Gjykatësi Christoph Barthe ka nisur marrjen në pyetje duke iu drejtuar fillimisht mbrojtjes së Hashim Thaçit. Ai iu drejtua avokatit Luka Mishetiq lidhur me pretendimin në dosjen përfundimtare se individët ishin paraburgosur sepse perceptoheshin si luftëtarë dhe jo si kundërshtarë.
Barthe pyeti se çfarë statusi kishin këta individë sipas së drejtës ndërkombëtare në momentin e arrestimit. Mishetiq u përgjigj se nuk mund t’u referohej të gjitha rasteve njëherësh, por theksoi si shembull “tetë ushtarë të armatës jugosllave”, për të cilët tha se “përbëjnë rastin më të qartë të personave të armatosur aktivë me uniformë, të cilët u arrestuan… pra ata ishin luftëtarë”.
Ai shtoi se çështja e konfliktit të armatosur jondërkombëtar ishte ngritur më herët dhe se, sipas tij, Prokuroria kishte pranuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte të drejtë të ndalonte persona, për aq kohë sa nuk kishte abuzime apo veprime të paligjshme. “Kjo është arsye e qartë për të paraburgosurit, luftëtarët e palës tjetër”, deklaroi ai. Sipas Mishetiqit, “ekzistonte dyshim i bazuar që ata kishin marrë pjesë në veprime luftarake, ishin luftëtarë”, duke shtuar se edhe në rast gabimi, kjo “nuk do të thotë se është bërë fjalë për shënjestrim të kundërshtarëve”.
Në vijim, avokati i Kadri Veseli, Rodney Dixon, këmbënguli në pyetjen nëse UÇK-ja kishte baza ligjore për të paraburgosur ushtarë të ushtrisë serbe gjatë luftës në Kosovë. “E drejta ndërkombëtare humanitare për konflikte ushtarake parashikon se mund të arrestohen persona që cilësohen si rrezik për sigurinë. Kemi cituar edhe shtete të mëparshme që e kanë bërë këtë”, tha Dixon.
I pyetur nga gjykatësi nëse një aktor joshtetëror si UÇK-ja e gëzonte një të drejtë të tillë, Dixon u përgjigj: “Po. Jurisprudenca e ka dëshmuar një gjë të tillë, mund të zbatohet për të dyja, edhe për shtetin edhe për entitetin që është pjesë e një konflikti të brendshëm të armatosur”.
Ndërkohë, Mishetiq argumentoi gjithashtu se Prokuroria nuk ka arritur të vërtetojë se deklaratat publike të Ushtria Çlirimtare e Kosovës kanë pasur ndikim në nxitjen e krimeve. I pyetur për këtë çështje, ai tha: “Po themi që duhet të vërtetojnë diçka, që deklaratat janë përkthyer në efekt, kanë pasur ndikim, të paktën për ndonjë nga krimet e përmendura në aktakuzë. Përndryshe po flasim teorikisht”.
Mbrojtja e Krasniqit vazhdon fjalët përmbyllëse, Ellis kritikon prokurorinë
Avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis, ka kritikuar Prokurorinë në gjykim për akuzat ndaj klientit të tij, duke thënë se nuk është vërtetuar lidhja mes Krasniqit dhe akuzave që rëndojnë në aktakuzë e tij.
Ellis ka kritikuar gjithashtu Prokurorinë për prezantimin e argumenteve të reja gjatë deklaratave përmbyllëse, kur procesi po shkon drejt fundit, duke theksuar se “duke mos u treguar deklaratat dëshmitarëve që lidhen me këto dëshmi, Prokuroria nuk ka të drejtë të dalë me përfundimin se deklaratat janë shpërndarë në mënyrë të gjerë, janë lexuar, se janë marrë masa në bazë të tyre apo që kanë kontribuuar në mënyrë të konsiderueshme në kryerjen e krimeve”.
Ai trajtoi edhe pretendimet e Prokurorisë se komunikatat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë ndikuar në ndalimet e personave në zonën e Llapit, duke theksuar se dëshmia vendimtare ka qenë ajo e komandantit të zonës, Rrustem Mustafa, i cili deklaroi se ndalimet ishin të bazuara në arsye ushtarake dhe jo në komunikata konkrete: “Ai tha se arsyeja kryesore që janë trajtuar personat që pengonin punën e UÇK-së ishte arsyeja ushtarake. Nuk i kujtohet asnjë komunikatë që t’i ketë dhënë autorizim për ndalime. Ishte mbret i mbretërisë së tij.”
Ellis e konsideroi përpjekjen e Prokurorisë për ta përballuar këtë si problem të dukshëm, duke thënë se Prokuroria e përshkroi dëshminë si “qarkore dhe kontradiktore”, duke shtuar se “nëse dëshmitari i Prokurorisë është kontradiktor, atëherë Prokuroria nuk ka arritur t’i vërtetojë argumentet e veta”.
Ai kritikoi gjithashtu interpretimin e Prokurorisë për rregulloret e UÇK-së, duke thënë se shumica e dëshmitarëve folën vetëm për një rregullore të përgjithshme të policisë ushtarake, e cila nuk tregon ndonjë praktikë të dhunshme në terren dhe se “shumica e provave nuk kanë vërtetuar për ndonjë praktikë të pamëshirshme në terren. Prokuroria nuk e vërteton argumentin e saj, sepse nuk e ka trajtuar thelbin e argumentit”.
Ellis i bëri thirrje trupit gjyqësor të marrë me rezerva dëshmitë e disa dëshmitarëve të Prokurorisë, pasi sipas tij “99 për qind e dëshmitarëve nuk e kanë parë asnjë rregullore”.