Ylli i muzikës pop, Dua Lipa, ka reaguar pas komenteve homofobike të reperit DaBaby, me të cilin e ka realizuar hitin e suksesshëm,“Levitating”, duke thënë se është e befasuar dhe e tmerruar nga fjalët që reperi kishte thënë gjatë performancës së tij në festivalin “Rolling Loud” në Miami.
DaBaby, emri i vërtetë i së cilit është Jonathan Kirk, po merr kritika të shumta online rreth disa komenteve që i kishte bërë në koncert gjatë fundjavës, me ç’rast në skenë e kishte ofenduar komunitetin e homoseksualëve dhe të gjithë personat HIV pozitiv.
Reperi në përpjekje për të nxitur brohoritje nga audienca e tij kishte thënë: “Nëse nuk keni ardhur këtu sonte me virusin HIV dhe sëmundjen SIDA, ndizni dritat e telefonit”, duke vazhduar tutje me komente tjera ku përmendeshin pjesët intime të grave dhe duke iu drejtuar burrave që nuk janë homoseksual, që të brohorisin për të.
Nga e diela, kur reperi i bëri këto komente kontroverse, sidomos në këtë kohë kur publiku online di të tregohet shumë i ashpër ndaj artistëve, DaBaby ka pranuar kritika të shumta nga përfaqësues të komunitetit LGBTQ, organizata të ndryshme por edhe persona nga komuniteti i artistëve.
Një prej tyre është edhe Dua Lipa, e cila e kishte përfshirë reperin në remixin e hitit të vitit 2020, “Levitating”, me ç’rast përmes një postimi në “Instagram Story” ka deklaruar: “Jam e befasuar dhe e tmerruar nga komentet e DaBaby. Unë vërtetë nuk po e njoh këtë person me të cilin kam punuar. E di që adhuruesit e mi e njohin atë që e kam në zemër dhe që jam 100 për qind përkrahëse e komunitetit LGBTQ. Ne duhet të bëhemi bashkë për t’i luftuar stigmat dhe injorancën e personave të caktuar rreth virusit HIV dhe sëmundjes SIDA”.
Në anën tjetër, organizata bamirëse britanike e cila i del në ndihmë të gjithë personave të prekur me virusin HIV, “Terrence Higgins Trust”, i është përgjigjur komenteve të reperit të njohur amerikan duke thënë se “ai e ka përjetësuar stigmën dhe diskriminimin ndaj personave HIV pozitiv, si dhe ka përhapur dezinformata në lidhje me këtë virus”.
DaBaby i ka mbrojtur veprimet e tij përmes 19 videove të realizuar në “Insta Story” dhe të postuara gjatë ditës së martë, ku ndër të tjera ka deklaruar: “Ajo që unë e bëjë dhe them në koncertet e mia live, janë vetëm për publikun e pranishëm në sallë. Fjalët e mia nuk mund të tingëllojnë në mënyrën e duhur, nëse dikush i dëgjon ato përmes klipeve disa pjesësh në telefonin e tyre mobil”.
Tutje reperi vazhdoi duke thënë se personat që nuk kanë qenë të pranishëm në koncert, duhet ta mbyllin gojën dhe të mos komentojnë fare.
“Ejani dhe ndiqni performancat e mia live, pavarësisht nëse jeni vrasës, homoseksual apo heteroseksual”.
Por kishte edhe artistë të cilët i dolën në mbrojtje yllit DaBaby. Një prej tyre është reperi kontrovers T.I., i cili i krahasoi komentet e kolegut të tij me lirinë e këngëtarit Lil Nas X për ta shfaqur hapur seksualitetin në muzikën e tij.
DaBaby megjithëkëtë përfundoi duke kërkuar falje publike në rrjetin social Twitter, me ç’rast deklaroi: “Çdo kush që është i prekur nga virusi HIV apo sëmundja SIDA, ka të drejtë të mërzitet, sepse ajo që e kam thënë ishte e pandjeshme, ani pse asnjëherë nuk kam për qëllim ta ofendojë dikë. Prandaj, ju kërkojë falje. Por komuniteti LGBTQ… unë nuk merrem me ju. Ajo çka ju bëni, është puna juaj”.
Në një postim të fundit, reperi i kritikoi artistët, markat, kompanitë dhe grupet tjera që u pëlqen të përfitojnë nga ndikimi i reperëve afrikano-amerikan në kulturë, pa i kuptuar ata.
