Lajmet
Qyteti i Ndaluar, simboli i misterit dhe fuqisë së perandorëve të Kinës
Me mbi 800 ndërtesa dhe gati 9 mijë dhoma, është e lehtë të humbasësh në madhështinë e tij.
Published
3 years agoon
By
Betim GashiQyteti i Ndaluar, një pallat i madh perandorak ku dikur banonin perandorët e fuqishëm të Kinës, është një mrekulli e arkitekturës antike dhe e historisë kineze. Me një sipërfaqe mbresëlënëse prej 720 mijë metra katrorë, vendi i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s përmban koleksionin më të madh në botë të strukturave të ruajtura të lashta prej druri.
Me mbi 800 ndërtesa dhe gati 9 mijë dhoma, është e lehtë të humbasësh në madhështinë e tij. Qyteti i Ndaluar që ndodhet në kryeqytetin aktual Pekin, u ndërtua gjatë sundimit të perandorit Jongle të dinastisë Ming, duke filluar në vitin 1406 dhe përfundoi në vitin 1420.Ai u bë pallati perandorak dhe rezidenca e perandorëve të Kinës për dinastitë Ming dhe Qing, nga fillimi i shekullit XV-të deri në fillimin e shekullit XX-të. U quajt Qyteti i Ndaluar sepse në këtë kompleks nuk mund të futeshin njerëzit e zakonshëm, veçse me një leje speciale. Ai ishte një hapësirë ekskluzive për perandorët, familje e tyre, konkubinat, por edhe një numër tëmadh eunukësh, oborrtarësh dhe shërbëtorësh.
Hyrja në Qytetin e Ndaluar ishte rreptësisht e kontrolluar. Edhe zyrtarët e lartë mund të hynin vetëm në zona të caktuara të kompleksit të pallatit, në varësi të gradës dhe statusit të tyre. Kushdo që kapej duke shkelur pa leje në Qytetin e Ndaluar përballej me një dënim të rëndë, duke përfshirë edhe ekzekutimin me vdekje.
Ekskluziviteti i Qytetit të Ndaluar, synonte ta vinte theksin tek statusi hyjnor dhe suprem iperandorit, si Biri i Qiellit. Si qendra e sistemit perandorak kinez, ai simbolizonte fuqinë dhe autoritetin e perandorit mbi të gjithë Kinën. Qyteti i Ndaluar u ndërtua për të zëvendësuar pallatin perandorak të dinastisë Juan, që ishte shkatërruar.
Për ndërtimin e tij u nxorën dhe përdorën një numër i madh gurësh të mëdhenj. Më të rëndët prej të cilëve peshonin më shumë se 220 tonë, dhe kishin peshuar më shumë se 330 ton përpara se të copëtoheshin. Gjetjet arkeologjike kanë zbuluar se blloqet më të mëdha të përdorura për ndërtimin e Qytetit të Ndaluar, u morën nga një gurore që ndodhej 70 kilometra larg.
Duke pasur parasysh faktin që rrota u shpik në Kinë rreth vitit 1500 Para Krishtit, në fillim besohej se gurët e mëdhenj u transportuan duke përdorur këtë teknologji. Megjithatë, vitin e kaluar, u përkthye një dokument 500-vjeçar, që zbuloi se si gurët gjigantë u rrëshqitën për km të tëra në saja të ndërtuara enkas, dhe u tërhoqën zvarrë mbi shtigje të rrëshqitshme të akullit të lagësht nga një ekip burrash gjatë 28 ditëve.
Punëtorët hapën puse çdo 500 metra për të derdhur ujë mbi akull për ta lubrifikuar atë, gjë që e bëri më të lehtë rrëshqitjen e shkëmbinjve. Veç 800 godinave dhe 9000 dhomave, Qyteti përmban shumë kopshte dhe oborre. Po ashtu aty gjendshin veprave të shumta arti, duke përfshirë piktura, skulptura dhe kaligrafi.
Kompleksi i pallatit ndahet në dy pjesë kryesore:Oborri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm. Oborri i Jashtëm ishte vendi ku perandori mbante oborrin e tij dhe kryente punët zyrtare, ndërsa Oborri e Brendshëm ishte e rezervuar për rezidencën private të perandorit dhe familjes së tij.
