediplomati iranian, Abbas Araghchi, tha se Irani është duke “hartuar” një kornizë për bisedime të ardhshme me SHBA-në.

Irani dhe SHBA-ja zhvilluan të martën në Gjeneva rundin e dytë të negociatave, të ndërmjetësuara nga Omani.

Araghchi tha se Teherani ishte pajtuar me Uashingtonin për “parime udhëzuese”, por nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se Irani ende nuk i ka pranuar të gjitha vijat e kuqe të SHBA-së.

Duke folur të mërkurën, presidenti iranian Masoud Pezeshkian këmbënguli se “ne nuk duam luftë”, por la të kuptohet se Teherani nuk mund t’iu nënshtrohet kërkesave të SHBA-së.

“Që nga dita kur mora detyrën, kam besuar se lufta duhet lënë mënjanë. Por, nëse ata do të përpiqen të na imponojnë vullnetin e tyre, të na poshtërojnë dhe të kërkojnë që ne të ulim kokën me çdo kusht, a duhet ta pranojmë këtë?”.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga Omani synojnë të shmangin mundësinë e një veprimi ushtarak amerikan, ndërkaq Teherani po kërkon që Uashingtoni të heqë sanksionet që kanë gjymtuar ekonominë iraniane.

Irani ka insistuar se diskutimet duhet të kufizohen vetëm në çështje bërthamore, edhe pse më herët Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të negociatave të jetë edhe programi i raketave balistike të Teheranit si dhe mbështetja që Republika Islamike jep për grupet e armatosura në rajon.

Përderisa bisedimet kanë rinisur, SHBA-ja ka dislokuar forca afër Iranit.

Uashingtoni ka urdhëruar dërgimin e një aeroplanmbajtësi të dytë në rajon. Aeroplanmbajtësi i parë, USS Abraham Lincoln ka rreth 80 aeroplanë në bord dhe është pozicionuar rreth 700 kilometra larg bregut iranian që nga e diela, sipas pamjeve satelitore.

Irani ka kërkuar të shfaqë fuqinë e vet ushtarake, teksa Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike ka nisur të hënën një seri stërvitjesh ushtarake në Ngushtica e Hormuzit.

Politikanët iranianë vazhdimisht kanë kërcënuar se do ta bllokojnë këtë ngushticë, që është një rrugë kyç për transportin e naftës dhe gazit. Më herët gjatë javës, televizioni shtetëror iranian tha se Teherani do të mbyllë pjesë të kësaj ngushtice për shkak të sigurisë në kohën kur po zhvillohen stërvitjet. /REL/

 

 

Continue Reading

Aktualitet

Trump kundër zgjatjes së armëpushimit: SHBA synon një “marrëveshje të shkëlqyer” me Iranin

Published

on

By

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të zgjasë afatin e armëpushimit me Iranin, duke argumentuar se koha në dispozicion është e kufizuar.

Gjatë një interviste për CNBC këtë të martë, Trump theksoi se Shtetet e Bashkuara ndodhen në një pozicion mjaft të fortë negociues, gjë që sipas tij do të çojë drejt arritjes së një marrëveshjeje tejet të favorshme.

Pavarësisht këtij qëndrimi të prerë të presidentit, zyrtarë në Uashington mbeten optimistë se bisedimet do të vijojnë në Pakistan.

Nga ana tjetër, burime nga Teherani konfirmojnë se autoritetet iraniane po shqyrtojnë mundësinë për t’u bërë pjesë e raundit të ardhshëm të negociatave.

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Podgoricë: Tre të vrarë, dyshohet për shqiptarë nga Rozhaja

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Podgoricën, ku tre persona janë gjetur të vrarë në një apartament të marrë me qira. Sipas Policisë së Malit të Zi dhe raportimeve nga mediumi “Vijesti”, viktimat dyshohet se janë shqiptarë nga Rozhaja, përfshirë dy vëllezër me mbiemrin Hoti.

Autoritetet kanë shpallur në kërkim personin e dyshuar, Vehid Muriq, po ashtu nga Rozhaja, i cili besohet se ka kryer vrasjen e trefishtë me armë të ftohtë. Dyshohet se motivi i krimit ishte një mosmarrëveshje e çastit mes të dyshuarit dhe viktimave, të cilët ishin miq dhe punonin së bashku në ndërtim.

Krimi u zbulua në mënyrë të tërthortë pasi i dyshuari, pasi kreu vrasjet në Podgoricë, u kthye në qytetin e tij të lindjes ku ushtroi dhunë ndaj familjarëve të tij. Ishte pikërisht denoncimi i familjes në polici për dhunë që çoi hetuesit drejt zbulimit të tmerrshëm në kryeqytetin malazez. Policia po vazhdon operacionin për kapjen e autorit të dyshuar.

Continue Reading

Lajmet

Programi Art dhe Media Digjitale në UBT sjell ekspertë të industrisë për përvojë praktike të studentëve

Published

on

By

Në kuadër të qasjes së tij inovative dhe të orientuar drejt praktikës, programi Art dhe Media Digjitale në UBT po vazhdon të krijojë ura të forta lidhëse ndërmjet akademisë dhe industrisë kreative. Në këtë frymë, në lëndën “Praktika në Studio 3”, studentët patën mundësinë të marrin pjesë në një ligjëratë të veçantë nga ekspertja e dizajnit grafik, Jetë Dobranja.

