Lajmet

Pse pandemia e radhës mund të na gjejë sërish të papërgatitur?

Nga Bill Gates

Published

on

Imagjinoni sikur ka rënë një zjarr të vogël në kuzhinën tuaj. Menjëherë bie alarmi anti-zjarr, duke i paralajmëruar për rrezikun të gjithë të pranishmit në banesë. Dikush telefonon zjarrfikësit. Ju përpiqeni ta shuani vetë zjarrin, dhe ndoshta keni edhe një pompë të zogël zjarrfikëse nën lavaman.

Nëse as ajo nuk funksionon, e dini se si të evakuoni në mënyrë të sigurt. Në momentin që dilni jashtë, zjarrfikësit po përgatiten të hidhen në veprim. Ata përdorin hidrantin para për të shuar flakët përpara se nga zjarri të rrezikohet ndonjë nga shtëpitë e fqinjëve tuaj.

Ne duhet të përgatitemi për t’i luftuar shpërthimet epidemike të sëmundjeve, ashtu siç përgatitemi për të luftuar zjarret. Nëse një zjarr lihet të digjet jashtë kontrollit, ai përbën një kërcënim jo vetëm për një shtëpi, por për një komunitet të tërë. E njëjta gjë vlen edhe për sëmundjet infektive, sidomos ato që përhapen në shkallë të gjerë.

Siç e dimë shumë mirë nga Covid-19, një shpërthim epidemik në një qytet, mund të përhapet shpejt në një vend të tërë dhe më pas në mbarë botën. Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi për herë të parë Covid-19 si një pandemi pak më shumë se 3 vjet më parë, ai shënoi kulmin e një dështimi kolektiv për t’u përgatitur për pandemitë, pavarësisht shumë paralajmërimeve të bëra.

Dhe unë kam frikë se po bëjmë sërish të njëjtat gabime. Bota nuk ka bërë aq shumë për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme sa kam shpresuar. Por nuk është tepër vonë për të shmangur përsëritjen e historisë. Bota ka nevojë për një sistem të mirë–financuar që të jetëgati të hyjë në veprim kur të shfaqet rreziku.

Ne kemi nevojë për një “zjarrfikës” për pandemitë. Unë jam optimist për një rrjet që po ndërtojnë OBSH dhe partnerët e saj, i ashtuquajturi Korpusi i Emergjencave të Shëndetit Global. Ky rrjet i udhëheqësve kryesorë të urgjencës shëndetësore në botë, do të punojë së bashku për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme.

Ashtu si zjarrfikësit që kryejnë stërvitje për të praktikuar reagimin ndaj një zjarri, Korpusi i Emergjencave planifikon të kryejë stërvitje për t’u praktikuar se si të reagojë përballëepidemive dhe pandemive. Ushtrimet do të sigurojnë që të gjithë – qeveritë, ofruesit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e urgjencës shëndetësore – ta dinë se çfarë të bëjnë kur shfaqet një shpërthim i mundshëm.

Një nga detyrat më të rëndësishme të kësaj trupe, do të jetë ndërmarrja e veprimeve të shpejta për të ndaluar përhapjen e një patogjeni. Shpejtësia e veprimit kërkon që vendet të kenë aftësi testimi në shkallë të gjerë, në mënyrë që të identifikojnë që në fillim kërcënimet e mundshme.

Mbikëqyrja mjedisore si testimi i ujërave të zeza është shumë thelbësore, pasi shumë patogjenë shfaqen në mbetjet njerëzore. Nëse një kampion i ujërave të zeza rezulton pozitiv, një ekip i reagimit të shpejtë do të vendoset në zonën e prekur për të gjetur njerëz që mund të infektohen, do të zbatojë një plan reagimi, dhe do të nisë edukimin e nevojshëm të komunitetit se çfarë duhet kërkuar dhe si të qëndrojnë të mbrojtur.

Siç e tregoi Covid-19, një pandemi është një problem triliona dollarësh, dhe zbutja e kësaj sfide nuk duhet të varet nga vullnetarët. Ne kemi nevojë për një trupë profesionistësh nga çdo vend dhe rajon, dhe bota duhet të gjejë një mënyrë për t’i kompensuar ata për kohën që shpenzojnë duke u përgatitur dhe për t’u përgjigjur ndaj kërcënimeve transnacionale.

Ata duhet të jenë në gjendje të vendosin në gatishmëri ekipe profesionistësh për të ndihmuar në kontrollin e shpërthimeve atje ku nisin. Që të jetë i suksesshëm, Korpusi i Emergjencave duhet të bazohet në rrjetet ekzistuese të ekspertëve dhe të udhëhiqet nga njerëz si drejtuesit e agjencive kombëtare të shëndetit publik dhe drejtuesit e tyre për përgjigje epidemike.