Të vetmit burra që lejoheshin në Oborrin e Brendshëm ishin eunukët (meshkujt të tredhur), në mënyrë që të sigurohej “autenticiteti” i pasardhësve të perandorit. Qyteti i Ndaluar ishte një nga vendet më të mbrojtura në Kinë. Siguria ishte shumë e sofistikuar, me shtresa të shumta mbrojtjesh dhe m një grupim të madh rojesh, zyrtarësh dhe eunukësh të ngarkuar me mbrojtjen e perandorit dhe familjes së tij.
Qyteti ishte i rrethuar nga një hendek mbi 50 metra e gjerë, i mbushur me ujë nga lumenjtë aty pranë. Po ashtu pallati ishte i rrethuar me mure mbi 10 metra të lartë, të ndërtuara me tulla dhe gurë. Katër porta kryesore siguronin hyrjen në Qytetin e Ndaluar, secila e ruajtur nga ushtarë të armatosur rëndë.
Po ashtu, pallati kishte shumë kalime sekrete, dhoma të fshehura dhe kurthe, të dizajnuara për të parandaluar depërtimin e armiqve tek perandori. Qyteti i Ndaluar u krijua për të përmbushur kënaqësinë e perandorit, duke ofruar një jetë luksi, kënaqësie dhe argëtimi.
Si një sundimtar absolut i Kinës, perandori zotëronte burime të mëdha për të kënaqur çdo tekë të tij. Perandorët e dinastive Ming dhe Qing kishin shumë konkubina për të kënaqur dëshirat e tyre seksuale.
Të dhënat historike thonë se gjatë dinastisë Qing, haremi i perandorit kishte rreth 20.000 gra! Pallati organizonte bankete dhe gosti madhështore, ku perandorit dhe mysafirëve të tij do t’ushërbeheshin një sërë ushqimesh të shijshme. Thuhet se vaktet e perandoreshës Douager Cixi përbëheshin zakonisht nga 108 pjata, një sasi që mund të kishte ushqyer disa mijëra nga nënshtetasit e saj të varfër.
Me gjithë fuqinë që zotëronte perandori dhe pasurinë që kishte, jeta në Qytetin e Ndaluar i ngjante shumë të jetuarit në një kafaz të praruar, pasi perandori nuk ishte i lirë të dilte përtej mureve të Qytetit të Ndaluar. Kur perandori udhëtonte jashtë Qytetit të Ndaluar, duheshin marrë masa paraprake të hollësishme për të garantuar sigurinë e tij.
Perëndimori i parë që u lejua të hyjë Qytetin e Ndaluar ishte misionari jezuit italian, Mateo Riçi. Ndonëse objektivi i Riçit ishte përhapja e besimit të krishterë në Kinë, pranimi i tij në Qytetin e Ndaluar në vitin 1601 nuk ishte për shkak të besimit të tij fetare, por për shkak të njohurive të tij shkencore.
Një tjetër perëndimor që arriti të hynte në Qytetin e Ndaluar, këtë herë gjatë dinastisë Qing, ishte Andreas Van Bram Hukgest, një shtetas amerikan. Rrëfimi mbi vizitën e tij në Qytetin e Ndaluar në vitin 1795 është ruajtur në ditarin e tij. Ai u ofron lexuesve të tij disa histori të jashtëzakonshme mbi jetën në Qytetin e Ndaluar.
Për shembull, ai shkroi se i shërbenin mish që ishte prerë nga vetë perandori. Me sa duket, ky ishte një nder i madh i bërë prej tij. Qyteti i Ndaluar u hap për herë të parë për publikun në vitin 1925, pas rënies së dinastisë Qing në vitin 1911.
Pasi perandori i fundit i Kinës, Puji, u dëbua nga pallati në vitin 1924, qeveria e re republikane e Kinës vendosi ta shndërrojë pallatin në një muze. Që nga ajo kohë Qyteti i Ndaluar u hap për herë të parë për publikun, duke u ofruar qytetarëve të zakonshëm një panoramë mbi jetën e familjes perandorake dhe madhështinë e sistemit perandorak kinez./Bota.al
Vendi
UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë
Published
8 minutes agoon
April 2, 2026By
ubtnews
Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë në UBT, Prof. Dr. Armend Ymeri, ka marrë pjesë si panelist në konferencën e organizuar nga Shoqata e Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), me temë: “Gratë që Formësojnë Tranzicionin Energjetik të Kosovës: Nga Vizioni në Lidership dhe Transformim Sektori”.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për sektorin energjetik në vend, Prof. Dr. Ymeri prezantoi perspektivën e UBT-së lidhur me përfshirjen dhe fuqizimin e vajzave në studimet e Inxhinierisë së Energjisë, duke theksuar se vitet e fundit është vërejtur një trend pozitiv i rritjes së interesimit të vajzave për këtë fushë, si në nivelin bachelor (BSc), ashtu edhe në master (MSc).
