Regjisori amerikan Carl Erik Rinsch është dënuar me dy vjet e gjysmë burg, pasi u shpall fajtor për mashtrimin e platformës Netflix me 11 milionë dollarë, fonde që ishin destinuar për realizimin e një seriali fantastiko-shkencor.
Rinsch, 48 vjeç, i njohur për filmin “47 Ronin” (2013), u dënua për mashtrim federal dhe pastrim parash, pasi keqpërdori fondet e marra nga Netflix për shpenzime personale dhe investime të rrezikshme financiare.
Gjykatësi Jay Rakoff, përveç dënimit me burg, urdhëroi që Rinsch të qëndrojë edhe tre vjet nën mbikëqyrje pas lirimit, të konfiskojë 11 milionë dollarë dhe të paguajë një gjobë prej 700 dollarësh.
Para shpalljes së vendimit, regjisori kërkoi falje në gjykatë dhe pranoi përgjegjësinë për veprimet e tij.
“Dënimi i sotëm dërgon një mesazh të qartë se mashtrimi nuk do të tolerohet,” deklaroi prokurori amerikan Jay Clayton.
Sipas prokurorisë, Netflix i kishte dhënë Rinsch rreth 55 milionë dollarë për realizimin e serialit fantastiko-shkencor, fillimisht të titulluar “White Horse”, përfshirë edhe 11 milionë dollarë shtesë që ai kishte kërkuar duke pretenduar se ishin të nevojshme për përfundimin e produksionit.
Megjithatë, në vend që fondet të përdoreshin për serialin, Rinsch i transferoi ato në një llogari personale, ku investoi një pjesë të madhe në tregun e kriptovalutave, duke humbur rreth gjysmën e tyre brenda pak muajsh.
Prokurorët thanë gjithashtu se ai shpenzoi miliona dollarë për blerje luksoze, përfshirë vetura Rolls-Royce dhe dyshekë me vlerë qindra mijëra dollarë.
Gjatë gjykimit njëjavor në Nju Jork, drejtues të Netflix dëshmuan se kompania kishte miratuar vetëm një sezon të serialit, i cili nuk u përfundua asnjëherë.
Vetë Rinsch dëshmoi në gjykatë, duke pretenduar se bëhej fjalë për një keqkuptim dhe se besonte se fondet ishin dhënë për ta mbajtur projektin në jetë gjatë pandemisë së COVID-19.
Sipas raportimeve të The New York Times, miq dhe bashkëpunëtorë të tij kishin vërejtur ndryshime të pazakonta në sjelljen e regjisorit pas nënshkrimit të marrëveshjes me Netflix, duke pretenduar se ai kishte bërë deklarata të çuditshme, përfshirë se mund të parashikonte goditjet e rrufeve, shpërthimet vullkanike dhe se kishte njohuri për një “mekanizëm sekret transmetimi” të COVID-19.