Lajmet
REL: Kur Perëndimi përçahet, gjëma ndihet edhe në Ballkan
Published
2 months agoon
By
UBTnewsPër Kosovën nuk do të ishte hera e parë që Rusia kërkon hise në fatin e saj. Nga kundërshtimi i intervenimit të NATO-s më 1999, te krahasimi me Krimenë e aneksuar dhe bllokimi i njohjeve ndërkombëtare, Moska ka luajtur vazhdimisht rolin e kundërshtarit të shtetësisë së saj.
Sot, kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe BE-së janë të tensionuara, ky ndikim rus rrezikon të bëhet edhe më i hapur.
Këtë javë, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, konfirmoi se Moska ka hapur kanale komunikimi me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në Ballkan dhe se është e gatshme t’i thellojë ato. Ai, gjithashtu, la të kuptohet se edhe amerikanët duan të angazhohen.
“Ne kemi më shumë mundësi për të komunikuar me SHBA-në [sesa me BE-në] për Ballkanin – veçanërisht për Bosnje e Hercegovinën dhe vendet e tjera të rajonit. Kontaktet e tilla po vazhdojnë. Ato ende nuk kanë sjellë rezultate pozitive ose të qarta. Por, ne jemi të hapur për këto kontakte dhe, mësa mund të gjykoj, edhe kolegët tanë amerikanë janë të gatshëm t’i zhvillojnë”, tha Lavrov.
Radio Evropa e Lirë pyeti Departamentin amerikan të Shtetit nëse SHBA-ja po diskuton me Rusinë për Kosovën, Bosnjën apo vendet e tjera të Ballkanit, si koordinohet me Evropën dhe si e vlerëson rolin e Moskës në rajon, por nuk mori asnjë përgjigje që nga 20 janari.
Bashkimi Evropian theksoi se nuk mund t’i konfirmojë shkëmbimet e mundshme mes palëve të treta.
“BE-ja është partneri kryesor politik, ekonomik dhe strategjik i Ballkanit Perëndimor dhe është plotësisht e angazhuar në rajon”, tha një zëdhënës i bllokut për Radion Evropa e Lirë.
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk i komentoi deklaratat e Lavrovit, por kryeministri Albin Kurti, në një ngjarje në Davos, paralajmëroi për kërcënimin e tërthortë që i vjen Kosovës nga Rusia përmes Serbisë – të dyja shtete që s’e njohin pavarësinë e saj.
“Kushdo që ndihmon fqinjin tonë verior në përpjekjet për të na destabilizuar, na shkakton probleme edhe neve. Kërcënimi ynë më i afërt në këtë drejtim është Federata Ruse”, tha Kurti.
Në Ballkanin Perëndimor, Rusia ka një rol aktiv, kryesisht përmes lidhjeve të saj me Serbinë dhe Republikën Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, ndërsa ndikimi i saj në vende të tjera, si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, mbetet më i kufizuar dhe shpesh indirekt.
Përmes dezinformatave, medias proruse dhe ndikimit energjetik, Moska synon të ngadalësojë integrimin euroatlantik, të shtojë paqëndrueshmërinë në rajon dhe të sfidojë interesat e SHBA-së dhe BE-së.
Parlamenti Evropian ka miratuar disa rezoluta që i dënojnë këto praktika dhe kërkojnë reagim të koordinuar nga Bashkimi Evropian dhe vendet partnere.
Një raport i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, i publikuar në vitin 2024, nënvizon se “një nga qëllimet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor është të parandalojë rreshtimin e Serbisë krah Perëndimit. Një mënyrë për ta arritur këtë, është mbështetja e vendosur e qëndrimit të Serbisë ndaj Kosovës dhe pengimi i procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
Në gati katër vjetët e fundit – prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës – Moska është përballur me një mur sanksionesh ekonomike dhe izolimi diplomatik nga Perëndimi.
Së fundmi, disa prej këtyre pengesave kanë nisur të zbuten, veçanërisht pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, vitin e kaluar në Alaskë, si dhe bisedimeve pasuese mes zyrtarëve të të dyja vendeve për të gjetur një rrugëdalje nga konflikti në Ukrainë.
