Lajmet nga UBT

Rektori Hajrizi merr pjesë në Panairin më të madh botëror të Stomatologjisë IDS 2025 në Köln

Published

on

UBT mori pjesë në panairin më të madh në botë për fushën e stomatologjisë dhe teknologjisë dentare, IDS 2025, i cili u zhvillua në qytetin e Köln-it në Gjermani. Ky panair prestigjioz mblodhi në një vend kompanitë më të njohura globale, prodhuesit lider të pajisjeve dhe teknologjive stomatologjike, përfaqësues të universiteteve, instituteve kërkimore dhe profesionistë nga e gjithë bota.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi zhvilloi takime të rëndësishme me kompani dhe institucione ndërkombëtare, me qëllim të krijimit të bashkëpunimeve strategjike në fushën e stomatologjisë, teknologjisë mjekësore dhe inovacionit digjital.

Gjatë qëndrimit në panair, Rektori Hajrizi nënshkroi disa marrëveshje bashkëpunimi me kompani ndërkombëtare, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e kapaciteteve kërkimore-shkencore, si dhe në avancimin e laboratorëve dhe programeve studimore të kësaj fushe.

Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e integrimit të teknologjisë në stomatologji, duke përmendur zhvillimet më të fundit në fushat si inteligjenca artificiale, skanimi 3D, printimi i materialeve biokompatibile, kamera inteligjente për diagnozë të avancuar dhe sistemet e trajtimit digjital.

“Panairi i Köln-it është një platformë globale ku shpalosen arritjet më të reja dhe më inovative në fushën e stomatologjisë dhe teknologjisë dentare. Pata mundësinë të takohem me dhjetëra kompani dhe institucione që ofrojnë produkte dhe zgjidhje të sofistikuara, shumë prej të cilave do të jenë pjesë e bashkëpunimeve me UBT-në”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Ai gjithashtu foli për përparimin që ka bërë Kosova në këtë fushë, duke theksuar se shumë klinika në vend tashmë janë të pajisura me teknologjitë më të fundit dhe ofrojnë shërbime të cilësisë së lartë, krahas atyre që ofrohen në vendet më të zhvilluara.

“Stomatologjia në Kosovë ka pësuar një zhvillim të ndjeshëm vitet e fundit, si në aspektin e pajisjeve ashtu edhe në nivelin profesional të mjekëve. Ky përparim ka ndikuar edhe në rritjen e turizmit dentar, ku një numër gjithnjë në rritje i qytetarëve nga diaspora dhe rajoni po vijnë për të marrë trajtime në klinikat tona”, shtoi ai.

Pjesë e diskutimeve ishin edhe mundësitë për zhvillimin e industrisë vendore të prodhimit të pajisjeve dhe materialeve dentare në Kosovë, duke u bazuar në potencialin për ndërmarrësi, digjitalizim dhe aplikimin e teknologjive të avancuara si 3D printimi dhe inteligjenca artificiale.

Panairi IDS 2025 në Köln u cilësua si një ndër ngjarjet më të rëndësishme të vitit në fushën e stomatologjisë, dhe pjesëmarrja e UBT-së në këtë aktivitet përforcon pozicionin e tij si institucioni më aktiv në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në Kosovë dhe më gjerë.

Ky angazhim i UBT-së është dëshmi e vizionit të tij për të sjellë praktikat më të mira ndërkombëtare në Kosovë, duke krijuar ura bashkëpunimi me liderët globalë të industrisë dhe duke përgatitur gjenerata të reja të profesionistëve të gatshëm për tregun ndërkombëtar të punës.

Lajmet

Asambleja e Përgjithshme e EOQ-së mbahet në UBT, në fokus Kongresi i 67-të në Kosovë

Published

on

By

Asambleja e Përgjithshme e Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ) është mbajtur në UBT, në kuadër të përgatitjeve për Kongresin e 67-të të kësaj organizate, i cili mbahet në Kosovë më 21–23 tetor 2026. Ky organizim merr rëndësi të veçantë pasi përkon me 70-vjetorin e themelimit të EOQ-së dhe 20-vjetorin e organizatës “Quality Kosova”, duke e vendosur Kosovën në qendër të një ngjarjeje me rëndësi ndërkombëtare në fushën e cilësisë.

Gjatë Asamblesë, përfaqësuesit e organizatave kombëtare anëtare diskutuan për përgatitjet dhe koordinimin e kongresit, i cili do të mbledhë ekspertë, akademikë, profesionistë dhe përfaqësues institucionalë nga vende të ndryshme të botës. Takimi shërbeu gjithashtu për të avancuar bashkëpunimin ndërkombëtar dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e cilësisë.

Kongresi i 67-të i EOQ-së do të mbahet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, nën temën “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”. Diskutimet do të përqendrohen në rolin e cilësisë në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe transformimin digjital, me theks të veçantë në ndikimin e inteligjencës artificiale dhe rëndësinë e besimit e të vlerave njerëzore.