Është e vështirë për çdo vend që ta ndalë vetë përhapjen e një sëmundje. Shumë nga veprimet më domethënëse kërkojnë një koordinim nga nivelet më të larta të qeverisë. Bota duhet të përgatitet për një “zjarr” me shumë alarme, dhe për mënyra efektive të reagimit ndaj zjarrit që kërkon njësi dhe departamente të ndryshme.

Këto lloj flakësh janë të rralla, por kur ndodhin, nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur. Reaguesit lokalë duhet të dinë se mund të mbështeten në një numër të madh “zjarrfikësish epidemikë” të trajnuar mirë, të cilët do të punojnë pa probleme së bashku.

Ata nuk mund të mbërrijnë në vendngjarje, vetëm për të zbuluar se pajisjet e tyre nuk përshtaten me ato të njësive të njësitë e tjera që kanë mbërritur më herët. Trupat e Emergjencave do të sigurohen që vendet dhe sistemet shëndetësore të jenë të koordinuara përpara një emergjence, në mënyrë që gjithçka të ecë pa probleme gjatë kohëve të krizës.

Duke kryer stërvitje dhe simulime, ky organ do të zbulojë zonat ku vendet dhe udhëheqësit nuk janë gati, dhe do të na ndihmojë që t’i rregullojmë që tani problematikat. Është e rëndësishme të ketë stërvitje edhe për shumë lloje të ndryshme patogjenësh.

Sëmundjet e frymëmarrjes njerëzore janë një shqetësim i madh, sepse ato mund të përhapen shumë shpejt në nivel global. (Kujtoni se sa shpejt u përhap Covid-19). Por ata janë larg nga të qenit kërcënimi i vetëm. Po sikur patogjeni tjetër me potencial pandemik të përhapet përmes spërklave sipërfaqësore?

Po nëse transmetohet seksualisht si HIV? Po sikur të jetë rezultat i bioterrorizmit? Çdo skenar kërkon një përgjigje të ndryshme, dhe Trupat e Korpusit të Emergjencës mund ta ndihmojnë botën që të përgatitet për të gjitha ato. Ne nuk kemi luksin që të kapemi sërish të papërgatitur.

Bota duhet të ndërmarrë veprime tani për t’u siguruar që Covid-19 të jetë pandemia e fundit,dhe një nga lëvizjet më të mëdha që mund të bëjmë është të mbështesim ekspertët kryesorë të shëndetit në botë – OBSH – dhe të investojmë në Korpusin e Emergjencave Shëndetësore Globale që të mund të tregojë potencialin e tij të plotë.

Dhe kjo do të kërkojë dy gjëra:Së pari, pjesëmarrjen e liderëve të shëndetit publik nga të gjitha vendet. Pandemia e ardhshme mund të shfaqet kudo, ndaj Korpusi i Emergjencave duhet të ketë ekspertizë nga çdo cep i globit, përfshirë nga agjencitë kombëtare të sëmundjeve dhe kërkimit si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.

Së dyti, ne kemi nevojë që vendet më të pasura të ofrojnë më shumë fonde për ta bërë realitetngritjen e kësaj strukture. Unë besoj se OBSH0ja mbetet mjeti ynë më i mirë për t’i ndihmuar vendet të ndalojnë shpërthimet e sëmundjeve epidemike.

Ndërsa Korpusi i Emergjencave Shëndetësore Globale, do të përfaqësojë një përparim masiv drejt një të ardhmeje pa pandemi. Pyetja është nëse ne kemi largpamësinë e duhur për të investuar tek kjo e ardhme tani, dhe jo para se të jetë tepër vonë.

Shënim: Bill Gates, bashkë-kryetar i “Fondacionit Bill & Melinda Gates”. Ai është autor i librit “Si të parandalojmë pandeminë e ardhshme”./“New York Times” – Bota.al

lajme

UBT zgjeron bashkëpunimin ndërkombëtar përmes programit Erasmus+ me Universitetin e Zarës në Kroaci

Published

on

By

Në kuadër të programit Erasmus+ dhe angazhimit të vazhdueshëm për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, përfaqësuese të UBT-së, Prof. Assoc. Dr. Alma Lama, dekane e Fakultetit të Gjuhës Angleze, Prof. Ass. Dr. Denis Celcima, dekane e Fakultetit të Psikologjisë, si dhe udhëheqësja e departamenteve të Dizajnit dhe Modës, Prof. Afërdita Statovci, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin e Zarës në Kroaci, një nga institucionet akademike më të vjetra në Evropë, i cili këtë vit shënon 600-vjetorin e themelimit.

Gjatë takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit e universitetit, u prezantuan historiku, zhvillimi dhe arritjet e të dy institucioneve.