Shumë prej udhëheqësve evropianë, nga ana e tyre, kanë mbajtur qëndrime më të forta dhe nuk kanë dhënë sinjale lehtësimi ndaj Rusisë. Por, raportet transatlantike i kanë tensionuar edhe një varg çështjesh tjera – nisur nga situata në Gazë deri tek ambiciet amerikane për Grenlandën – duke e bërë skenën ndërkombëtare më të paparashikueshme se kurrë.
“E dua Evropën dhe dua ta shoh mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur”, tha Trump në Forumin Ekonomik Botëror, që u mbajt këtë javë në Davos.
Për Ivanа Stradnerin, nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, çarja transatlantike është një “ëndërr e bërë realitet për Moskën”, pasi i jep asaj mundësinë t’i shfrytëzojë krizat në Ballkan dhe të bëjë llogari për Ukrainën. Ndër vendet më të cenueshme është Bosnje dhe Hercegovina.
“… për shkak të grupeve të ndryshme fetare dhe etnike. Kjo krijon një pikë fërkimi që Rusia mund ta shfrytëzojë për të përshkallëzuar krizën – me ndihmën edhe të udhëheqësit serb, Millorad Dodik – dhe më pas për ta qetësuar situatën. Këtë do ta përdorte si kartë për negociata, duke i thënë Perëndimit se, nëse nuk do që konflikti të përhapet më tej, ai duhet të negociojë me Rusinë”, thotë Stradner për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington, thotë se Rusia do që ta paraqesë SHBA-në si palë reale negociuese dhe BE-në si të parëndësishme. Ai e konsideron ndarjen transatlantike si tejet të rrezikshme dhe kundërproduktive për frenimin e Rusisë.
Sipas tij, heqja e sanksioneve ndaj Dodikut e ka afruar qëndrimin e SHBA-së me interesat e Moskës në Bosnje e Hercegovinë – ndonëse Departamenti amerikan i Shtetit ka sqaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se ky vendim është marrë pas tërheqjes së autoriteteve të Republikës Sërpska nga një sërë ligjesh të vlerësuara si antikushtetuese.
Kupchan i interpreton deklaratat e Lavrovit si një sinjal të hapjes më të madhe të Uashingtonit ndaj Moskës, krahasuar me Brukselin, dhe si pjesë e një modeli më të gjerë, ku politika amerikane përkon pa dashje me synimet ruse në Ballkan.
“Duke qenë se Dodiku është prorus dhe duke pasur parasysh se Rusia favorizon paqëndrueshmërinë në rajon – gjë për të cilën njihet edhe Republika Sërpska – kjo, në njëfarë mënyre, i vendos Uashingtonin dhe Moskën në të njëjtën vijë kur bëhet fjalë për Bosnje e Hercegovinën”, thotë Kupchan për Exposenë.
Kupchan vlerëson se dialogu i SHBA-së me Rusinë për Ukrainën është i nevojshëm, por paralajmëron se në Ballkan bashkëpunimi me Moskën duhet shmangur, pasi interesat e saj janë “diametralisht të kundërta” me ato amerikane.
“Partner kryesor i Amerikës në Ballkan është Bashkimi Evropian, jo Rusia. Për këtë arsye, ajo që duhet parë, është një bashkëpunim dhe diplomaci shumë më e intensifikuar mes SHBA-së dhe BE-së, edhe pse është e vështirë tani, duke pasur parasysh se marrëdhëniet SHBA-Evropë, në këtë pikë, nuk janë në një gjendje të mirë”, thotë Kupchan.
Ai beson se Kosova është në radarin e Trumpit dhe se administrata e tij do ta shtyjë Prishtinën dhe Beogradin drejt përparimit në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve, por vlerëson se Rusia mund të përpiqet ta pengojë këtë proces, pasi “synon të ruajë unitetin pan-ortodoks në rajon”.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë në gatishmëri ndaj përpjekjeve të mundshme ruse “për të ndezur trazira të reja”.
E, Stradner ndan një mendim më ndryshe – Kosova është pjesë e një tabloje më të gjerë gjeopolitike, por nuk përbën fokusin kryesor të Rusisë.
“Besoj se situata në Kosovë, sa i përket sigurisë, është më e mirë se disa vite më parë. Dhe, gjëja e fundit që duan tani Shtetet e Bashkuara është një përshkallëzim i pakontrolluar”, thotë Stradner.
Megjithatë, sipas Stradnerit, Kosova nuk mund të harrojë kurrë se në Serbi dhe Bosnje gjenden bastionet kryesore të ndikimit rus. Përveç lidhjeve politike, Moska disponon në këto dy vende edhe leva presioni dhe shantazhi – nisur nga kontrolli mbi energjinë dhe gazin, deri te ndikimi ekonomik dhe mediatik – të cilat përdoren për të ruajtur hapësirën e saj strategjike dhe për të influencuar rajonin.
“Kosova duhet të zhvillojë lidhje shumë më të ngushta me Bashkimin Evropian dhe të jetë jashtëzakonisht diplomatike dhe e mençur në qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara”, thotë Stradner.
Edhe BE-ja, sipas Stradnerit, duhet të tregojë lidership të vërtetë në Ballkanin Perëndimor, ku, deri më tash, nuk ka qenë edhe aq efektive.
Por, me fjalët e saj, është koha kur të gjithë jemi si ato “macet që ndjekin lazerin” – reagojmë pa pushim ndaj ngjarjeve që lëvizin shpejt, pa kontroll real dhe pa një ide të qartë se çfarë vjen më pas. Ndërkohë që drita na mban të mbërthyer në lojën e saj, bota nuk pret.
Burimi: REL
You may like
Rajoni
Kurti takon Macron në Paris: Franca mbështet integrimin evropian të Kosovës
Published
7 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.
Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri, ndërsa Kurti shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.
Në takim u diskutua për integrimet evropiane, sigurinë dhe bashkëpunimin bilateral, ku u theksua edhe roli i NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Evropian.
Kurti, sipas komunikatës, theksoi se “Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, duke përmendur edhe progresin në reformat e brendshme.
Ai shtoi se vendi ka shënuar “progres në 35 nga 38 fusha”, sipas Raportit të fundit të BE-së, dhe kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për dialogun Kosovë–Serbi në Bruksel, sigurinë rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët euroatlantikë.
Po ashtu, palët folën për investimet në arsim dhe organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë–Francë, pas forumit të mbajtur në shkurt në Prishtinë, si dhe për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë.
Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë francezë dhe diplomatë të Kosovës, ndërsa u konfirmua përkushtimi për thellimin e partneritetit mes dy vendeve.
Aktualitet
SHBA dhe Kosova diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në energji dhe miniera
Published
9 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të diskutuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në sektorët e energjisë dhe minierave.
Gjatë këtij takimi, Prattipati rikonfirmoi përkushtimin e Ambasadës amerikane për krijimin e mundësive të reja për bizneset nga Shtetet e Bashkuara, me fokus të veçantë tek ato që operojnë në sektorin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe në industrinë minerare.
Duke vlerësuar ecurinë e bisedimeve, diplomatja amerikane u shpreh se “ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha që promovojnë prosperitetin e ndërsjellë” mes dy vendeve.
Të dyja palët konfirmuan vullnetin për të forcuar lidhjet ekonomike, duke synuar projekte që sjellin stabilitet energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën përmes investimeve strategjike amerikane.
Vendi
Osmani pret në takim ambasadorin turk: Vlerësohet lart mbështetja për FSK-në dhe diplomacinë
Published
9 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet aktuale politike.
Gjatë kësaj bisede, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si në planin historik, ashtu edhe gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në fushat jetike si mbrojtja dhe diplomacia.
Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi lart rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe përkrahjen e palëkundur që ky shtet ka ofruar në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Ajo drejtoi një falënderim të veçantë për Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit Angılı dhe të gjithë stafit të Ambasadës Turke në Prishtinë.
“Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjatë takimit, të dy palët riafirmuan përkushtimin e tyre për ta fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët.
Në përmbyllje të bisedës, u diskutua edhe për aspektin sportiv, konkretisht për ndeshjen e ardhshme kualifikuese për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Me këtë rast, u shpreh dëshira që kjo përballje në fushën e blertë të karakterizohet nga fryma e lartë sportive dhe respekti i ndërsjellë që ekziston mes dy vendeve.
Lajmet
Vetëm 33% e raketave të Iranit janë shkatërruar me siguri nga SHBA
Published
10 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Shtetet e Bashkuara mund të përcaktojnë me siguri se kanë shkatërruar vetëm rreth një të tretën e arsenalit gjigant të raketave të Iranit, ndërsa lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër vendit po i afrohet markës së saj njëmujore, sipas pesë personave të njohur me inteligjencën amerikane, raporton Reuters.
Statusi i rreth një të tretës tjetër është më pak i qartë, por bombardimet ka të ngjarë të kenë dëmtuar, shkatërruar ose varrosur ato raketa në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, thanë katër nga burimet. Burimet folën në kushte anonimiteti duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të informacionit.
Një nga burimet tha se inteligjenca ishte e ngjashme edhe për aftësitë e dronëve të Iranit, duke thënë se kishte një shkallë sigurie se rreth një e treta ishte shkatërruar.
Vlerësimi, i cili nuk është raportuar më parë, tregon se ndërkohë që shumica e raketave të Iranit janë ose të shkatërruara ose të paarritshme, Teherani ka ende një inventar të konsiderueshëm raketash dhe mund të jetë në gjendje të rikuperojë disa raketa të varrosura ose të dëmtuara sapo të ndalojnë luftimet.
Inteligjenca bie në kundërshtim me deklaratat publike të Presidentit Donald Trump të enjten se Irani kishte “shumë pak raketa të mbetura”. Ai gjithashtu duket se pranoi kërcënimin nga raketat dhe dronët e mbetur iranianë për çdo operacion të ardhshëm të SHBA-së për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit, e cila është jetike ekonomikisht.
Reuters raportoi i pari se ai po shqyrton nëse do ta përshkallëzojë konfliktin duke vendosur trupa amerikane në brigjet iraniane përgjatë Ngushticës.
“Problemi me ngushticat është ky: le të themi se bëjmë një punë të shkëlqyer. Themi se kemi goditur 99% (të raketave të tyre). 1% është e papranueshme, sepse 1% do të thotë një raketë që godet trupin e një anijeje që kushton një miliard dollarë,” tha Trump në një mbledhje kabineti të transmetuar në televizion të enjten.
I pyetur për koment, një zyrtar i Pentagonit tha se sulmet me raketa dhe dronë iranianë kanë rënë me rreth 90% që nga fillimi i luftës. Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane “ka dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu mbi 66% të objekteve të prodhimit të raketave, dronëve dhe mjeteve detare, si dhe kantieret detare të Iranit,” shtoi zyrtari.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Përfaqësuesi demokrat Seth Moulton, një veteran i Korpusit të Marinës që shërbeu katër turne në Irak, refuzoi të komentonte gjetjet e Reuters, por ai kundërshtoi pretendimet e Trump për ndikimin e luftës në arsenalin e Iranit.
“Nëse Irani është i zgjuar, ata kanë ruajtur një pjesë të aftësive të tyre – nuk po përdorin gjithçetka që kanë. Dhe ata po qëndrojnë në pritë,” tha Moulton. /Reuters/
Kurti takon Macron në Paris: Franca mbështet integrimin evropian të Kosovës
SHBA dhe Kosova diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në energji dhe miniera
Osmani pret në takim ambasadorin turk: Vlerësohet lart mbështetja për FSK-në dhe diplomacinë
Vetëm 33% e raketave të Iranit janë shkatërruar me siguri nga SHBA
Betohen anëtarët e rinj të KQZ-së para Presidentes Osmani
Kosova U19 shkëlqen me fitore të thellë ndaj Gjibraltarit në kualifikime
Ndahet nga jeta Salih Zogiani, ruajtësi i anekdotave shqiptare
KPK-ja themelon Komisionin për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike
Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin e mjeteve bujqësore në zonat urbane
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