Ky aktivitet solli një perspektivë të drejtpërdrejtë nga industria, duke i njohur studentët me procesin e plotë të dizajnimit të librave dhe katalogëve të ekspozitave – nga hulumtimi fillestar dhe zhvillimi i konceptit vizual, deri te bashkëpunimi profesional me kuratorë, artistë dhe shtypshkronja, si dhe përgatitja e publikimeve për shtyp sipas standardeve bashkëkohore.

Përmes shembujve konkretë dhe përvojës së saj profesionale, Dobranja ndau praktika reale të punës në dizajnin grafik, duke u mundësuar studentëve të kuptojnë më qartë sfidat, kërkesat dhe dinamikën e industrisë kreative. Ky bashkëbisedim interaktiv shërbeu si një platformë frymëzuese për studentët, duke i inkurajuar ata të zhvillojnë qasje kreative dhe profesionale në projektet e tyre.

Ligjërata vuri në pah rëndësinë e komunikimit vizual dhe bashkëpunimit ndërdisiplinor në art dhe dizajn – elemente kyçe që programi Art dhe Media Digjitale në UBT i integron në mënyrë të vazhdueshme në kurrikulë, për të përgatitur studentët për tregun e punës dhe industrinë globale kreative.

Aktivitete të tilla dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të ofruar një edukim bashkëkohor, ku teoria dhe praktika ndërthuren në mënyrë të natyrshme, duke u mundësuar studentëve të ndërtojnë kompetenca të qëndrueshme dhe të aplikueshme në karrierën e tyre.

UBT mbetet një nga institucionet lider në zhvillimin e talenteve të rinj në fushën e artit dhe medias digjitale, duke sjellë vazhdimisht profesionistë të industrisë për të ndarë njohuri, përvoja dhe inspirim me gjeneratat e reja.

Në përfundim, studentët dhe stafi akademik shprehën mirënjohje për Jetë Dobranjën për kontributin, përkushtimin dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën e saj me studentët e UBT-së.

Continue Reading

Lajmet

Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vite burg për Kushtrim Kokallën

Published

on

By

Lajm në zhvillim

Familja Ademaj flet pas dënimeve të përjetshme: “Ky është një mësim për të gjithë”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar sot burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Menjëherë pas përfundimit të seancës, vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, u deklarua para mediave duke shprehur lehtësimin e familjes për vendimin e drejtësisë.

“Ajo që u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë ne nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim,” tha ai para gazetarëve.

Ademaj theksoi se pesha e këtij vendimi tejkalon dhimbjen e tyre familjare, duke u fokusuar te fëmijët që mbetën pa nënë. “Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, shkon edhe për Liridonën dhe për gjithë fëmijët e Liridonës, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht,” shtoi ai me emocione.

Në fund, ai bëri thirrje që kjo dritë e drejtësisë të shërbejë si parandalim për shoqërinë. “Andaj ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë të tjerët që mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë,” përfundoi Leonard Ademaj.

Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë ku u vërtetua se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, duke inskenuar një grabitje të rreme në fshatin Bërnicë në nëntor të vitit 2023.

Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vite burg për Kushtrim Kokallën

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin dënues për vrasjen makabre të Liridona Ademajt, duke shqiptuar dënime maksimale për protagonistët e këtij krimi.

Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës i cili u vërtetua se ishte organizatori i vrasjes, dhe Granit Plava, në cilësinë e ekzekutorit, janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, është dënuar me 30 vite burgim për bashkëpunim në kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë. Ky vendim vjen pas një procesi gjyqësor maratonë që zgjati mbi një vit, gjatë të cilit u zbardh skenari gjakftohtë i inskenuar si grabitje e armatosur.

Sfondi i kësaj tragjedie daton më 29 nëntor 2023, kur Liridona Ademaj u vra në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja Javorka Perlinçeviq, Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të prishura dhe me qëllim përfitimin financiar nga një polisë e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze.

Për ta jetësuar planin, ai kishte bashkëpunuar me familjarin e tij, Kushtrim Kokallën, i cili e kishte njoftuar me Granit Plavën, personin që pranoi ta kryente vrasjen për një shumë prej 30 mijë eurosh.

Në ditën kritike, Murseli dhe Plava blenë armën nga Tom Dodaj (i dënuar më parë me 3 vite burgim), dhe inskenuan ngjarjen në atë mënyrë që të dukej si sulm nga grabitësit.

Dosja e prokurorisë përshkruan një moment rrëqethës ku thuhet se Murseli e kishte mbajtur Liridonën për dore që ajo të mos u shmangej plumbave të shkrepur nga Plava, para se ai të largohej nga vendi i ngjarjes me fëmijët. Megjithëse të akuzuarit refuzuan të ishin prezentë në sallë për shpalljen e vendimit, ky aktgjykim i shkallës së parë shënon epilogun e një prej rasteve më tronditëse në historinë e drejtësisë kosovare.

 

Continue Reading

Të kërkuara