Aktualitet

Qeveria nuk heq dorë nga ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’

Published

on

Qeveria e Kosovës thotë se pavarësisht tërheqjes së kompanisë amerikane Contour Global nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, nuk kanë hequr dorë nga realizmi i këtij projekti, i cili synon të shkarkojë vendin nga problemet që ka me furnizim stabil me energji elektrike.

Në mars të këtij viti, kompania amerikane Contour Global, e cila ishte përzgjedhur nga qeveria për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, pati njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, për arsye se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Megjithatë, Uran Haxha, zëdhënës në Ministrinë e Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë duke shikuar modalitetet rreth projektit të termocentralit “Kosova e Re”.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim dhe nuk është as në rrugë për të marrë ndonjë vendim për të hequr dorë nga ndërtimi i kapaciteteve zgjeruese me termocentralin ‘Kosova e Re’. Sikur është në programin qeverisës 2020-2023, qeveria do të rishikojë projektin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Këto janë modalitete që po diskutohen në secilin instancë dhe për secilin vendim që merret do të jemi transparentë me publikun dhe do të ju informojmë”, thotë Haxha.

Kontrata mes Qeverisë së Kosovës dhe Contour Global, ishte nënshkruar në vitin 2017, ndërkohë që përgatitjet për këtë projekt kishin filluar qysh në vitin 2001.

Termocentrali “Kosova e Re” ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023 dhe ndërtimi i tij do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Por, ndërtimi i termocentralit është kundërshtuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në vazhdimësi e kanë konsideruar si projekt të dëmshëm për mjedisin.

Thëngjilli konsiderohet se krijon ndotje të lartë të ajrit.

Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDP), thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet të ndjek rrugë të tjera për kapacitetet energjetike, dhe të heq dorë nga kapacitetet energjetike me thëngjill.

“Ne kemi kërkuar një qartësim të pozicionit të Qeverisë së Kosovës lidhur me termocentralin ‘Kosova e re’ dhe sipas disa njoftimeve që i kemi nga brenda, qeveria ende është duke u orvatur që të vë një komunikim më këtë kompani (Contour Global) dhe të shoh se cilat janë modalitet në mënyrë që të vazhdohet me këtë projekt. Për neve ky projekt është i vdekur”, thotë Abazi.

Sipas tij, rruga që duhet ndjekur Qeveria e Kosovës është shqyrtimi i mundësive përmes një modelimi të përgjithshëm të sistemit energjetik të Kosovës për të parë nëse ka potencial të caktuar për investime të mëtutjeshme energjetike.

“Kemi nevojë për kapacitete të reja energjetike, por ne konsiderojmë që këto kapacitete duhet të vinë nga burimet e ripërtërishme të energjisë, qoftë përmes ngritjes së investimeve në fushën e masave stimuluese nga energjia e ripërtërishme apo përmes fuqizimit të mekanizmave të vetë prodhimit nga ana e konsumatorëve përmes paneleve solare dhe pajisjeve tjera të cilat ndikojnë në uljen e konsumit dhe shtimit të prodhimit të energjisë”, thotë Abazi.

Në anën tjetër, një projekti i gazsjellësit Greqi – Maqedoni – Kosovë konsiderohet si mundësi e mirë për kapacitete të reja energjetike.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se një projekt i cili është diskutuar në takimet që kanë pasur në Uashington më 3 dhe 4 shtator, kur është arritur marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Serbi, ka qenë edhe linja e gazsjellësit.

“Një projekt që nuk po përmendet e që ka peshë të madhe në të bërit biznes në Kosovë dhe në përgjithësi në zhvillimin e vendit, është linja e gazsjellësit. E kemi diskutuar edhe më herët, por është një projekt që ka qenë pjesë e diskutimeve dhe e investimeve të SHBA-së në Kosovë. Ideja themelore është të ndërtohet gazsjellësi nga Greqia në Kosovë, ndërsa lidhja jonë të bëhet në Shkup”, ka thënë Abrashi.

Abazi thotë se pikërisht edhe ky projekt i gazsjellësit duhet të shqyrtohet nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që t’i iket energjisë nga thëngjilli.

“Kosova duhet të lirohet nga burimet ndotëse të energjisë dhe të kalojë në energjinë e ripërtërishme dhe alternativa tjera. Pastaj, po ashtu, të shohim mundësitë qoftë edhe duke i konsideruar këto investimet e fundit të paralajmëruara në zotimet e Washingtonit. Të shihet se cilat janë opsionet që ofrohen”, thotë Abazi.

Kosova ka konsideruar në vazhdimësi ngritjen e kapaciteteve energjetike përmes thëngjillit, pasi që ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Kosova ndërkohë vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Problemi me furnizim stabil me energji elektrike në Kosovë së fundi është theksuar edhe në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për Klimën e Investimeve të publikuar më 9 shtator.

Sipas këtij raporti, Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por një nga problemet që pengon ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë është edhe furnizimi jo i besueshëm i energjisë.

Continue Reading

Bota

​Izraeli njofton ndërprerjen e luftimeve në disa pjesë të Gazës, ndërsa agjencitë kritikojnë dërgesat e ndihmave nga ajri

Published

on

By

Izraeli njoftoi një “pauzë taktike në aktivitetin ushtarak” në disa pjesë të Gazës, veprim ky i cili vjen pasi tha se ka dërguar ndihma nga ajri, të shtunën në mbrëmje. Ndihma përmbante “shtatë pako që përmbanin miell, sheqer dhe ushqim të konservuar”, raporton BBC.

Izraeli është përballur me presion në rritje nga qeveritë perëndimore, me agjencitë e ndihmës që paralajmërojnë se uria masive po përhapet në Gazë.

Agjencitë e ndihmës më parë e kanë kritikuar planin e Izraelit për dërgesën nga ajri, duke thënë se sasia është e pamjaftueshme, ndërsa banorët e Gazës kanë frikë se metoda mund të jetë e pasigurt.

Të paktën 127 njerëz kanë vdekur nga kequshqyerja që nga fillimi i luftës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Hamasi.

IDF thotë se dërgesa nga ajri është pjesë e një “serie veprimesh” – duke përfshirë krijimin e korridoreve humanitare për konvojet e OKB-së – për të “hedhur poshtë pretendimin e rremë për urinë e qëllimshme”.

Continue Reading

Bota

Trump thotë ‘është mirë që jam në Skoci’, zbarkon për një udhëtim katër-ditor

Published

on

By

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “është shumë mirë të jesh në Skoci” teksa zbarkoi për një vizitë private katër-ditore.

Pasi Air Force One zbarkoi në Aeroportin e Prestwick, pak para orës 20:30, presidenti amerikan u prit nga Sekretari Skocez Ian Murray dhe Warren Stephens, Ambasadori i SHBA-së në Mbretërinë e Bashkuar.

Trump foli me gazetarët përpara se autokolona presidenciale të nisej për në resortin e tij Turnberry, në South Ayrshire, ku pritet të luajë golf të shtunën, shkruan BBC.

Duke folur për Sir Keir Starmer, të cilin do ta takojë të hënën, ai tha: “Më pëlqen kryeministri juaj. Ai është pak më liberal se unë – siç ndoshta e keni dëgjuar – por është një njeri i mirë. Ai arriti një marrëveshje tregtare.”

Autokolona – e cila përmbante më shumë se dy duzina automjetesh – hyri në resortin e golfit Turnberry të Trump rreth orës 21:30, i shoqëruar nga automjete të Policisë së Skocisë dhe ekipe ambulancash.

Ndërsa mbërriti në hotelin luksoz, automjeti i presidentit – i njohur si Bisha – kaloi pranë një grupi të vogël protestuesish.

Trump do të qëndrojë në Turnberry gjatë fundjavës përpara se të shkojë në pronën e tij të dytë në Aberdeenshire, ku do të hapë një fushë të re me 18 vrima në Menie.

Ai u tha gazetarëve se një yll i ndjerë i James Bond luajti një rol vendimtar në projekt.

Trump tha: “Sean Connery më ndihmoi të merrja lejet – nëse nuk do të ishte për Sean Connery nuk do t’i kishim ato fusha të shkëlqyera.”

Continue Reading

Bota

Monumenti për viktimat e gjenocidit të Srebrenicës u përurua në Paris

Published

on

By

Anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Beçiroviq dhe kryetarja e Bashkisë së metropolit francez, Anne Hidalgo përuruan sot në Paris monumentin kushtuar viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.

Monumenti ndodhet në rrugicën e monumenteve përkujtimore në varrezat Père Lachaise, pranë atyre të dedikuara për viktimat e gjenocidit në Ruandë dhe ushtarëve francezë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.

Ai u ngrit me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit kundër boshnjakëve, dhe iniciativa për ndërtimin e tij erdhi nga organizata joqeveritare Solidariteti me Bosnjën dhe Hercegovinën (SIBH-Francë), me mbështetjen e autoriteteve të qytetit të Parisit, transmetojnë mediat boshnjake.

Kujtimi i gjenocidit të Srebrenicës duhet të jetë themeli për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, më të sigurt dhe më të drejtë, sepse vetëm me të vërtetën, respektin për viktimat dhe përgjegjësinë mund të sigurohemi që gjenocidi të mos ndodhë më kurrë“, tha Beçiroviq.

Gjenocidi i Srebrenicës, i kryer nga forcat serbe të Bosnjës, konsiderohet krimi më i keq i luftës i kryer në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë në masakrën serbe në vitin 1995.

Continue Reading

Kulturë

​Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë: Qeveria ta shtyjë procesin e liberalizimit të tregut energjetik

Published

on

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dorëzon në Qeverinë e Kosovës kërkesën që të shtyhet procesi i liberalizimit të tregut energjetik.

Në konferencë të jashtëzakonshme për media, para objektit të Qeverisë, drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se ky proces po vazhdon të përcillet me shkelje.

“Kemi edhe paralajmërime por edhe vet kërcënimet nga KEK-u sa i përket furnizimit me energji elektrike, e cila tashmë po u dërgon të gjitha bizneseve njoftimet kërcënuese e do tua ndërpres energjinë elektrike me 30 të këtij muaji. Asnjë biznes deri më sot nuk e ka marrë asnjë faturë sa u përket shpenzimeve që i ka bërë në periudhën qershor edhe korrik. Ky është një fakt i radhës qe dëshmon se i gjithë procesi i liberalizimit të energjisë elektrike në Kosovë është përcjell dhe vazhdon të përcjellët me një numër të madh të shkeljeve”, tha ai.

ZRRE dje ka njoftuar bizneset lidhur me përfundimin e periudhës së furnizimit të garantuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit.

Sipas ZRRE-së të gjithë konsumatorët që aktualisht furnizohen me energji elektrike nga (KEK) si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF), se periudha maksimale e këtij furnizimi të garantuar përfundon më 30.07.2025, për konsumatorët që kanë shfrytëzuar këtë shërbim nga data 1 qershor 2025.

Gjithashtu edhe KEK ditë më parë ka njofuar se 30 korriku është data e fundit që do të furnizojë me energji elektrike të gjithë konsumatorët që nuk kanë gjetur furnizues në treg të hapur.

Në anën tjetër, më 12 qershor 2025 Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji në mbledhjen e saj ka caktuar subjektin juridik KEK si Furnizues të Mundësisë së Fundit për periudhë gjashtë  mujore.

Continue Reading

Të kërkuara