Ai theksoi se UBT beson fuqishëm se ndryshimi fillon nga edukimi, duke ndërtuar programe studimi të përshtatura me zhvillimet më të fundit në sektorin energjetik. Në këtë drejtim, kurrikulat në Fakultetin e Inxhinierisë së Energjisë janë të bazuara në realitetin e ri energjetik dhe përfshijnë fusha kyçe si prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme (era, dielli, uji, biomasa), tranzicioni energjetik, zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e mjedisit, si dhe digjitalizimi, inteligjenca artificiale, rrjetat e mençura dhe mikrogridet.
Sipas tij, kjo qasje i bën studimet më gjithëpërfshirëse dhe më tërheqëse për një diversitet më të madh studentësh, duke krijuar mundësi reale për përfshirjen e vajzave në këtë sektor strategjik.
Prof. Dr. Ymeri gjithashtu theksoi rëndësinë e metodave bashkëkohore të mësimdhënies që aplikohen në UBT, duke kaluar nga modeli tradicional “lecture-based” në qasje të bazuara në zgjidhjen e problemeve. Përmes metodave si active learning dhe project-based learning, studentet angazhohen më shumë në punë ekipore dhe projekte praktike, çka ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të tyre në aftësitë teknike.
Një element tjetër i rëndësishëm është mentorimi i strukturuar, ku çdo studente në lëndët praktike përfiton nga mbështetja e dyfishtë, nga një mentor akademik dhe një mentor nga industria. Kjo qasje ndihmon në lidhjen e drejtpërdrejtë të studimeve me tregun e punës dhe zhvillimin profesional.
Në kuadër të aktiviteteve akademike dhe profesionale, Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë organizon konferenca të rregullta si IC EEE, akademi verore dhe evente të tjera, ku përmes ligjëratave tematike u jepet hapësirë grave eksperte dhe alumneve të suksesshme për të ndarë përvojat e tyre me studentët.
Gjithashtu, UBT ka ndërtuar partneritete të forta me institucione dhe kompani të rëndësishme të sektorit energjetik si KEK, KOSTT, KEDS, ZRrE, si dhe kompani të energjisë së ripërtëritshme, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me organizata si AWESK. Këto marrëveshje mundësojnë zhvillimin e praktikave profesionale të strukturuara dhe krijojnë mundësi konkrete punësimi për studentet, veçanërisht në role teknike.
Në përmbyllje të diskutimit, Prof. Dr. Ymeri theksoi se rritja e pjesëmarrjes së grave në sektorin e energjisë nuk është vetëm një çështje e barazisë gjinore, por një domosdoshmëri strategjike për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit.
Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë rikonfirmon angazhimin e institucionit për të kontribuar në zhvillimin e sektorit energjetik dhe në fuqizimin e rolit të grave në këtë fushë kyçe për të ardhmen e vendit.

Lajmet
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
Published
17 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Një person i kërkuar nga autoritetet e rendit në Kosovë është ekstraduar gjatë ditës së sotme nga Zvicra drejt Kosovës, pas një operacioni të suksesshëm të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me autoritetet zvicerane.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate zyrtare nga Policia e Kosovës, ku specifikohet se i ekstraduari është shtetasi me inicialet B.Z., i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar përmes letërrreshtimit të lëshuar nga Interpoli.
I dyshuari ishte arrestuar kohë më parë nga autoritetet zvicerane, pasi institucionet e drejtësisë në Kosovë kishin lëshuar urdhërarrest ndaj tij nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”.
Sipas Policisë, B.Z. i ishte shmangur drejtësisë për një kohë të gjatë, por koordinimi i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor me njësitet relevante dhe institucionet zvicerane bëri të mundur lokalizimin dhe sjelljen e tij para organeve të rendit në vendlindje.
Ekstradimi i realizuar këtë të mërkurë, më 1 prill 2026, u mbështet plotësisht në ligjet në fuqi dhe në marrëdhëniet e ngushta diplomatike e policore mes Republikës së Kosovës dhe Zvicrës.
