Lajmet

Zyrtarisht nis festivali më i madh akademik i dijes “Global UBT Fest 2021”

Ky festival do të zgjasë 30 ditë dhe do të sjellë emra të mëdhenj të profesorëve dhe artistëve ndërkombëtarë.

Published

on

Në mënyrë ceremoniale, në ambientet e Parkut Shkencor Inovativ të UBT-së, zyrtarisht ka filluar festivali më i madh akademik i dijes “Global UBT Fest 2021”.

Të pranishëm në këtë ceremoni madhështore, ishin rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi, ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, profesorë, studentë, dhe të pranishëm të tjerë.

Për dijen, eksperiencat e ekspertëve të fushave të ndryshme dhe energjinë që do të sjellë ky festival, foli rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi. Ai tha se energjia, mesazhi, dija dhe prezantimi që do t’ia bëjë Kosovës ky festival, do të sjellin diçka më ndryshe në muajin korrik, diçka që vetëm UBT di të organizojë.

“Për ne korriku është një muaj shumë i mirë, me një ambient shumë të mirë, duke sjellë një ndërlidhje të dijeve të ndryshme të fushave të jetës, duke e konceptuar si festa e dijes. Do të ketë tema të larmishme, çdo ditë do të ketë shkolla verore, aktivitete, gara, punëtori, koncept talenti, muzikë, art, të gjitha në një muaj për një jetë të lumtur, një jetë pozitive në muajin korrik, në festivalin “Global UBT Fest 2021”, tha rektori Hajrizi.

Për impresionimin e saj për UBT-në, kuadrot profesionale, infrastrukturën moderne dhe studentët e talentuar të UBT-së, foli ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall. Ajo tha se një organizim i tillë madhor siç është “Global UBT Fest 2021”, i kontribuon jashtëzakonisht shumë zhvillimit të dijes dhe inovacionit, dhe që synon përmirësimin e të ardhmes akademike e shoqërore.

E atmosfera nuk ishte asnjëherë e zymtë, pasi që për këtë u përkujdesën studentët e Fakultetit Muzikë Moderne, Produksion Digjital dhe Menaxhment në UBT, që i dhanë shije ndryshe dhe energji hapjes së festivalit më të madh akademik të dijes “Global UBT Fest 2021”.

Ky festival do të zgjasë 30 ditë dhe do të sjellë emra të mëdhenj të profesorëve dhe artistëve ndërkombëtarë, të cilët do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu forume, samite, gara, workshope e ekspozita të fushave të ndryshme të jetës.

Lajmet

Zjarri masiv në Francë detyron evakuimin e rreth 10 mijë banorëve pranë kufirit me Spanjën

Published

on

Një zjarr i madh pyjor që po përhapet me shpejtësi në jugperëndim të Francës ka detyruar autoritetet të evakuojnë rreth 10 mijë banorë nga 24 qytete dhe fshatra pranë kufirit me Spanjën.

Sipas autoriteteve franceze, flakët kanë përfshirë rreth 4.600 hektarë tokë në zonën kodrinore pranë maleve Pirenej, ndërsa erërat e forta pritet ta vështirësojnë edhe më shumë përpjekjen për shuarjen e zjarrit.

Prefekti lokal, Pierre Regnault de la Mothe, tha se situata mbetet shqetësuese, ndërsa ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nunez, deklaroi se kushtet janë përkeqësuar.

“Kushtet janë bërë edhe më të vështira. Sot beteja kundër zjarrit vazhdon”, tha ai për televizionin francez TF1.

Autoritetet theksojnë se valët e të nxehtit që kanë goditur Francën dhe pjesë të tjera të Evropës Perëndimore gjatë muajve maj dhe qershor kanë tharë sipërfaqe të mëdha toke, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve pyjore.

Ndërkohë, në anën spanjolle të kufirit, zjarri ka djegur rreth 2.200 hektarë, ku 97 për qind e sipërfaqes së prekur ndodhet në zonën e mbrojtur natyrore Les Gavarres.

Autoritetet katalanase kanë bërë të ditur se zjarri është vënë nën kontroll dhe pritet të shuhet plotësisht gjatë kësaj jave.

Një tjetër vatër zjarri është regjistruar edhe në provincën Castellon, në lindje të Spanjës, ku rreth 500 persona janë evakuuar pasi flakët përfshinë Parkun Natyror Sierra de Espadan, një zonë e njohur për pyjet e saj me lisa të tapës./A.K/

Continue Reading

Lajmet

12-vjeçarja rrëfen tmerrin pas 32 orësh nën rrënojat e tërmetit në Venezuelë: Mendova se do të vdisja

Published

on

Fabiana Blanco, një vajzë 12-vjeçare, ka rrëfyer momentet e tmerrshme që përjetoi pasi mbeti e bllokuar për 32 orë nën rrënojat e tërmetit të 24 qershorit në Venezuelë.

“Pashë gjëra që dridheshin, binin e thyheshin, pastaj muret u çanë. Muri që ndante apartamentin tim nga ai i një shoku u shemb. Në atë moment mendova se do të vdisja. Askush nuk do të më shpëtonte”, ka treguar ajo.

Nëna e saj, Karina, ndodhej në punë kur ndodhi tërmeti. Sapo mori lajmin, ajo vrapoi drejt banesës në Caraballeda, ku vajza kishte mbetur vetëm.