Për EOQ-në, ky vit shënon 70 vjet nga themelimi i saj në vitin 1956. Gjatë këtyre dekadave, organizata ka kontribuar në avancimin e standardeve, zhvillimin e kulturës së cilësisë dhe ndërtimin e një rrjeti ndërkombëtar të ekspertëve dhe organizatave profesionale.

Në të njëjtën kohë, 20-vjetori i “Quality Kosova” shënon dy dekada angazhim në promovimin e cilësisë në Kosovë dhe në forcimin e lidhjeve me komunitetin evropian të kësaj fushe. Organizimi i kongresit në vend përbën një mundësi për të rritur dukshmërinë ndërkombëtare të Kosovës dhe për të prezantuar kapacitetet e saj në cilësi, inovacion dhe zhvillim institucional.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare

Published

on

By

UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Stomatologjike, e cila do të mbledhë studiues, stomatologë, teknikë dentarë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionet teknologjike dhe sfidat bashkëkohore në fushën e shëndetit oral.

Nën temën “Artificial Intelligence and Digital Dentistry: Smart Solutions for Better Clinical Outcomes – Redefining Diagnosis, Treatment Planning, and Clinical Excellence”, konferenca do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në diagnostikim, planifikimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikës klinike.

Programi përfshin fusha të ndryshme të stomatologjisë, si ortodoncia, implantologjia, protetika, endodoncia, stomatologjia pediatrike dhe shëndeti publik oral. Koordinatorja e Konferencës së Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Asst. Dr. Miranda Sejdiu Abazi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në avancimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.

“Përmes konferencës shkencore për stomatologji dhe teknikë dentare, synojmë të krijojmë një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave klinike, duke lidhur zhvillimet më të reja teknologjike me sfidat konkrete të praktikës ditore. Pjesëmarrja e studiuesve dhe profesionistëve vendorë e ndërkombëtarë krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, zhvillim profesional dhe promovim të trajtimeve të sigurta, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë shkencore”, u shpreh ajo

Një element i rëndësishëm i këtij edicioni është akreditimi i konferencës nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë 15 pikë kredituese për pjesëmarrje pasive dhe 20 pikë për pjesëmarrje aktive, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e shëndetësisë. Konferenca do të përfshijë gjithashtu prezantime të hulumtimeve nga Kosova dhe vende të tjera, ndërsa ligjëruese kryesore do të jetë dekania e Fakultetit të Stomatologjisë në Tiranë, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Pjesëmarrja e ekspertëve ndërkombëtarë nga vende si Rumania, Gjermania dhe Austria do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me qasjet bashkëkohore në stomatologji. Përmes organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në avancimin e praktikave profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për shëndetin oral.

Continue Reading

Lajmet

UBT pret nesër Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ)

Published

on

By

Nesër në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të nisë punimet Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili do të zhvillohet deri më 23 tetor 2026.

Ky ngjarje e nivelit të lartë organizohet nga “Quality Kosova” – anëtare e rregullt e EOQ-së që nga viti 2013 – dhe do të mbledhë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga mbarë bota.

Me temën kryesore “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, kongresi do të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e menaxhimit të cilësisë, transformimin digjital dhe zhvillimin e institucioneve. Vëmendje e veçantë gjatë takimeve do t’i kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në arsim, shëndetësi, financa, industri e qytete të mençura, si dhe rëndësisë së besimit e vlerave njerëzore në ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme.

Përmes këtij organizimi, EOQ dhe Quality Kosova synojnë të nxisin shkëmbimin e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike. Pritja e këtij eventi nga UBT dëshmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për promovimin e standardeve ndërkombëtare, duke fuqizuar potencialin inovativ të Kosovës dhe lidhjen e ekspertizës vendore me rrjetet globale.

 

Continue Reading

lajme

Ekspertët ndërkombëtarë në UBT: Diskutohet e ardhmja e mjekësisë sportive dhe teknologjive emergjente në parandalimin e sëmundjeve

Published

on

By

Ekspertë, shkencëtarë dhe profesorë ndërkombëtarë po prezantojnë zhvillimet më të fundit në fushën e mjekësisë sportive, edukimit dhe teknologjisë, në kuadër të edicionit të dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive, i cili po zhvillon punimet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.  

Ngjarja ka mbledhur personalitete drejtuese të mjekësisë sportive botërore dhe ekspertë nga Italia, Austria, Gjermania dhe Kosova, me fokus kryesor kalimin drejt mjekësisë parandaluese, shëndetit funksional dhe integrimit të inteligjencës artificiale në ekosistemet e qëndrueshme shëndetësore.  

Punimet e konferencës u hapën me prezantimin e Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), i cili trajtoi rolin global të FIMS-it dhe rrjetit të saj prej 118 shoqatash kombëtare në ndërthurjen e shkencës, edukimit dhe politikave shëndetësore.  