Delegacioni i UBT-së prezantoi rrugëtimin e institucionit që nga themelimi, programet akademike, fakultetet, procesin e ndërkombëtarizimit, partneritetet strategjike, si dhe pozicionimin e UBT-së në rangimet ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, Universiteti i Zarës prezantoi traditën e tij të pasur akademike, programet studimore dhe prioritetet strategjike për zhvillimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Diskutimet u fokusuan në mundësitë konkrete të bashkëpunimit ndërmjet fakulteteve, shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike.

Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe konstruktive. Përfaqësuesit e Universitetit të Zarës shprehën gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit me UBT-në, duke rekomanduar identifikimin e iniciativave konkrete, projekteve të përbashkëta dhe programeve të shkëmbimit që do t’i japin përmbajtje dhe qëndrueshmëri partneritetit të ardhshëm institucional.

Ky bashkëpunim paraqet një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve akademike ndërkombëtare dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin e UBT-së në hapësirën evropiane të arsimit të lartë, duke kontribuar në shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira akademike.

Continue Reading

Vendi

Rektori Hajrizi në Universitetin e Oksfordit: Prezanton modelin e UBT-së për të ardhmen e arsimit të mbështetur nga Inteligjenca Artificiale, UBT Smart City dhe Aleancën Globale me Coursera

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ishte i ftuar të marrë pjesë në Samitin Ndërkombëtar për të Ardhmen e Arsimit, të organizuar nga Coursera në ambientet e Saïd Business School, University of Oxford, ku u mblodhën liderë të arsimit, ekspertë të teknologjisë, drejtues universitetesh dhe partnerë globalë për të diskutuar transformimin e arsimit në epokën e Inteligjencës Artificiale (Coursera Summit 2026: The Future of Higher Education).

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë forum prestigjioz përfaqëson një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për institucionin, i cili gjatë viteve të fundit është shndërruar në një nga modelet më inovative të arsimit të lartë në botë.

UBT ishte ndër institucionet e ftuara për të ndarë përvojat dhe praktikat e saj si një shembull konkret i integrimit të teknologjisë, inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në proceset akademike dhe në përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Tema qendrore e forumit ishte roli i Inteligjencës Artificiale në të ardhmen e arsimit dhe mënyra se si universitetet duhet të përshtaten me transformimet e shpejta teknologjike. Në këtë kontekst, UBT u prezantua si një nga partnerët strategjikë të Coursera-s dhe si një model i suksesshëm i bashkëpunimit ndërmjet arsimit, industrisë dhe teknologjisë.

Gjatë punëtorive të organizuara në kuadër të forumit, rektori Hajrizi prezantoi ekosistemin inovativ të UBT-së, duke shpalosur mënyrën se si Inteligjenca Artificiale është integruar në mësimdhënie, kërkim shkencor, inovacion, zhvillim profesional dhe ndërveprim me industrinë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me qasjen unike të UBT-së, e cila kombinon arsimin akademik me teknologjitë më të avancuara dhe me nevojat reale të tregut të punës.

Një nga temat që tërhoqi interes të veçantë ishte partneriteti strategjik ndërmjet UBT-së dhe Coursera-s, përmes të cilit studentëve të UBT-së u ofrohet qasje në mbi 14,000 kurse, programe trajnimi, certifikime profesionale dhe micro-credentials nga universitetet dhe kompanitë më prestigjioze në botë.

Ky bashkëpunim u mundëson studentëve që, përveç diplomës universitare, të fitojnë edhe certifikime të njohura ndërkombëtarisht, duke zhvilluar kompetenca të reja profesionale dhe duke rritur mundësitë e tyre për punësim në tregun lokal dhe global.

Në prezantimin e tij, rektori Hajrizi theksoi se universitetet e së ardhmes duhet të shkojnë përtej modelit tradicional të edukimit dhe të krijojnë mundësi të vazhdueshme për zhvillimin e aftësive, rikualifikimin dhe certifikimin profesional të studentëve.

Ai nënvizoi se UBT tashmë ka ndërtuar një model që lidh arsimin, teknologjinë, inovacionin dhe industrinë në një ekosistem të vetëm UBT Smart City, të mbështetur fuqishëm edhe nga Inteligjenca Artificiale.

Përveç prezantimeve dhe diskutimeve tematike, forumi shërbeu edhe si një platformë e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të UBT-së.

Gjatë takimeve të zhvilluara me drejtues universitetesh dhe institucione akademike nga vende të ndryshme të botës, rektori Hajrizi krijoi ura të reja bashkëpunimi, të cilat pritet të konkretizohen në projekte të përbashkëta kërkimore, programe akademike, shkëmbime studentore dhe iniciativa inovative në fushën e arsimit dhe teknologjisë.

Ftesa e UBT-së në një forum të këtij niveli nuk është e rastësishme. Ajo vjen si rezultat i angazhimit të vazhdueshëm të institucionit në transformimin digjital të arsimit, investimeve në teknologji, zhvillimit të modeleve inovative të mësimdhënies dhe krijimit të partneriteteve strategjike me organizata dhe institucione lidere në botë.

Këto arritje kanë bërë që UBT të konsiderohet një nga institucionet më dinamike dhe më të orientuara drejt së ardhmes në Evropën Juglindore, duke u renditur ndër universitetet më inovative në botë.

Kompetencat, shkalla e lartë e punësimit dhe karriera e suksesshme e studentëve dhe alumnëve të UBT-së tashmë njihen në mbarë botën. Për këtë arsye, UBT është vlerësuar dhe renditur lart për reputacionin e saj akademik dhe profesional.

Për Kosovën, prezantimi i UBT-së në Universitetin e Oksfordit përfaqëson një dëshmi të qartë se një institucion nga Kosova tashmë është pjesë aktive e diskutimeve dhe zhvillimeve globale për të ardhmen e arsimit dhe teknologjisë.

Ai konfirmon se modelet inovative të zhvilluara në UBT, në Kosovë, po tërheqin vëmendjen e universiteteve, organizatave dhe platformave më prestigjioze ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këtë forum riafirmon pozicionin e UBT-së si lider në transformimin e arsimit përmes teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, duke vazhduar të krijojë mundësi të reja për studentët, akademikët dhe shoqërinë në një botë që po ndryshon me ritme të shpejta.

Continue Reading

Vendi

Sot 30 vjet u hap Zyra Amerikane në Kosovë

Published

on

Si sot, para 30 vitesh, më 5 qershor 1996, u hap Zyra Amerikane në Kosovë në praninë e shumë qytetarëve të gëzuar shqiptarë, me pjesëmarrje nga zyrtarë të lartë amerikanë. Presidenti Ibrahim Rugova ishte aty për ta ngritur flamurin amerikan në përfaqësinë e SHBA-ve në Prishtinë.

Kjo ka qenë ngjarje e madhe për Kosovën.

Nën udhëheqjen e Presidentit Rugova, në rrugën e vet të lirisë, të pavarësisë dhe të demokracisë, Kosova ishte ankoruar me Perëndimin. “Ditë historike për Kosovën” e ka quajtur Rugova vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë.

Në ceremoninë e hapjes së Zyrës Amerikanë morën pjesë John Kornblum, ndihmës sekretar amerikan i shtetit, Kongresmeni Eliot Engel, Presidenti i atëhershëm i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, diplomatë të tjerë amerikanë dhe zyrtarë vendor.

Hapja e Zyrës përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne të Kosovës dhe në zhvillimin e marrëdhënieve shqiptaro‑amerikane. Kjo zyrë ishte përfaqësia e parë zyrtare amerikane në Kosovë dhe shënoi një hap të rëndësishëm diplomatik disa vite para fillimit të luftës.

Ajo u hap në një kohë kur Kosova ndodhej nën një regjim të ashpër politik dhe administrativ, ndërsa kërkesa për pavarësi dhe përkrahje ndërkombëtare ishte në rritje. Hapja e kësaj zyre u pa si një sinjal i qartë i interesimit të Shteteve të Bashkuara për situatën në Kosovë dhe si një mbështetje morale për popullin shqiptar.

Zyra Amerikane në Prishtinë  shërbeu si kanal komunikimi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve politike e shoqërore në Kosovë, duke ndihmuar në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

Pas luftës së vitit 1999, kjo zyrë mori një rol edhe më të madh, duke shërbyer si misioni kryesor diplomatik i SHBA‑së në Kosovë deri në shpalljen e pavarësisë më 2008, kur u shndërrua zyrtarisht në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Foto: Ridvan Slivova

 

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu: E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Published

on

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në proceset evropiane dhe ka kërkuar trajtim të barabartë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në deklarimin e saj para mediave, ajo theksoi se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian. Pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit Haxhiu e quajti shumë të rëndësishme.

“Siç e dini, sot do të diskutojmë tema të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe zgjerimin e BE-së. Duhet të theksoj se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian i bashkuar dhe më i gjerë është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka bërë reforma të rëndësishme dhe se po punon për të ardhmen evropiane, duke qenë plotësisht në përputhje me forumin e BE-së dhe politikën e sigurisë.

“Nga ky samit presim diskutime të frytshme nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Kjo është arsyeja pse Kosova meriton pyetësorin, statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Duhet të theksoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik. Ka të bëjë me prosperitetin, ka të bëjë me paqen, demokracinë dhe dinjitetin për Evropën dhe për popullin tonë”, ka thënë Haxhiu.

Continue Reading

Të kërkuara