Tutje DaBaby i ftoi fansat t’i ndjekin koncertet e tij të ardhshme, duke u bërë thirrje që të qetësohen, relaksohen dhe të jenë krenarë me vetveten, sepse askush nuk mund ta bëjë atë të ndihet keq me veten.
Tenori Rame Lahaj ka njoftuar se gjithçka është gati për gala mbrëmjen “Rame Lahaj & Friends”, e cila do të mbahet më 29 korrik në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kuadër të edicionit të gjashtë të Rame Lahaj International Opera Festival.
Përmes një njoftimi, Lahaj bëri të ditur se në koncert do të performojnë sopranoja Vanessa Goikoetxea, mezzo-sopranoja çeke Štěpánka Pučálková, bas-baritoni Luca Pisaroni dhe vetë ai, nën dirigjimin e dirigjentit italian Giuseppe Finzi.
Sipas Lahajt, gala mbrëmja do të sjellë një program të përzgjedhur me disa nga veprat më të njohura të repertorit operistik, duke përcjellë edhe mesazhin e këtij edicioni të festivalit, “Play Music, Not War”.
Koncerti do të nisë në orën20:30, ndërsa biletat janë në dispozicion online dhe në pikat fizike të shitjes.
Në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Prizren Fest”, adhuruesit e artit skenik do të kenë mundësinë të ndjekin një shfaqje të veçantë të baletit klasik. Ngjarja do të mbahet të enjten, më 23 korrik, duke filluar nga ora 20:30, në Teatrin mbi Lum “Banka Ekonomike”.
Shfaqja vjen si produksion i “ANGELS Ballet School” nga Prishtina, në bashkëpunim me “Prizren Fest”. Një nga kryeveprat më të njohura të baletit klasik do të interpretohet nga talentet e reja të kësaj shkolle, krah për krah me solistë profesionistë ndërkombëtarë.
Përmes muzikës së pavdekshme të Tchaikovsky-t dhe lëvizjeve skenike, publiku do të përjetojë një histori magjike dedikuar dashurisë, besnikërisë dhe sakrificës.
Me një program të larmishëm ndërkombëtar të shtrirë në 11 lokacione të ndryshme, “Prizren Fest” tashmë është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme teatrore të verës në Kosovë.
Edicioni i pestë vjen me produksione nga vende të ndryshme të botës, me tema që trajtojnë çështje universale e shoqërore, si dhe me synimin për ta kthyer teatrin në një mjet komunikimi të drejtpërdrejtë me publikun. Edicioni i sivjetmë do të hapet zyrtarisht me shfaqjen “Borderless Body” nga Sllovenia. /E.A/
Korça ka mirëpritur për dy net me radhë “Air Beat Festival – LuluFest”, aktivitet që e shndërroi qytetin në një skenë të hapur me parada artistike dhe koncerte, duke sjellë atmosferë festive për banorët dhe vizitorët.
Në festival morën pjesë mbi 200 artistë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilët interpretuan repertore të ndryshme dhe prezantuan traditat muzikore të vendeve të tyre.
Paradat dhe koncertet e organizuara në hapësirat publike të qytetit tërhoqën një numër të madh spektatorësh, duke e kthyer Korçën në një qendër të rëndësishme të aktiviteteve kulturore gjatë sezonit veror.
“Air Beat Festival – LuluFest” i shtohet kalendarit kulturor të Korçës, duke promovuar qytetin si një destinacion tërheqës turistik dhe kulturor për vizitorët vendas dhe të huaj./atsh//A.K/
Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka përgëzuar Baletin Kombëtar të Kosovës për paraqitjen në Itali, duke e cilësuar debutimin në Romë si një tjetër prezantim të suksesshëm të artit kosovar në skenën ndërkombëtare.
Baleti Kombëtar i Kosovës debutoi në Teatro Grande të Accademia Nazionale di Danza di Roma me shfaqjen “Carmina Burana”, nën koreografinë e maestros italian Toni Candeloro.
Sipas Bogujevcit, interpretimi i trupës kosovare u mirëprit me entuziazëm dhe duartrokitje nga publiku, i përbërë nga përfaqësues të institucioneve kulturore, artistë dhe personalitete të jetës kulturore në Itali.
“Një tjetër prezantim i shkëlqyer i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali. Përgëzime Baletit Kombëtar të Kosovës për këtë paraqitje dinjitoze”, ka shkruar ministrja.
Turneu i Baletit Kombëtar të Kosovës në Itali do të vazhdojë më 20 korrik, me shfaqjen e radhës që do të mbahet në Lecce./A.K/