Policia e Kosovës ka deklaruar se ky aksion është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të luftuar krimin dhe për të parandaluar aktivitetet ilegale, duke theksuar se shkëmbimi i informacioneve me organizatat ndërkombëtare do të intensifikohet për të gjurmuar dhe kapur çdo person apo grup kriminal që tenton t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, pavarësisht nëse veprojnë brenda apo jashtë kufijve të vendit.
Vendi
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Published
17 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes një njoftimi për media, bën të ditur se është angazhuar maksimalisht në monitorimin e situatës lidhur me shqetësimet e konsumatorëve për devijimin e mundshëm të orëve tarifore.
ZRRE po grumbullon në vazhdimësi informata për të garantuar një matje të drejtë dhe të saktë, duke siguruar që faturimi të reflektojë vetëm konsumin real të energjisë elektrike.
Në këtë kuadër, ZRRE ka bërë të qartë se çdo rast i raportuar do të trajtohet me prioritet.
“ZRRE siguron konsumatorët se të gjitha rastet e raportuara për mos-përputhje të kohës tarifore do të analizohen dhe shqyrtohen me kujdes. Në rast se konstatohet se ekzistojnë gabime në funksionimin e njehsorit elektrik, do të ndërmerren masat e nevojshme, në përputhje me legjislacionin dhe rregullat në fuqi”, thuhet në njoftim.
Ky angazhim vjen si një garanci shtesë se asnjë gabim teknik nuk do të rëndojë mbi xhepat e qytetarëve, veçanërisht pasi kompanitë si KEDS dhe KESCO janë ndërmarrje të rregulluara dhe nuk mund të përfitojnë nga këto parregullsi.
Për të mbyllur çdo hapësirë dyshimi, rregullatori rikonfirmon se mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe garantimin e një sistemi të drejtë dhe transparent dhe të besueshëm në sektorin e energjisë.
Lajmet
27 vjet nga masakra në Lybeniq, Kurti: Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën
Published
18 hours agoon
April 1, 2026By
UBTNews
Në 27-vjetorin e njërës prej krimeve më makabre të forcave serbe në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe te varrezat e të vrarëve në fshatin Lybeniq të Pejës.
Ky përvjetor kujton mëngjesin e përgjakshëm të 1 prillit të vitit 1999, kur njësitë famëkeqe serbe “Çakejt” dhe “Mbrojtja Territoriale” rrethuan fshatin dhe shkatërruan jetët e dhjetëra familjeve.
Sipas dëshmive, forcat serbe kishin nxjerrë banorët me dhunë nga shtëpitë e tyre, duke i mbledhur në qendër të fshatit, pranë xhamisë. Pasi ndanë gratë, fëmijët dhe të moshuarit për t’i dëbuar me forcë drejt Shqipërisë, ata ekzekutuan me breshëri armësh automatike 59 burra të pafajshëm nga familjet e shumta të këtij fshati.
Kryeministri Kurti theksoi se, edhe pse kjo masakër u dokumentua që në vitin 1999 nga organizatat ndërkombëtare si Human Rights Watch, drejtësia po mungon.
Ai akuzoi drejtpërdrejt shtetin serb për zvarritje dhe mjegullim të proceseve gjyqësore, duke e quajtur Serbinë një “shtet gjenocidal” që refuzon të ballafaqohet me të kaluarën.
Në fund të mesazhit të tij, Kurti nënvizoi se Serbia vazhdon të mbetet një tokë e varrezave masive dhe një strehë e sigurt për kriminelët e luftës, duke kërkuar llogaridhënie për krimet që lanë plagë të hapura në Lybeniq dhe mbarë Kosovën.
2 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë
UBT pjesë e konferencës së AWESK mbi rolin e grave në sektorin e energjisë
Artemis II nis misionin historik drejt Hënës
Arrestohet i dyshuari në Vushtrri për sulm seksual
“Super Mario Galaxy” sjell një kapitull të ri në hapësirë
“La Vénus Électrique” hap Festivalin e Kanës 2026
Eurovisioni zgjerohet në Azi
Arrestohet në Zvicrë, ekstradohet në Kosovë i dyshuari për mashtrim
ZRRE: Do të korrigjohet çdo gabim në faturat e rrymës
Të kërkuara
-
Vendi1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Aktualitet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet3 months agoNumërohen 31.58% e votave me kusht
-
Lajmet nga UBT3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