“Po vrapoja nga njëri skaj i kompleksit në tjetrin duke bërtitur: ‘Vajza ime ka vdekur’. Nuk dija çfarë të bëja”, rrëfeu Karina, pasi pa gjysmën e shtratit të Fabianës që dilte nga rrënojat.

Shpresa u rikthye kur një infermiere, e cila gjithashtu kishte mbetur e bllokuar, filloi të thërriste për ndihmë. Fabiana iu përgjigj, ndërsa gjashtë orë pas tërmetit infermierja u shpëtua dhe u tregoi vullnetarëve se brenda rrënojave ndodhej ende gjallë një vajzë me emrin Fabiana.

Ndërkohë, 12-vjeçarja mbeti e bllokuar në kushte tepër të vështira.

“Njëra këmbë më ishte lënduar. U gërvishta dhe u preva, por gjeta një shishe ketchup dhe pak djathë. Ato më ndihmuan të qëndroja e vetëdijshme”, tregoi ajo.

Në mëngjes, zjarrfikësit arritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta kontaktonin, por nuk morën përgjigje, duke shtuar ankthin e familjes.

Më vonë, një vullnetar i quajtur Viktor u ngjit mbi rrënoja dhe vazhdoi ta thërriste derisa Fabiana arriti ta dëgjonte dhe t’i përgjigjej.

Pas 32 orësh, ekipet e shpëtimit hapën një tunel të ngushtë dhe arritën ta nxirrnin të gjallë.

Përveç një frakture në këmbën e majtë dhe disa gërvishtjeve e mavijosjeve, Fabiana nuk pësoi lëndime të rënda. Megjithatë, ajo thotë se përjetimi ka lënë pasoja emocionale dhe frika nga ajo natë e tmerrshme e shoqëron ende./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa vendos rekord historik në Spotify, artistja e parë me katër albume mbi 5 miliardë dëgjime

Published

on

Ylli botëror me rrënjë shqiptare, Dua Lipa, ka shënuar një tjetër sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj, duke vendosur një rekord historik në platformën muzikore Spotify.

Këngëtarja është bërë zyrtarisht artistja e parë femër në histori që ka katër albume me mbi 5 miliardë transmetime (streams) secili.

Sipas statistikave të publikuara së fundmi, Dua Lipa ka thyer një rekord të ri, duke dëshmuar se katalogu i saj muzikor vazhdon të dominojë në nivel global dhe të tërheqë miliona dëgjues në mbarë botën.

Suksesi i saj përfshin rrugëtimin nga albumi debutues deri te dominimi i skenës pop me albumin “Future Nostalgia” dhe projektet e saj më të fundit.

Hite si “New Rules”, “Don’t Start Now” dhe “Levitating” vazhdojnë të regjistrojnë miliarda dëgjime, duke e bërë Dua Lipën një nga artistet më të suksesshme të muzikës pop bashkëkohore.

Arritja e mbi 5 miliardë dëgjimeve për katër albume të ndryshme konfirmon ndikimin e saj afatgjatë në industrinë muzikore dhe suksesin që shkon përtej trendeve momentale./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Fermerët protestojnë para Ministrisë së Bujqësisë, derdhin qumësht dhe kërkojnë rifillimin e grumbullimit

Published

on

Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka protestuar këtë të hënë para Ministrisë së Bujqësisë, duke kërkuar zgjidhje urgjente për situatën e krijuar pas ndërprerjes së grumbullimit të qumështit nga fermat vendore.

Fermerët dolën në protestë me mjete bujqësore dhe derdhën qumësht para objektit të ministrisë, ndërsa mbanin pankarta me mbishkrimet “Mos na leni pa bukë” dhe “Mbroni prodhimet vendore”.

Sipas Shoqatës, vendimi për protestë u mor unanimisht në mbledhjen e mbajtur më 5 korrik, pasi, siç thanë, institucionet nuk kanë reaguar ndaj shqetësimeve të tyre.

“Protesta është e pashmangshme me situatën e krijuar për mosgrumbullimin e qumështit të freskët nga fermat tona, duke hasur në vesh të shurdhër tek akterët kompetentë”, thuhej në njoftimin e shoqatës.

Fermerët kanë paraqitur tri kërkesa kryesore: rifillimin e menjëhershëm të grumbullimit të qumështit, publikimin urgjent të rezultateve të analizave për të larguar dyshimet mbi produktet vendore dhe rikthimin e çmimit të mëparshëm të qumështit, me qëllim që të shmanget falimentimi i fermave.

Protesta vjen pas zhvillimeve të javës së kaluar, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi se gjatë një inspektimi në kompaninë “Vita” kishte konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi, pas verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit.

Një ditë pas inspektimit, kompania “Vita” njoftoi ndërprerjen e përkohshme të punës, ndërsa drejtori i përgjithshëm, Artan Spahija, tha se vendimi ishte marrë nga bordi i kompanisë.

Ndërkohë, Komisioni inspektues i AUV-së bëri të ditur se gjatë kontrollit është konstatuar se fabrika kishte shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë që ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit. Sipas AUV-së, rezultatet përfundimtare do të bëhen të ditura pas analizave laboratorike./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara