Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ka marrë pjesë në Samitin e Arsimit dhe Aftësimit Profesional – VET Samiti, ku ka prezantuar formulën e financimit të arsimit profesional dhe për mënyrën e ndërlidhjes së arsimit profesional me sektorin privat, formulë kjo e zhvilluar nga UBT për programin ALLED2, financuar nga Komisioni Evropian dhe Agjencia Austriake për Zhvillim.
Përgjatë prezantimit, rektori Hajrizi theksoi se formula financiare për sistemin arsimor vjen si nevojë e sistemit, dhe se planifikimi financiar duhet bazuar në indikatorë që përfaqësojnë nevojat për shkollat, ndaj sipas rektorit Hajrizi kjo shërben edhe si një mjet simulimi për skenarë të ndryshëm të financimit.
“Propozimi për formulën financiare për arsimin profesional në Kosovë del si nevojë e akceptimit pak më ndryshe të arsimit profesional sepse i ka disa karakteristika më specifike të cilat duhet të trajtohen. Ne jemi munduar ta ndjekim tërë zingjirin e furnizimit, nga klasa e deri te praktika, përfshirë këtu edhe të gjitha komponentët e nevojshme duke i definuar ato, dhe në bazë të kësaj kemi parë se një formulë e tillë e financimit me një ristrukturim pak më ndryshe dhe adaptim më ndryshe, mund të mbetet prapë në ngjyrën e njëjtë të ligjeve dhe rregulloreve pa ndryshuar dhe komplikuar konceptin legal”, ka thënë rektori Hajrizi.
Dokumenti i quajtur “Planifikimi Financiar për Sistemin e AAP-së në Kosovë – Propozim për Përmirësim”, publikuar nga programi ALLED2 dhe prezantuar nga rektori Hajrizi shtjellon në detaje skenarët të cilët duhet ndjekur për një zgjidhje efektive, duke sjellë analiza dhe rekomandime të opsioneve të ndryshme të mundshme rreth financimit të AAP-së në Kosovë, brenda kornizës legjislative ekzistuese.
Rektori Hajrizi ka thënë se UBT shquhet për kontributin e dhënë për arsimin dhe edukimin profesional, sidomos në fushën që lidhet me STEAM, në ngritjen e infrastrukturës moderne për këtë lloj arsimi, si dhe për sjelljen e praktikave më të mira austriake, gjermane, zvicerane, e të shteteve të tjera të botës.
“Arsimi profesional zë një vend të merituar në ekosistemin inovativ që ne po e ndërtojmë në Parkun Shkencor Inovativ, por edhe në qendrat e tjera nëpër regjionet e Kosovës dhe Shqipërisë. Mekatronika, energjia, robotika, ICT, ndërmarrësia, ndërtimi, arkitektura, dizajni industrial, shëndetësia, ushqimi, turizmi, menaxhimi i projekteve e shumë programe të tjera, për herë të parë në Kosovë janë zhvilluar në UBT”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ky samit është duke u mbajtur për herë të parë në Kosovë, me qëllim diskutimin mbi rolin kyç të arsimit dhe aftësimit profesional në rritjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës së bashku me Fondacionin BESA.
Në një intervistë në “Rreth e Rrotull”, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, deklaroi se institucioni që ai drejton ka qenë themelues dhe udhëheqës i zhvillimeve më të rëndësishme teknologjike në Kosovë, duke përmendur se mbi 60% e profesionistëve të IT-ve në vend janë ish-studentë të UBT-së.
“Jemi krenarë kur shkojmë në bankat dhe institucionet kryesore dhe shohim menaxherët tanë, studentët tanë. Kur një student i yni krijon një kompani të suksesshme për siguri kibernetike dhe merr financim direkt nga SHBA, kjo flet vetë për suksesin tonë”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Ai theksoi se UBT nuk ka qenë thjesht një shkollë, por një institucion inovativ që ka krijuar struktura dhe ekosisteme për zhvillim ekonomik dhe teknologjik. “Kemi qenë të parët në robotikë, të parët që kemi sjellë Mekatronikën në Kosovë, kur as nuk kuptohej ende termi,” kujtoi Hajrizi.
Përpos arritjeve teknologjike, rektori theksoi rolin e UBT-së si një institucion me ndikim të madh në politikëbërje dhe zhvillim shoqëror.
“Ne bashkëpunojmë me qeverinë, me ministritë, me industrinë kreative dhe me bizneset, duke ofruar ekspertizë dhe duke ndërtuar ura të zhvillimit të qëndrueshëm”, tha ai.
Hajrizi përmbylli me një mesazh të fortë për rininë dhe institucionet: “Mos ndjeni inferioritet. Ne jemi të barabartë me botën dhe jemi këtu për ta ndërtuar Kosovën si një qendër të teknologjisë dhe inovacionit”.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë një interviste në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, deklaroi se UBT ka ndërtuar një platformë të qëndrueshme dhe të avancuar për aplikimin e inteligjencës artificiale (IA) në arsim, duke u bërë ndër institucionet e para në rajon që e kanë integruar këtë teknologji në të gjitha nivelet e mësimdhënies.
Sipas Rektorit, për katër vite me radhë, UBT ka punuar intensivisht për të ndërtuar infrastrukturën teknologjike dhe për të zhvilluar module të reja që bazohen në IA.
“Ne kemi krijuar një superkompjuter, qendër për të dhëna të mëdha (Big Data), 5G, dhe kemi zhvilluar madje edhe profesorë të bazuar në AI, që mund të ndërveprojnë me studentët”, deklaroi Rektori Hajrizi.
Ai shtoi se UBT tashmë ka zhvilluar një staf të përgatitur që mund të integrojë teknologjitë më të fundit në kurrikula, duke lejuar mësimin virtual dhe hibrid përmes platformave të zgjuara.
“Studentët tanë sot mësojnë përmes inteligjencës artificiale, punojnë në projekte reale dhe janë të përgatitur për tregun global të punës”, theksoi ai.
Të premten, më 16 maj, do të mbahet aktiviteti humanitar “Dita e Bamirësisë”, i organizuar nga studentët e Fakultetit të Psikologjisë me mbështetjen e UBT-së. Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e objektit I, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan.
Ky aktivitet ka për qëllim të bashkojë studentët dhe profesorët në një nismë me ndikim të prekshëm në komunitet.
Gjatë aktivitetit, do të ofrohen për shitje ushqime të përgatitura (torte, ëmbëlsira, ushqime të lehta, etj.), kundrejt një kontributi simbolik.
Të gjitha të ardhurat nga ky aktivitet do të dhurohen për Qendrën për Shëndet Mendor – Spitali i Përgjithshëm në Shtime, me qëllim të mbështetjes së pacientëve dhe stafit të këtij institucioni.
Motoja e aktivitetit është:
“Studentët dhurojnë buzëqeshje, jo vetëm dije”.
Ju inkurajojmë të bëheni pjesë e kësaj dite solidariteti dhe dashamirësie. Kontributi juaj, sado i vogël, mund të sjellë një ndryshim të madh për dikë në nevojë.
Për të konfirmuar pjesëmarrjen tuaj, ju lutemi plotësoni formularin në vijim: DITA E BAMIRËSISË
Ju mirëpresim që të bëheni pjesë e kësaj nisme humanitare.
UBT, si institucion i përkushtuar për avancimin e kulturës dhe artit në vend, ka kënaqësinë të jetë pjesë mbështetëse e Chopin Piano Fest Prishtina, një festival që është tashmë një traditë e konsoliduar kulturore për Kosovën.
Në kuadër të kësaj, do të mbahet një koncert që sjell në skenën kosovare dy nga emrat më të njohur të muzikës klasike në Evropë dhe më gjerë: violinistin e famshëm austriak Benjamin Schmid dhe pianistin virtuoz Marcus Schirmer.
Benjamin Schmid, që nga debutimi i tij si partner solo i legjendarit Sir Yehudi Menuhin në Festivalin e Salzburgut në vitin 1986, ka zhvilluar një karrierë të jashtëzakonshme ndërkombëtare me mbi 3000 performanca live. Ai është fitues i Konkursit Carl Flesch në Londër dhe një nga figurat qendrore të violinës moderne, duke interpretuar me violinën legjendare “ex-Viotti 1718” Stradivarius.
Marcus Schirmer, i njohur për stilin e tij të fuqishëm dhe emocional, është lavdëruar për mënyrën e veçantë me të cilën ndërton histori përmes pianos. Me një karrierë të pasur koncertesh dhe mësimdhënieje, ai është një prej figurave kyçe të jetës muzikore në Austri dhe më gjerë.
Koncerti është pjesë e edicionit të 15-të të Chopin Fest, një festival që reflekton hapjen kulturore të vendit tonë, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Këtë vit, në festival janë bashkuar artistë nga vende të ndryshme të botës, sikurse: Polonia, Franca, Hungaria, Ukraina, Austria, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Lituania, Kuba dhe Suedia.
Koncerti do të mbahet të mërkurën, më 14 maj, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës dhe realizohet në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadën Austriake në Prishtinë dhe Meditech.
UBT fton të gjithë artdashësit që të bëhen pjesë e këtij koncerti dhe të përjetojnë nga afër mjeshtërinë muzikore të dy artistëve të mëdhenj.