Pigozzi vuri në dukje se mjekësia sportive moderne po i shërben gjithnjë e më shumë shëndetit të popullatës përmes konceptit “Ushtrimi si Mjekësi” (Exercise is Medicine), si një përgjigje ndaj pandemisë së pasivitetit fizik që prek 1.8 miliardë të rritur në botë dhe shkakton miliona vdekje nga sëmundjet jo të transmetueshme. Ai vlerësoi përfshirjen e Institutit për Mjekësi Sportive të UBT-së në rrjetin e Qendrave Bashkëpunuese të FIMS-it (CCSM).  

Në vijim, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi vizionin e UBT Smart City, si një platformë e integruar e teknologjive emergjente dhe mbështetjes inteligjente për edukimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe shërbimet klinike në mjekësinë sportive.  

Duke u bazuar në konceptin e UBT 5S, Rektori Hajrizi theksoi se UBT nuk ofron thjesht infrastrukturë fizike, por një ekosistem të plotë dhe laborator të gjallë (Living Lab) që ndërlidh edukimin, spitalin UNITED Hospital, Institutin për Mjekësi Sportive, rrjetet 5G/IoT, inteligjencën artificiale dhe realitetin e zgjeruar (XR).  

Ai prezantoi rrugëtimin e integruar klinik — nga parandalimi, triazhi, trajtimi kirurgjikal, fizioterapia dhe rehabilitimi deri te rikthimi i sigurt i sportistit në fushë (Return-to-Sport) — si dhe agjendën kërkimore strategjike 2027–2030 për parandalimin preciz dhe shëndetin e komunitetit.  

Prof. Dr. Norbert Bachl nga Austria, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe profesor në Universitetin e Vjenës dhe UBT, u përqendrua në shëndetin funksional, parashikimin e rreziqeve dhe revolucionin e inteligjencës artificiale.  

Bachl prezantoi kalimin nga mjekësia tradicionale episodike drejt “Mjekësisë P4” (parandaluese, e personalizuar, pjesëmarrëse dhe prediktive), ku theksi vihet te kapaciteti funksional dhe trajektoret dinamike të jetëgjatësisë së shëndetshme (healthspan).  

Duke analizuar rolin e AI-së si një “krah ndihmës” (helping hand), ai tregoi sesi integrimi i të dhënave të vazhdueshme multimodale dhe simulimi i skenarëve të stilit të jetesës mbështesin mjekun dhe pacientin në vendimmarrjen e përbashkët (Shared Decision-Making).  

Ndërkaq, një paraqitje të thelluar mbi rolin e teknologjisë dha Christian Stammel nga Gjermania, Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv (CEO) i platformës globale WT | Wearable Technologies AG.  

Stammel trajtoi temën se si pajisjet e bartshme (wearables) dhe inteligjenca artificiale po mundësojnë parandalimin preciz dhe avancimin e shëndetit funksional. Duke theksuar rritjen e shpejtë të industrisë së teknologjive të bartshme — me një parashikim prej rreth 1 miliard pajisjesh të prodhuara në vit deri në vitin 2026 — ai shpalosi segmentimin e këtij tregu, nga unazat inteligjente (smart rings), orët dhe byzylykët (wristables), syzet (eyewearables), kufjet me sensorë shëndetësorë (hearables), e deri te fashat e zgjuara me biosensorë (smart patches).  

Stammel shpjegoi rolin e “Binjakut Digjital Njerëzor” (Human Digital Twin) në zbulimin e hershëm të anomalive dhe udhëheqjen e procesit të rimëkëmbjes, duke theksuar se përparësia e së ardhmes po zhvendoset nga sensorët e thjeshtë matës drejt sistemeve të plota “nga sensori në veprim” (sensor-to-action). Ai nënvizoi se nëse sensorët fiziologjikë janë tashmë të maturuar, e ardhmja deri në vitin 2030 i përket sensorëve biokimikë në kohë reale (si matja e kortizolit, glukozës dhe metabolitëve përmes djersës dhe lëngut intersticial), të cilët funksionojnë si një ndërlidhës i pandërprerë mes biologjisë njerëzore dhe vendimmarrjes klinike.  

Përmes kësaj Konference, UBT po rikonfirmon rolin drejtues në rajon për bashkimin e mjekësisë sportive me teknologjinë më bashkëkohore dhe inteligjencën artificiale, duke krijuar një mjedis unik ku shkenca, klinika dhe inovacioni vihen drejtpërdrejt në shërbim të shëndetit publik dhe mirëqenies njerëzore. 

Punuan: Diona Hajrizi, Gresa Osmani, Elisa Istrefi, Dea Gashi, Enkela Maqedonci, Anisa Kryeziu – studente të vitit të tretë në programin Media dhe Komunikim në UBT.

Continue Reading

Të kërkuara