Lajmet

Pse ditët e para janë vendimtare për të shpëtuar nga tërmeti?

Ekipet e kërkimit nga e gjithë bota i janë bashkuar personelit lokal të urgjencës në Turqi dhe Siri.

Published

on

Sa kohë mund të mbijetojnë njerëzit e bllokuar nën rrënojat e një tërmeti? Deri në një javë ose më shumë, thonë ekspertët, por kjo varet nga dëmtimet e tyre, mënyra se si janë bllokuar dhe kushtet e motit.

Ekipet e kërkimit nga e gjithë bota i janë bashkuar personelit lokal të urgjencës në Turqi dhe Siri për të kërkuar viktima nga tërmeti shkatërrues i kësaj jave që la të vdekur mijëra persona.

Shumica e shpëtimeve ndodhin në 24 orët e para pas një fatkeqësie. Pas kësaj, shanset për mbijetesë bien me kalimin e çdo dite, thonë ekspertët.

Qasja në ujë dhe ajër për të marrë frymë janë faktorë vendimtarë, së bashku me motin. Kushtet e dimrit në Siri dhe Turqi kanë penguar përpjekjet e shpëtimit dhe temperaturat kanë rënë nën zero.

“Në mënyrë tipike, është e rrallë të gjesh të mbijetuar pas ditës së pestë deri në të shtatën, dhe shumica e ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit do të konsiderojnë ndalimin deri atëherë”, tha Dr. Jarone Lee, një ekspert i mjekësisë së urgjencës dhe fatkeqësive në Spitalin e Përgjithshëm të Massachusetts. “Por, ka shumë histori të njerëzve që kanë mbijetuar shumë përtej kufirit të shtatë ditëve. Për fat të keq, këto janë zakonisht raste të rralla dhe të jashtëzakonshme”.

Njerëzit me lëndime traumatike, përfshië lëndimet e shtypjes dhe amputimet e gjymtyrëve, përballen me dritaren më kritike të mbijetesës, tha Dr. George Chiampas, një specialist i mjekësisë urgjente në shkollën mjekësore Feinberg të Universitetit Northwestern.

“Nëse nuk i tërhiqni brenda një ore, në atë orë të artë, është me të vërtetë një shans shumë i vogla për të mbijetuar”, tha ai.

Ata me sëmundje të tjera, shëndeti i të cilëve varet nga medikamentet, gjithashtu kanë shanse të vogla, shtoi Chiampas.

Pas tërmetit dhe cunamit në Japoni të vitit 2011, një adoleshent dhe gjyshja e tij 80-vjeçare u gjetën të gjallë pas nëntë ditësh të bllokuar në shtëpinë e tyre të rrafshuar. Një vit më parë, një vajzë 16-vjeçare nga Haiti u shpëtua nga rrënojat e tërmetit në Port-Au-Prince pas 15 ditësh./UBTNews/

Lajmet

Laura Fazliu kalon në gjysmëfinale të Grand Slam-it në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudistja kosovare Laura Fazliu po vazhdon me sukses paraqitjen e saj në Grand Slam-in e xhudos që po heldet në Abu Dhabi, duke siguruar një vend në gjysmëfinale të këtij turneu me rëndësi.

Fazliu e nisi garën duke qenë e lirë në xhiron e parë. Në raundin e dytë, ajo mposhti me Waza-ari garuesen nga Portugalia, Joana Crisostomo. Forma e mirë e xhudistes kosovare u konfirmua edhe në çerekfinale, ku me Ippon mposhti me dominim përfaqësuesen vendase nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Tsendbazar Mashbat.

Në luftën për të siguruar finalen e madhe, Laura Fazliu do të përballet në gjysmëfinale me xhudisten nga Polonia, Angelika Szymanska. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi akademike për profesionistët: UBT ndan bursa 20% për studimet Master

Published

on

By

Teksa po afrohen ditët e fundit të afatit për regjistrime në nivelin Master, UBT rikujton të gjithë profesionistët e angazhuar në tregun e punës se mund të përfitojnë nga iniciativa “Engaged Scholarship”, e cila ofron 20% bursë studimi për avancimin e tyre akademik.

Programi u dedikohet punonjësve në sektorin publik dhe privat që synojnë të ngrenë nivelin e tyre profesional. Përfitues të kësaj zbritjeje mund të jenë kategori të ndryshme, përfshirë zyrtarët e administratës publike, pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, gazetarët dhe zyrtarët e marrëdhënieve me publikun, avokatët, kontabilistët, si dhe stafi shëndetësor e teknologët e ushqimit.

Për t’ua lehtësuar procesin kandidatëve që janë në marrëdhënie pune, ligjëratat zhvillohen me orar fleksibil, kryesisht në orët e pasdites. Të gjithë të interesuarit kanë edhe pak ditë kohë për të shfrytëzuar këtë mundësi para përmbylljes zyrtare të afatit të regjistrimeve për këtë vit akademik.

 

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Arian Kadriu, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore në Ukrainë

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT, Prof. Dr. Arian Kadriu, ka marrë pjesë në edicionin e 14-të të konferencës ndërkombëtare shkencore dhe praktike “Ivan Ivanchenko Scientific School”, të organizuar në Ukrainë, ku ka prezantuar një punim shkencor në kuadër të sesionit plenar të konferencës.

Në këtë konferencë, profesori Kadriu, në bashkautorësi me eksperten Delfina Ertanowska, prezantoi punimin me titull “Strategic Friction and Interoperability Failure: The Communication Crisis in the Evolving Security Architecture of NATO’s South Eastern Flank”, i cili trajton sfidat strategjike, problemet e ndërveprueshmërisë dhe krizën e komunikimit në kuadër të arkitekturës së sigurisë në zhvillim të krahut juglindor të NATO-s.

Punimi trajton çështje me rëndësi për zhvillimet aktuale të sigurisë ndërkombëtare, duke vënë në fokus koordinimin strategjik, komunikimin ndërinstitucional dhe sfidat që ndikojnë në bashkëpunimin dhe ndërveprueshmërinë në kuadër të strukturave të sigurisë së NATO-s. Konferenca “Ivan Ivanchenko Scientific School” mbledh studiues, akademikë dhe ekspertë nga fusha të ndryshme shkencore, duke krijuar një platformë për prezantimin e kërkimeve, shkëmbimin e përvojave akademike dhe diskutimin e temave me rëndësi ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Nisi protesta në Pejë për vrasjen e Arlinda Zekajt, ngjyrosen me të kuqe këpucët e policëve

Published

on

By

Ka nisur në Pejë protesta gjithëpopullore kundër vrasjes së grave, në shenjë revolte pas rastit të rëndë të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë.

Masa e mbledhur ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj dështimeve institucionale, duke kërkuar drejtësi të menjëhershme dhe llogaridhënie. Në një akt simbolik revolte, protestuesit kanë ngjyrosur me ngjyrë të kuqe këpucët e zyrtarëve policorë që po siguronin ngjarjen, teksa në kor brohorisnin thirrjet “Marre”.

Marshimi i protestuesve do të përshkojë të gjitha institucionet përgjegjëse në qytet, duke u ndalur para Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Stacionit Policor, Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore.

Kjo protestë në Pejë është pjesë e valës së reagimeve qytetare që po zhvillohen në të gjithë Kosovën, me kërkesën e prerë për siguri, mbrojtje institucionalisht të garantuar dhe ndëshkim të përgjegjësve për mosveprimet që çuan në këtë tragjedi. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara