Lajmet

REL: Liberalizimi i vizave për Kosovën në rend dite më 13 tetor në BE

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Published

on

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel. Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër.

Presidenca Çeke përmend aty pikërisht liberalizimin e vizave për Kosovën si shembull se si BE-ja mund të rrisë besueshmërinë në rajon.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE, që është shumë i vonuar tashmë. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor (dhe një prej pak vendeve në Evropë) që akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në. Ky fakt ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së”, thuhet në letër.

Aty, po ashtu, rikujtohet rrugëtimi i Kosovës drejt përmbushjes së kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në letër.

Presidenca Çeke e BE-së thekson se pret që Komisioni Evropian të konfirmojë mendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidenca Çeke është në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian. Jemi pajtuar për një përditësim teknik të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave që do të mbulonte periudhën nga raporti i publikuar në vitin 2018. Ky përditësim teknik supozohet se do t’i paraqitet grupit punues për vizat në muajin tetor”, thuhet po ashtu letër.

Sipas saj, Presidenca Çeke beson se ky përditësim do të jetë pozitiv dhe se do t’i konfirmojë rezultatet e gjetjeve të Komisionit në vitin 2018. “Ambicie e Presidencës Çeke është që të ndërtojë mbështetje mes shteteve anëtare dhe të nisë procedurën relevante legjislative, që do të rezultojë me relaksimin e regjimit të vizave për Kosovën”, thekson letra.

Përmes saj, Çekia thotë se i kupton edhe shqetësimet e disa vendeve anëtare të BE-së për implikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave për Kosovën për sigurinë e brendshme të tyre. Për këtë arsye, ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare janë më shumë të rezervuara për të miratuar liberalizimin e vizave, sesa ministritë e Punëve të Jashtme.

Çekia, megjithatë, thirret në vlerësimin e Komisionit Evropian për adresimin e këtyre shqetësimeve. “Komisioni Evropian është i bindur se dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk paraqet rrezik për vendet anëtare në formën e valës së imigrimit”, thotë Presidenca çeke, duke shtuar se edhe Kosova ka marrë masa për t’i adresuar këto shqetësime.

“Vlen po ashtu të theksohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 3 gusht rezolutën për liberalizimin e vizave. Me këtë rezolutë, institucionet e Kosovës zotohen t’i zbatojnë të gjitha reformat, për të garantuar sundimin e ligjit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidenca çeke vlerëson lart miratimin e kësaj rezolute, e cila është një dëshmi e rëndësishme e përkushtimit nga ana e Kosovës”, thuhet në letër.

Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit, e cila do të shoqërohet edhe me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Edhe nga Komisioni Evropian është konfirmuar se do të raportojë pozitivisht për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave. Burimet diplomatike në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Por, përkundër kësaj, ato hezitojnë të përmendin afate se kur do të miratohej vendimi dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen. Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./REL/

Lajmet

39 inspektorë dhe mbledhës borxhesh i bashkohen ATK-së

Published

on

By

Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) i janë bashkuar sot 39 punonjës të rinj, 32 inspektorë fillestarë dhe 7 mbledhës të borxheve me qëllim fuqizimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të institucionit.

Gjatë mikpritjes së punonjësve të rinj, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, nënvizoi përgjegjësinë e madhe që ata marrin për të dëshmuar integritet dhe profesionalizëm në shërbim të shtetit dhe tatimpaguesve.

Përzgjedhja e tyre u bë përmes një procesi konkurrues publik ku morën pjesë mbi 1,800 kandidatë në fazat vlerësuese, ndërsa vlerësimi u realizua nga një komision i jashtëm mbi bazën e meritokracisë dhe transparencës. Me këtë rekrutim, ATK synon rritjen e efikasitetit në mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe menaxhimin e borxheve. / E.A/

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

MINTI intensifikon kontrollet në Prishtinë e Gjilan për mbrojtjen e të drejtës së autorit

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), ka zhvilluar sot një aksion inspektimi në rajonin e Prishtinës dhe Gjilanit për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit për të drejtën e autorit.

Fokusi i këtyre kontrolleve ishte te bizneset që ushtrojnë veprimtari të fotokopjimit, riprodhimit dhe shpërndarjes së materialeve të mbrojtura me e drejtë autori. Qëllimi kryesor i aksionit është parandalimi i piraterisë, verifikimi i respektimit të kërkesave ligjore dhe mbrojtja e veprave të autorëve.

Inspektimet janë mbështetur në Ligjin për të Drejtën e Autorit dhe ato do të vazhdojnë edhe në rajone të tjera të Kosovës, duke u bazuar në informacionet dhe ankesat e pranuara nga konsumatorët.

Continue Reading

Lajmet

Rama shkarkon Vlora Hysenin pas hetimeve të SPAK-ut për skandalin e AKSHI-t

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga New York-u lidhur me masën e “arrestit shtëpiak” të vendosur nga SPAK-u ndaj drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, duke njoftuar lirimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Hyseni po hetohet nga SPAK-u nën dyshimet për zbulim të sekretit shtetëror, ndihmë ndaj personave të përfshirë në krim të organizuar, si dhe për përfshirje në skandalin e korrupsionit me tenderët 59-milionësh të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Lidhur me këto akuza, Rama theksoi se çdo dyshim i organit të akuzës duhet të hetohet e të zbardhet deri në fund përmes një procesi të pavarur gjyqësor, duke nënvizuar se asnjë zyrtar nuk është mbi ligjin.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, ka shkruar Rama.

Shefi i qeverisë shqiptare nënvizoi se pavarësia e organeve të drejtësisë është një rrugë pa kthim dhe se fajësia apo pafajësia mbetet përgjegjësi individuale e çdokujt para gjykatës.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur, qëndrimi im mbetet i njëjtë: kjo shumicë nuk bën avokatinë e askujt”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, Rama kritikoi reagimet e opozitës dhe medias, duke e quajtur të pashmangshme që çdo hetim ndaj personave publikë të kthehet në “gjyq mesjetar” përpara se gjykata të thotë fjalën e saj përfundimtare.

 

Continue Reading

Lajmet

Liderët botërorë mblidhen në OKB: Në fokus Lindja e Mesme, Ukraina dhe IA

Published

on

By

Dhjetëra liderë botërorë do të mblidhen këtë javë në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York për të marrë pjesë në sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme. Vëmendja kryesore e diskutimeve pritet të përqendrohet në tensionet në Lindjen e Mesme mes SHBA-së dhe Iranit, luftën në Ukrainë, si dhe sfidat e inteligjencës artificiale.

Punimet do të hapen nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dhe presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva, ndërsa ndër folësit e parë do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump. Gjatë kësaj seance, fjalën do ta marrin 13 udhëheqës shtetërorë, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdogan dhe atë francez Emmanuel Macron.

Në Nivelin e Lartë të këtij sesioni po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. Meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, delegacioni nga Prishtina nuk do t’i adresohet Asamblesë, por do të zhvillojë takime dypalëshe në margjinat e kësaj ngjarjeje ndërkombëtare. /BBC/

 

Continue Reading

Të kërkuara